SHEFIK SADIKU: POPULLI ËSHTË I MIRË, POR UDHËHEQJEN E KA TË KEQE!

Viti, 8 dhjetor 2020: Mbase nuk po zbuloj Amerikën me këtë konstatim, por vetëm po e them një të vërtetë që askush s’mund ta mohoje. Se kjo është kështu dëshmon historia. Po ta shikojmë vëmendshëm dhe pa ndjenja, por me arsye, kjo dëshmohet në të gjitha fazat e historisë sonë, mirëpo për të qenë më bindëse, do ta konkretizojmë me shembuj më të ri të jetës, të cilët nuk duan ndonjë angazhim më të thellë për t’i mësuar faktet historike.

Në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kur u organizua tubimi i njohur si Konferenca e Prizrenit, në Prizren më 10 korrik 1945 për t’u vendosur fati i Kosovës, ishte udhëheqja shqiptare ajo që, duke qenë të mashtruar apo të shantazhuar bëri që Kosova të mbetej e pushtuar deri më 1999!
Ndryshimet kushtetuese që ndodhën në vitin 1989, më 23. 3. 1989, në Kuvendin e Kosovës, me pak përjashtime, u votua suprimimi edhe i asaj pak autonomie që e gëzonte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974. Ata që janë më të moshuar dhe ata që në një formë apo tjetër i kanë lexuar shkrimet për ndryshimet e ndodhura nga viti 1981 e tutje, fare qartë e kanë vërejtur gatishmërinë e masave të gjëra deri në sakrificë pêr t’u ruajtur me çdo kusht ai status i Kosovës, që edhe ashtu nuk ishte i merituari, por për rrethanat e asokohshme ishte më i miri. Megjithatë me hilen apo shantazhimin e udhëheqjes së atëhershme të Lidhjes Komuniste të Kosovës, Lidhjes Socialiste, Kryesisë së Kosovês, Kuvendit të Kosovës, ndodhi 23 marsi i kobshëm i 1989-ës.
Jo më mirë se këto pak argumente që u përmendën e shumë të tjera të pa thëna, ndodhi edhe Lufta e fundit çlirimtare. A duhej të çlirohej Kosova nga Serbia? Kjo as që vihej në dyshim nga askush. E keqja ndodhi se rrugët deri te arritja e qëllimit ndryshonin në idetë e bartësve të popullit. Cila ishte rruga e duhur apo cila e gabuar, nuk është objekt i këtij shkrimi. Por pse ndodhi një ndarje e dëmshme, kjo është më se evidente.
Kush ishte fajtori apo i pafajshmi, nuk është e imja ta them këtu, por që ishin fajtorë dy rrymat që ishin në skenë, s’mund të mohohet nga askush. Si rezultat i kësaj ndarje të lidershipit, lufta nuk e konkretizoi epilogun që mund dhe duhej ta kishte. Si gjithnjë, populli ishte i gatshëm për gjithçka. Si shumë herë mungoi uniteti i lidershipit. Historia do ta gjykojë këtë pjesë të historisë pa anime.
Hiç më mirë, në aspektin e unitetit mbarkombëtar, nuk nisi as ndërtimi i shtetit në kushte të lirisë. Polarizimet lideriste që nga koha e luftës jo që u shuan dhe do të duhej të shuheheshin, por ato, fatkeqësisht, në segmente të caktuara edhe u rritën. Pa përmendur këtu vrasjet e pasluftës të çfarëdo natyre qofshin ato, ndërtimi i institucioneve, u përcoll, pa vullnetin e popullit, me polarizimet e trashëguara nga koha e luftës.
Jo më mirë dhe jo më të favorshme për popullin, rrodhën ngjarjet në pjesën tjetër të popullit tonë, në Shqipëri dhe Maqedoni , por ngjarjet e atjeshme nuk do të jenë temë e këtij shkrimi, veçanërisht, por si dukuri gjithshqiptare, gjithsesi.
Pse shqiptarët i tolerojnë deri në përmasa antikombëtare liderët e tyre?
E përdora shprehjen deri në përmasa antikombëtare nga fakti se momentalisht nuk munda të gjej ndonjë shprehje më të butë për një abuzim të tejskajshëm që i bëjnë pushtetarët besimit qytetar. Logjikisht titulli i shkrimit tim del në kundërshtim, sepse logjika thotë se i miri zgjedh të mirin. Megjithatë, jo për t’i relativizuar ligjet e logjikës, sepse ato janë të pa prekshme, por për ta arsyetuar natyrshëm titullin e shkrimit, le të më lejohet të them se populli ynë në gjenin e tij, në ADN-në e tij ka besën. Kjo, ndonëse në histori iu ka hakmarrë shumë herë tragjikisht, megjithatë s’mund të hiqet nga karakteri i tij. Po themi besa! Po, pra duke i besuar çdokujt që thirret në parime, populli i beson. Liderët tanë institucional e politikë, duke qenë pjesë e këtij populli thirren që populli t’u besojë, po ashtu e adresojnë pikërisht te ADN-ja, pra te besa. Po ç’ndodh pastaj? Fatkeqësisht ndodh ajo që te individë të caktuar, pa u mbështetur në etni, racë apo religjion, lind lakmia !
Po populli ç’bën dhe ç’duhet të bejë me lakmiqarët ?
Si popull duke e çmuar tej mase deri në adhurim fjalën, besën, nderin, përkushtimin, bartë mbi vete dhe fatin e vet shumë abuzime e mashtrime gjithnjë me besimin se abuzuesit dhe mashtruesit një ditë do ta kuptojnë se mashtrimi dhe abuzimi nuk duhet të jetë masë dhe kod i besimit.
A mund të thuhet se ky durim shpërfaqë elemente të primitivizmit apo ngecjes së zhvillimit mendor? Jo, asesi jo, sepse, gjithashtu, historia na mëson se kur populli e gjykon një personalitet, ndonëse ai gjykim mund të jetë i vonuar por kurrë s’mund të jetë i gabuar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura