SHEFQET DIBRANI: PËRCEPTIMI FIGURATIV DHE NDIJIMI ARTISTIK I LIRIKËS POETIKE

St.Gallen, 8 Korrik 2019: Besnik Camaj: “STREHË DASHNIE”, poezi, Shtëpia Botuese, “OM”, Prishtinë 2018, faqe 112. ISBN 9789951 632 49 2

 

 

 “Krejt këtë rrush e krejt këtë verë,
Ta kisha dhënë,
Veç me të puthë një herë në gushë,
T’më kishe lënë

***
Besnik Camaj, është dëshmia e maksimës se “artin e vërtetë e krijon aristokracia”, e cila i posedonte të gjitha mjetet tjera, andaj arti për këtë shtresë nuk ishte më luks se atë e kishin, por ishte nevojë shpirtërore, përkatësisht vlerë artistike që iu mungonte.
Besniku nuk është aristokrat nga ana materiale, sado që punët i ka shumë mirë, por në arritjet akademike në të cilat ka investuar shumë, mund të kategorizohet ndër ata intelektualë të cilët me përkushtim iu kanë qasur ngritjes intelektuale. Tashmë Ai është ligjërues në shkollimet e larta akademike dhe njëri nga docentet në Universitetin e Shkencave të Aplikuara, në Yverdon – Zvicër. Vite më parë, në komunitetin shqiptarë në Zvicër dhe kudo në Evropë, emri i tij u bë edhe më i njohur sepse iu rikthye me plotë hov organizimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Zvicër, për të dhënë edhe aty ndihmesën e poetit në fushën e organizimeve kulturore. Edhe sa ishte kryetar i SHKSHZ, sukseset nuk i kanë munguar, as nuk kanë munguar Festivalet dhe aktivitetet letrare, të cilat kryeisht i ka mbuluar nga të hyrat personale, duke bërë shumë për kulturën, librin dhe miqtë poet.
Pa dyshim, rikthimi tek letërsia, përkatësisht tek poezi, duhet të ishte nevojë shpirtërore, për ta kompletuar veten edhe në planin artistik. Poeti Besnik Camaj, është prezent me botime e veta letrare që nga viti 1999. Nëse gjërat shikohen nga ky prizëm, duket se koha e ngritjes akademike i paska shërbyer si përvojë për t’i aplikuar ato dije edhe në veprat poetike e letrare duke krijuar profilin e tij, ndërsa poezia që shkruan ai të zë vendin e merituar në sfondin e poezisë lirike, me estetikë mirë të organizuar.
Edhe poezitë e përfshira në librin “STREHË DASHNIE”, janë lirika që kanë nuanca të poezisë erotike, të shkruara me kujdes që këtë zhanër të poezive e bëjnë më të afërt dhe më të pranueshme. Këtë mendim poeti e shprehë në poezinë “NË KËTË BOTË”, në të cilën thotë: “të marrt’/ unë jam rrugë/ e ti strehë/ që veç pikon/ e deh”, faqe 17. Një këndvështrim dhe një qasje sa fisnike po aq meditative, e shkruar me kujdesin filozofik që përjetohen thellë, si lirika të mira: “Eja n’turr/ eja t’mësojmë si rrnohet/ mbi vullkan/ nën hije/ me flakë e tym/ dashnie”, faqe 19.
Larushia e kësaj poezie pasurohet me sfond fjalësh të rralla që i përkasin kryesisht gegërishtes letrare e cila mbulohet me shprehje nga zona e Dukagjinit, por shkrimi si i tillë është me figura stilistike që janë të realizuara estetikisht dhe artistikisht për t’ia pasur zilinë! Gjithsesi Besnik Camaj, na dëshmon se e folmja e zonës është ama e poezisë, ose poetët e kësaj treve janë më me fat pasi lindin mjeshtër të artit poetik, dhe kanë një leksik gjuhësore më të përsosur. Sigurisht janë ngjizur këto vlera të etnosit andaj poeti është i kompletuar për të ligjëruar artistikisht, andaj poezive iu ka dhënë motiv duke ndërtuar metaforën, ai ka aplikuar formën e mendimit meditativ: “E gishtat më janë mpi/ m’kanë ra për thonjsh/ tue i shti n’pej rrugët e moçme”, faqe 21.

Poezinë e këtij libri e dallon elementi erotik dhe ai lirik, që i kushtohen dashurisë njerëzore dhe harmonisë, si parakusht për ndryshim cilësor dhe nuanca letrare të kultivuara me elegancë përplot motive të pikasura me mënyrën artistike e cila përçon mesazhe të këndshme erotike: “Ishim bashkë/ unë/ ti/ dhe terri//as sot/ nuk e di/ cili nga ne të tre/ çmendoi më shumë”, faqe 20. Ky perceptim lirik, është po aq meditativ dhe përmbajtjesore duke e bërë poetin dhe poezinë të dalluar edhe për shprehjet dhe nuancat poetike, të rralla, madje disa edhe të harruara por që rikthen si të ishin kristale me vlerë të cilat i gjejmë në këto vargje, ndër më të realizuarit që janë shkruar e kultivuar.
Përmbledhja poetike “STREHË DASHNIE”, është ndarë në katër cikle që përngjajnë në katër shtylla me emërtime ritmike e mjaftë karakteristike: Brigjeve, Shtigjeve, Majave, Qiejve, të cilat bëjnë librin si krijim lirik të konceptuar mirë artistikisht. Në anën tjetër na bënë për të besuar se përmbledhja është koncept i paramenduar në njërën anë, kurse në anën tjetër shprehja metaforike është thellësia e aplikimit të teorive shkencore që i ka studiuar, si mundësi e rrallë për ta artikuluar mendimin filozofik mbi të cilin janë krijuar nuanca dhe shprehje të shumta leksikore te cilat e bëjnë edhe metaforën poetike mirë të avancuar.

I
“buzëqeshja jote
mbushë horizontin vargje
që mbijnë në rrënjë rrushi
e ngjiten lart”

dhe po aty:

II
“Krejt kët rrush e krejt kët venë
ta kisha dhanë
veç me t’puthë nji herë në gushë
t’më kishe lanë”
Poezia “NË VNESHTË”, faqe 26.

Një mozaik i tërë si antitezë e dyanshme, përshtypje mirë e kultivuar, me shprehje lirike më të pranueshme. Si koncept poetik na bënë për të kuptuar poezinë me simbolikë hyjnore, me idetë që i ngrit në simbolikë të vargut dhe qëllimit për të artikuluar mendim të fuqishëm lirik e poetik. Mënyra magjepse dhe ritmika e shprehjes është sfondi që përcakton fatin e poezisë e cila tashmë ka marrë udhën e vet drejt suksesit. Ta zëmë përmes poezisë “Ka çaste”, Besnik Camaj ka shtruar një tezë teorike: “Ka çaste/ që nuk ndodhin në jetë/ edhe me dashtë/ ka net që presin n’radhë/ me marrë një biletë/ për detin e Shpirtnisë”, për të theksuar sintezën se: “janë do çaste që shëtitën qiellit/ e kurrë nuk vijnë po s’i ndoqëm”, dhe për ta përmbyllur poezinë me antitezë e cila materializon tezën teorike që parashtrohet në fillim: “ka shumë net që s’vijnë/ dhe ditë që palosen në radhë/ po ka çaste që t’presin frymën/ e nuk e lanë pa ardhë”, faqe 75.
Thjeshtësia e vargut ka dhënë kuptimin e plot të sentencës e cila më duket se ka arritur në cakun e synuar, për të prekur majat, për të rrokur suksesin. Ky libër i posedon të dyja, edhe sukses edhe arritje njëkohësisht duke e tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës letrare, synim të cilin sado që e fsheh, e ka edhe Besnik Camaj se është poet, më shumë i lindur se sa i krijuar. Prandaj kaq lirshëm shprehet, pa druajtje dhe po komplekset e kritikës. Thjesht ka gjetur këtë “STREHË DASHNIE” në vetën e tij, në shpirtin e tij, andaj edhe poezitë i shkruan për vete, se edhe ashtu kanë rrjedh nga vetja e tij, gjë që vetëm arti i mirë krijon rrjedhë për të shkuar deri tek lexuesi i rëndomtë dhe tek ai më profesional, në kohën kur poeti i njeh, “dy njerëz/ që varret e veta/ me thonj që prisnin rritën/ i hapën/… / sa ishin gjallë”, poezia “I NJOH”, faqe 50.
Pa dyshim, poeti ka bërë përpjekje për të gjetur forma më specifike të shprehjes poetike e cila paraqet ndjenjën e brendshme, krejt e virgjër dhe mjaftë transparente i prezantohet lexuesit, sidomos atij që ka lidhje shpirtërore më të fuqishme me poezinë e cila si loti “pikon nën strehë/ portret i varun mbi oxhak/ ftu i dukun për merak/ rrudhë që shkrifesh/ mbi dridhmat e kitarës sime/ tue i mbledhë tingujt/ nji-nga-nji”, faqe 40, vargje që pikojnë si kristale.
Në poezinë e Besnik Camajt, ndeshim larushi motivesh të cilat nga poezia lirike alternojnë kah poezia erotike të cilën e krijon me mjaftë pasion dhe në anën tjetër poezive iu jep vlerë përjetuese.

“të përqafoj dridhshëm
para këti syshkrimi
se veç ti/ m’i ke ngreh flokët
m’ke lanë pa to
/…/
herët-a-vonë
kam qejf me ba dashni me ty
le të merr’ n’thu edhe Toka
ndoshta kthehet në krah t’duhun
e ia sheh t’mirën tanë bota”
Poezia “ TASH”, faqe 28.

Ose tek poezia “JAM NGJIZË”, me një erotikë më të sofistikuar, si harlisje deri në çmendje, motive erotike të shprehura nëpër vargje:

“tash po e vëneroj
të gjithë
m’paskan hangër nga pak
veç ajo ma s’shumti
e n’tana anët”
Faqe 29.

Besnik Camaj iu ka kushtuar kujdes marrëdhënieve ndër shoqërore të cilat kur vijnë në këtë kohë erozionesh morale duket si thirrje për të shikuar njëri–tjetrin në sy dhe për ta ndihmuar njëri–tjetrin e nëse ka hapësirë pse të mos bëhet edhe dashuri. Vargje të kësaj natyre gjejmë me bollëk që i kushtohen raporteve shoqërore qofshin ato lirika apo erotika, kudo këndvështrimi i poetit ka qasje pozitive:

“në mur
paska ra dielli
nga gravurat mbi shkamb
qenkan fshi zanat
/…/
eja i ndërrojmë dy fjalë
shkundim pluhunin
mbushemi frymë
shkëndijat rindezen kadalë”
Poezia “NGA PIKTURA”, faqe 37.

Një amalgamë përjetimesh interesante, ngjizje poetike të lidhura drejtpërdrejt me zhvillimet kundërthënëse edhe brenda vet kulturës, prandaj Besnik Camaj e dëshmon veten humanist lirik, humanist erotik, njeri i vlerave ku ka tërhequr vëmendjen e shoqërisë.
Trajta e gegërishtes që ka përdorur poeti, shkon me afër asaj gegërishtes letrare se sa të të folmeve lokale që flitej dikur. Tashmë edhe kjo e folme është mbizotëruar nga shqipja letrare, andaj ky komunikim gjuhësor u jap lirikave vlerë artistike dhe si përjetime më shpirtërore, më të përjetuara, ndërsa poeti pranohet si lirik të cilit vargu dhe shprehjet poetike i rrjedhin nga përjetimet e brendshëm, nga niveli edukativo arsimor që ua shton vlerën lirikave në njërën anë, kurse në anën tjetër për t’i besuar se shkrimet dhe poezia për poetin, nuk janë shkrime rasti e çasti, por janë frymëzime e përjetime poetike që i lindin nga shpirti, nga muza krijuese. Gjithsesi Besnik Camaj është lirik i hollë i cili përmes kësaj trajte gjuhësore ka pasuruar leksikun gjuhësor duke e bërë librin “STREHË DASHNIE”, vlerë specifike e cila duhet të merret parasysh edhe në planin e leksikut dhe leksikografisë shqipe. Kjo trajtë gjuhësore nuk ia humb vlerën poezisë, përkundrazi në disa nuanca e sforcon duke i dhënë konotacion artistik më ndryshe se sa të tjerët andaj edhe lirikat si përjetime artistike janë të veçanta, të rralla dhe mjaftë përjetuese.
Poeti Besnik Camaj, jeton mes vlerash, krijon vlera dhe me to bënë art dhe letërsi artistike. E kur poeti shkruan lirika dhe poezi artistike drejtpërdrejt bëhet i pranueshëm dhe më shumë i komunikueshëm me lexuesin e poezive, por domosdo ngjallë interesimet edhe të kritikës letrare e cila jo pak i ka kushtuar vëmendje këtij libri dhe poetit në përgjithësi. Saktësia e mendimit është e kultivuar me përkushtim, sikurse metafora dhe simbolika që zënë vend meritor, e specifikuar me kujdes ka harmonizuar mendimin dhe idenë në përputhje me elementin lirik.
Një vëmendje specifike zë poema “Republikë”, që është vendosur në fillim të librit, dhe pa dyshim është njëra nga krijimet më të bukura artistike, jo vetëm brenda këtij libri. Kjo ngjizje në mes sinonimit të Republikës si përcaktim juridik dhe Kapelës me të cilën bëhet loja poetike sidomos kur poetit është “strehë e dashnisë të pambarueme”. Nëse në mënyrë imagjinatave na duhet dora e Republikës si sitëm juridik, po me kaq afsh streha mbron metaforën lirike, e cila gjithmonë poetit iu ka gjetur afër: “m’ke mbajte ngrohtë/ m’ke dhanë dije e m’ke ba hije/ më thërret n’emën e mbiemën/ m’i mbron rrënjët edhe fijet”. Edhe atëherë kur “sakaq shi e breshën m’godet në kokë”, edhe atëherë kur poeti “bahet qull”, rrugëve me gropa siç shprehet vet ai.
Një ngjizje kaq të fuqishme rrallë e hasim në lirikat me këtë përjetim dashnie. Pastaj vargu bëhet më i ndjeshëm kurse imazhi lirik më i fuqishëm, si të themi shprehjet artistike me të cilat autori ka nxjerr simbolin për t’i shprehur nuancat e rrëfimit lirik: “E dashtun/ t’kam ruajte/ ashtu si kam mujtë/ me krah e pa krahë/ në breshën e stuhi/ me njëqind mijë telashe/ e me shumë kufij”. Edhe këto vargje janë të shkruara me pasion: “po unë nuk të lëshojë doresh/ se kështu m’ke gatu (edukuar)/ edhe nëse të heq ndonjëherë kur djersij/ të vë prapë mbi kokë/ s’mundem pa ty”, paraqesin një nocion me dy kuptime që ka lidhje me përcaktimin semantik të Republikës si nocion juridik ku do të ngjallen alegori të pashmangshme edhe për ligjërimin e kujdesshëm lirik, shprehje këto të cilat i ndeshim përgjatë librit si klithma dhe psherëtima të papërsëritshme, tamam siç shprehet ai: “Ta dish/ aty mbas veshit/ i kam mbledhë tana pikat e shiut/ e i kam shpërnda në tela t’shpirtit”. Vërtetë Besnik Camaj, është krijues më i veçantë qoftë për strukturën fonetike si dhe për aspektet e sintaksës në ligjërimin artistik të lirikave poetike, madje duke e personifikuar poetin si Hyj’ të artit poetik.
Streha e Republikës, manifestohet si njëra nga mbrojtëset më besnike për poetin, vetëm ajo nuk e tradhtoi, andaj ashtu me të komunikon duke krijuar imazhe të interpretimit meditativ në njërën anë, kurse në anën tjetër ka bërë këtë lojë lirike si interpretim artistik që ka specifikat e veta, se “edhe ashtu kimet janë rrallu/ të mbramat janë me fat/ shkretina po hapnon nga shkujdesja/ tash krejt çka bie mbi/ rrëshqet curril/ kajshëm e skajshëm”. Sipas kësaj lirike, poeti Republikën e ka kult, e ka tempull, e ka Zot që i beson shumë, sakaq e ka jetë e ka dashuri, e ka shok, e ka mik që i rri besnik dhe e shoqëron kudo dhe kahëdo, sado që nganjëherë ka krisma, grindje, plasje e përçarje, përsëri duhet dhe duhen: “po edhe nga ikja e çasteve/ kur kapeshim për asgja/ e nuk shihehsim sysh/ kur folnim pa mendu/ e i kthenim shpinën njani-tjetrit/ në vend që t’i kuronim plagët”, është ligjërim sa fisnik po aq specifik, i rrallë dhe mirë i konceptuar që të detyron për të marrë frymë thellë, e për t’iu rikthyer “dashnisë” si fuqi magjike e shumë herë.
Sigurisht, simbolika e republikës i tejkalon kufijtë e ligjërimit poetik, ato nuanca shkojnë edhe përtej poezisë, të cilat ngjizen me elemente hyjnore, si simbolikë e të shenjtës – dashurisë, pastaj shtrihen në hapësirën gjeografike për të cilën e rreth së cilës sillen metaforat duke bërë ligjërim artistik, si interpretim me nuancë nacionale, “që të më mbrosh/ e të m’i ruash bjeshkët”, por për të fuqizuar mendimin artistike rreth toponimit Republikë, ku poeti kërkon që “të m’i ruash bjeshkët/ me gjithë ata shtigje e ata brigje/ ku e lash frymën time“, janë vetëm nuanca artistike të cilat mund të jenë ndikuar edhe nga fenomeni i lëvizjes së kufijve, veçmas do të besojmë atëherë kur ta kuptojmë se vet poeti i përket asaj zone, për të cilën dhe rreth së cilës është ndërtuar sentenca (mendimi) si imagjinatë, e cila përçon mesazhe të mëdha për simbolikën e Strehës në Kapelën Republikë, ose janë nuanca të aspektit gjeografik, përkitazi rreth lëvizjes së Kufijve të Republikës?!
Interpretimi i “Strehës” së Republikës merr konotacione të ndryshme dhe jep interpretime të shumta. Streha e Republikës në aspektin juridik është mbështetja e të gjitha vlerave që i mundëson Republika si konstilacion juridik në mirëqenie të qytetarëve. Poeti duke jetuar vet nën Strehën e një Republike (Shteti), siç është Zvicra ka arritur të përkthej imazhe, të interpretoj nocione si idiomë frazologjike mbi Republikën si shprehje e juridiksionit, qoftë Kapelë e rëndomtë, e cila poetit i sjell ngrohtësi, ia mbron kokën që aty diku ai e ka të fshehur mendjen, dhe nëpërmes këtij relacioni ndërton imagjinatën për t’ia pasur zilinë, ndërsa mjeshtëria e poetit shkon aq tutje sa nganjëherë nuk e kemi të qartë nëse kjo Republikë kaq e imagjinuar na është bashkëshortja me emër “dashuri” rreth së cilës sillen lajkat lirike, lazdrimet erotike, nëpërmes të cilave shprehet respekti më sublim që mund t’i kushtohet femrës e cila është Grua e respektuar që kurdoher ngjall vullkan të brendshëm, ndërsa poetit ia paska ndezur muzën për të shkruar.
Të gjitha këto aludime, dyshime e mundësi për ta gjetur fijen e perit në lëmshin erotik, që poeti Besnik Camaj, e ka realizuar kaq artistikisht, duek dhënë interpretime të shumta që posedojnë ndjeshmëri dhe do të përjetohen me afshin e zemrës, duke e kthyer imagjinatën te burimi i Drinit, atëherë “ku futja kambë e duar/ për t’nxjerrë një troftë/ që s’e kish’ kush atëbotë”, janë ëndrrime vetëm për kohën e rinisë, atëherë kur kaq ishin mundësitë, dëshirat po aq, realitet i asaj kohe për tu kënaqur me pak, siç e përshkruan poeti, me një troftë “që s’e kish’ kush atëbotë””.
Kjo imagjinatë kaq e thellë, kaq e zhvilluar, kaq e avancuar e bënë poetin të rrallë, prandaj duhet t’i lejohej interpretime deri në çmendi, qoftë pas lirikave ose edhe pas dashnive të shumta, sepse pas tyre shihet se mbeten vetëm gjurmët poetike dhe vargje kaq mirë të realizuara, me po atë afsh mirë të përjetuara. Duket se imagjinata e Besnik Camajt, është e zhvilluar më shumë se sa e kuptojmë në shikimin dhe leximin e parë. Interpretimi i saj nuk bëhet kollaj, se në aspektin ekzistencial na duhet ngrohtësia për t’i ruajtur raportet e mirësjellta, ashtu siç i ka ndërtuar imazhet lirike me kaq nuanca përjetimi. Raportin moral si mirësjellje intelektuale me Republikën, që e paska shoqëruar poetin në çdo stinë të vitit, qoftë dimrave për ta mbrojtur nga ngricat e mëdha ose verës për ta mbrojtur nga djegia e diellit. Sigurisht edhe vjeshtave nga shirat e shumtë, ndërsa pranverave Republikën e paska përdorur për ta zbukuruar kokën e tij, krejt thejsht sa për t’ia mbajtur nën zapt flokët e harlisura, ose për t’ia harlisur dashninë nëpër ambientin e bleruar që e paska rrethuar!
Kjo poemë, ashtu siç është cilësuar edhe nga të tjerët është krijim i rrallë, ndërsa poeti mjeshtër i vargut artistik për të trajtuar dhe interpretuar fenomene që e rrethojnë, shoqërojnë a bashkëjetojnë: “streha ime e dashnisë/ edhe matanë/ kam me t’mbajtë mbi kokë/ mbi vete/ deri sa të tretem/ në kristalet polifonikë/ të trupit tand/ e të bahem gati mbi rimbi/ në një botë tjetër/ me ma shumë dashni”.
Në planin artistik është krijim antologjik, në aspektin poetik dhe sintaksor si referencë për tu parë mundësit e interpretimit që i lejon e folmja gegërishte të cilën e ka përzgjedhur poeti si gjuhë për të shkruar perla antologjike! Padyshim Besnik Camaj, ka shkruar vlera monumentale e cila shpjegon për mundësin kulturore që ka gjuha jonë për të ndërtuar vargje të tilla me imazhe kaq mbresëlënëse si frymëzim idilik ku kemi deficite kulturore në interpretimin e fjalës artistike. Mbi të gjitha këto figuracione e interpretime qëndron vet poeti Besnik Camaj nga i cili arkipelagu i krijuesve shqiptar, jo vetëm në Zvicër, por në shkallë kombëtare, pret edhe blatime të tjera të kësaj natyre, të këtij niveli edhe patriotik qe besa! Se “në fund t’fundit le ta dinë të gjithë/ se të dua shëndetplotë/ dhe dua me t’pa në dritë t’synit/ kur t’mi mbyllësh qepallat/ për t’fundit herë”, Amen!…
Në anën tjetër edhe “Poemë për Artin”, që është përfshirë në ciklin e katërt “Qiejve”, është e ndarë në pesëmbëdhjetë strofa të cilat mund të publikohen secila veç e veç. Por Besnik Camaj, duke shpjeguar “çka nuk është art” dhe të kundërtën e asaj “Art çka është”, ka bërë jo vetëm këtë poemë, por si tërësi poezi të realizuara mirë dhe me mesazhe të forta artistike:

I.
“nuk asht art
me qenë shumë i hershëm
e me mbërri n’cak ma s’voni”

II
“po art asht
kur e din mirë kah po shkon
dhe ku ke me mbrri
e ipesh me tanë qenien
që rrugës çdo shteg me ça
e kujt sherr mos me i ba”
Poema “ART ASHT”, faqe 88
.

Në “STREHË DASHNIE”, si tërësi tematike lidhen të gjitha vlerat e mundshme pozitive, kurse në poemat “Republikë” dhe në “Poemë për Artin”, gërshetohen mënyrat e interpretimeve të dyfishta në formën: “asht dhe nuk asht” ose “të jesh e të mos jesh”, që në aspektin teorik pasqyron njohjen e thellë gjuhësore dhe mundësitë e interpretimit, vlera këto të cilat na vijnë si perla poetike të realizuar me sukses. Gjithsesi, poezitë janë përjetime lirike të kompletuara, duke e bërë autorin artist të poezisë së sotme shqipe, sepse siç shprehte vet ai “…art asht me ia hapë kapakët/ me kujdes t’shtuem/ e me ia nxjerrë ngadalë/ perlën e mshehun n’zemër t’saj/ për me ia dhuru personit/ që t’i ka marrë mendtë”, tamam qysh mendon vet ai se “ndoshta t’i kthen”?!…
Ky poet posedon opus lirik mjaftë të pasur, poezia si ndjenjë artistike me vlera të paimagjinueshme është pasuri artistike e poezisë së sotme shqipe, sidomos për mënyrën e interpretimit të saj: “…art asht/ askujt mos me iu tutë/ me e kritiku n’sy kur e meriton/ pa të jetë edhe i familjes t’ngushtë/ mik a farefis/ apo kushdo tjetër”.
Ndijimet lirike kanë interpretime të dyfishta të cilat i hasim kudo, jo vetëm në shembujt e mësipërm, këtë interpretim e ndeshim rrallë në krijimet tjera poetike. Ky hov dinjitoz është ndijim personale, por interpreton nuanca të përgjithshme.
Shprehjet lirike duket se në secilin varg dhe në secilën fjalë janë peshuar dhe menduar paraprakisht, se si dhe ku të vendosen, që pastaj interpretimi të ketë mundësinë për alegori të shumanshëme e gjithanshëme letrare, artistike, filozofike dhe pedagogjike, pasi “jeta asht pjesa ma e bukur e vdekjes”.
Pa dyshim, libri “STREHË DASHNIE”, dëshmon se Besnik Camaj ka përforcuar individualitetin krijues i cili është domosdoshmëri për poetët dhe krijuesit letrar. Pavarësisht ngjasimeve dhe nuancave, lirikat e Besnik Camajt, janë krijime të rralla dhe si interpretime mjaftë specifike, të cilat pavarësisht kulturës dialektikore, nuk duhet interpretuar si ndikime, a është ndikuar, por të trajtohen si përvojë intelektuale e atij që ka sfiduar vështirësi për tu dalluar dhe veçuar, “kudo – kurdo – kahdo”, që ka shkuar dhe sa herë që ka shkruar.
I tillë është Besnik Camaj, si njeri, si intelektual, e tash po dëshmohet se i tillë qenka edhe si poet, vlerat e të cilit kanë zgjuar interesimin e lexuesit dhe atyre që merret me interpretime e krahasime gjuhësore, artistike dhe letrare!

St. Gallen, 07.07.2019.
Shefqet DIBRANI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura