SHERADIN BERISHA: GJYKIMI I PARISË SË PRIZRENIT(II)

Pashtriku.org, 27. 10. 2013 – Duke u bazuar në dëshmitë e Prokurorisë së Qarkut në Prizren, të cilat i ka verifikuar edhe prokurori i EULEX’it në Prizren, Cezary Michalezuk (në aktvendimin e procedurës penale PP-nr. 147/2011 datë 23.11.2011), rezulton se Kryetari i Komunës së Prizrenit – Ramadan Muja, Drejtor i Administratës Komunale – Minir Krasniqi, Kryesuesi i Kuvendit Komunal – Nijazi Kryeziu, Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor – Sadik Paçarizi dhe të tjerët dyshohen, për tejkalimin e kompetencave zyrtare dhe shpërdorim të detyrës së tyre zyrtare sipas nenit 339 të Kodit Penal të Kosovës.
Më 24. 11. 2010, (Nr. 01 – 370) me Aktvendim të Kryetarit të Komunës Ramadan Muja, merret nga posedimi Toka e regjistruar në emër të Organizatës Punuese të Pylltarisë “SHARRI”, në vendin e quajtur Boka – Boka, afër fshatit Korishë.

Lexoni Aktvendimin e Kryetarit të Komunës Ramadan Muja.

Ҫfarë ka ndodhur me këtë Tokë?!
Më 9 shkurt 2011 Kryetari i Komunës së Prizreni, Ramadan Muja, ka lidhur kontratë me Kryetarin e Bordit të Qendrës Edukative Arsimore “Gulistan” Turgay Sen, për shfrytëzimin e pronës së komunës në ekonominë pyjore „Sharri“ në vendin e quajtur Boka – Boka, afër fshatit Korishë, për një periudhë kohore prej 40 vjetësh! (Bëhet fjalë për parcelën e tokës komunale (ngastra kadastrale nr. 800/2 numri i fletës poseduese 566 ZK Korishë, sipërfaqe 50300 metër katrorë)
Lexoni kontratën e 9 shkurtit 2011 (01 nr.17 dt. 11. 02. 2011) midis Kryetarit të Komunës, Ramadan Muja dhe Kryetarit të Bordit të Qendrës Edukative Arsimore “Gulistan” Turgay Sen.

Kjo kontratë ishte nënshkruar pa dijen e Asamblesë së Kuvendit Komunal, sepse ky legjislativ i Prizrenit kishte vendosur që QEA „Gulistan“ t’i jepet në shfrytëzim sipas ligjit një ngastër, në zonën kadastrale në fshatin Nashec e jo te „Boka – Boka“ në Korishë.
Në këtë lojë të pistë (në ndërrimin e lokacionit nga fshati Nashec në atë te vendi Boka-Boka) është përfshirë Ramadan Muja me zyrtarët tjerë të Komunës!
Për këtë parregullësi ka reaguar Anëtari i Asamblesë komunale Ridvan Hoxha, i cili më 1 korrik 2011 ka bërë një Ankesë nr.463-576 në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe kjo ministri më 13 korrik 2011, i ka shkruar kryetarit të komunës, Ramadan Muja dhe kryesuesit të Kuvendit të Komunës Nijazi Kryeziu, lidhur me dhënien e pronën komunale në shfrytëzim të Ndërmarrjes Tregëtare Punuese “Kamilla”, në kohëzgjatje prej 10 vite, me mundësi vazhdimi edhe për 10 vite të tjera, si dhe dhënia e pronës komunale në shfrytëzim Kompanisë QEA “Gulistan”, në kohëzgjatje për 40 vite…
Lexoni Shkresën: Prot.163 – 576/1, datë: 15 korrik 2015, të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të nënshkruar nga Zv-kryeministri & Ministri i MAPL, Sllobodan Petroviç.

Për ta sqaruar publikun:
Për të administruar me këtë pronë, nën organizimin e Ramadn Mujës, Minir Krasniqit dhe Avni Ademajt, toka kishte kaluar nga AKP-ja në pronësinë e komunës së Prizrenit brenda një dite.
Tokën e AKP-së që e kishte marrë në posedim Kryetari Muja me Vendimin 01/730, datë 24 nëntor 2010, po atë ditë Minir Krasniqi ka urdhëruar Avni Ademajn që të bënte ndryshimet e nevojshme në kadastër e të cilat ky i fundit i ka bërë menjëherë.
Kështu, tre muaj pasi kishte marrë paligjshëm tokën e AKP-së, më 11 shkurt 2011 Komuna ka nënshkruar kontratë me Qendrën Edukative Arsimore “GULISTAN” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepet kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.
Me këtë kontratë duket se është shkelur Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës, përkatësisht është shkelur neni 5, paragrafi 3 i këtij ligji, i cili parasheh edhe plotësimin e kritereve të përcaktuara me Ligjin për prokurimin publik dhe dhënien e pëlqimit nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financave dhe të pëlqimit paraprak nga Ministria e Mjedisit, Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë. Ndërkaq në këtë kontratë ka edhe shumë lëshime tjera, aty nuk është theksuar fare qiraja, pastaj kjo tokë është dhënë pa ndonjë kompenzim në interes të komunës dhe qytetarëve të saj dhe për më tepër nuk është hapur asnjë tenderë i rregullt, që kërkon ligji për këtë lokacion!
* * *
Ndërkaq, nga 15 dhjetori 2010 deri më 14 prill 2011, Ramadan Muja dhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimive të tyre kur i dhanë tokën publike fabrikës së çokollatës “KAMILA”. Me vendim të kryetarit Ramadan Muja (pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore) fabrikës i është ndarë toka prej 20 mijë metra katrorë në vlerë prej 40 mijë euro, duke e shfrytëzuar pa pagesë.
Lexoni kontratën nr. 04-353, më 15 prill 2011, për shfrytëzimin e tokës komunale dhe përcaktimin e qirasë për ndërtimin e objektit – Fabrikës së Ҫokolatës:

Për ta sqaruar publikun:
Prokuroria gjatë hetimeve ka konstatuar se Komuna e Prizrenit ia ka dhënë në mënyrë të jashtëligjshme pronën kompanisë turke “Kamila”. Sipas dëshmive të deponuara në prokurori, kontrata ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe kompanisë “Kamila” për ndërtimin e fabrikës së çokollatës e nënshkruar më 15 prill 2011, nuk bazohet në asnjë vendim të Kuvendit Komunal për shpalljen e interesit publik në rastin e dhënies së pronës së paluajtshme. Po ashtu kontrata e lidhur me këtë kompani nuk specifikon benifitet për Komunën e Prizrenit!  Në aktvendimin e procedurës penale PP-nr.147/2011 datë 23.11.2011, të shkruar nga Prokurori i EULEX’it Cezary Michalezuk, për Kryetarin e Asmblesë së Gjyqtarëve të EULKEX’it, si kërkesë për caktimin e Gjyqëtarit të EULEX’it për procedurë paraprake lidhur me Kryetarin e Komunës, Ramadan Muja, Kryesuesin e Kuvendit, Nijazi Kryeziu, Drejtorin e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Sadik Paçarizi, dhe të tjerët, thuhet se këta zyrtarë të komunës: „kanë shpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke lidhur një kontratë nr. 04 – 353 në bazë të së cilës kanë vendosur për dhënie në shfrytëzim të parcelës së tokës komunale (ngastër kadastrale nr. 688/2 që gjendet në vendin e quajtur „Dubrakovo“, fleta poseduese nr. 257 ZN Lutogllavë, në sipërfaqe perj 20 000 metrash katrorë) Fabrikës së çokollatës „Kamila“, duke shkelur Ligjin mbi prokurimin publik të Republikës së Kosovës (Ligji nr. 03/L – 241) dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës (Ligji nr. 03/L – 226). Këto vepra janë parashikuar në nenin 339 paragrafi 1 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë të dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.“

VIJON…

==========================

– LEXONI PJESËN E PARË –
SHERADIN BERISHA: GJYKIMI I PARISË SË PRIZRENIT(I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2039

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura