SHERADIN BERISHA: KUJTIM – NË 17 VJETORIN E VDEKJES SË ATDHETARIT RAMIZ KUKLECI

Pashtriku.org, 31. 03. 2016: Më 19 shkurt 2016, me rastin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga ka dekoruar 170 personalitete të shquar, të cilët në periudha të ndryshme kohore dhe në fusha të ndryshme jetësore kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar për çlirimin e Kosovës. Kështu, 16 prej tyre u dekoruan me urdhrin “Heroi i Kosovës”, 24 me “Urdhrin e Lirisë”, 1 me “urdhrin e Pavarësisë”, 28 me “Urdhrin Adem Jashari”, 18 me “urdhrin Nëna Terezë” dhe 93 të tjerë u dekoruan me “dekoratën presidenciale”.Në këtë ceremoni – me “Urdhrin e lirisë” për kontributin e lartë për liri të Kosovës – u dekorua edhe atdhetari Ramiz Kukleci (01 tetor 1928 – 31 mars 1999) nga fshati Isniq i Deçanit.
***
Ramiz Kukleci u lind me 01. 10. 1928 në fshatin Isniq të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, ndërsa shkollimin e lartë e kreu në Prishtinë. Qysh në moshën rinore punoi me përkushtim për çështjen kombëtare, fillimisht si mësimdhënës në shumë fshatra të Kosovës e më vonë edhe në Prishtinë, duke përhapur kështu rrezet e diturisë, tek brezi i ri, në mënyrë që të bëhen të dobishëm për kombin tonë.

***
Ramiz Kukleci tërë jetën deri më 31 mars 1999 kur u shua nga jeta, ia kushtoi çështjes kombëtare. E donte Shqipërinë e bashkur dhe punonte me përkushtim në këtë drejtim – në disa fusha. Tetëmbëdhjetë vjet punoi në arsim, në edukimin dhe arsmimin e gjeneratave të reja. E mbështeti fuqishëm kërkesën e studentëve “Kosova Republikë!”, që u artikulua zëshëm në demonstratat gjithëpopullore të vitit 1968, të pranverës 1981 dhe ato të viteve 1988/89, si hapi i parë për realizimin e ëndrrës shekullore për Bashkim Kombëtar.
Duke ndjerë nevojën e unitetit kombëtar, Ramiz Kukleci ishte kryetar i kishillit për pajtimin e gjaqeve dhe ngatrresave, edhe para vitin 1990, kur filloi aksioni i pajtimeve të gjaqeve.
Ramiz Kukleci, ishte humanist i palodhur. Në fillim të viteve 90’të, si kryetar i Shoqatës Bëmirëse “Nënë Tereza” në Kodrën e Trimave në Prishtinë, së bashku me pajtimtarët e shumtë në krye me Anton Çetën, hapën Ambulancën e parë në Kosovë, që punonte në baza vullnetare për shërmin e popullatës.
Ramiz Kukleci e dinte mirëfilli se e vetmja rrugë për çlirimin e Kosovës ishte lufta e armatosur dhe iu gëzua shumë formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ramiz Kukleci (1928 – 1999)
“Vetëm me pushkë largohet agresori serbo-sllavë nga Trojet tona dhe asesi ndryshe” – me këto fjalë e niste bisedën Ramiz Kukleci, nëpër oda e tubime të ndryshme në Kosovë e më vonë edhe në mërgim.
Ishte UÇK-ja ajo që Ramiz Kuklecit dhe familjes së tij i dha forcë e vullnet, prandaj dhe në çdo tubim bënte thirrje, që të bashkohemi rrethë kësaj ushtrie popullore me qëllim të fuqizimit të saj, në të cilën ishin rradhitur djemë e vajza më të devotshëm të kombit tonë.
“Për kauzën tonë kombëtare, Shtutgarti, Berlini, Boni, Müncheni, Brukseli, Zürichu, Parisi, Rambujea, e shumë qytete tjera të Europës nuk ishin largë për Bacën Ramiz, edhe pse në moshë të shtyrë dhe me shëndetë jo të mirë”, – kështu thonin shokët dhe bashkveprimtarët e këtij burri të madh. Këshillat dhe kritikat e këtij tribuni popullor kishin vlerë të madhe për: Jashar Salihun, Hasan Ukëhaxhën, Fehmi Lladrovcin, Bedri Islamin, Xhavit Hoxhën e shumë veprimtarë të tjerë që punonin në fuqizimin dhe udhëheqjen e luftës çlirimtare në Kosovë.
Ramiz Kuklecin e mundonte shumë përçarja mes shqiptarëve, dhe bënte të pamundurën në afrimin dhe bashkimin e tyre rreth luftës çlirimtare.
Baca Ramiz vetëm një javë para vdekjes, i përjetoi me shumë gëzim bombardimet e NATO’s, ngaqë e dinte se tashmë Serbisë i erdhi fundi dhe Liria ishte afër, por e dinte gjithashtu se, fëmijët, gratë pleqtë dhe populli i paarmatosur do të vuajnë gjatë kësaj kohe dhe kjo bëri që gjendja e tij shëndetësore të përkeqësohej, dhe më 31 mars 1999 u shua nga jeta.
Ramiz Kukleci u varros në Isny të Gjermanisë në kohën e luftës, ndërsa një vit më vonë u rivarros në fshatin Isniq, aty ku prehen eshtrat e familjes dhe farefisit të tij. U rivarros me nderime të larta nga populli, djemtë dhe vajzat e UÇK’së.
Së fundmi, me të drejtë mund të themi se, Ramiz Kukleci mbetet shembull i një veprimtari të urtë e të dashur për miq e i ashpër për armiq dhe se do të përkujtohet gjithmonë si: Atdhetar e Nder i Kombit.
Qoftë i paharruar kujtimi për atdhetarin Ramiz Kukleci!

Markröningen – Ludwigsburg (afër Shturtgartit), më 7 tetor 1995, me atdhetarin Ramiz Kukleci…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura