SHERADIN BERISHA: MASAKRA E KRUSHËS SË VOGËL – KRIM I PANDËSHKUAR(III)

Pashtriku.org, 26. 03. 2013 – (BAJRAM R.ZYLFIU – JU RRËFEJ MASAKRËN E KRUSHËS SË VOGËL) – Dëshmitarit Bajram Ramadan Zylfiut, i lindur në Krushë të Vogël, më 27 Maj 1954, i kujtohet mirë kur në mesnatën 24 – 25 marsi 1999 forcat serbe kanë bllokuar aksin rrugorë Landovicë – Xërxë. „Unë, – thotë Bajrami – kam qenë në shtëpi me 7 anëtarë të familjes. Në mëngjesin e 25 marsit janë dëgjuar krisma në drejtim të Randobravës dhe gjatë orëve të paradites të gjithë banorët e Krushës së Vogël i kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë strehuar në malet e hajdarëve, mbi lagjen Batushë të këtij fshati. 

Nga lagjja Zylfiu dhe Hajdari ishin familja ime dhe familjet e, Gani Zylfiut, Nazim Zylfiut, Afrim Zylfiut, Hamit Zylfiut, Qamil Hajdarit, Halil Hajdarit, Shani Hajdarit, Zenun Hajdarit, Vesel Hajdarit, Zenun Hajdarit, Selajdin Hajdarit, Myrsel Hajdarit, Safet Berishës… Në orën 16 pasdite kanë pushuar krismat dhe disa banorë janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa familjet që i kishin shtëpitë afër rrugës magjistrale Prizren – Gjakovë u strehuan në shtëpitë e Sejdi Batushës. Edhe familja jonë u kthye në shtëpi. Në shtëpinë time u strehuan edhe familja e djalit të axhës Hysen Zylfiu dhe dy kusherinjëve tjerë Hamdi dhe Halim Zylfiu si dhe familja e Ahmet Berishës (familja e dëshmorit Manush Berisha).” – thotë Bajrami.

Krushë e Vogël, Verë 1999: Bajram Zylfiu, duke ia rrëfyer masakrën e 26 marsit, gazetarit anglez John Sweeney.

* * *

“Natën e 25 – 26 marsit e kemi kaluar së bashku në shtëpinë time. Në orët e mëngjesit të datës 26 mars, forcat serbe kanë granatuar shtëpitë e Sherif Selman Muharremit, Abaz Hajdarit etj., ndërsa shtëpia e Shani Hajdarit ishte djegur më 25 mars, bashkë me disa shtëpi tjera të lagjes Shehu. Në këtë situatë ne e kemi lëshuar shtëpinë dhe kemi kaluar nëpër oborr të Muharrem Batushës dhe jemi bashkuar me familjet tjerë të fshatit që ishin tubuar në oborrin e Sejdi Batushës, i cili kishte 3 shtëpi. Në këtë oborr janë tubuar mbi 500 banorë të fshatit, ndërsa në këtë kohë vetëm 2 familje, të Liman Limanit dhe Nebi Limanit, ishin strehuar në një përrua afër shtëpisë së Sejdi Batushës. Rreth orës 10 të paradites forcat serbe janë afruar te vendi ku ishim tubuar ne.”
Bajramit i kujtohet mirë, kur “forcat serbe janë pozicionuar në shtëpinë e Milaim Batushës, që ishte përballë shtëpisë së Sejdiut dhe në momentin kur i kanë parë forcat serbe, gruaja, Zepe Shehu ka ngritur një bez të bardhë për t’jua bërë të ditur atyre se jemi dorëzuar.”
Në këtë kohë një snajperist serb, nga shtëpia e Milaim Batushës, e ka qëlluar për vdekje Hysen Ramadanin, në prezencën e banorëve të tubuar, derisa po vinte nga shtëpija e tij bashkë me vëllain Ramadanin. Hyseni ka ra në tokë, kurse vëllai i tij me shpejtësi u bashkua me turmën, dhe e kam dëgjuar kur ka thënë ai, “Aaa medet për ne brrree e vranë Hysenin!”
Pas pak njëri nga policët serbë, banorë i fshatit Krushë e Vogël (është fjala për serbin Nikolič Dimitria – Sh.B) me zë të lartë në shqip nga shtëpia e Milaimit e ka thirrë Aziz Shehun që të shkonte atje. Azizi shkoi dhe kur u kthye tha se e kishin porositur që të shkonte t’i thirrte të gjitha ata që janë fshehur në përrua për t’iu bashkuar masës së tubuar këtu, përndryshe do t’i vrisnin të gjithë, burra, gra e fëmijë dhe këdo tjetër që do ta gjenin në përrua.
Azizi bashkë me një bashkëfshatar (Sylën) shkoi në përrua i kanë njoftuar familjen Limani dhe disa të tjerë që ndodheshin aty dhe pas një kohe ata – bashkë me disa familjarë (gra e fëmijë) iu bashkuan masës. Në masën e grumbulluar erdhën: Liman Hazeri, Nebi Hazeri, Avdyl Hazeri me gratë e fëmijët e tyre…
Polici i tha Aziz Shehut:
– “A ka ala banorë në mal, ndërsa ky ia ktheu janë disa romë me familje, kurse eprori i policisë ia ktheu: leji ata..”!

===================

FOTOILUSTRIME NGA RRËFIMI I BAJRAM ZYLFIUT

Bajra Zylfiu dhe Sh.Berisha, në lagjen Batusha (Krushë e Vogël) ku u krye masakra e 26 marsit 1999.

Bajram Zylfiu rrëfen ngjarjen e futjes së forcave serbe në fshatë, largimin e banorëve nga shtëpitë, strehimin në mal dhe grumbullimin e tyre (më 26 mars) në oborrin e shtëpive të Sejdi Batushës.

Oborri i shtëpive të Sejdi Batushës, ku më 26 mars ishin mbledhur të gjithë banorët e fshatit Krushë e Vogël.

Bajram Zylfiu, tregon shtëpinë prej ku u vra plaku 77 vjeçar, Hysen Ramadani!

Në këtë shtëpi të Sejdi Batushës e kanë kaluar natën e 25/26 marsit, gratë dhe fëmijët e Krushës së Vogël.

* * *
„Rreth orës 10 e 30 – 11 paradite, forcat serbe pasi janë bindur se nuk ka më njerëz nëpër male e përrenj, na kanë detyruar të dalim në rrugën e lagjes Batusha dhe kanë dhënë urdhër të ndahen burrat veç, gratë veç, po ashtu kanë thënë se duhet të ndahen edhe fëmijët (nga 13 – 18 vjeç) në një anë. Kjo ka shkaktuar frikë të madhe tek gratë dhe fëmijët, dhe shumica nga frika qanin duke i kërkuar nënat e tyre. Edhe gratë nuk donin që të ndaheshin nga fëmijët. Pati gra që u alivanosën dhe policët nuk lejonin që t’ju ndihmohet atyre. Më në fund, (pas kësaj tollovie të tmerrshme, ku i ndanë me forcë nga nënat disa fëmijë të moshës 13 vjeç i futën në grupin e burrave) gratë i urdhëruan që ta lëshojnë fshatin, duke ju thënë: “Shkoni kah të doni – ja mbytuni në Dri, ja shkoni në Shqipëri“.
Derisa gratë më fëmijët po largoheshin nga fshati, forcat serbe i kishin rreshtuar 120 mashkuj, përgjatë rrugës së lagjes deri te shtëpia e Ahmet Batushës.
“Neve na urdhëruan që të nxjerrim çdo gjë që kishim nëpër xhepa”- thotë Bajrami – dhe ne i nxorëm të gjitha gjërat personale, kuleta, cigare, dokumente personale e gjësende tjera me vlerë që i kishim. Na thanë – “nëse ju gjejmë diçka në xhepa do të vriteni në vend.”
“Me këtë rast” – thotë Bajrami, “xhelatët serbë e kërkuan një çantë të vogël të një fshatari, të Adem Asllanit, i cili me vete kishte dokumentet e pensionit të Gjermanisë. Ai polici që e mori çantën filloi të akuzonte Ademin se e ka ndihmuar UÇK-në, dhe pastaj filloj ta shajë UÇK-në, NATO-n, Amerikën, Shqipërinë dhe shqiptarët. Pasi na i mblodhi të gjitha gjërat personale që i kishim, na tha se këto më nuk ju duhen juve”! – deklaron Bajram Zylfiu.
„Pasi na i morën të gjitha sendet që i kishim, forcat serbe me ndihmën serbëve të fshatit, kanë filluar të na rrahin mizorisht, dhe më së keqi e ka pësuar Nuredin Shehu.“ – thotë Bajrami.
Derisa burrat e fshatit mbaheshin të rrethuar dhe rriheshin brutalisht, forcat tjera serbe (të veshur me lloj lloje uniformash dhe të paisur me armë moderne, thika etj) plaçkitin shtëpitë dhe më pas i digjnin ato. Krejt kjo ka ndodhur me ndihmën e serbëve të fshatit të cilët ishin edhe pjesëmarrës në masakrën e krushjanëve. Me këtë rast Bajram Zylfiu tregon disa serbë të fshatit që kanë marrë pjesë në këtë masakër, e ata janë:
1. Nikoliç Sava
2. Tasiç Sveta
3. Nikolič Momčila
4. Cvetkovič Đorđe
5. Nikoliç Zvezdan
6. Cvetkoviç Borislav
7. Petkovič Ranko – Cuki
8. Gjorgjeviç Zlatko
9. Nikolič Dimitria
10. Nikolič Ranko
11. Nikolič Krunisllav
12. Nikolič Novica
13. Nikolič Rashko
14. Petkovič Stevo
15. Petkovič Goran…

* * *

Krimineli serbë Dimitria Nikolič!

Siç ju thash ma herët, serbët na plaçkitën, na rrahën e përgjakën të gjithëve, dhe pastaj na urdhëruan që të radhitemi në tre rreshta, t’i lidhim duartë prapa qafës dhe të ecim rrugës së lagjes Batusha. Kur kemi shkuar te shtëpia e Qazim Batushës, na kanë thënë të hyjmë në oborrin e tij ku ishin 2 shtëpi të pabanuara (Qazimi këtë pronë më herët e kishte blerë nga një serb i fshatit). Pa humbur kohë na kanë detyruar të futemi në shtëpinë e vogël (një katëshe) me dy dhoma e një koridor në mes. Në dhomën e mesit, korridor, kishte sanë skaj murit dhe na urdhëruan që të shpërndaheshim në të tri dhomat.
Unë, mbeta në koridorë, dhe isha në rendin e tretë pranë murit. Na urdhëruan të ktheheshim me fytyrë kah muri e me duar të lidhur mbas koke dhe na u kërcënuan se, kush e kthenë kokën anash do të vritet. Në këtë pozitë nejtëm disa minuta.
Mbaj mend se rreth meje ishin: Muharrem Batusha, Bali Avdyli, Enver Batusha, Adem Asllani, Smajl Shehu, Bajram Batusha, Destan Shehu, Sejdi Batusha, Ali Çollaku, Asmon Batusha, Agim Asllani, djemtë e Reshatit, që ishin të mitur, Seferi, Fadili, Limani, Negjati, Kujtimi, Selimi, Qamil Shehu, Petrit Rashkaj, Refki Rashkaj, Halim Hajdari… Pas meje, ka qenë Lutfi Ramadani…. ndërsa Sahit Hajdarin, si invalid me karrocë, e kanë lënë në hyrje të korridorit, me qëllim që të mos mund të dilte askush nga shtëpia.
Bajram Zylfiu në këtë situatë të rëndë, ka dëgjuar Bali Avdylin, kah thotë: “Aiii, don me na ba si në Reçak, bre medet!” – pastaj “Pas pak kam dëgjuar një bisedë në mes policëve. Njëri prej tyre i thotë Gjokos, i cili erdhi me vrap aty:
– “Gde si bre do sada? Zashto si zakasnio?
– “Ne brini nishta. Sad çu da zavershim za dva minuta.” – iu përgjegj Gjoko atij.” – thotë Bajrami, dhe vazhdon: “Gjoko me mitralez dykëmbësh (me sandek) është afruar te dera e koridorit dhe ka filluar të gjuaj në ne, derisa ju kanë hargjuar plumbat. Tashmë dëgjoheshin vetëm rënkimet e njerëzve që binin pa jetë në tokë. Para meje i pari është vra Enver Batusha e mandej të tjerët, dhe kanë ra mbi trupin tim. Edhe trupat e tjerë binin mbi njëri-tjetrin… Britmat e njerëzve dëgjoheshin me të madhe edhe në dy dhomat tjera.
Mbaj mend Destan Shehun (i cili ishte i plagosur rëndë) që më pat thënë:
– “Bajram a gjallë koke a? Ahiii medet bre, kqyr n’mujsh me pshtue e me tregue se shkuem dam krejt.”
Kam dëgjue Asmon Batushën ka bërtiste për ta ndihmuar dikush, edhe Muharem Asllani, kërkonte ndihmë se ishte i plagosur rëndë… Pashë se kishte edhe të tjerë të shpëtuar, që kërkonin ndihmë…
Për një kohë pushuan të shtënat.
“Derisa po rrija i shtrirë nën kufoma, dikush prej serbëve ka hyrë në korridor dhe me revole qëllonte në kokë të gjithë ata që lëviznin, rënkonin ose jepnin shenja jete. Tani dëgjoheshin vetëm të shtëna të rralla; tak, tak, tak …” – kujton me trishtim këtë ngjarje Bajram R.Zylfiu, dhe vazhdon rrëfimin:
“Pa u vonuar shumë, është gjuajtur edhe një lëndë djegëse mbi trupat e shtrirë dhe me shpejtësi shtëpinë e ka kapluar tymi dhe flaka. Njerëzit e vrarë dhe ata që kishin mbetur të gjallë filluan të digjen. Me këtë rast britmat dëgjoheshin në kupë të qiellit nga dhimbjet dhe flaka. Duke e parë se po më kapte flaka, për një çast mendova, më mirë është të më vrasin me plumb, se sa të digjem i gjallë…”
“I kam rrotulluar kufomat dhe jam qu në këmbë jam afru te dera bashkë me Lutfi Ramadanin dhe Agim Asllanin… për të dalur jashtë. Lutfi Ramadani e ka larguar Karrocën e Sahitit të vrarë e të djegur dhe gjatë tërheqjes së karrocës i ka djegur duartë.
Nga shtëpia dolëm të gjallë dhe ikëm në drejtim të përronit: Unë, Lutfi Ramadani, Asllan Asllani, Luan Limani, Atnan Shehu, Islam Batusha, Petrit Rashkaj, Qamil Shehu, Refki Rashkaj, Mehmet Krasniqi, Nexhat Asllani, Feim Asllani, Sefer Batusha, etj.
Grupi që i shpëtoj masakrës në shtëpinë e djegur e më pas të minuar, ka ikur në drejtim të përronit të fshatit, ata ishin: Qamil Shehu, Petrit Rashkaj, Mehmet Krasniqi etj, ndërsa pas luftës Atnan Shehu është gjetur i vrarë në përrua, ndërkaq të tjerët janë zhdukur, dhe nuk dihet për vendndodhjen e tyre. Ndërkaq, Bajram Zylfiu, Lutfi Ramadani dhe Agim Asllani pasi kanë dalë nga vendi i krimit, nuk kanë shkuar në drejtim të përronit, por janë futur në një shtëpi aty afër…

Hyrja kryesore e shtëpive të Sejdi Batushës. Këtu ka filluar ndarja e burrave nga gratë dhe fëmijët…!

Rruga e lagjes Batusha, ku u ndaluan 120 mashkujt e Krushës së Vogël, ndërsa gratë dhe fëmijët nën moshën 13 vjeç, morën udhë për Shqipëri.

Derisa gratë me fëmijët po largoheshin nga fshati, forcat serbe i kishin rreshtuar 120 mashkuj, përgjatë kësaj rruge të lagjes, deri te shtëpia e Ahmet Batushës.

Forcat kriminale serbe, burrat dhe fëmijët mbi moshën 13 vjeç, i kanë urdhëruar të radhiten në tre rreshta dhe me duar të lidhur prapa kokës, i kanë shtyrë të ecin deri te hyrja e pronës së Qazim Batushës.

Janë detyruar të kthehen këtu….

…dhe kanë hyrë në oborrin e Qazim Batushës…

Kanë lëvizur në këtë drejtim deri te flamujt, ku ka qenë shtëpia përdhese (me dy dhoma dhe një koridorë), në të cilën ka ndodhur vrasja, ekzekutimi dhe djegja e kufomave…!

Dëshmitari Bajram R.Zylfiu, rrëfen gjerësisht ngjarjen e masakrës së kryer nga kriminelët serbë, deri në momentin e largimit nga vendi i krimit!

Lagjja Batusha në Krushë të Vogël (nga ajri). Pika e kuqe tregon shtëpinë përdhese ku u krye masakra e mashkujve të fshatit.

Dëshmitari Bajram R.Zylfiu, rrëfen ngjarjen e largimit nga vendi i krimit…

Bajram Zylfiu tregon drejtimin kah janë larguar pas daljes nga shtëpia ku u kry masakra!

Bajram Zylfiu tregon Vendin e quajtur “Sakabërde”, ku ka kaluar disa ditë së bashku me Lutfi Ramadanin, Gani Zylfiun dhe Safet Berishën, derisa janë larguar në drejtim të fshatit Bregdri, për të kaluar pastaj në Shqipëri.

* * *

BAJRAM ZYLFIU: SI SHPËTUAM NGA VENDI I KRIMIT

Bajram Zylfiu, për largimin nga vendi i krimit rrëfen: “Pasi shpëtuam nga masakra, bashkë me Lutfi Ramadanin dhe Agim Asllanin kemi kaluar nëpër shtëpinë e Lutfi Ramadanit, Agim Asllanit dhe Sokol Limanit dhe kemi dalë në rrugën që të çonë për në Krushë të Madhe. Pas nesh ishin lëshuar për të na vrarë disa serbë. Këta ishin lëshuar pas nesh me një “golf” (automjet) të bardhë dhe ishin pozicionuar në rrugën kryesore (magjistralen) që lidh fshatin tonë me Krushën e Madhe. Ishin pozicionuar, përball nesh, në një distancë rreth 100 m nga ne. Pasi na vërejtën duke ikur, filluan të gjuanin me armë në drejtim tonin. Ne vraponim me sa mundeshim, herë në këmbë e herë barkas, me qëllim që të largoheshim sa më shumë nga serbët. Duke vrapuar unë u lodha jashtë mase dhe nuk mund të vrapoja më. Duke e parë një gjendje të tillë, – Agimi më tha – Bajram ik malit përpjet se të vranë, dhe unë ika. Krejt kjo ka ndodhur në orët e pasadites së 26 marsit. Dhe te mali që lidhet me Krushën e Madhe, Lutfiu dhe Agimi ndahen prej meje, në ato momente kur forcat serbe gjuanin në drejtim tonin. Unë me mundim të madhë u futa në mal, rreth 20m larg nga rruga nëpër të cilën vraponim (iknim). Nuk mund të ecja më. Në mal u fsheha pranë një makine të vjetër (të shkatërruar). Pas pesë minutash, pesë serbë erdhën me “golf” në rrugë, nga e cila unë isha larguar vetëm 20m.
Nga pozita ku isha fshehur (nga makina e vjetër) pashë se serbët që na ndiqnin ishin:
1. Nikolič Sava,
2. Tasič Sveta,
3. Nikolič Zvezdan,
4. Cvetkovič Borislav dhe
5. Đorđevič Zlatko.

Filluan që t’i kërkonin kufomat tona. Pasi nuk gjetën asgjë, filluan të shanin, duke theksuar se këtu madje as gjurmë gjaku nuk paska.
“Pasi jam ndarë nga Lutfiu dhe Agimi, nga data 26 – 29 Mars 1999, kam qëndruar vetëm në një grop te përroni i fshatit Krushë e Vogël pa hëngër e pa pirë. Ditën e katërt rastësisht te vendi ku isha i fshehur ka ardhur Lutfi Ramadani.
Ai më tha:
– “A je i plagosun,” – unë i thash – Jo.
– “Rri aty se mali është i mbushur plotë me polic, dhe të pështojmë dikush për me tregu se çka na ndodhi.” – më tha Lutfiu.
Dhe është larguar. Unë kam qëndruar aty deri të nesërmen, më 30 Mars, të orës 15 pasdite. Lutfiu më vonë është kthyer prap te unë dhe mua më ka gjetur në gjendje jo të mirë. Kam nisur ta humb vetëdijen për shkak të ftohtit dhe përjetimeve nga kjo masakër, si dhe pa hëngër e pa pirë disa ditë rresht. Aty afër meje ishte një pus me ujë por nuk kam guxuar të zbres me pi. Në këtë moment Lutfiu më ka marrë në gji që të më nxej pak dhe kam ardhur në veti.
Nga ky moment nuk jemi ndarë me Lutfiun.
Në mal jemi takuar edhe me dy bashkëfshatarë:
Gani Zylfiun dhe
Safet Berishën.
Ganiu dhe Safeti, gjatë kohës kur i gjithë fshati ishin grumbulluar në oborrin e Sejdi Batushës dhe atëherë kur ndodhi masakra në shtëpi të Qazim Batushës, ishin të strehuar në Mal.
“Ne të katërtit qëndruam 7 ditë në malet e fshatit tonë dhe pastaj kaluam në fshatin Bregdri. Në këtë fshat kemi qëndruar deri më 28 prill – në shtëpinë e Shefki Qollakut. Aty jemi ushqyer dhe pastruar. Banorët e këtij fshti ishin shpërngulur në Shqipëri, ndërsa kishin mbetur vetëm disa banorë të konfesionit Katolik. Më 28 prill e kemi lëshuar fshatin dhe kemi vendosur ta kalojmë kufirin përmes Pashtrikut. Diku në fshatin Lubizhdë të Hasit takuam disa familje hasjane dhe na treguan përafërsisht rrugën, për ta kaluar sa më sigurt kufirin.”
“Më 30 prill në mëngjes kemi hyrë në Shqipëri, në fshatin Vlanë dhe kontakti i parë ka qenë me policinë kufitare shqiptare, të cilët u kujdesën për ne, na dhanë bukë e ushqime tjera dhe u përkujdesën për ne. Në Vlanë takuam edhe Shpend Shaqën (djalin e rapsodit tonë të njohur Dervish Shaqa – Sh.B) i cili ishte i veshur me uniformë të UҪK-së. Me këtë rast Shpendi, Safetit ia dha një pako me cigare. Pastaj policia në krye me komandir Ymerliun na përcollën me një makinë civile për në Krumë. Në Krumë një inspektor shqiptar që punonte me misionet e huaja na ka marrë në pyetje lidhur me krimin që ka ndodhur në Krushë të Vogël. Prej Krumës kemi shkuar në Kukës, kemi qëndruar një natë dhe në mëngjes rreth orës 8 jemi nisur për në Vlorë ku i kishim familjet. Gani Zylfiu përmes motrës së vet në Zvicërr ka mësuar se familjet tona i kemi në Vlorë. Unë bashkë me familjen kam qëndruar në një Kamp italian „Arkobalena“ dhe më 26 qershor jemi kthyer në Kosovë. Pas luftës janë gjetur 25 – 26 kufoma, të cilat janë varrosur në varrezat e fshatit, ndërsa të tjerët janë zhdukur.”
“Kur jemi kthyer, shtëpia ku është ba masakra ishte rrënuar me themel, ndërsa gërmadhat e shtëpisë janë gjetur në lumin DRI. Në vendin ku ka qenë shtëpia duken dy gropa të thella, që dëshmojnë se forcat serbe e kanë minuar shtëpinë, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit.” – përfundon rrëfimin Bajram Ramadan Zylfiu.

(VIJON…)

=========================

– LEXONI –
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1424
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1426
………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura