SHERADIN BERISHA: MASAKRA E KRUSHËS SË VOGËL – KRIM I PANDËSHKUAR(VI)

Pashtriku.org, 02. 04. 2013 – GANI ZYLFIU: SI SHPËTOVA NGA MASAKRA SERBE, MË 26 MARS 1999 – NË KRUSHË TË VOGËL – Dëshmitarit Gani Zylfiu i kujtohet mirë kur rreth orës 5 të mëngjesit të 25 marsit 1999, përballë fshatit Krushë e Vogël stacionohen njësi ushtarake-policore serbe me një arsenal të madh armatimi dhe mjete të motorizuar, autoblinda, praga dhe tanke. Në këtë situatë thotë Ganiu, “familja e gjerë Shehu (lagjja Shehu) lëshojnë shtëpitë e tyre dhe përmes lagjeve Zylfiu dhe Batusha kalojnë dhe strehohen në mal. Pa humbur kohë edhe ne lagjja Zylfiu ju bashkuam atyre dhe së bashku shkuam në pyll në periferi të fshatit tonë.”
Ai mbanë mend se në këtë vend ka takuar familje të lagjes Hajdari, Batusha dhe shumicën e banorëve të fshatit, që kishin lëshuar shtëpitë e tyre. “Pasi jemi strehuar në mal” – thotë Ganiu – “ka filluar granatimi i vendit ku ishte popullata dhe atëherë kemi vendosur të lëshojmë atë pjesë dhe të fshihemi në një vend tjetër që nuk mund të granatohej nga forcat serbe.”
Meqë kushtet për gratë shtatzëna, femijët, pleqtë e plakat ishin të rënda, sepse ishte ftohtë dhe nuk kishte ushqime, ato strehohen në shtëpitë e Sejdi Batushës, jo shumë larg pyllit.
Gani Zylfiu, rreth orës 13 ka shkuar fshehtas në lagjen e tij dhe aty ka parë se forcat serbe ishin tërhequr në fund të fshatit dhe pastaj është kthyer përsëri në mal ka marrë familjen e vet dhe të lagjes dhe rreth orës 15 pasdite janë këthyer nëpër shtëpitë e tyre.
Ganiu deklaron se nga kati i dytë i shtëpisë së tij duke vëzhguar fshatin, ka parë serbin Sveta Tasiq, duke plaçkitur shtëpitë e lagjes Hajdari dhe këto plaçka i kishte ngarkuar në makinën e vjedhur të Qamil Hajdarit dhe pastaj ka parë se si ia ka vënë zjarrin shtpisë së tij dhe të gjitha shtëpive tjera të lagjes.

Fshati Krushë e Vogël.

*  *  *

Në këtë kohë Ganiu ka parë kur serbi i Krushës së Vogël, Predrag Petkoviqi e ka sjellur Sinan Shehun deri te shtëpia e tij. Sinani i ka treguar pastaj Ganiut se si e kishin kërcnuar me vrasje: Sveta Tasiq, Momqilla Nikoliq dhe Sava Nikoliq, pse kishte shkuar në punë në fabrikën e verës. Ata i kishin thënë: 
– “çka ke lypur sot në punë në Podrumin e verës në Krushë të Vogël.”
“Sinani hëngri bukë te unë dhe kërkoi të dinte për familjen e tij. Pas disa përpjekjeve ne u njoftuam se familja e tij së bashku me tërë popullatën e fshatit ishte te shtëpitë e Sejdi Batushës, me ç’rast ai ju bashku familjes së tij dhe popullatës në përgjithësi.”- kujton Gani Zylfiu.
Duke qenë të pasigurtë në shtëpi Gani Zylfiu, në mbrëmje, së bashku me dy vëllezërit, kusherinjtë dhe fqinjët tjerë Hajdari (gjithsejt 18 veta) janë larguar nga fshati dhe janë strehuar në malin mbi Krushë të Vogël (Ka Batusht).

Leart Batusha, tregon vendstrehimin e banorëve të fshatit Krushë e Vogël në malet “Te Batusht”, më 25 mars 1999, (gjatë ditës) ndërsa në mbrëmje strehohen në shtëpitë e Sejdi Batushës.

*  *  * 

Si e përshkruan këtë ngjarje Gani Zylfiu: 
“Në mengjesin e datës 26.03.1999, disa nga grupi ynë si: Qamil Hajdari, Halil Hajdari, Abaz Hajdari… u ndanë nga ne dhe shkuan te familjet e tyre në oborrin e Sajdi Batushës, pra aty ku gjendeshin e tërë popullata, kurse ne 14 personat e tjerë mbetëm në pyll. Rreth orës 6 e 45 minuta ne degjum tri të shtëna me revole nga pozicionet e serbëve, që ishin të përqëndruar në magjistralen Prizren-Gjakovë, pra përballë fshatit tonë dhe pas këtyre tri të shtënave ka filluar granatimi i pyllit, aty ku ishim ne të strehuar. Ky granatim i frikësoj djemt e rinjë që ishin me mua dhe ata vendosën të lëshojnë pyllin dhe të kthehen në shtëpitë e familjes së Sejdi Batushës, pra në vendin ku ishin familjet e tyre. Unë u përpoqa t’i ndali por ishte e pamundur sepse shumica e tyre ishin të rinjë dhe faktikisht arrita ta bindi vetëm një person që të qëndron me mua, Safet Berishën. Unë me Safetin ishim rreth 200 metra larg nga shtëpitë e Sejdi Batushës. Të shtënat që vazhdonin pandërprerë ishin nga lloje të ndryshme armësh.
Rreth orës 10 ne dëgjuam zërin e Aziz Shehut, i cili thoshte se të gjithë ju që jeni në pyll apo në përrua delni dhe ejani tek shtëpia e Sejdi Batushës, është urdhër nga policia serbe. Thirrjes se Azizit, ne nuk ju përgjigjëm. Pas pak kam parë djeg’jen e shtëpive të fshatit, dhe në mesin e tyre kam parë se si po digjej edhe shtëpia ime. Kjo ishte një shenjë shumë e kobshme për ne. Ndërkohë dëgjoheshin disa zëra nga popullata e grumbulluar në oborrin e shtëpive të Sejdi Batushës, por nuk e dinim sakt se çka po ndodhte atje.
* * *
Rreth orës 12 ne pamë se ushtria serbe u vendos tek vendi Sakaberd, si pika më e lartë e periferisë së fshatit tonë, ku e tërë popullata, por edhe unë bashkë me Safetin ishim brenda rrethit të ushtrisë serbe. Dhjetë ushtarë serbë, nga ajo pikë filluan të vinin në drejtim të fshatit, pra faktikisht në drejtim tonin ku ishim të fshehur ne të dy. Ne menduam se na kanë vërejtur dhe po vijnë të na zënë të gjallë, por pastaj e kuptuam se kishin pas për qëllim të digjnin teshat e lëna në pyll nga popullata jonë para se të shkonte në shtëpi të Sejdi Batushës. Erdhën i dogjën ato tesha dhe përsëri u kthyen në pikën ku ishin më parë.
* * *
Ne nuk dinim se çka po ndodhte në fshat edhe pse dëgjoheshin krismat e armëve të ndryshme. Në ora 15 e 15 minuta u hapën dritaret nën qatinë e shtëpive të Zaim, Ahmet, Milaim dhe Rasim Batushës, dhe nga këto shtëpi ne ishim rreth 300 m larg. Në fillim menduam se mos janë këthyer familjet në shtëpi dhe palnifikuam të kthehemi, por pastaj ndërruam mendjen dhe pritëm pak dhe ndërkohë kemi parë kokat e snajperistave nëpër dritare. Pas disa minutash kemi parë disa serbë të fshatit kur kanë ardhur në pyll, i morën disa traktorë që i kishin lënë fshatarët tanë dhe me to u kthyen në fshat. Ne ishim rreth 50m nga vendi ku ishin traktorët.
* * *
Deri në mbrëmje qëndruam në atë vend. Dhe kur u errësua ju afruam fshatit, saktësisht shkuam afër shtëpisë së Hysen Ramadanit, e cila ishte duke u djegur komplet. Aty ende lëviznin serbët nëpër fshat. Nga frika se mos po diktohemi, shpejt e shpejt morëm disa shishe ujë dhe u tërhoqëm në pyll. Jemi kthyer në vendin ku kemi qëndruar tërë ditën. Nata ishte e qetë, ndërsa fshati ishte në tymë e flak. Mblodhëm ca dushka dhe i bëmë si shtrat për të fjetur. Kemi pushuar ca kohë, por për shkak të ftohtit dridheshim dhe nuk pushuam gjatë.

……………………………………………….

FOTOALBUM NGA RRËFIMI I DËSHMITARIT GANI ZYLFIU:

Gani Zylfiu, tregon vendstrehimin “Te mali Qeskës” ku ka qëndruar bashkë me Safet Berishën, gjatë kohës kur banorët e fshatit ishin grumbulluar në oborrin e Sejdi Batushës, dhe më pas mashkujt u vranë në shtëpinë përdhese të Qazim Batushës.

Gani Zylfiu, tregon vendin dhe rrugën ku janë strehuar disa familje dhe janë parkuar automjetet (traktorë, kamionë, goldona etj) në 25 mars 1999…

Gani Zylfiu rrëfen ngjarjen dhe tregon vendet ku janë pozicionuar forcat serbe, më 25 – 26 mars 1999 (në Sakaberde) dhe strehimin e tij, me Lutfi Ramadanin, Bajram Zylfiun dhe Safet Berishën, deri në kohën kur kanë kaluar në fshatin Bregdri. (Gjatë rrëfimit të Gani Zylfiut, shumë ngjarje i sqaronte edhe i riu Leart Batusha)

Gani Zylfiu, në vendin e krimit – në shtëpinë e Qazim Batushës, zbardhë detajet e masakrës së 26 marsit 1999, që ia kishte treguar Lutfi Ramadani (tashmë i ndjerë).

* * *
Rreth orës 1 pas mesnate (27 mars 1999 – Sh.B) filloj të bie shi dhe ne u tërhoqëm deri te një qerre e kuajve në vreshtën e Halim Hajdarit. Aty qëndruam deri në orën 6 e 15 minuta të mëngjesit, dhe pastaj për qëllime sigurie jemi tëhequr në thellësi të pyllit. Te vreshtat e familjes Shehu (që shtrihen në mes të pyllit) kemi gjetur ca shishe të përgjysmuara me ujë. Pas pak, afër nesh kemi dëgjuar një zhurmë të vogël, lëvizte diçka, por nuk e dinim se ishte lëvizje e njeriut apo e ndonjë kafshe.
Ne u afruam me kujdes dhe pamë se ishin: Lutfi Ramadani dhe Agim Asllani, por ata nuk na shihnin neve. Pastaj dolëm të na shohin dhe i thirrëm, në mënyre që të mos na ikin.
Ata u befasuan me thirrjen tonë.
Lutfiu më tha:
– “O Gani, a gjalle je a?, ne jemi duke e kërkuar kufomën tënde nëpër malë.”
M’u afrua Lutfiu, më zgjati dorën e majtë, dhe më shprehu ngushllime për babën, për vëllezërit, për kusherinjët dhe të gjithë burrat tjerë të ekzekutuar në shtëpinë e Qazim Batushës. Kam përjetuar një tmerr nga ky lajm, dhe nuk u përmbajta nga dhimbja, kam filluar të bërtas e të qaj me të madhe.
Mu afrue Lutfiu dhe më tha:
– “Të lutem ndalu nja 2 minut, a don ta merrë tërë mërzinë e fshatit, nuk më lenë edhe mua të mërzitem për djemtë e mi, për Bajramin 15 vjeçar që e kam lënë duke u djegur, për Afrimin 27 vjeç, vëllaun dhe djalin e vëllaut. Je më i ri, nuk ke parë asgjë, je më i kthjellët dhe nëse mund ta raun veten, na shpëton edhe neve që shpëtuam nga ajo masakër, përndryshe ne mund të shkojmë, sepse ne të dy nuk jemi të aftë për të vazhduar më tutje.”
I pyeta për të tjerët, ata nuk dinin por dyshonin se edhe fëmijët dhe gratë i kanë vrarë. Lutfiu pastaj e përshkroj në detaje se si kishte ndodhur kjo masakër, se si serbët, kryesisht të fshatit tonë i kishin ndarë fëmijët, të rinjët, burrat dhe pleqtë nga gratë dhe fëmijët e moshës nën 12 vjeç. Me tregoi se si këta mashkuj i kanë futur, me duar të vendosura prapa kokës në një shtëpi përdhese, që kishte dy dhoma dhe një korridor. Me tregoi se si policët biseduan mes tyre ku njëri prej tyre ka thënë: Këtë punë duhet kryer sepse jemi vonuar, ndërsa polici tjetër i ka thënë:
– “Mos u brengos se këtë punë e përfundoj për 2 minuta…
Pastaj më tregoj për të shtënat me armë në të dy dhomat dhe në koridor, për të vrarët, të plagosurit që kërkonin ndihmë..
Më tregoi se si shumë të plagosur që mbetën gjallë, janë ekzekutuar me revole, se si ia futën flakën shtëpisë për t’i djegur kufomat dhe ata që kishin mbetur gjallë, dhe gjithë këtë mizori që e kishin kryer serbët e fshatit. Ishte ditë e shtunë, 27 mars 199 kur ne ishim takuar me Lutfiun dhe Agimin.
* * *
Tërë ditën qëndruam në pyll dhe në mbrëmje rreth orës 20 e 30, në vendin e quajtur Basarina, tentuam të kalojmë hekurudhën për të shkuar në drejtim të Hasit. Por, në mes të hekurudhës vërejta një fije teli, dhe rreth 6m më tutje ishte një autoblindë e forcave serbe. U kthyem me kujdes përsëri në pyje, të lodhur nga uria, pasi nuk kishim ngrënë bukë nga dita e mërkurë (në mbrëmje), pra që nga 24 marsi. Nga pylli kemi vërejtur se në magjistrale kishte numër të madh – të forcave ushtarake, tanke, autoblinda, e mjete të tjera dhe kjo na u mundësua falë dritave të një makine që erdhi nga drejtimi i Xërxës. Kemi fjetur atë natë në pyllë, nën një motë të fohtë ku binte edhe shi. Të hënën (më 29 mars – Sh.B) derisa ne ishim duke lëvizur në pyllin e fshatit, Lutfiu e takoj edhe një person që kishte shpëtuar nga masakra. Ai ishte Bajram Zylfiu. Bajrami ishte i lodhur, i tmerruar dhe i traumatizuar nga ajo që kishte parë në masakrën e kryer në shtëpinë e Qazim Batushës. Pasi dridhej nga të ftohtit, ja dhashë një gjamper timin.
* * *
Të enjten, (më 01 prill 1999 – Sh.B) në mbrëmje, pasi kemi pa se në magjistrale Prizren – Gjakovë nuk kishte forca serbe, shfrytëzuam rastin për ta kaluar hekurudhën dhe shkuam në drejtim të Hasit, u vendosëm në një dhomë të fabrikës, buzë lumit Drini i Bardhë (UNIMONT), në ata fabrikë ku, unë dhe Bajrami kishim punuar më parë. Ne para se të kalojmë hekurudhën, morëm nga qerrja në pyll 5 kg miell dhe në këtë fabrikë bëmë disa kuleqë – bukë mbi një stufë të dryshkur. Dhe pas tetë dite ishin këto kafshoret e para që i futëm në gojë. Tërë natën kemi qëndruar aty dhe të nesërmen në mengjes (më 02 prill – Sh.B) kemi pa fshatin tonë, ku i delte edhe më tutje tymi dhe flaka.

Hyrja në fshatin Krushë e Vogël.

*  *  *

Reth orës 13 kemi pa 2 makina që vinin në drejtim të fabrikës. Njëra makinë, Golf’1 pronë e Ranko Millosh Nikoliqit, kurse tjetra ishte Golf’2 pronë e Nebojsha Milenko Nikoliqit. Ne menduam se na kanë hetuar neve që jemi në fabrikë dhe menjëherë të katërtit jemi futur në bodrum, në të cilën ishte i montuar një makinë. Aty qëndruam rreth 3 orë dhe pastaj kur dolëm kemi pa se ata kishin shkuar, pasi i kishin marrë disa kamionë.
* * *
Në mbrëmje, përmes Drinit, kaluam në fshatin Bregdri. Kemi hyrë në shtëpinë e Sait Ҫollakut, e cila ishte e boshatisur, pasi popullata ishte dëbuar për Shqipëri. Fjetëm një natë aty. Të nesërmen në mëngjes (më 3 prill – Sh.B) kemi shkuar në fshatin Zym dhe atje pasi kemi vërejtur lëvizje të forcave serbe, jemi kthyer përsëri në Bregdri. Në fshat kemi takuar 2 – 3 persona shqiptarë të cilët na treguan se familjet tona që kanë mbijetuar kanë shkuar për në Shqipëri. Një grua e tyre kur e kuptoj se 9 ditë ishim pa ngrënë na solli ushqim. Në Bregdri qëndruam 4 ditë dhe pastaj kemi marrë rrugën në drejtim të maleve të pashtrikut për të kaluar në Shqipëri, por meqë nuk e dinim rrugën ne ishim sjellur rrotull pa shkuar shumë larg
Kjo na kishte ndodhur mbi fshatin Lubizhdë të Hasit. Kemi takuar disa njerëz, na thanë mos provoni të shkoni për në kufi se ka shumë forca serbe. Atëherë tërë natën kemi ecur dhe jemi kthyer përsëri në fshatin Bregdri dhe deri më 21 prill kemi qëndruar në kullën e Shefki Ҫollakut.
Në të vërtet ne tërë ditën e kalonim në male, e në mbrëmje ktheheshim në kullë dhe përgatitnim ushqim dhe flinim aty. Më 22 prill, në mëngjes herët, si zakonisht, në lëshuam kullën dhe shkuam në koliben e improvizuar, që ishte rreth 150 m larg nga kulla e Shefikut. Pasi që hymë në kolibe, pas 15 minutave filluan të shtëna me armë zjarri, në drejtim të kullës së Shefki Ҫollakut, në të cilën në po qëndronim qe disa ditë. Ndërkohë ne u afruam fshehtas të shohim se kush po qëllonte. Në oborr kemi pa disa serbe të fshatit tonë me kryekriminelin e Prizrenit, i cili disa muaj me parë na kishte kërcënuar se do ta zhduk tërë fshatin Krushë e Vogël. Duke i ndërruar vendqëndrimet në Bregdri u strehuam edhe 3 ditë të tjera dhe pas një rrugëtimi të mundimshëm më 28 prill 1999 kaluam fshatin Vlanë të Shqipërisë.”- përfundon rrëfimin Gani Zylfiu.
XHAFER HAJDARI: SI I SHPËTUAM VRASJES – NË HYRJE TË KRUSHES SË VOGEL
Dëshmitari Xhafer Hajdari në mëngjesin e 25 marsit 1999, është zgjuar i alarmuar nga gjumi. “Ne ishim në shtëpi kur tanket dhe makineria serbe nisi të stacionohej në afërsi të fshatit tonë.” – thotë Xhaferi. I kujtohet shumë mirë se, granata e parë – ka rënë mbi shtëpinë tij dhe me këtë rast gruaja e djalit të xhaxhait ishte plagosur. “Po ashtu edhe vajza ime u lëndua nga granatat.” – thotë Xhaferi dhe vazhdon rrëfimin: “Copat e granatës ranë gjithandej shtëpisë dhe oborrit tonë. I mblodha gratë e fëmijët dhe shpejt kaluam nëpër oborret e fqinjëve me synim që të bashkoheshim me pjesën tjetër të fshatit. Në ndërkohë e pashë që afër shtpisë time kaluan Kërsta dhe Drago, të cilët po e shoqëronin Sinanin (Shehu – Sh.B), që e kishin marrë nga vendi i tij i punës në bodrumin e verës ku punonte. Ata u ndalën në afërsi të shtëpisë tonë dhe nga vetura zbriti Sinani dhe Kërsta, kurse Drago e futi makinën në shtëpinë e tij. Nga aty ata e dërguan Sinanin në drejtim të shtëpisë së Sejdi Batushës, ku ishin edhe pjesa tjetër e fshatit.
Ne kemi qëndruar në shtëpinë tonë dhe kemi kaluar natën e 25 marsit në ankth, duke pritur se kur do të vinin për të na nxjerrë jashtë, apo për të na vrarë. Stanimirin e takuam në rrugë dhe i thamë që të kishte kujdes se mos na ndodhte ndonjë gjë e keqe.
– Ai na tha se nuk po i hante për ne, se po digjej Beogradi.
Sherifi, Kadriu dhe Nazifi, u ndalën që ta marrin një kamion për të ngarkuar familjet e për të ikur nga shtëpia, por nuk ia dolën dot. Ne e mbushëm një kamion dhe u nisëm rrugës poshtë – për në dalje të fshatit. Kur kemi dalë tek tyrbja na ka ndalur ushtria. Kur u ndalëm thanë se ku i keni burrat, pasi që ne ishim fshehur në brendi të kamionit (15-16 burra), kurse gratë e fëmijët kishin mbetur anash. Brahimi i Sherifit kishte qenë në skaj të kamionit dhe atë e zbritën nga kamioni.
– “Marsh piçka ti materina” – i tha ai djalit.
Na lejuan që të kalojmë dhe na ndaluan ushtria edhe një herë në afërsi të asfaltit dhe na pyetën se kush na tha të dilnim në rrugë. Ishim 86 persona në kamion. Ismeti e Ajeti kanë qenë në kamion, dhe i kanë zbritur nga kamioni. Ushtarët ju kanë thënë që të hapin mbulesën e kamionit për të parë se kush ishte brenda. Mirëpo britmat e grave dhe të fëmijëve na shpëtuan. Disa ushtarë shikuan, kush ishte në kamion dhe kërkuan që djali im të zbriste nga aty. Mirëpo, ai për fat kishte të veshur një pallto të madhe, që e nxirrte sikur të ishte fëmijë shumë i vogël dhe i thanë që të qëndrojë aty ku ishte, sepse dukej shumë i dobët nga shëndeti, edhe pse i kishte 15 vjet. Nëna ju lut ushtarit që ta lejonte të kalonte, pasi që ai ishte djali i vetëm i familjes.
– “A ke fëmijë bre djalë”, i tha nëna në serbisht, kurse ai ju drejtua Brahimit, “nisu menjëherë dhe mos e kthe kokën prapa më”.
Për fat neve që ishim të fshehur pas grave e fëmijëve nën mbuloja, nuk na vërejtën. Brahimi e ndezi kamionin dhe u nis me shpejtësi të madhe. Fillimisht mendova se ishte ndonjë serb që tentonte të na hidhte në ndonjë gropë për të na vrarë më pas, mirëpo vetëm kur kamioni nisi rrugën drejt Drinit e kuptuam se tani ishim më larg rrezikut.
SI U DOGJË KAMIONI ME KUFOMA TË BANORËVE TË KRUSHËS SË VOGËL, NË LUMIN DRINI I BARDHË
Xhafer Hajdari, ditën e 27 Marsit nga fshati Bregdri ka parë djeg’jen e një Kamioni me kufoma të banorëve të Krushës së Vogël, në lumin Drini i Bardhë. Ai thotë se, “Kur kemi kaluar Drinin dhe jemi shpërndarë nëpër shtëpitë e hasjanëve, vazhdimisht shikimin e kishim kah fshati jonë. Ende nuk dinim se çka kishte ndodhur, por në pasditen e 27 marsit kemi parë kur buzë lumit “Drini i bardhë” erdhi një kamion Mercedes 508, ngjyrë portokalli me mbulojë (ceradë) prapa, nga i cili zbritën tre persona:
1. Tasič Srečko dhe dy djemtë e tij,
2. Tasič Sveta dhe
3. Tasič Darko.

Krimineli Sveta Tasič.

*  *  *

Këta tre persona këtë kamion filluan ta shtyjnë nga prapa, me qëllim që ta fusin në lum. Por kamoni u fut vetëm me pjesën e përparme të tij. Për ta futur të tërin në lum (ujë), Tasič Sveta e mori një traktor që ishte afër dhe me ndihmën e tij u përpoç ta shtyej sa më thellë. Pasi edhe këtë herë nuk patën sukses atëherë ata në kamion gjuajtën një materie e cila dukej si pluhur dhe kamionit i futën flakën. Kur mbuloja (cerada) e rimorkios së kamionit filloi të digjet dhe të shihet pjesa e prapme e tij, ne me ndihmën e dylbive pamë se kamioni kishte qenë i mbushur me kufoma. Pasi e kryen këtë, dhe kanë nisur të digjen kufomat mirë ata janë larguar nga ai vend, sepse nisi të vinte edhe erë shumë e rëndë e mishit të djegur. Këta të tre erdhi i mori një kombi (furgon) dhe shkuan në fshat (Krushë të Vogël).
Gjatë natës kemi vërejtur që traktori ishte lënë në kontakt dhe bënte dritë, ndërsa neve na dukej se dikush po rrinte pranë kamionit që digjej dhe për këtë shkak nuk kemi guxuar të afrohemi. Vetëm në mëngjes e kemi kuptuar se ishte traktori që ndriçonte.
Ne kemi qenë në shtëpinë e Xhelilit dhe prej aty i kemi parë mirë se çka kanë bërë serbët me kufoma. Aty kemi qëndruar katër ditë dhe kemi parë se si serbët ngarkonin sa mundnin gjësendet e shtëpive tona dhe i dërgonin në shtëpitë e tyre. I kemi parë edhe kur ia vinin zjarrin shtëpive me radhë.
* * *
Këtë ngjarje makabre e ka parë edhe dëshmitari Sylejman Çollaku nga fshati Bregdri, ku ishin të strehuar për tri – katër ditë rresht gratë, fëmijët dhe disa burra të fshatit Krushë e Vogël (që i kishin shpëtuar ekzekutimit). Sylejman Çollaku pasi e përshkruan ngjarjen rreth djegjes së kamionit të mbushur me kufoma (ashtu sikurse Xhafer Muharremi), deklaron: “Derisa isha duke e vështruar këtë ngjarje, serbët: Tasič Srečko, Tasič Sveta dhe Tasič Darko më diktuan se po shikoja nga një kënd i shtëpisë sime tërë ngjarjen. Dhe me këtë rast ata gjuajtën dy herë në drejtim timin. Njëri plumb e ka shpuar dritaren e njërës dhomë dhe është ngulur në murin e mbrendshëm të asaj dhome, ndërsa plumbi tjetër kalon në mes shtëpisë sime dhe të agjës. Pastaj unë shpejtë u largova. Plumbin pastaj e mora dhe pas luftës u dhashë hetuesve të Tribunalit të Hagës.”- deklaron Sylejman Çollaku.

( VIJON… )
====================
– LEXONI –
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1424  
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1426  
PJESA E TRETË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1429
PJESA E KATËRT:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1436
PJESA E PESTË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1443

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura