SHERADIN BERISHA: NJË PARASHIKIM PA RROTLLA! NEGOCIATAT E REJA ME SERBINË MUND TË PËRFUNDOJNË ME NDARJEN E KOSOVËS SIPAS MODELIT BOSHNJAK!

Pashtriku.org, 29 tetor 2018: Më 19 prill 2013, (pas disa takimeve të Hashim Thaçit me Ivica Daçiqin) në Bruksel u nënshkrua marrëveshja e parë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe – ZAJEDNICA (marrëveshja e dytë u nënshkrua më 25 gusht 2015 nga Isa Mustafa me Aleksandër Vuçiqin!!!), e cila Kosovën pashmangshëm e çon drejt ndarjes, sipas modelit boshnjak!!! Gjashtë muaj para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje të dëmshme për të ardhmen e shtetit tonë, saktësisht me 27 tetor 2012 në murin tim të FB’ukut kam bërë këtë analizë, të cilën mund ta lexoni në vazhdim:
***
NEGOCIATAT E REJA ME SERBINË MUND TË PËRFUNDOJNË ME NDARJEN E KOSOVËS SIPAS MODELIT BOSHNJAK!
Plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës në dy etnitete (shqiptare dhe atë serbe) nuk është risi. Ky plan i projektuar nga Ak. Dobrica Qisiç, ndonëse gjatë periudhave të caktuara është përdorur si planë rezervë për realizimin e synimeve serbe, po ta lexosh me kujdes pakon e Ahtisaarit do të spikasësh me lehtësi shumë elemente të kamufluara apo të modifikuara, të cilat reflektojnë qartë këtë ndarje. Dihet mirëfilli se substrati i ndarjes së Kosovës ngjashëm me Bosnjen dhe Hercegovinën (BiH), është hedhur përmes krijimit të enklavave serbe, dhe veçanërisht shkëputjes së plotë të pjesës veriore të Kosovës (Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, duke përfshirë këtu edhe Mitrovicën verore deri në urë të lumit Ibër), nga tërësia e ushtrimit të pushtetit prej institucioneve të Kosovës, që dolën nga rezoluta 1244 e OKB-së. Kjo ndarje e vijëzuar tashmë në pakon e Ahtisaarit, u legalizua edhe me miratimin e zemërgjerëve të ashtuquajtur “Grupi i Unitetit”, si rezultat i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit (me ndërmjetësimin e ekipit të Ahtisaarit) që u zhvilluan gjatë vitit 2005 – 2007 në Vjenë. Sot, pas katër vjet e gjysmë – nga shpallja e Pavarësisë, me takimin Thaçi-Ashton-Daçiq (më 20 tetor 2012), kanë nisur negociatat e reja, të cilat mund të përfundojnë me ndarjen e Kosovës sipas modelit boshnjak!
NDARJA E BiH
Në vjeshtën e vitit 1995 qendrat e vendosjes: SHBA-të dhe BE (pas një lufte të përgjakshme afër 4 vjeçare) ndërmorën nismën për ndaljen e luftës në Bosnje. Negociatat midis palëve ndërluftuese përfaqësuar nga presidenti i atëhershëm serb Solobodan Millosheviç, presidenti kroat Franjo Tuxhman dhe presidenti boshnjak Alija Izetbegoviç, u hapën në bazën e forcave ajrore Rajt-Paterson në Dejton – Ohajo në 1 nëntor 1995. Bisedimet u kryesuan nga Riçard Hollbruk i cili atëkohë ishte ndihmës sekretar i shtetit në administratën amerikane. Përfaqësuesit e BE dhe Grupit të Kontaktit, Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia, morën pjesë gjithashtu në negociatat e sforcuara në këtë bazë ajrore. Tre javë pas nisjes së bisedimeve, Millosheviç, Tuxhman dhe Izetbegoviç arritën më së fundi një marrëveshje dhe iniciuan një Marrëveshje të Përgjithshme Kornizë për Paqen në BiH në 21 nëntor të atij viti. Dokumenti, i cili përfundimisht u bë i njohur si Akordet e Paqes të Dejtonit (DPA) u nënshkrua zyrtarisht nga të treshja Millosheviç – Tuxhman – Izetbegoviç, në 14 dhjetor 1995 në Paris. (Sheradin Berisha, kryeredaktori i pashtriku.org, 27. 10. 2012)

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura