PASHTRIKU: SHQIPTARËT PËRPARA GREKËVE NË GREQI

(Pashtriku.org, 28. 05. 2012) – Greqia, kuptimi i emrit, që mbahet si më i lashti, është në veçanti më i debatueshmi dhe pranon shpjegime të shumta studiuesish. Ndërkaq sot, një përgjigje na vjen nëpërmjet një trajtese të veçantë nga filologu i shquar francez Louis Benloew, bërë qysh në vitin 1877, në veprën “Greqia para grekëve”, titulli në origjinal është „La Grece avant les Grecs“. Libri ëshët botuar në shqip nga Shtëpia botuese: „Plejad“ në vitin 2008 dhe ka 376 faqe.
Ky libër i shkruar nga Loius Benloew, është një studim linguistik dhe etnografik i tezës pellazge, ku autori i sjell mendimet e një morie studiuesish, pro ose kundër kësaj teze, duke i analizuar ato në detaje. Pra, autorë të shumtë të huaj e kanë trajtuar çështjen pellazge dhe shqiptare dhe njëkohësisht kanë komunikuar midis tyre. Autori në parathënie të kësaj vepre, (e cila është përkthyer nga origjinali në shqip nga Iliarian Angoni), ka shkruar se, ideja për të shkruar këtë vepër ka lindur gjatë shfletimit të fjalorit të paplotë, të cilin Xylanderi ia ka bashkangjitur gramatikës së tij shqiptare.

KOPERTINA E LIBRIT…

_______________________________________

“Prej shumë vitesh kam besuar se në një numër emrash gjeografikë dhe historikë apo parahistorikë të Greqisë së lashtë, kam hasur tregues të një popullsie zanafillore më të hershme se Helenët. Një ditë, ndërsa shihja fjalorin e shqipes të Xylanderit hamendësimet e mia, arritën në një farë shkalle gjase. Gjuha shqipe dukej se i jepte kuptimin disa emrave të përveçëm, të cilët nëpërmjet rrugësh të tjera ishin të pashpjegueshëm, të tillë si male, Pilos, Andani, Olimpi. Por për t’u sqaruar më shumë, për fat të keq kisha vetëm trajtesën në gjuhën shqipe të Bopit, mësuesit tim të shquar, të cilat ai m’i kishte paraqitur në 1850”, ka shkruar autori në parathënien e kësaj vepre.
Sipas tij pista që mendonte se kishte zbuluar, kishte qenë ndjekur edhe nga të tjerë dhe se një ndihmë të madhe i dha Dora d`Istria, duke e njoftuar për punimet e bashkatdhetarëve të saj, me vendbanim në Itali, të shoqëruar me këshillat, të dhënat, botimet filologjike dhe historike si dhe broshurat e të gjitha llojeve. Gjithashtu arriti të njihej edhe me gramatologjinë shqipe të Demetrio Camardas, të gramatikës së De Radës dhe të shkrimeve të Vincenzo Dorsa’s.

 

NJE FAQE NGA LIBRI I L.BENLOEW’it.

_____________________________________

Autori edhe fjalët shqip i ka shkruar me germa greke, krahas atyre që i ka gjetur të shkruara në greqisht, ku prej tyre ka disa që nuk arrihen të përkthehen nëpërmjet greqishtes. Gjithashtu, i ka lënë me germa hebraike shumë fjalë, që i ka gjetur të shkruara kështu, duke vijuar edhe për ato analizën e tij studimore.
Louis Benloew, idenë substanciale në këtë libër e paraqet qartë, si vijon: “Sot ka dalë sheshit se në një epokë që nuk mbahet mend, Greqia nuk ka qenë e banuar nga grekët; kur këta të fundit depërtuan në vendin, të cilin ata duhej ta paraqisnin me emrin e tyre, ky vend nuk ka qenë shkretinë. Në tokën e Greqisë ka gjurmë të shumta të një qytetërimi më të hershëm në kohë sesa qytetërimi i grekëve. Stralli, veglat dhe sëpatat e një formë krejt zanafillore, të cilat gjenden aty me shumicë e provojnë këtë, ndërkohë që Grekët nuk kanë pasur asnjë kujtim të zanafillës së tyre dhe se në periudhën më të bukur të historisë së tyre ata nuk ngurruan që ta shpallin veten autoktonë”.
Atëherë shtrohet natyrshëm pyetja: cilës racë i përkisnin banorët e parë në gjeografinë e sotme greke?
Në tokën e Greqisë ka gjurmë të shumta të një qytetërimi të hershëm në kohë, sesa qytetërimi i grekëve. Autori shprehet se grekët ishin të tretët në rradhë, që mbërritën në këtë tokë dhe se emrat e vendeve, maleve, lumenjve, personazheve legjendarë, nuk shpjegohen nëpërmjet mitologjisë greke dhe që duket se bëjnë pjesë në fjalorin e një idiome të huaj. Shumë nga këto qytete u përkisnin Pellazgëve, Lelegëve, Kaukonëve dhe Dardanëve. Deri më sot një gjuhë e vetme duket se arrin të na i bëjë të kuptueshëm emrat e këtyre viseve: kjo është gjuha shqipe.

[item image]

_______________________________________

SHIKONI VIDEON:

________________________________

Prandaj autori i veprës është i prirë të mbështesë tezën se shqiptarët e ditëve të sotme, janë pasardhësit e popullsive, të cilat përpara mbërritjes së grekëve, zinin viset që shtrihen nga deti Adriatik deri në Halis. “Duke filluar punën time kam besuar se trajtoj thjesht një çështje gjuhësore dhe etnografike, më duket se kam prekur edhe një çështje të qenësishme madje drithëruese, një çështje kombësie. Dhe çfarë kombësie! Kombësia më e vjetër e kontinentit tonë, së bashku me atë të Baskëve”. “Evropa me bazat e saj të mëdha diplomatike duket se sot kërkon të formohet si një gjykatë e përhershme e drejtësisë ndërkombëtare. Është momenti për të sakatosurit e historisë, për të harruarit e familjes së madhe evropiane, për të bërë të ditura ankesat e tyre, për të vlerësuar meritat e tyre në interes dhe madje për mirënjohje të popujve të qytetëruar”…”Pavarësisht rezistencës historike të Skënderbeut, gjysmëhëna turke krijoi një hendek të thellë midis fiseve shqiptare. Sot një numër i madhe i tyre janë myslimanë. Gjithsesi, admirojeni forcën e gjakut të fisit, që triumfon edhe mbi urrejtjen fetare dhe jep mësime tolerance. Këta shqiptarë të ngratë derdhën gjakun e tyre, gjakun më të kulluar për çlirimin e Greqisë! Të paktën t’u jepet shpresë”, shkruan Louis Benloew, më 19 mars 1877’ës.


Përgatiti: Sheradin Berisha, kryeredaktor i pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura