Pashtriku, 18 mars 2021: Libri i autorit Ismet Rashiti, me titull, “Rrëfanë lirie” i kushtohet veprimtarëve kryesor që organizuan demonstratat e para të vitit 1981 në Zvicër. Redaktorë të librit janë Xhafer Shatri dhe Saime Isufi, dy nga njohësit më të mirë të lëvizjes politike në periudhën për të cilën bëhet fjalë. Në fillim paraqiten në mënyrë të hollësishme kontaktet e drejtpërdrejta të autorit me veprimtarët e vitit 1981, përkatësisht organizatorët e demonstratave të këti viti historik në Zvicër të udhëhequra nga Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi. Në libër janë përfshirë 38 portrete veprimtarësh të asaj periudhe, dy prej të cilëve janë zviceran, Beat Schafer dhe Kathrin Asal të cilët bënë kërkesën zyrtare për demonstratën e parë të mbajtur më 11 prill 1981 në Bern. Përmes kësaj demonstrate bashkatdhetarët tanë në Zvicër për herë të parë dolën përkrah kërkesave gjithëpopullore për Republikën e Kosovës. Brenda kopertinave të këtij libri me titull mjaft domethënës “Rrëfanë lirie” është paraqitur deri në hollësi mënyra e organizimit të demonstratave të vitit 1981 në Zvicër, shkëputja e klubeve të punëtorëve shqiptarë nga ambasadat ish’jugosllave dhe formimi i klubeve krejtësisht të pavarura shqiptare të cilat në mënyrë të hapur kërkonin statusin e Republikës së Kosovës. Paraqitja e portreteve të kësaj gjenerate e cila me të drejtë është quajtur “brezi i artë i vitit 1981”, është bërë në mënyrë krejt origjinale, ashtu siç kanë qenë në të vërtetë: Njerëz të thjeshtë, të përkushtuar e me ideale të pathyeshme për realizimin e kërkesës Kosova Republikë. Kjo për arsye se autori ka qenë vet njëri ndër protogonistët kryesor të atyre ngjarjeve të vrullshme të atij viti. Në fund të librit është vendosur pasfjala e publicistit, Shaip Beqiri, i cili në mënyrë të gjithanshme ka përbledhur rëndësinë dhe qëllimin e këtij libri, i cili u botua me rastin e 29-vjetorit të demonstratës së parë të organizuar në Bern më datën 11 prill 1981. Librin e botoi “Kombi”, Prishtinë, 2010. Me këtë rast pasfjalën e z. Beqiri e botojmë në www.pashtriku.org.
***
Pasfjalë e publicistit Shaip Beqiri
KUNDËR PLUHURIT TË ÇFARËDO HARRESE
Pasfjalë e librit të Ismet Rashitit: “Rrëfanë lirie”, botoi “Kombi”, Prishtinë, 2010
Vërshimi i publicistikës në kapërcyell të mileniumëve tanë u bë me përmasa të pabesueshme në letrat shqipe. Ai përfshiu çdo fushë të krijimtarisë ndër ne, sa u bë pothuaj e pamundur çfarëdo dalje këndellëse prej një klime të tillë të egërsuar qoftë edhe për të marrë pak frymë. E keqja e madhe e gjithë këtij vërshimi nuk është rrëmeti i tij, përmbytja e gjithanshme, tejmjaftësia e teprimi në aspektin sall të sasisë plotësisht mbizotëruese mbi çdo gjë tjetër të shkruar si dëshmi e një kohe dramatike, sa të mbulohet e të bëhet pothuaj e pabesueshme edhe ndonjë gjë me vlerë. Të mos flas për të këqija të tjera të vogla. Ndërkaq humbja e ndjenjës për të vërtetën në tërë këtë shkrimnajë pa fund e krye, që i ngjan udhëtimit të pashpresë nëpër shkretëtirën që s`ia sheh dot skajin, pa kurrfarë busulle me vete, e bën të shqueshme nga larg çdo vlerë që del në dritë dhe nxë vendin e oazës në një shtegtim kaq të vështirë.
Kopertina e librit “Rrëfanë lirie” – Autor: Ismet Rashiti
Publicistikën ndër ne sot e shkruan dhe e shpërndan gjithandej kushdo. Në varganët e saj janë futur prej kohësh aq shumë pena hileqare e të shpifura, sa kanë arritur ta bëjnë atë edhe të neveritshme dhe pa kurrfarë dobie e niveli. Kjo shkrimurinë kaq lehtësisht e manipulueshme, ndonëse në të parë lë përshtypjen e një trajte të lehtë shkrimi, ndërkaq në të vërtetë ajo është më e vështira pikërisht për faktin se ndodhet gjithnjë para portave të letërsisë dhe të historisë në të njëjtën kohë. Duke pleksur brenda vetes dy veçori kaq të rëndësishme, siç është dëshmia historike dhe bukuria letrare, ky lloj i shkrimit edhe kultivohet kaq shumë, por mjerisht edhe më shumë keqpërdoret.
Këtë lloj fatkeq shkrimi sot e kultivojnë pothuaj të gjithë, ndër të cilët ka jo pak autorë me të kaluar të kriminalizuar, shërbëtorë të verbër e të egër pushetesh shtypëse dhe ata me të kaluar të dyshimtë, në njërën anë; por edhe autorë të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me të parët, përveç nëse janë ndodhur nën forcën e dhunës së të lartpërmendurve, në anën tjetër. Të parët duan të lajnë mëkate të veta të mëdha, të përftojnë hutesa të rrezikshme, duke i projektuar ato si dëshmi të shkruara, të cilat, siç shpresojnë jo krejt kot ata, ndonjëherë edhe mund të bëjnë ndonjë ndikim jo të vogël në shkrimin e historisë së një periudhe shumë dinamike të kombit shqiptar.
Ismet Rashiti bën pjesë midis këtyre të dytëve. Ai ka marrë përsipër të bëjë një libër dëshmie autentike për njërën ndër periudhat më të rëndësishme të kohës së lëvizjes së madhe atdhetare për lirinë kombëtare të pjesës së robëruar të tokave shqiptare nën thundrën sllave. Heronjtë e librit të Ismet Rashitit janë të zhveshur aureolash të çfarëdo himnizimi të kotë; ata ecin nëpër tokën e tyre edhe kur e kanë të ndaluar një gjë të tillë, duke rrezikuar edhe vetë jetën, sepse peshën e saj e bartin gjithnjë në shpinë e në shpirt. Dhe askush nuk mund të njohë fuqinë e madhe që mbrun brenda vetes kjo çetë flijimtarësh shqiptarë pa i njohur me hollësi e në thellësi andrallat e tyre të vërteta që lidhen plotësisht vetëm me idealin e pashuar të lirisë kombëtare, të drejtësisë dhe të dinjitetit njerëzor.
Bardhosh e Jusuf Gërvalla dhe Kadr Zeka
Ismet Rashiti në këtë libër rreket të bëjë kronikën e vështirë të një kohe përplot drama që kundërshtohen ashpërsisht njëra me tjetrën, sa për çudi ato edhe përplotësohen duke u ndodhur tepër afër njëra tjetrës. Ky hark kohe zë fill me përplasjen e një tabakaje me pjata në mensën e studentëve më 11 mars 1981 në Prishtinë dhe përfundon me dëbimin përfundimtar të forcave gjakatare ushtarake-policore serbe nga Kosova më 12 qershor 1999. Kjo është përvija e kohës së këtij libri shumë të veçantë të kësaj fushe krijuese kaq të eksplorur ndër ne. Mirëpo Ismet Rashiti nuk futet ndër bërraka duke sharruar për të mbetur tevona në to. Ai ndjek udhën e vet të jetës, të cilës i rikthehet duke e bërë njëheras udhë të shkrimit të një dëshmie të pakundërshtueshme, pra ai i kthehet udhës së njohur nëpër të cilën ka ecur në pjesën më të mirë të jetës së vet. Për çudi, bashkështegtari i kryehershëm i tij, me të cilin autori kishte qëlluar rastësisht në mensën ku kishte nisur kjo histori e rrëfyer nga shumë bashkërrëfyes të udhës së mundimshme, bën edhe dëshminë e mbramë të këtij libri. Në këtë mënyrë përftohet një rreth i gjerë unikal i një dëshmie të vetme të madhe, të artikuluar me qartësi, me thjeshtësi e dëlirësi, por mbi të gjitha me një vërtetësi të rrallë. Kjo e fundit, pra vërtetësia, është vlera themelore e këtij libri.
Autori ka bërë një sërë rrëfenjash, qoftë si skica jetëshkrimi, si portrete, si dialogë, si nekrologë e monologë për një galeri të gjetur me invencion të rrallë të heronjve të vërtetë të veprave të mëdha, kundruall të cilave lartësohet edhe më e madhe heshtja e tyre fisnike me rrëzëllimë të madhe, të cilën ata nuk e kapërcejnë kurrë me fjalë shkumuese, zhveftësuese… Dëshmia e tyre është shumëfish më e fortë dhe e besueshme për shkak se atë e bëjnë duke shqiptuar jo bëmën vetjake, por veprën e tjetrit, duke e theksuar e ritheksuar çdo hollësi, ashtu siç funksionalizohet çdo imtësi që gjen natyrshëm vendin e vet në tërësinë e një mozaiku të stërmadh… Të duket sikur autori i gjen këta njerëz të thjeshtë krejt lehtësisht, disi sikur i ndodhen aq afër sa nuk i duhet kurrfarë mundi t`i kërkojë ata; të gjithë të duken aq të ngjashëm njëri me tjetrin herën e parë, mirëpo shpejt bindesh se ata ndryshojnë plotësisht njëri me tjetrin dhe vetëm një gjë të vetme kanë krejtësisht të përbashkët: gatishmërinë për të bërë gjithçka deri në vetëflijim për atdheun dhe kombin e vet. Në këtë pikë, çdo ndryshim që mund të kenë mes vete ata, del në pah sall për ta pohuar më me forcë këtë gjë të njëjtë.
Ismet Rashiti me përkushtim krijues ka gdhendur herë pas here gurë të veçantë të këtij mozaiku. Duke i njohur këta heronj të rrallë ndër situata tepër dramatike në një periudhë të gjatë kohe, duke u bërë me kohë edhe vetë pjesë e kësaj galerie të veçantë njerëzish me dukje e paraqitje krejt të rëndomtë, ai ka vënë re përherë e më qartë valimin e madh të prushitjes së shpirtit të tyre të gatshëm për sakrifica sublime. Filozofia e tyre jetësore paraqitet e thjeshtë dhe e qartë, por mjerisht nuk është kuptuar gjithnjë drejt, poende më keq ajo jo rrallë është keqpërdorur djallëzisht duke u interpretuar pabesisht. Atyre si shumë u mveshet një përkatësi e caktuar ideologjike. Kjo gjë është bërë djallëzisht në përpjekjet për denigrimin e tyre, heqjen qafe të tyre disi, zhvleftësimin, duke shkëputur çdo vështrim të çështjes nga konteksti i kohës dhe sidomos nga sfondi i rrethanave në të cilat kanë vepruar ata. Ideologjia e tyre e vërtetë ka qenë shqiptarizmi më i kulluar, të cilin e kanë mbështetur me tërë qenien e vet duke dëftuar përherë gatishmëri vetëflijuese sublime për të.
Dëshmia e tyre e këtillë nuk ka qenë sall një fjalë goje apo parullë rasti e hedhur më kot. Është gjëja më e natyrshme që ata nuk mund të futeshin në zjarrin e pashuar të dashurisë për Shqipërinë e Përjetshme duke u ndeshur e ngatërruar me perdet e mjegullnajat diktatoriale prapa të cilave ndodhej e mbërthyer Shqipëria komuniste e asaj kohe. Synimi i tyre ishte drejtuar përtej atyre perdeve e mjegullnajave. Ata e shihnin drejt në sy të vërtetën e dhembshme, që ishte muri i lartë i vënë midis udhës së madhe të lirisë sonë, të cilin ata kishin vendosur ta shkallmonin përgjithmonë. Dhembja e këtyre flijimtarëve të pamposhtur ishte shumëfish më e madhe pasi atë mur të mallkuar po e mbanin mbi shpatulla, në përpjekjen e vet të kobshme për ta bërë të pakapërcyeshëm, jo pak bashkëkombas të tyre fatkeqë e faqezinj. Pikërisht nga ajo trumbë e pëshirë doli përpjekja e pandalur denigruese, e cila vazhdon ende të nxjerrë helm e vrer kundër rrënuesve të murit serb që ishte ngallmuar midis tokës shqiptare.
Shtylla kurrizore e këtij libri është një personalitet i shquar i lëvizjes shqiptare të asaj kohe, Kadri Zeka. Bëmat e tij atdhetare qenë bërë me kohë udhëdëftuese e pothuaj tërë kësaj çete liridashëse të rinisë shqiptare të mërguar në Zvicër. Ndonëse Kadri Zeka kishte rënë shumë heret, që në nismë të organizimit të veprimtarisë së zgjeruar e të bashkuar çlirimtare, rrezatimi i idealit të tij prej ideologu të urtë e luftëtari të vendosur do të përshkojë gjithë galerinë e atyre që me mburrje e besnikëri do të vazhdojnë udhën e madhe të lirisë.
Një yll polar që i prin kësaj çete të flijimtarëve në çdo udhë që merr ajo për lirinë shqiptare pa dyshim është figura rrëzëlluese e Adem Demaçit. Në kohën kur pjesa dërrmuese e njerëzve tanë gjithandej trembej edhe po të pëshpëritej emri i tij, tek këta djelmosha guximtarë shembulli prej atdhetari i Demaçit do të ketë përherë magjinë lëbyrëse të tërheqjes në udhën e vështirë dhe të pandalshme të çlirimit e të bashkimit kombëtar. Kështu, ata përveç që botojnë e ribotojnë veprat e tij letrare, shumëzojnë e shpërndajnë fondin e varfër e të vlefshëm të portretëve të tij, organizojnë orë letrare në kujtim e nderim të mësuesit të vet të atdhetarisë, qëllon që ndonjëri prej kësaj çete, një preshevar sypatrembur, duke u ndodhur në punë në një qytet slloven, nuk përfill kurrfarë rreziku dhe niset të bëjë takim me Adem Demaçin që ndodhej ndër qelitë e burgut në Stara Gradishka.
Veprimi i këtij grupi të vogël, i cili do të rritet posi rrungaja nga dita në ditë, nisi me vënien e sinorit me armikun tonë të egër, duke bërë ndarjen e prerë prej klubeve të tij. Kjo ishte një sfidë që kufizonte me herezinë në atë kohë të ashpër, ishte paralajmërimi i parë i sigurtë se ndarja prej klubeve jugosllave, të cilat në të vërtetë ishin çerdhe nepërkash kundërshqiptare, ku strehohej armata e pafund e policisë së fshehtë serbe, duke formuar njëheras klube të vërtata atdhetare të mërgimtarëve tanë, ishte vënia e gurit të madh të kufirit për të mos u kthyer kurrë më aty…
Këta njerëz të përkushtuar e të heshtur bënë aq shumë vepra konkrete të dobishme, sa është e pamundur vetëm të renditen e të përmenden ato. Se çfarë lubie ishte përbindëshja jugosllave, burgu i madh i popujve, këta flijimtarë e kishin kuptuar heret. Ata e kishin vënë qartë dhe vendosmërisht vijën ndarëse prej saj: dolën prej çerdheve të gjarpinjve të saj që ishin organizuar si klube të vëllazërim-bashkimit kriminal, nxorën gazetat vetjake dhe shtruan ashtu thjesht e qartë çështjen e madhe të lirisë dhe të bashkimit kombëtar, ndanë edhe shkollën shqipe duke nisur gjithçka nga A e madhe, bartën e shpërndanë gazeta, revista e libra që binin erë Shqipërie; themeluan grupet e para politike, duke u organizuar sipas afiniteteve, përkatësive e ndjeshmërive që kishin atëherë, por gjithmonë dolën bashkë në mbrojtje të identitetit dhe dinjitetit të atdheut dhe kombit të vet. Natyrisht që ata kanë pasur shumë andralla jo vetëm me armatën e pafund të policisë serbe, me spiunë, dërdëllitës e frikacakë të sojit të vet, por edhe me organet e pushtetit vendës nuk u ka shkuar gjithnjë aq mbarë e lehtë. Ata e dinin se tërë kjo barrë kaq e madhe binte mbi shpatulla të tyre, por ishte gatishmëria e patundur që atë ta bartnin deri në frymën e fundit pa shikuar shtegun e rrezikut nëpër të cilin po kalonin…
Në këto përpjekje të pareshtura ata megjithatë nuk ishin të vetmuar e as të braktisur. Siç del në mënyrë krejt të rrokshme e të natyrshme edhe në librin e Ismet Rashitit, këta njerëz të thjeshtë e të dëlirë, në pothuaj gjithë punën e pandalshme që bënin në një kohë të gjatë, patën gjithmonë krahë të djathtë motrat, nënat apo bashkëshortet e tyre, të cilat me kohë u bënë bashkëluftëtaret më të afërta e më të denja të tyre, duke kryer shumë punë të rëndësishme atdhetare krah për krah me vëllezërit, bijtë apo bashkëshortët e vet. Ato nga dita në ditë, krahas rritjes së gjithë rrungajës së kësaj lëvizjeje të vrullshme kombëtare, zunë të mos përkujdesen tashmë vetëm për punët e shtëpisë e të fëmijëve! Përveç këtij aspekti të spikatur me shumë mjeshtëri, autori në librin e tij nuk lë në harresë as ndonjë bashkëveprimtar nga radhët e vendësve që iu kishte bashkuar këtyre flijimtarëve tanë me bindje të thella për të drejtën që kishin ata në kërkimin e tyre ngulmues të udhës së lirisë.
Veprimi i tyre pas maskës, që rëndom e kanë quajtur ilegalitet, ndoshta ishte i nevojshëm së paku për të pasur një hapësirë sadopak më të madhe veprimi, por këtë gjë ata kurrë s`e kanë bërë nga qyqaria e as me ndonjë motiv tjetër meskin. Këta heronj të heshtur e të përkushtuar kanë lënë çdo gjë të tyre e të familjeve të veta mënjanë dhe janë vënë në ballin e shumëfishtë të barrikadave për ruajtjen e vlerave të nëpërkëmbura kombëtare gjithnjë deri në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e natyrshme pararendëse e së cilës qenë bërë në kohën e duhur dhe të tillë do të mbeten përgjithmonë.
Kur thuhen tash kështu këto gjëra, me të vërtetë duken të lehta dhe tingëllojnë bukur, por krejt ndryshe ishin ato në kohën kur ndodhnin. Tek themeli i kësaj ideje sublime të bashkimit dhe organizimit të qëndresës së kësaj fuqie njerëzore u therorizuan tre prijësit e pavdekshëm shqiptarë, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Vrasja gjakatare e heronjve të Kosovës ndodhi pikërisht në çastin madhështor të bashkimit të tyre. Trandja që kishte zgjuar ky bashkim nuk ishte e rastit për Beogradin. Ai u mobilizua shpejt për të goditur këtë lëvizje të pandalshme të shqiptarëve, duke menduar se e kishte qëlluar atë në lule të ballit. Mirëpo nuk ndodhi ashtu. Këta guximtarë të paluhatshëm tash ngarkuan barrë të re më të madhe mbi shpatullat e njoma: të shpurej deri në fund ideali për të cilin kishin rënë pabesisht nga duart gjakatare heronjtë e bashkuar shqiptarë në udhën e madhe të lirisë. Natyrisht që as këta nuk ishin pa brenga, vuajtje e mall, por këto ishin të padiktueshme në krahasim me sakrificat e tjera më të mëdha e të rrezikshme: shumë prej tyre u burgosën, u vranë e u torturuan, edhe më shumë të tjerëve iu pre udha e kthimit në atdhe dhe jo pak privime të tjera, të cilat për ta nuk çonin peshë kundruall synimit kryesor që kishin. Nga tërë kjo galeri djemsh që kishin ardhur në mërgim në moshën më të mirë, pothuaj pjesa dërrmuese e tyre i pati të mbyllura portat e atdheut deri në çlirimin e tij. Pati prej tyre që shkallmuan ato porta dhe shkuan të heqin mallin ose të kryejnë misionin atje, por jo pak përfunduan prapa dyerve të qelive. Ndërkaq edhe pas kalimit të atyre dyerve të kobshme, ata vazhduan pa u hamendur, pa përfillur kërcënimin dhe pa u stepur para rrezikut, aty ku e kishin lënë punën. Këta flijimtarë të mëdhenj, më të mëdhenjtë në radhë menjëherë pas dëshmorëve të atdheut, ishin themeluesit e parë të vendosur të çetave të pathyeshme të lirisë shqiptare gjithandej, duke u ndodhur përherë në ballin e tyre, duke i mbajtur dhe duke i mbështetur ato në të gjitha mënyrat.
Përveç dëshmisë së anës politike, sidomos asaj historike, libri i Ismet Rashitit i jep një ngjyrim të fortë dëshmimi edhe vetë fenomenit të mërgimit, duke bërë një sistemim mjaft të natyrshëm të tij ndër faza të caktuara në një hark kohor afër tridhjetëvjeçar. Ndonëse ky aspekt vihet në plan të dytë, ai kështu del vetvetishëm dhe përplotëson një anë të veçantë në kundrimin një fenomeni të ndërliqshëm të jetës shqiptare në një kohë vendimtare. Të përmend kalimthi faktin që tërë ky vargan njerëzish që paraqitet këtu vjen kryesisht nga një krahinë shqiptare, nga Ana e Moravës; pjesëtarët e tij janë të lidhur në një mënyrë apo në një tjetër mes vete, por veprimin e bëjnë gjerësisht e thellësisht në plan gjithëkombëtar. Dua të them që kjo veçori e librit, ndonëse nuk përkon me ndonjë kriter regjional, para së gjithash lidhet me afrinë e autorit me një qark të njohur deri në hollësi, gjë që atij i ka dhënë dorë të bëjë një qasje përmasash të gjera.
Shkrimin e Ismet Rashitit e shquan thjeshtësia, dëlirësia dhe sidomos natyrshmëria, një natyrshmëri e drejtpërdrejtë dhe plotësisht e besueshme. Ai nuk bën publicistikë të stisur duke i stolisur protagonistët e vet me flatra apo duke ua verbuar sytë në ngasje pas ndreqjes pispillosëse të vetullave! Shihet qartë se ndjenja e parë e tij ndaj tyre është malli i përhershëm i ndarjes dhe dhembja e pashërueshme e humbjes. Me këto dy ndjenja fisnike stolisur, libri i Ismet Rashitit, sado që përvijohet nëpër dobësi jo të pakta të natyrës së shkrimit, ai në krye të herës mban përherë ndezur pishtarin e madh të dëshmimit plotësisht të mbështetur në faktografi natyrale për një veprimtari të pandalur atdhetare të një garde liridashësish të pamposhtur. Të gjitha këto copëza të historisë sonë i ka mbledhur ky zelltar i palodhshëm me një përkushtim të rrallë. Synimin e tij e shpreh thelbësisht ajo që thotë vetë: “Nuk ka gjë më të keqe se kur njeriu është dëshmitar okular dhe nuk e thotë të vërtetën”. Kjo shtysë e shtyn atë të gjurmojë e të ndriçojë tërë atë që rrok rrezatimi i tij njerëzor e krijues. Në këtë libër, i cili është bërë me pasionin e heqjes së pluhurit të harresës, çdo gjë sikur vihet në vend të vet. Dhe kjo nuk është pak.
Bern, 24 kallnor 2010