VERA ISTREFAJ: CIKËLI POETIK “NËN PUSHTETIN E MJEGULLËS”

Kukës, 4 dhjetor 2017:

 

 

 

 

 *1
Një shall i afshtë ankthi
mbërthyer më ka
frymimin e fjalëve

 

Mendimet strukur në tru
nga dhimbja janë drunjëzuar

 

Fjalët grykëzëna
s’puqen me mendimim,
mes tyre kanë trishtimin

 

Shalli i afshtë prej ankthi
s’e përballon dot dimrin

*2
Ka kohë që në jastekun tim
nuk qasen ëndërrat

 

Qëllimet
tutje ma hedhin gjumin

 

Në udhëtimin e të pesëdhjetave
nuk po ngopem me kohë

 

Ҫ’është kjo rendje?!

 

Përpjekjet
janë në lëvizje
si dikur unë në lodrime

 

Sfilitëse rendja ime,
por e bukur!

 

Drejt qëllimeve
jam bërë flutur

 

E di stacionin tim,
por dua të mbetem në udhëtim

 

*3
Pikë vese
mbi gjethe vjeshte
shpresa ime

 

Mjafton një erë
ta hedhë mbi re
ose përdhe

 

Vjeshtëruar
janë bisedat në rrugë,
pa rigë fjalësh

 

Bëhen bashkë me rrëmbim
një grup valësh mbi Drin
e pikëz vese
mbi gjethe vjeshte
mbeti shpirti im

*4
Fatlume janë gjethet e pemëve
së fundmi, ato humus kthehen,
por dhimbjet e mia…
Ah dhimbjet e mia…
Nuk do të mund të treten

*5
Këta litarë shiu
në zbritje nga qielli
m’i kanë lidhur shpresat
që presin rreze dielli

 

Me peshën e dhimbjes
ngjitur gjer në re
kam mbetur rënduar
sot më shumë se dje

 

Litarët e shiut
e fijet e shpirtit
keq janë ngatërruar
në këtë stinë të vitit

*6
Kjo erë vjeshte
ma mori puthjen mbi gjethe

 

Puthja ime
shëtit frikësuar nën re

 

Tashmë
shpresë për të nuk jemi ne

 

Gjethe vjeshtake
bart puthjen me vesë
dhe era e nëntorit
nuk ka besë

 

Në çast bëhet stuhi
e puthja mbi gjethe
nuk ka siguri

 

Gjethe verdhacake
zër vend në një fole,
kur të kthehen zogjtë
të puthen për ne

*7
Mjegulla
zgjohet çdo ditë me qytetin tim

 

Në ikje
puthet me malet

 

Në qepallat tona,
rëndim.

 

Kjo mjegull
mbështjell shpresat tona

 

I ftohtë çdo agim!

 

*8
Gjalica ngre kryet si ajsberg
i rri Pikëllimës përbri,
mjegulla vë gjithçka nën pushet
qyteti ka veç një ngjyrë, gri

 

Pashtriku dy zonjat përshëndet
tek ngrihen kryelarta gjer në re,
Drini vijon udhëtimin e vet
nën pushtet të mjegullës mbetur ne

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura