SHERIF DELVINA: LASHTËSIA SHQIPTARE NË GREQINË E SOTME!

Tiranë, 01. 07. 2015 – Sherif Delvina solli në Institutin e Historisë regjistrat otomanë të viteve 1500-1600 nga Arkivi i Sulltanit në Turqi, ku jepen të gjithë banorët e Shqipërisë me emra dhe mbiemra. Ajo që ka më tepër rëndësi në këto regjistrime është se deri në vitin 1690, në regjistrat osman, nuk figuronte të kishte asnjë minoritar në Shqipëri. Delvina shprehet se arvanitasit, që thuhet se janë 2-3 milionë, duhet të konsiderohen nga grekërit si minoritet gjuhësor, por deri tani ata as që kanë dashur t´ia dinë edhe për këshillat e Evropës, që nëpërmjet delegacionit të saj vizitoi dhe ndoqi nga afër këtë problem në vitin 1957. Sherif Delvina deklaron se përpjekjet e fundit nga ndonjë gjeograf shqiptar për t´i paraqitur minoritetet të zmadhuar, se ata përbëjnë 11 % të popullsisë së vendit tonë, janë antikombëtare dhe “çojnë ujë”, në “mullirin” e nacionalistëve ekstremistë grekë, që duan ta paraqesin përpara botës Shqipërinë si shtet multietnik. Këto dhe të tjera rrëfime interesante mund t´i mësoni nga intervista në vijim e historianit Sherif Delvina.
– Sot po shihet në horizont tejet e fryrë çështja e minoriteteve. A keni hulumtuar në këtë fushë?
SHERIF DELVINA:
Po, kam hulumtuar. Madje, kam marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Ankara, të Turqisë, nga 27 deri më 29 tetor të vitit 1994, që i kushtohej minoriteteve. Atje, më takoi të mbaj referatin “Minoritetet kombëtare në Greqi dhe në Shqipëri”. Në këtë konferencë, fqinji ynë jugor përfaqësohej nga Ana Karakasidu, që referoi mbi temën “Minoritetet dhe nënminoritetet në Greqi”. Në këtë konferencë, profesori i njohur Hugh Poulton referoi për temën “Greqia dhe minoritetet e saj”. Konferenca ishte e organizuar shumë mirë. Në këtë konferencë u ngritën probleme që prekin edhe çështjen tonë kombëtare. Hugh Poulton përmendi sasinë e romëve të Greqisë prej 140’000 vetësh. Profesori vijoi me maqedonasit në Greqi dhe më në fund ai tha se në Greqi mjafton të jesh ortodoks dhe të flasësh gjuhën greke gëzon të drejta të barabarta me shtetasit e tjerë grekë. Sipas tij, fqinjët tanë e kishin zgjidhur këtë punë me asimilim paqësor. Ai jepte edhe shembullin se si në Follorinë në radhë të gjatë romët prisnin të pagëzoheshin si ortodoksë dhe të merrnin shtetësinë greke. Porse, Poulton akuzoi popullsinë çame myslimane si bashkëpunëtore e pushtuesve fashistë. Ai vuri në dukje se si rezultat i këtij bashkëpunimi me pushtuesin, kjo popullsi mori një kundërgoditje. Pas lufte, shumë çamë myslimanë shkuan në Shqipëri dhe xhamitë e tyre u dogjën. Për sa i përket numrit të arvanitasve në Greqi, Poulton pohoi se kjo popullsi përbëhej prej 95’000 vetash, kurse “Lidhja Demokratike e Çamërisë (Ilinois, 18 mars 1990, USA), pohon mbi 1 milion. Këto shifra të larta theksoi referuesi duken fantastike në ekstrem, sepse grekërit kontrollojnë fenë dhe sistemin arsimor, kjo lehtëson asimilimin e tyre paqësor në kombin grek. I bazuar në të dhënat e studiuesve të huaj, Poulton theksoi se romët në Greqi kapin shumën e 140’000 vetëve, prej tyre 45’000 janë moslemanë nomadë. Ata po të pranojnë të konvertohen në fenë ortodokse, duke bërë më parë pagëzimin, bëhen qytetarë grekë. Për sa i përket vllehëve, referuesi i sipërcituar vuri në dukje se shumica e vllehëve e identifikojnë veten me grekërit për shkak të edukimit të tyre në shkollat greke, po ashtu edhe nga të pasurit e një roli udhëheqës në luftën për pavarësinë e Greqisë.
– A pati ndonjë debat me historianët grekë, që historikisht mbrojnë tezat e tyre lidhur me arvanitasit e çamët?
SHERIF DELVINA:
Nuk mund të harroj se profesoresha e Harvardit Ana Karakasidu në referatin e saj, jo vetëm i quajti arvanitasit njerëz që e flisnin gjuhën e tyre vetëm në familje, por tha se shqipja e tyre nuk është gjuhë, nuk ka forcën e gjuhës dhe sipas saj ishte një idiomë e mbetur nga e kaluara. Arvanitasit, sipas saj ishin një jominoritet. Madje, ajo i quajti arvanitasit grekë. Karakasidu tha se deri në veri të lumit të Shkumbinit kishin qenë tokat e Epirit që ishin banuar nga grekërit. Një shembull i marrë prej saj ishte Saranda. Grekja e shkolluar nuk harroi të thoshte se ky emër ishte grek, dhe po ashtu sipas saj, gjithë zbulimet arkeologjike tregonin vendbanime greke. Në Greqi, pohoi ajo, ekziston vetëm minoriteti mysliman (turk), që gjendet në Trakinë Perëndimore (Greqi) dhe përbëhet prej 120’000 vetash. Në dispozicion të këtij minoriteti janë vënë 163 shkolla me 474 mësues për 10’975 nxënës. Qeveria greke paguan për mbajtjen e këtyre shkollave. Mësimi në gjysmën e lëndëve jepet turqisht. Në këtë vend dalin mjaft organe shtypi ditore dhe javore. Programi i radios të këtij vendi lajmet i jep në gjuhën turke. Është për të ardhur keq që Ana Karakasidu nuk tha se të drejtat e shqiptarëve, bullgarëve dhe turqve garantoheshin nga traktati i Sevrës, si edhe ai i vitit 1923 në Lozanë, ku thuhej se edhe shqiptarët do të kishin të drejta si edhe grekërit si për shëmbull do të kishin shkolla në gjuhën e tyre, të drejtën për informim në këtë gjuhë si dhe të drejta të tjera të parashikuara me ligj. Megjithatë, grekërit kurrë nuk zbatuan asgjë nga këto traktate.
– Çfarë çështjesh ngritët në konferencën e minoriteteve në Ankara?
SHERIF DELVINA:
Pas referateve të Poultonit dhe Karakasidut e mora fjalën unë, që në fillim iu referova Herodotit, babait të historisë, i cili që në veprën “Historia”, libri i shtatë, paragrafi II, thotë: “Grekërit vunë mbretin Leonidha me 300 spartanë të mbrojnë grykat e Termopileve, me qëllim që barbarëve t’u ndalohej hyrja për në Greqi”, vijova me paragrafin 146, të këtij libri, ku na bëhej e ditur se në lindje të Termopileve, gjendej një mal i pakalueshëm, që shtrihej deri në malin Aeta. Ana e rrugës për në lindje është e kufizuar nga deti dhe nga disa lugina e përrenj. Në këtë rrugë gjendet vetëm një kalim që shkon për në Fokidë. Ky shteg, pohon Herodoti, është i mbrojtur prej një muri të ndërtuar nga banorët e Fokidës. Atë mur fokidasit e kishin ndërtuar, pse kishin frikë nga thesalët, që kishin ardhur nga Thesprotia dhe ishin vendosur në Eolidë (Thesali). Fokidasit i kishin marrë këto masa që të mbroheshin nga thesalët, që donin t’i nënshtroheshin e t’i mbanin nën zgjedhë. Çamët në lashtësi ishin kufitarë me fokidasit dhe Thesalia ishte tokë thesprote, pra çame. Pas kësaj thënie, që e bëra që në fillim të referatit tim, profesoresha greke u revoltua dhe tha se një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë. Atëherë u detyrova të nxjerr nga çanta librin e shtatë të Herodotit, dhe faqen, në të cilën ishin shkruar ato që thashë. Dua të sqaroj se isha përgatitur mirë, pasi e dija se historia e vendit tonë do të shtrembërohej dhe dihej se nga kush. Pasi e lexova pasazhin nga libri i Herodotit, sqarova se librin nga ai moment e vija në dispozicion të sallës. Helenia u bë nervoze nga thëniet e babait të historisë, por të vërtetës nuk i shpëton lehtë.
– E treguat përkatësinë etnike të shqiptarëve?
SHERIF DELVINA:
Sigurisht që po. Këtë e mbështeta dhe me shumë fakte dhe dokumente. Theksova se Epiri nuk mori pjesë në luftën e Peloponezit, që pati një karakter vetëm grek, sepse Epiri nuk përfshihej në bashkësinë helene. Në konferencën panhelenike të organizuar nga Perikliu nuk mori pjesë asnjë qytet epirot, me përjashtim të Ambrakisë, e cila siç dihet ishte koloni greke (Plutarku, Periklium XVII). Për Eforin e Kumës, Greqia fillon në Akarnani, po kështu edhe për Strabonin (VIII, 333). Kurse në mesjetë, kryekomandanti i ushtrisë bizantine, Gjergj Akropoliti (1217-1282), në librin e tij, “Vepër Kronikale” vë në dukje se toka greke, gjendej përtej maleve të Pindit, pra Epiri nuk është tokë greke. Vlen të përmendet historiani nobelist Teodor Momsen, i cili në historinë e Romës së lashtë, vëllimi i parë, Roma 1903 shkruan: “Mbreti Pirro, me t’u vënë në krye të mbretërisë të gjithë u bashkuan rreth tij, trimat epiriotë, shqiptarët e lashtësisë”. Përmenda dhe regjistrin kadastror të viteve 1582-1583 të kazasë së Delvinës të sanxhakut të Delvinës, të ruajtura në Arkivin e Sulltanit në Stamboll, që sot quhet Arkivi i Kryeministrisë. Në ta shihej qartë se popullsia e regjistruar ishte tërësisht shqiptare. Këta regjistra ishin marrë nga Instituti i Historisë dhe ishin përkthyer, nga përkthyesi i shquar Vexhi Buharaja. Ishte bërë një punë e mirë studimore, ku ishin nxjerrë emrat, mbiemrat, toponimet që ishin të gjitha shqiptare.

Pasi mbaroi konferenca e Ankarasë, shkuam së bashku me Ferit Dukën dhe Maks Husin në Stamboll, në Arkivin e Kryeministrisë, dhe morëm regjistrin kadastror të Himarës 1520-1536 si edhe regjistrat kadastrorë të rretheve Delvinë, Sarandë e Gjirokastër dhe të një pjese të Çamërisë të viteve 1690. Aty doli se deri në vitin 1690, minoritarë grekë në Shqipëri nuk ekzistonin. Në të gjitha këto zona, emrat e të gjithë banorëve ishin shqiptarë. Po ashtu, morëm edhe regjistrimet e popullsisë së Himarës në fillim të shekullit të XVI, ku na bëri përshtypje se në të gjithë atë zonë sundonin emrat Llesh, Gjon, Gjin, Nue në këto regjistra të Livas së Vlorës ishin të shënuar emrat dhe mbiemrat e familjeve të Palasës, Dhërmiut, Himarës, Pilurit etj. Të vjen keq që disa studiues bazohen në thëniet gjoja se disa familje ishin vendosur atje në vitin 1475, të ardhur nga veriu i Shqipërisë. Ne e dimë se në regjistrimin e vitit 1431, Kruja kishte 140 shtëpi. Po ashtu, fshatrat e Krujës ne i kemi të regjistruara. Disa studiues thonë se suljotët kanë ardhur nga Kruja, e cila sipas tyre, na del të ketë pasur mijëra banorë. Historia e ka të vulosur faktin se suljotët, ashtu si edhe himariotët janë banorë autoktonë. Duhet vënë në dukje se shumica dërmuese e himariotëve janë kurveleshas. Dokumentet veneciane e tregojnë qartë shqiptarinë e Himarës. Vlen të përmendet këtu edhe një letër, që banorët e kësaj krahine i shkruajnë Papës, në vitin 1577, ata nënshkruajnë nga Himara, d.m.th. nga Epiri i shqiptarëve, të pjesës së Epirit”. Edhe Martin Liku, në librin e tij “Udhëtime në Greqinë e Veriut”, shkruan se “gratë e Himarës flasin shqip. Burrat dinë shqip, greqisht dhe italisht”.
– Ç’thatë në konferencë në lidhje me Epirin?
SHERIF DELVINA:
Për sa i përket Epirit, të gjithë hartografët më të mëdhenj botërorë, holandezë, gjermanë, francezë, i kanë quajtur këto treva shqiptare. Ata janë shprehur madje: “Epiri quhej Shqipëri”. Unë, në konferencë, organizova një ekspozitë me hartat e Epirit, që i paraqisnin këto treva që nga shekulli i XV-të. Hartografët e këtyre hartave ishin të ndryshëm, nga të katër anët e Botës, ku nuk mungonin hartografët e Luigjit të XIV, të Perandorit Napoleon, etj. Në të gjitha hartat, Epiri shënohej Shqipëri e Poshtme. Këtu ndodhi edhe një tjetër përplasje me grekërit, të cilët protestuan dhe këmbëngulën që ekspozita të hiqej, por organizatorët e konferencës së Ankarasë nuk e pranuan propozimin e tyre, duke thënë se ekspozita përmbante vepra të autorëve të përmendur botërorë, nga të cilët asnjë nuk ishte shqiptar. Në hollin e sallës së madhe të Teatrit u ekspozuan harta e botës së Fra Mauros 1459; Battista Agnesi “Mesdheu Lindor”, Venedik, 1553; Johannes Lauzemberg, Epiri që sot quhet Shqipëri, (1656); harta me të njëjtin titull e P. Mortier, Amsterdam; Abé Baudrand (1633-1700), gjeograf i mbretit të Francës Luigj i XIV; hartat e Georgis Sideris ose Kalapodhas, harta e Mesdheut 1561 dhe ajo e brigjeve të Shqipërisë; C. Price, I. Maxvelle, I. Senex, Turqia e Evropës 1712; e S. L. de la Bochette dhe Grasset Sain Sauveur, harta e shtatë ishujve, Paris 1821; harta e Turqisë evropiane, Strasburg 1828. Harta e detit dhe e Jonit, G. Marieni 1845, e Franz von Veis, Turqia evropiane, Meyland 1829; harta e Shqipërisë nga Halon, nxjerrë nga botimi Studime shqiptare; harta e Greqisë e L. Sagansan gjeograf i perandorit Napoleon, harta e H. K. John Stonpit, vendi i luftës në Principatat danubiane 1854. Në të tërë kohërat Epiri shënohej Shqipëri ose Shqipëri e Poshtme. Ekspozita pati sukses dhe qe unikale në Konferencën Ndërkombëtare për minoritetet dhe problemet që paraqitën në Ballkan.
– U diskutuan të tjera çështje në takimin e Turqisë?
SHERIF DELVINA:
Atje, nuk lashë pa përmendur dhe “jominoritetin” sipas pretendimit të studiueses greke Ana Karakasidu për arvanitasit në Greqi, për këtë citova disa dokumente. Kërkimtari i dokumenteve mesjetare, K. Sathas pohon se arbërorët kanë zbritur në shek. VII. P. Furiqis gjen mjaft toponime shqiptare në More qysh në shek. VIII si Shkurta, Kundura, Lopësi. Në atë kohë një pjesë e gadishullit quhej Mani. Emri More është përkthimi i fjalës shqipe Man. Një regjistër i shek. XV u referohet disa krahinave të pjesës veriore të Moresë. Regjistri 1/14662 i sektorit oriental të Bibliotekës Kombëtare “Kirilie Metodi”, Sofje, ka të regjistruara 198 fshatra, ku 155 fshatra prej tyre janë shqiptare, të shprehura shprehimisht për secilin fshat nga bashkësia e arnautëve. Për çdo katund janë shënuar emrat dhe mbiemrat e kryetarëve të familjeve e të të vejave. Në shek. XV vetëm në More numëroheshin 290’000 arbënorë (arvanitas), sipas kronistit bizantin Gjergj Franxes. Në Atikë, pa marrë parasysh ata që jetojnë në qytete deri në 1961, popullsia arvanite arriti 150’000 banorë me rreth 100 fshatra. Sipas atlasit De Agostini, Novara, 1991, te zëri “Greqia”, Beotia ka një sipërfaqe prej 2952 km2, me një popullsi prej 117’125 banorë. Kurse popullsia shqiptare në Beoti i kalon të 100’000 vetat, megjithatë Greqia mohon ekzistencën e mëse 2 milionë shqiptarëve në Greqi.
Arbërorët në Greqi nuk kanë të drejtë të përdorin alfabetin tonë (latin), nuk kanë libra e shkolla shqipe. “Contact Bulletin” i Komisionit të Komunitetit Evropian, nr. 3, 1991, në faqen 13 shkruan për arbërorët. Numri i tyre shkon deri në 400 mijë. Në korrik 1987, Kontakt Buletini i Komisionit të Komunitetit Evropian nr. 2 botoi një raport prej 2 faqesh për kërkimet e kryera nga ky komision në Greqi, në 300 fshatra shqiptare të Greqisë. Komisioni përbëhej nga Anton Belushi, Itali; Rikardo Alvares, Spanjë; E. Angel, Francë; Kolon Anget, Spanjë; Javier Boshi, Spanjë; Onom Falkona, Holandë; Volfgang Jeniges, Belgjikë; Robort Marte, Francë; Stefan Moal, Francë; Kel O’Anseala, Irlandë; Josef San Sokasae, Spanjë. Qëllimi i këtyre përfaqësuesve të Evropës ishte të vizitonte vendet ku flitej shqip, si dhe të shihte reaksionin e partive të ndryshme greke, po ashtu dhe të institucioneve greke për çështjen e mbrojtjes së minoriteteve gjuhësore që ekzistonin në Greqi. Kur u pyetën se ç’kanë bërë për të mësuar gjuhën shqipe arvanitasit, përfaqësuesit e Partisë Neo Demokracia midis të tjerash thanë se “në Greqi nuk ka probleme të gjuhës shqipe. Nëse ju do të shtroni problemin gjuhësor, ju do t’i krijoni një problem të madh shtetit grek. Nëse gjuha shqipe flitet ajo flitet vetëm në familje. Misioni juaj është delikat, mos i komplikoni gjërat. Ky problem për ne nuk ekziston.” Kurse ata të Partisë së PASOK-ut pohuan, midis të tjerash, se “nuk e gjykojmë të nevojshme që shqiptarët si edhe minoritetet e tjera të mësojnë gjuhët e tyre, sepse gjuhët që flasin nuk janë gjuhë. Nuk ka territore shqiptare në Greqi. Ai që nuk flet gjuhën tonë, nuk i përket racës dhe vendit tonë”.

_____________________
Kush është Sherif Delvina:

Është lindur në vitin 1933 në Delvinë. Rrjedh nga një familje patriotësh. Prej kohësh është marrë me studime historike dhe është edhe autor i një sërë librash e studimesh në këtë fushë. Dy veprat e tij më të arrira janë “Epiri”, në gjuhën angleze, dhe tragjedia “Genti”, që ka fituar çmim të parë në konkursin e Shkupit, një vit më parë. Delvina ka qenë në përbërje të delegacionit shqiptar në Konferencën Ndërkombëtare “Për minoritetet”, që u mbajt në Ankara të Turqisë, nga 27 deri më 29 tetor të vitit 1994. Ai ka hulumtuar në disa nga arkivat e Turqisë, Francës, nga ku ka sjellë në Shqipëri dokumente me vlerë dhe në shërbim të çështjes kombëtare.

Bisedën e zhvilloi: Luan Kondi
Gazeta “Çamëria”, Nr. 147, janar, 2004, f. 8-9.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura