ALI MEHMETI: MR.PRESIDENT TRUMP, SAY, ENOUGH IS ENOUGH!

Gjenevë, 23 mars 2020: E di që nëse botohet ky shkrim, shumë nga lexuesit do të më quajnë antiamerikan, por ata që më njohin e dinë që nuk jam i tillë. Përkundrazi! Për dallim nga ky fakt, më shumë më shqetëson fakti që këtë letër nuk do e lexoj Presidenti i ShBA-ve, madje as ata që janë të ngarkuar me përcjelljen e shtypit të jashtëm nga shërbimet e ndryshme të qeverisë amerikane, madje madje edhe nëse e lexojnë nuk do e dërgojnë në ndonjë tjetër shërbim brenda Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, po e marrë mundin për ta shkruar.
Nuk e kisha besuar se presidentit të një superfuqie do i bie rendi të mburret me nënshkrimin e një marrëveshjeje për rregullimin e qarkullimit rrugor, hekurudhor apo ajror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke e paraqitur atë si sukses të administratës së tij. Aq më parë kur për këtë marrëveshje nuk ishte e njoftuar qeveria e Kosovës, kurse e nënshkruar nga disa nëpunës anonim pa kurrfarë autoriteti, por në sfond me presidentët Thaçi dhe Vuçiq dhe të pashmangshmin z. Grenell! Shtrohet pyetja, kush do e zbatoj këtë marrëveshje, apo është vetëm sa për sy e faqe dhe për ta paraqitur si “trofe” i politikës së juaj të jashtme.
Duke pas parasysh këtë “vetëdijesim” timin, kam filluar ta kuptoj edhe insistimin tuaj, respektivisht të dërguarit tuaj z. Grenell dhe këshilltarëve të tij, për arritjen e një marrëveshjeje tjetër “gjithëpërfshirëse” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila do ta meritonte vërtet epitetin e një “trofeu”, pasi që tani në sfond do të ishit Ju, z. Grenell dhe eventualisht ndonjë përfaqësues i Bashkimit Evropian që do ta madhështonte këtë “trofe”. Kësaj “madhështie” do t’i jepet rëndësi edhe më e madhe globale duke pas parasysh se bëhet fjalë për vitin kur mbahen zgjedhjet presidenciale në ShBA. Por, ne nuk kemi harruar që për këtë marrëveshje, presidenti ynë ka përdorur disa paradigma duke e quajtur si “kompromis i dhimbshëm”, “kthim i dhuratës së Rankoviqit”, “shkëmbim territoresh”, “korrigjim kufijsh” … çdo njëra me keq se tjetra.

Dhe në fund shtroi pyetjen epike “kush është kundër bashkimit të Kosovës Lindore me Kosovën?” (pa dhënë asgjë). Aq ka ky respekt për inteligjencën e popullit të vet. Dhe Ju ende, gabimisht besoni se ai idetë e veta do të mund t’ia imponoj popullit të vet. Populli shqiptar mund të jetë i pa arsimuar mjaftueshëm, por popullit shqiptar (nga Kosova) nuk mund t’i shitet asnjë gënjeshtër që ka të bëj me raportet me Serbinë. Edhe gjyshi im i lindur në fund të shekullit XIX e ka ditur vetëm një fjali në gjuhën serbe “srpski ne znam, pushku ne dam” (serbisht nuk di, pushkën se jap). As Tito nuk mundi t’i bind në vëllazërim-bashkim me serbet, as Millosheviqi se ndryshimet kushtetuese të vitit 1989 janë në dobi të shqiptarëve, as Ibrahim Rugova që me mjete paqësore mund të fitohen të drejtat që i takojnë, pra as Thaqi nuk do i bind se do ta bashkoj Kosovën Lindore me Kosovën, pa dhënë asgjë. Mos i besoni këtij gënjeshtari, që ju thotë se ai ka fuqi ta imponoj ndonjë nga këto zgjidhje, që vetëm hunda e Pinokut i mungon që të dallohet nga të tjerët.
Unë e di që Ju nuk dini shumë për Kosovën dhe vetëm e kundërta do ishte befasi për mua. Mund ta imagjinoj sesa amerikanë dinë që diku në glob ekziston Kosova, ku ndodhet, apo diçka nga historia e saj dhe raportet serbo-shqiptare. Prandaj nuk mund t’i kuptoj këshilltarët tuaj në krye me përfaqësuesin tuaj z. Grenell, pse insistojnë në një “trofe” i cili nuk do ju sjell votat e amerikanëve në zgjedhjet e këtij fund viti. E vërteta do të jetë krejtësisht e kundërta. Ju do humbni të gjitha votat e amerikanëve me origjinë shqiptare, sepse “trofeu” që e synoni do të jetë në kundërshtim me bindjet dhe interesat e popullit shqiptar. Sikur të ishte ndryshe, Thaqi nuk do fliste për paradigma të sipër cituara. Madje, edhe ato të votuesve me origjinë serbe do i humbni, sepse nuk do mund t’a ngopni oreksin e tyre. Prandaj, për interes tuajin dhe fushatës së Juaj zgjedhore, këshilloni këshilltarët e juaj mos të merren me Kosovën duke ngulur këmbë në arritjen e një marrëveshje, domosdoshmërisht gjatë këtij viti.
Trusnia ekstreme që ata po e ushtrojnë mbi një pjesë të Qeverisë së re të Kosovës, në mënyra dhe metoda që unë nuk i njoh, mund të rezultojë me rrëzimin e saj. Rrëzimi i një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike në kohën e një lufte sanitare kundër virusit Covid-19, që po shkakton mijëra viktima në Evropë brenda një dite, nuk do i falet askujt nga populli shqiptar. Lidhja Demokratike e Kosovës kërkesën për rrëzimin e qeverisë po e arsyeton me kërkesën e Juaj që të hiqet tarifa 100% mbi mallrat e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës pa asnjë kusht dhe menjëherë. Dhe këtë pohim e mbështet me faktin e pezullimit të programeve nga Sfida e Mijëvjeçarit të Qeverisë së ShBA-ve (MCC) dhe me kërcënimin e tërheqjes së forcave të armatosur të ShBA-ave nga Kosova. Edhe pse këtë të dytën askush nuk e beson, megjithatë po krijohet bindja te një pjesë e votuesve të LDK-së dhe votuesve të Thaqit, se rrëzimi i qeverisë po kërkohet për ta ruajtur miqësinë me ShBA. Por, aq sa është i sinqertë Thaqi, është i sinqertë edhe grupimi rreth Isa Mustafës. Pse? Sepse miqësinë me ShBA do e dëmtonte shumë seriozisht dhe për një kohë të gjatë, një “trofe” në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe jo mos heqja e tarifës 100%. Këtë ata e dinë shumë mirë. Interesi i tyre, bashkë me të tjerët, për ta rrëzuar qeverinë qëndron mbi shpresën që pa Albin Kurtin, do mund të vazhdojnë me politikën e tyre të vjetër të bazuar në ndarjen e pashallëqeve, apo siç ka dëshirë të thotë Edi Rama, në ndarjen e “tepsisë”. Ata ende nuk e kanë kuptuar se koha e vetingut po afrohet, apo ndoshta e kanë kuptuar dhe nga frika janë bërë të gjithë bashkë kundër Albin Kurtit?!
Prandaj, i nderuar z. Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, nëse dëshironi që të mbetemi edhe më tutje kombi më proamerikan në botë dhe nëse dëshironi t’i fitoni votat e amerikanëve me origjinë shqiptare, Ju lus, thuaju z. Grenell dhe të tjerëve rreth tij se “enough is enough”, t’i ndalin presionet mbi Qeverinë e Kosovës, kurse të bëjnë presion të fuqishëm dhe të menjëhershëm mbi Isa Mustafën&Co që të ndalojnë rrëzimin e Qeverisë së Kosovës që kjo e fundit krejt energjinë ta orientojë në luftën kundër Covid-19, të cilën nëse e humbim do jetë një katastrofë e paparë; mos t’i besojnë as Thaqit as Isës, sepse ata janë gënjeshtarë kur thonë se brengosen për miqësinë me ShBA dhe injorantë kur ju thonë se me arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë do t’i fitoni votat e dikujt në ShBA.
Sinqerisht uroj, që ky mendim imi modest, të arrijë deri te Ju!

P.S. Edhe pse nuk është falënderuese që në kohën e luftës sanitare të merremi me politikë, ndoshta edhe ky shkrim mund t’i ndihmoj kësaj lufte kundër Covid-19.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura