SKËNDER SADRI KAPITI: JA PSE PROTESTOHET VAZHDIMISHT NË SHQIPËRI

Durrës, 24 maj 2019: Protestat në Shqipëri: Viti ’97 “Berisha ik”; 2005 “Nano ik”; 2009 – ’13 përsëri “Berisha ik”; dhe sot “Rama ik”! Shqipërinë e ka qeverisur dhe sunduar në këto 30 vite tranzicion pushteti recidiv, pushteti i cili perserit vazhdimisht dhe ka akoma të njëjtat huqe, të njëjtën qëllim e fizionomi e që janë: korrupsioni, krimi, vjedhja, papërgjegjshmëria, ligësia, injoranca dhe antikombëtarizmi.
I gjithë tranzicioni 30 vjecar në Shqipëri: paqëndrueshmëri, papërgjegjshmëri, krim, vjedhje e hajdutëri politike; autokraci, trafikim qëniesh njerëzore, drogë e korrupsion; papunësi e varfëri, padrejtësi, pasiguri e moszhvillim, matrapazllëqe dhe pazare të ulta dhe amorale krimi e korrupsioni politik e juridik.
Dhe shqiptarët ikin dhe vetëm sa largohen nga Shqipëria. Ka tridhjet vite që shqiptarët protestojnë për lirinë, për drejtësinë, për mirëqënien, për demokracinë, për integrimin dhe për “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Shqiptarët në Shqipëri votojnë për demokracinë, por demokracia atyre si zgjidhje u ka ofruar gjithmonë regjim dhe qeverisje jo publike e jo kombëtare, por qeverisje korrupsioni, partizane e private; qeverisje kryeministrore personale, oligarkie e autokracie;qeverisje e pushtet hajdutërie, korrupsioni, tradhtie e papërgjegjshmërie ekstreme gjatë gjith këtyre viteve të tranzicionit.
.
Prandaj protestuesit gjithnjë kanë protestuar kundër kryeministrave, sepse në Shqipëri me kryeministrin identifikohet edhe partia që merr pushtetin, edhe qeveria, edhe antiligji, edhe antishteti, edhe korrupsioni, edhe padrejtësia, dhe pra, prandaj protestuesit kanë kërkuar gjithnjë në këto 30 vite, si dje dhe më parë Berisha ik, pastaj edhe Nano ik, dhe kërkojnë edhe sot Rama ik.
Asgjë nuk ka ndryshuar në Shqipëri por vetëm se pushteti vetëm sa është ndërruar, por që gjithmonë pushteti mbeti pushtet recidiv, pushtet i cili vetëm sa ka përsëritur huqet e veset e krimit, korrupsionit, padrejtësisë dhe të vjedhjeve dhe që askush nuk u ndëshkuar prej pushtetarëve.
Prandaj qeverisjen, pushtetin, zullumin dhe korrupsionin protestuesit shqiptarë pavarësisht se cilit krah politik i përkasin dhe kundër cilit kryeministër kërkojnë që ai të ikë, ata si të përbashkët kanë pasur, kanë spikatur dhe e kanë identifikuar gjithmonë si shkaktarë dhe kanë protestuar kundër njëshit, kundër autokracisë kryeministrore, kundër republikës kryeministrore, kundër korrupsionit kryeministror dhe kundër hajdutërisë politike e qeveritare.
Dje protestohej: “Berisha ik”, “Nano ik”, protestohej me të drejtë kundër krimit, autokracisë, kundër hajdutërisë e korrupsionit.
Por edhe sot kërkojnë dhe protestojnë për të njëjtat arsye edhe “Rama ik”!
Pra krimi politik, korrupsioni dhe krimi e hajdutëria elektorale, krimi e korrupsioni për pushtet, vjedhja e grabitja e parasë publike, e pasurive të shqiptareve dhe të pasurive kombëtare janë sëmundje dhe normale e norma monotonike që e karakterizojnë politikën dhe politikanët shqiptarë. Prova që verteton këtë është realiteti dhe mënyra e tillë se si ata e kanë qeverisur dhe sunduar në këto 30 vite tranzicion Shqipërinë, shtetin dhe shoqërinë.
Pra cili është problemi politik në Shqipëri: ky ik, e ky tjetri eja dhe përsëri po ky që vjen duhet të ikë me protesta. Dhe kjo është bërë si një telenovelë bajate “Ik e eja,por po përsëri mashtrimi e korrupsioni, po përsëri hajnija, po belaja e po hataja” që nuk po u ndahen shqiptarëve. Pra problemi për shoqërinë është: kush të vijë ?! Ky është problemi që kanë pasur gjithmonë shqiptarët, problemi se kush të qeverisë e të drejtojë shtetin, shoqërinë dhe ligjin në Shqipëri. Kjo sepse në Shqipëri nuk qeveris ligji, as drejtësia dhe as demokracia por “Maliqi”, korrupsioni dhe padrejtësia.
Shqiptarët të mashtruar, të lodhur, të raskapitur, të papunë, të varfër e të tradhëtuar nga politika dhe nga ligji e drejtësia vetëm sa largohen dhe ikin, por që nuk ikën as nga pushteti dhe as nga politika ata të cilët shqiptarët kërkojnë që t’i largojnë, por po ikin vetë shqiptarët.
Po ikin të papunët, të varfërit; po ikën rinia studentore, po ikin prej padrejtësive,prej krimit,prej papunësisë prej humbjes së shpresës.
Shqiptarët vazhdojnë të ikin për t’i shpëtuar padrejtësisë, për t’i shpëtuar depresionit dhe stresit, vuajteve dhe pasigurisë.
“Demokracia” shqiptare vetëm sa ka bërë zëvëndsimin, ka ikur një palë dhe ka ardhur një palë tjetër në pushtet, por që asgjë nuk ka ndryshuar, por madje vetëm sa gjithnjë ato kanë përkeqësuar.
Tregues i këtij përkeqësimi është fakti se sot, pas 30 vite paskomunizëm 90% e shqiptarëve nuk besojnë te drejtësia, dhe 84% kërkojnë të largohen nga Shqipëria.
Nga pushteti, nga politika dhe nga Shqipëria duhet të ikin ata prej të cilëve ikin shqiptarët.
Por ata nuk ikin vetë, por duhet populli, sovrani që t’i dëbojë.
Dhe nuk duhet që të ikë populli prej padrejtësive, prej krimit dhe korrupsionit të politikanëve e pushtetarëve të tij sepse atdheu dhe Shqipëria e Kosova janë të shqiptarëve dhe jo të zullumqarëve, jo të hajdutëve e as të tradhtarëve pushtetarë e politikanë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura