Skënder Sadri KAPITI: Një konsideratë për Librin “Elitat e mohuara…, Krenari Kombëtare” të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj

Durrës, 17 gusht 2020: Nuk do të zgjatem shumë në këtë konsideratë timen për librin në fjalë, por shkurtimisht vendosa të shpreh një konsideratë timen, më shumë si një thirrrje që lexuesit duhet ta lexojnë këtë libër, sepse është nevojë dhe domosdoshmëri kombëtare për të njohur elitën e vërtete kombëtare shqiptare.
Diktatura komuniste punën e mbrapshtë të parë që bëri ishte asgjësimi i elitës së shëndetshme kombëtare shqiptare: vrasja, burgosja, dëbimi, internimi, izolimi, vuajtja dhe stresimi i saj. Këtë realitet dhe fatkeqësi të madhe kombëtare e ka trajtuar mjaft mirë historikisht, artistikisht, moralisht dhe intelektualisht shkrimtarja e madhe shqiptare Vilhelme Vranari Haxhiraj në librin e saj “Elitat e Mohuara…, Krenari Kombëtare”, një përkushtim i lodhshëm, i mundimshëm thellësisht shpirtëror, human si dhe intelektual e erudit, një enciklopedi që gjallëron krenarinë kombëtare shqiptare, që na e sjell dhe e ka përjetsuar Znj. Vilhelme në këtë kryevepër të pashëmbullt me rëndësi kombëtare, si një thesar i vërtetë për memorien kombëtare shqiptare dhe si ftesë për zgjim dhe për edukim kombëtar për brezat sot dhe në të ardhmen.
I urojmë Znj. Vilhelme shëndet dhe suksese në punën e saj intelektuale, letrare dhe fisnike për kontributin e saj jashtëzakonisht të vyer per edukimin patriotik e kombëtar të shqiptarëve.

“Elitat e mohuara… Krenari Kombëtare”
Në periudhën të cilën jetojmë, që gjëmon nxitim e qerthullim (pas bishtit tonë, siç duket kaq qartë shumicën e rasteve, ose pas erës siç thoshte i madhi biblik, Solomo), gjëja më e vyer që mund të bëjmë me atë pakëz kohën tonë të lirë, është të zgjedhim miqtë më të dashur, për ta kaluar së bashku. Kështu një nga më të mirat mundësi për këtë, janë përherë e padyshim, librat. Miqtë më të çmuar që mund të gjejë njeriu për të gjitha momentet. Kjo s’ka ndryshuar që kur ata u shpikën, por dihet që në ditët e sotme mundësia për të botuar lirë dhe shpejtë vendos pa asnjë hezitim kushtin primar të hulumtimit për atë që do investosh, në vazhdim. Por janë disa libra që s’mjafton thjesht t’i lexosh, pasi shpesh përmbajtja e tyre ka një tjetër rol dhe predispozicion. Një i tillë është libri që më ra në dorë kohët e fundit nga shkrimtarja, “Mjeshtre e Madhe” dhe “Akademike” Vilhelme Vranari Haxhiraj, a siç e thërrasim ne miqtë e saj lexues, Vivra: “Elitat e mohuara… Krenari Kombëtare”. I mirëvlerësuar si enciklopedi, ky libër vjen pas rreth 40 botimeve të zhanreve të ndryshme të shkrimtares vlonjate, që në tre dekadat e fundit ka sjell për lexuesin shqiptar. “Elitat e mohuara… Krenari Kombëtare” është një studim i Vilhelme Vranari Haxhiraj për mbi nëntëdhjetë figura të kombit tonë që janë lënë enkas në harresë në periudhën gjysmëshekullore të diktaturës komuniste, që kaloi atdheu ynë i përvuajtur, por dhe nuk mund të thuash që tanimë janë ngritur në piedestalin që u përket. Ky zë i larti e i qartë i Vivrës duke thërritur në Panteon këta emra, faqe më faqe, është jo vetëm revolta që ajo shpreh të mishëruar në pothuaj 500 faqet që përmban ky libër me shënimet mbi jetën e veprën e secilit, por është dhe një vënie e një guri për të ngritur kështjellën e fortifikimit kundër padrejtësisë që i është bërë jo veç atyre figurave personalisht, por tërësisht kombit. T’i mohosh figurat e shquara një kombi, është jo thjesht përçmim, por demagogjia më e rëndë publike që edhe i huaji pushtues ka për frikë ta bëjë me simbolet, sepse një komb më mirë duhet të japi jetën sesa simbolet; është përçundimi më tragjik. Personalisht në vitet e liberalizimit të teknologjisë dhe internetit tek nisa të zbulojë me leximet e shpeshta dëshmitë e krimeve barbare të kryera në kohën diktatoriale, pyesja pareshtur veten, si mundet t’ia bëj njeriu-njeriut dhe shqiptari-shqiptarit diçka të tillë? Por kur harta e kësaj mynxyre nisi të formulojë konture më të qarta, pyetja u formulua në: Si mund t’ia bësh kombit tënd një gjë të tillë? Pasi alibia mjerane e politikës dhe ideologjisë në këtë shtrirje, bie krejt dhe nuk qëndron më. Nuk ka ideologji të pastër që të justifikojë krimet ndaj një kombi. Është thjesht etja verbuese për pushtet dhe gjak. “Elitat e mohuara… Krenari kombëtare” nuk është një libër ideologjik, është një përqendrim enciklopedik me përshkrime të detajeve më të rëndësishme, të disa prej personaliteteve shqiptare, të cilat njohim pak a dhe dikush-dikush aspak. Për këtë është një vlerë kombëtare. Cilësova numrin, mbi nëntëdhjetë figura intelektuale, edhe pse katalogu i pasqyrës së lëndës radhit nëntëdhjetë emra, emri i nëntëdhjetë e një në këtë listë të elitës së mohuar është vetë autorja Vilhelme. Edhe me këtë libër ajo jo vetëm, ka nxjerrë shpirtin prej Nevetes, siç shprehet në hyrje të librit, për realizimin e tij, me përgjegjësi morale e vullnet ajo ka sjellë edhe një herë në pah dashurinë e mohuar të sajën, prej diktaturës për librin dhe dijen, për shkrimin krijues e intelektual. Autorja i ka ndarë në katër grupime ideore këto elita, që përfshijnë: Elitat e vlerësuara, por të para nën dritën klasore e ideologjike; Individualitete të vlerësuar nga shtete të tjerë ku ata ndërtuan veprën e tyre; Elitat e mohuara dhe Personalitete të shquara që jetojnë e punojnë sot në atdhe apo emigracion, që japin vlera të veçanta. Thash më sipër dhe theksoj se ky libër, nga Shtëpia Botuese Nacional, me redaktore zonjën Lejla Gorishti dhe parathënie mësuesin e historisë dhe analistin letrar z. Kadri Tarelli, nuk mund të jetë thjesht për një lexim nga ana jonë, por është një libër që duhet të përmbahet në bibliotekat e familjeve shqiptare dhe të prezantohen me të fëmijë e të rinj. Kështu këta do të ndjejnë se njerëzit e shquar të kombit tonë kanë ecur edhe mbi vështirësi, edhe mbi mohim, por kanë dalë të ndërtojnë vepër që i nderon ata dhe tërë sa iu përkasin, familjes, qyteteve të tyre, kombit, e gjinisë njerëzore. Sepse njerëzit, secili nga ne, i përkasim përveç vetes edhe kësaj ideje hallkash shoqërore. Ndërgjegjësimi është peshë dhe rëndësi njëherazi për secilin. Kjo dije, dhe kjo frymë, do të sjellë dhe mendësi më të emancipuar, por dhe më largpamësi tek fëmijët. Duke i njohur me njerëz të shquar e arritjet e tyre, u kemi treguar rrugën ku duam ne të ecin fëmijët tanë. Përndryshe është rruga e zhargoni i saj ajo që do u tregojë ku e si do të ecin, fëmijët tanë; po nuk e bëmë ne këtë rol me koshiencë dhe nëpërmjet librit e kulturimit të tyre. Në këto ditë zije që po kalon kombi ynë, tek afrojnë festat e fundvitit, një libër i tillë, është dhurata më e mirë që mund t’u bëjmë fëmijëve tanë për t’i sensabilizuar që atdheu jemi ne njerëzit e tij dhe zemrat tona të bashkuara.
Me respekt Nga: Armela Hysi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura