SOKOL BYLYKBASHI: E PËRBASHKËTA E PARTIVE NË KOSOVË

(Prishtinë, Maj 2012) – Partitë politike në Kosovë nuk udhëhiqen nga vullneti i qytetarëve, por nga interesat vetjake dhe nga direktivat ndërkombëtare. Të gjitha partitë politike, pavarësisht a janë në pozitë apo opozitë, bëhen bashkë në proceset politike regresive. Ky bashkim i partive që nuk është për interesa nacionale, por për përfitime grupore, ka bërë që shteti jonë të ketë sovranitet të përgjysmuar, integritet territorial të cenuar dhe ekonomi të rrënuar.
     Spektri politik në Kosovë është i ndarë në parti opozitare dhe qeveritare. Kur flasim vetëm për partitë politike, kjo ndarje është vetëm formalitet, ngase partitë që janë në opozitë veçse e ndihmojnë pozitën në proceset e ndryshme qeverisëse. Madje ka raste kur qëndrueshmëria e koalicioneve qeverisëse kanë qënë në pikëpyetje, partitë opozitare i kanë nxjerrë nga kriza. Sigurisht që ky veprim i partive opozitare është tërësisht jashtë kornizës dhe logjikës opozitare. Kritikat që i bëjnë partitë opozitare nuk janë as serioze e as parimore. Retorika demagogjike e partive të opozitës kundër Qeverisë vjen në shprehje vetëm kur këto parti nuk mund të përfitojnë në ndonjë situatë të caktuar.

_________________________________

     Të gjitha partitë politike kanë marrë pjesë në negociatat politike me Serbinë që janë mbajtur në Vjenë dhe kanë pranuar pakon e dëmshme të Ahtisaarit, që ka dal nga këto negociata. Edhe negociatat politike Prishtinë – Beograd që po zhvillohen në Bruksel janë përkrahur nga të gjitha partitë. Deri më tani në këto negociata janë zhvilluar nënë raunde, në të cilat janë arritur shtatë marrëveshje. Secila marrëveshje e zbehë dhe e konteston pavarësinë e shtetit tonë. Asnjëra nga marrëveshjet nuk ka të bëjmë me të pagjeturit, fondin pensional dhe artefaktet arkeologjike dhe etnologjike. Këto dhe çështje tjera do të duhej të ishin tema dhe kushte për Serbinë në çdo takim.
     Zgjedhjet elektorale e kanë shpërfaq natyrën keqbërëse të partive politike, para se ato të vinin në pushtet. Në çdo palë zgjedhje partitë politike pjesën dërrmuese të votave i kanë marrë duke vjedhur dhe blerë ato. Për këto qëllime partitë nuk kanë kursyer asnjë mjet dhe metodë të dhunës. Qytetarët dhe punëtorët e ndërshëm zgjedhor janë fyer, kërcënuar dhe rrahur vetëm e vetëm pse kanë penguar dhe denoncuar vjedhjen e votave, që me të drejtë quhen vjedhje industriale. Institucionet që merrën me organizimin, mbikqyrjen dhe sigurimin e një procesi të qetë dhe demokratik zgjedhor, duke qënë të ndikuara nga partitë politike nuk e kanë bërë punën e tyre kushtetuese.
     Keq-qeverisja e partive politike e ka katandisur Kosovën deri në atë shkallë, sa që qytetarët pothuajse e kanë humbë shpresën për ditë më të mira. Vendi jonë përkundër resurseve të shumta natyrore dhe njërzore, ka nivelin e papunësisë dhe varfërisë më të lartin në Evropë. Fushat e rëndësishme shoqërore duke mos pasur kujdesin e veçantë institucional janë në një gjendje tepër të palakmueshme. Pjesa dërrmuese e fuqisë punëtore është jashtë tregut të punës, ndërsa pensionistët nuk mund t’i mbulojnë as shpenzimët e barërave mjekësore.
     Partitë politike në vendin tonë me keq-qeverisjen sistematike të tyre në nivelin qendror dhe lokal na kanë treguar që janë të zhveshura nga parimet demokratike. Këto parti i kanë politizuar dhe degjeneruar pothuajse të gjitha institucionet publike. Zyrtarët e partive politike janë bartësit kryesorë të korrupsionit dhe dukurive tjera negative. Më rritjen e këtyre dukurive, paralelisht po rritet edhe pasuria ilegale e zyrtarëve partiakë. Ajo që nuk po rritet fare është efikasiteti i organëve të drejtësisë. Deri më tani edhe pse ka mjaft fakte për keqpërdorime të ndryshme nga zyrtar të lartë politik është bërë fare pak në arrestimin dhe vënien e tyre para drejtësisë. Nuk mund të ketë progres në këtë drejtim, përderisa Prokuroria dhe Gjyqësia ndikohen pikërisht nga ata që duhet të ishin objektiv i punës së këtyre institucioneve.
     Qeveria dhe Komunat e Kosovës janë akoma kontraktuesit më të mëdhej në afarizëm. Institucionet qendrore dhe lokale bëjnë shkelje të shumta ligjore në procedurat e ndryshme të prokurimit publik. Secili në shoqërinë tonë e dinë që tenderët e këtyre institucioneve i marrin njërezit e fuqishëm që janë pjesë e partive politike apo ata që kanë lidhje të ngushta biznesore me to. Ata që i marrin tenderët nga institucinet për të përfituar në masë të madhe i përfundojnë projektet e ndryshme kapitale me cilësinë më të ulët të mundshme. Kjo është arsyeja që investimet kapitale që bëhet në shtetin tonë, të cilat janë kryesisht në infrastrukturë kanë defekte tepër serioze në cilësi.
     Diskursi politik i partive politike po ia pamundëson Kosovës shtetndërtimin, zhvillimin ekonomik dhe integrimet evro-atlantike. Pa e flakur këtë diskurs të mrapshtë politik situata e përgjithshme në vend vetëm do të përkeqësohet. Qetetarët duhet që përmes pjesëmarrjes aktive në politikë t’ia pamundësojnë pushtetit keq-qeverisjes qendrore dhe lokale. Qytetarët e Kosovës për të nxjerrë vendin tonë nga rrethi vicioz i keq-qeverisjes, duhet të përkrahin masovikisht në të gjitha mënyrat programin zhvillimor dhe politikën konsistente të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura