SYLEJMAN E.SYLEJMANI: BISEDË ME RAMIZ SHABAN ZARBINCËN – VËLLAUN E VOGËL TË SYLË ZARBINCËS

Pashtriku.org, 18. 09. 2013 – Sa herë e takoja axhën Ramiz, më dukej se nuk i takonte kohës së tashme dhe botës së zakonshme. Mënyra e bisedës për peripecitë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, kufiri i padukshëm që e kishte ndarë mes jetës dhe vdekjes, e shndërronte në mister… Nuk ishte habi as çudi të mendoje, se ai nuk ishte më, por në vend të tij fliste fantazma, që kishte ardhur prej tejkohshmërisë. Fliste me zë të ultë, dhe kur tregonte ndonjë gjë shumë tragjike që kishte përjetuar, krijonte në fytyrë një lloj buzëqeshje, që vështirë mund të kuptohej çfarë shprehte kjo buzëqeshje e krijuar me mundim…
Me mua ka pasur një qëndrim të veçantë. Mendoj, se i bëhesha më i afërt për shkak të emrit që mbaja, në kujtim të gjyshit tim – Sylë Zarbincës dhe vëllait të tij. Mund të kishte qëndrim të veçantë, edhe për shkak të natyrës së bisedave që zhvillonim së bashku. Biseda këto që e kthenin në kohën, kur vdekja dhe jeta kishin gati një ngjyrë. Nuk e kam ditur më tha një herë, që plumbat me fishkëllimën e tyre, krijojnë tinguj të atillë, ku nuk dallohej ishte cicërimë zogjësh, ishte gurgullimë tmerruese e lumit në vërshim, ishte fishkëllim e veriut te Kodra e Shopit, apo ishte zëri mallëngjyes i kavallit. Këtë e kam përjetuar, në urën e Lumit të Mollarekës në Zarbincë – vazhdonte rrëfimin axha Ramiz. Pjestarët e OZN-ës, për shkak të palltos së gjatë që mbaja, menduan se është vëllau Syla (dhe këtu e merrte atë buzëqeshjen e dhimbshme karakteristike), aty nuk pati armë të këmbësorisë që nuk gjuante në mua, dhe nuk dihej sakt çka po dëgjohej më… E din çka më erdhi në mendje, bash në mes të urës?!

Ramiz Shaban Zarbinca-vëllau i vogël i Sylë Zarbincës

– Më pyeti axha Ramiz. E thithi disa herë cigaren dhe m’u drejtua, më ngjau s’e e dëgjova zanin e një vajze, nga koha e rinisë që më thirri “O Ramiz” Sa e dëgjoja këtë rrëfim, sikur edhe tash kur po e shkruaj, më shkonin mornica… Gjatë kohës që kam biseduar me axhën Ramiz, kam kuptuar, se tërë jetën deri sa ka vdekur, ka pasur një peng në shpirtë, dhe këtë m’a ka përsëritur shumë herë.
* * *
Syla më urdhëroj, që të dorzohem te Brigadat e Shqipërisë, duke ju besuar më shumë, por edhe urdhëri partizan ishte përhapur s’e “kush nuk ka qenë komandant, që ka luftuar kundër nesh, le të dorzohet, s’e do t’a falim“.
Në shtëpi nuk kishte mbetur asnjë burrë, fëmija dhe gratë vuanin çdo ditë prej maltretimve të OZN-ës, vuanin edhe prej urisë. Vendosëm që bashkë me Feratin me u dorzuar në Hogosht, te Brigada shqiptare dhe u ndamë me Sylën në Desivojcë. U përqafuam dhe ja morëm njëri-tjetrit hallallin, ai mbeti i vetëm me u përballur me OZN-ën, me urinë, me dimrin, me të pabesët… Rrugës, Ferati ja filloj me qarë me lot, nuk i thash asgjë, e kishte babë dhe Ferati ende ishte i ri. Na burgosën në burgun e Gjilanit dhe pastaj na dërguan në Ferizaj. Nuk kaloj asnjë vit, na liruan dhe na than “shkoni në shtëpi, se Sylën e vramë “Këtu ndalej, duke shiquar ne një pikë të papërcaktuar për disa çaste, pastaj vazhdonte, disa muaj nuk besuam që është vrarë, dhe shpesh gjatë natës më dukej që po thërret në oborr,por dikur u bë e qartë, s’e vëllau im ishte vrarë në pabesi – e mbyllte rrëfimin axha Ramiz!
OZN-a kishte përhapur lloj – lloj dezinformatash, për vrasjen e Sylë Zarbincës, dhe rrethanat e vërteta nuk janë kuptuar kurrë, as eshtrat e tij nuk janë gjetur kurrë, kanë mbetur dikund në Gjergjevc, të treten në shi e në borë… Thuhet se natën kalimtarëve ju bëhej se po e dëgjojn kangën e tij: “t´ejtën prama ani dy sahati, do t´i biem katundit t´ri“ dhe trokun e atit të çartur.
Pengu i axhës Ramiz deri në vdekje ka qenë droja e tij, që mos e kanë Sylé Zarbincën të gjallë. Besoj që kjo brengë, nuk e len me ju tretur eshtrat edhe në atë botë dhe askujt në mos ju pastë ngritur shpirti nga varri, axhës Ramiz po, madje shpesh do të fluturojë drejt maleve të Gjergjevcit, duke e kërkuar të vërtetën…
Me pas qenë unë me te – thoshte gjithnjë (dhe sytë i shkëlqenin si zjarr vullkani), do të na vrisnin, por afër nuk do të kishte tradhëtar që do të mund të na afrohej, sepse axhës, unë nuk ju besoja si Syla, une gjithnjë e mbaja pushkën gati, Syla kishte një besim të plotë, gati naiv te secili. Kjo dhimbje e tij mé ka pércjell gjithénji, dhe sa heré mé kujtohet axha Ramiz, edhe dhimbja e tij më vjen si peng e si zjarr, që e barti çdo kund që shkoj e çdo kund që vij…
Deri sa vdiq në fillim të viteve të 90-ta,ata që nuk e njihnin mirë, e mendonin si njeri të qetë, të urtë dhe të tërhequr, nuk ja njihnin zjarrin që i rrinte i mbuluar, nuk ja njihnin vrullin prej Uragani…
Vetëm dosti im, kurrë i paharruar Selman Ramadani e tha njëherë “eh mos e shiko tash Ramizin e plakur, se ky ka qenë trim si Sokol Halili“ – dhe m’a rrëfej një episod nga jeta e tij. E patëm lën me Ramizin me shkuar dikund së bashku e në ndërkohë u sëmura dhe isha shtrirë në dhomë, kur ka ardhur Ramizi, sipas marrveshjes dhe ka thirrur në derë të oborrit me atë zërin e fuqishëm prej burri ’’O Selko oooo“ – nde më bëhet s’e po e dëgjoj atë zë.Selman Ramadanit nuk mundej t´i shpëtonte, pa e ndjerë zjarrin e pashuar që mikut të tij Ramiz Shabanit, i vlonte në gji…

________________________________

SYLEJMAN E.SYLEJMANI:

BASHKËBISEDIM ME VEPRIMTARIN ILMI RAMADANI
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1903

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura