SYLEJMAN PIREVA: FRYN E SHFRYN VERIU!

(Prishtinë, 07. 11. 2012) – O dialogu s’bën të dështojë, jo! Dhe pikë! Amerika dhe Europa kanë vendosur për këtë, heeej! Ia kanë qitë diku terezinë ata…, ani janë pajtuar për dialog! Edhe Kosova edhe Serbia. E posaçërisht Kosova, e cila mezi po pret që të takohen viktima me xhelatin! Ndoshta paskan pasur hesape të vjetra dhe tash paska ardhur koha për t’i zgjidhur ato… Dhe me dorëzanët më të fortë të krejt dynjasë: me Amerikën dhe Europën! Kësaj i thonë diçka… Kjo është punë! Fryn e shfryn Veriu!
O Zot, hajr bane!

Po ç’u kënaqën gazetat dhe mediet duke u marrë ditë e për ditë e natë për natë me këtë problemin e Veriut (të Kosovës bajagi)! Me çfarë atëherë do të mbusheshin ato, qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi, e veçmas në Kosovë, po të mos e kishin Veriun krye temë dhe të shumtën e herëve mu në ballinë të tyre? Dhe çka të shohësh: fryrje nga njëra anë dhe shfryrje nga ana tjetër! Fryrje nga Serbia, shfryrje nga Kosova, ose anasjelltas, fryrje nga Kosova (por pak më rrallë), shfryrje nga Serbia. Krejt njësoj. Fryn e shfryn Veriu! Secili politikan a udhëheqës më i mençur se tjetri; më i guximshëm se tjetri; më diplomat se tjetri; më ekstrem se tjetri; më gënjeshtar se tjetri! Njëri fryn e tjetri shfryn dhe anasjelltas, njëri shfryn e tjetri fryn. Veç i ndërrojnë rolet. Secili mundohet në kaçik të vet që me asgjë të mos lëshojë pe, por dialogu s’guxon të prishet. Jo, kurrsesi, se kështu kanë folur Brukseli dhe Nju Jorku! Hajt, kush është ai bir nane që do t’ua luajë fjalën atyre! Po, n’hamam të Hyrës!… Fryn e shfryn Veriu! Dhe merreni me mend: dialog ku s’do të ketë as humbës dhe as fitues?! O dialogu s’bën të dështojë, jo! Dhe pikë! Amerika dhe Europa kanë vendosur për këtë, heeej! Ia kanë qitë diku terezinë ata…, ani janë pajtuar për dialog! Edhe Kosova edhe Serbia. E posaçërisht Kosova, e cila mezi po pret që të takohen viktima me xhelatin! Ndoshta paskan pasur hesape të vjetra dhe tash paska ardhur koha për t’i zgjidhur ato… Dhe me dorëzanët më të fortë të krejt dynjasë: me Amerikën dhe Europën! Kësaj i thonë diçka… Kjo është punë! Fryn e shfryn Veriu!

Fryn e shfryn Veriu me stuhi!

…………………………………………………………

Dhe për çudi, të dyja palët- fjalët e mëdha, asnjëra nuk do ta humbasë Veriun. Eu, po sherr i madh paska qenë ky farë Veriu more, e nuk e paskemi ditë! Qito vjet i mbusha, e kurrkush s’e ka përmendë dhe as që e ka marrë me mend se mund të pjellë një problem kaq i madh dhe me një sherr edhe më të madh! He, kurrë mos shpëtofshin prej këtij sherri ata që u bënë sebep e na qitën në bela! Ani për kënd po flitet tash së voni se kush na e bëri këtë zezditë se?! Mos qoftë prej gojës time, por po flitet prej vetë njerëzve të kyçur në bombardimet kundër Serbisë, që këtë e kemi ‘bakshish’ nga vetë NATO-ja!!! Fryn e shfryn Veriu! 
Si është e mundur kjo?! Po, po, i ka dalë boja tashmë kësaj pune; vetë njeriu ndër kryesorët e NATO-s së atëhershme… e dëshmoi këtë jo shumë moti me gojë të vet! Kushedi se çfarë ‘mrekullish’ fsheh përbrenda ky mega-projekt?! Po mos e merrni aq ters. Nuk i dihet. Midis sherrit del hajri, thotë njëfarë fjale jona. E shqiptari të gjitha t’i falë, veç ymytin kurrë jo! Fryn e shfryn Veriu!
Jo, jo, diçka po zihet këtu… Është një sherr i madh ky! Për sy të zi tybe NATO-ja nuk na e la kopilin n’derë! Pse, a po kujtoni ju që pa kurrfarë plani e mbaruan anëtarët e NATO-s këtë farë çervishi a? Hajt tybe, kurrë! Ia dëgjoni krismën më vonë… Fryn e shfryn Veriu!
Njëmend s’keni arsye ta shtini veten në siklet të madh! Tashmë po dihet se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë dialog që do të mbahet së shpejti në Bruksel. Ka Kosova burra të mençur siç ka pasur gjithmonë e jetë, mos ia bani gajle ju! Pse, a nuk bën që pas figurave historike si Skënderbeu, Ismail Qemali, Hasan Prishtina… të rreshtohet edhe figura e Hashim Thaçit a?! Po ky që ka ditur ta fitojë Kosovën në luftë, e që ishte një milion herë më vështirë, po s’është e mundur që ta humbë në paqe, jo! As Veriun! Do të bindeni për së shpejti, as një pëllëmbë toke nuk do ta lëshojë! Kurrë! Kufijtë e Kosovës do të ruhen të pandryshuar! E tash mos u bëni as ju aq cikërrimtarë: të hysh në dialog me një shtet si Serbia që ka harxhuar miliarda për ta shtypur popullin e Kosovës me metodat më brutale, e të mos fitojë asgjë, bile një serpska republikë si në Bosnje të Izetbegoviqit, kjo s’ka kuptim! Tani (prej gjynahit), atë që e kishte pësuar nga bombardimet e NATO-s, mos me i takue kurrfarë dëmshpërblimi a?! Jo, nuk bën! Edhe vetë NATO-ja e ka parë se e ka tepruar pak si shumë me Serbinë, prandaj duhet me ia lidhë kryet disi kësaj pune!… E ku dhe me çka më mirë se me Veriun e Kosovës?! Fryn e shfryn Veriu!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura