SYLEJMAN PIREVA: KRYEMINISTRI NË ROLIN E SHORTARIT (FALLTARIT)!

Prishtinë, 10. 04. 2014 – Gjatë jetës së tij njeriut i bie që të sprovohet me gjithfarë situatash, të këndshme e të pakëndshme, të ëmbla e të hidhura, të ngritjes dhe të rënies, të shkëlqimit dhe të përbaltjes… Megjithatë jo të gjithë njerëzit këtë e përjetojnë njësoj, po dikush më pak dhe dikush më shumë. Për shembull ajo çfarë ka përjetuar kryeministri ynë, rrallëkujt mund t’i ketë ndodhuri! Për vjet që i ka, i cili sapo e ka mbushur një faqe jete, i ka rënë hise të ‘ngratit’ të provojë dhe përjetojë aq shumë situata, sa është dashur me doemos ose t’i thinjen flokët ose të mos i mbetet asnjë qime në kokë. Por shyqyr që s’i ka ndodhur kjo e dyta, se ku me e ditë qysh do të ishte dukur! Dhe krejt kjo vetëm për 15 vjet e hiç më tepër. Prandaj nuk di që dikush do t’ia kishte lakmi. Unë më i pari jo! Vetëm ndaluni pak e shikoni atë storien e Rambujesë së famshme (sa herë që vjen përvjetori) dhe krahasoni atë çunin e atëhershëm me kryeministrin e sotshëm! Pika që s’të bie! Le flokët, kjo kurrgjë, por rrudhat e fytyrës! Jo, mos ia paça borxh, se pa pasur njeriu siklet goxha të madh, nuk bie në këtë hall! Zoti e pagoftë!


E po s’është kollaj të merresh me politikë, aq më pak që të jesh një kryeministër! Lypset të jesh i sprovuar në sitë e në shoshë. I rrahur, siç thotë populli ynë, në vaj e në uthull. E këtij kryeministrit tonë i patën hipur gajle qysh se në të ri të vet! Sa ishte hale axhami!Tepër që nuk ka shkalluar! Krye është këta! Një këso ngarkese s’është çudi që në një moment ta qet siguresën pa pritë e pa kujtue!… Njëherë si mërgimtar në Zvicër duke u marrë me gjithfarë punësh…, vetëm e vetëm për ta siguruar kafshatën e gojës!… Pastaj vjen një kohë tjetër dhe i befasuar edhe vetë, përnjëherë e hop komandant i UÇK-së, ani që sipas shpjegimit të tij gjithë komandën e kishte udhëhequr nga distanca kushedi sa kilometra larg nga fronti!… E po kush i ka faj Skënderbeut që nuk ka ditur dhe as që i ka shkuar ndërmend se luftën kundër turqve, me ushtrinë e vet, mund ta kishte komanduar qoftë edhe nga Roma e Italisë, por më shumë se 20 vjet kishte qëndruar në ballë të frontit! Por mund të thoni dhe keni të drejtë sepse atëherë nuk ishte kaq e zhvilluar teknologjia elektronike, veçmas ajo ushtarake! Kohë e shpatave më. Nejse kjo më, por meqë ra fjala! Po shyqyr Zotit dhe NATO-s që lufta jonë nuk zgjati më shumë dhe i erdhi fundi komandimit të komandantit të ushtrisë sonë!
Mirëpo të kuptohemi drejt, kjo kishte të bëjë me komandimin në kohë të luftës, sepse kryeministrit tonë nuk i mungojnë ambiciet për asnjë moment që rolin e komandantit ta marrë dhe ta mbrojë edhe në kohë të paqes! Dhe kjo ditë erdhi me lajmërimin e Rambujesë, ku mandatin e komandantit e kishte të siguruar ad hoc, hiç pa folur, kryeministri ynë i tanishëm! Dhe krejt kjo në saje të komandimit të tij të ‘jashtëzakonshëm dhe të mrekullueshëm’ të luftës së UÇK-së, ndonëse siç e ka pohuar vetë, jo drejtpërdrejt nga vija e frontit, por nga distanca, nëse jo edhe nga një shtet tjetër, qoftë ky edhe përtej detit! Dhe rezultati i Rambujesë tashmë na është i njohur!…Ishte kjo një marrëveshje e “jashtëzakonshme, e mrekullueshme dhe historike’, pasojat e së cilës po i ndiejmë për çdo ditë dhe nuk po na lë me i çelë sytë! Por kështu nuk mendon edhe komandanti i Rambujesë, megjithëse mentori i tij, Adem Demaçi, e kishte kundërshtuar në atë kohë dhe nuk ishte pajtuar me të.
Por kurrgjë këto rezultate në krahasim me ato që do të vijnë më vonë kur komandanti i UÇK-së dhe i Rambujesë arrin të bëhet kryeministër dy herë radhazi i shtetit të Kosovës, i projektuar dhe i vizatuar në Marrëveshjen e Rambujesë, por asnjëherë i përfunduar!… Dhe që nga dita e parë e qeverisjes së këtij kryeministri rezultatet nuk kanë të ndalur! Pikë për pikë sipas premtimeve dhe zotimeve të tij gjatë fushatave zgjedhore! Zero korrupsion, kurse ai shënon rritje të pakontrolluar dhe marramendëse, duke depërtuar në çdo cep të shtetit! Punësim të të rinjve dhe zbutje të varfërisë, kurse shkalla e papunësisë dhe mjerimi social i familjeve shënon rritje sistematike dhe të pandalshme! Liberalizim të vizave për shtetasit e Kosovës, kurse shteti ynë vazhdon të jetë i diskriminuar dhe i vetmi vend në Evropë që nuk e gëzon këtë të drejtë edhe pse e qeverisur nga një kryeministër ‘i shkëlqyeshëm dhe i jashtëzakonshëm’ që me asgjë nuk ua turbullon ujin Bashkimit Evropian dhe Amerikës! I gatshëm për çfarëdo kompromisi, vetëm për hatër të Evropës dhe Amerikës, qoftë edhe në raport me Serbinë… por të merremi vesh-vetëm për ‘bisedime teknike’ për ta zgjidhur problemin e serbëve të veriut njëherë e përgjithmonë dhe duke përfunduar në bisedime kryekëput politike, me bosnjëzim të Kosovës që do t’i kushtojë tepër shtrenjtë kësaj gjenerate dhe atyre që do të vinë pas nesh! I gatshëm për të përkrahur formimin e një tribunali të famshëm në Kosovë për gjykimin kinse të krimeve të luftës së UÇK-së, në vend se kjo të ndodhë në shtetin e Serbisë që ka vrarë dhe masakruar mbi 12 mijë civilë shqiptarë të pafajshëm dhe dhunuar mbi 20 mijë femra shqiptare! Etj.
Të gjitha këto premtime bombastike të këtij kryeministri dhe shumë të tjera që nuk i përmendëm, edhe pse nuk arriti t’i përmbushë asnjë prej tyre, ai po i mpreh dhëmbët edhe për një mandat të tretë, sikur të mos kishte ndodhur asnjë e keqe, sikur shteti i Kosovës të kishte përjetuar një zhvillim sa për t’ia pasur lakmi edhe shtetet më të zhvilluara të Evropës, e le më që nuk mund të krahasohet as me shtetet më të pazhvilluara të Afrikës dhe të Azisë! Dhe është për t’u habitur dhe për të ardhur keq se si ky njeri i papërgjegjshëm nuk ka mësuar asgjë nga përvoja e deritashme që dështimet e tij të njëpasnjëshme t’i paraqesë si rezultate, thua se ky popull ha bar dhe ju beson broçkullave të tij që s’i lënë përshtypje as sa një fëmije pesë vjeç! Zaten behania më e madhe e një njeriu është atëherë kur ai kujton se po ua mbush mendjen të tjerëve për atë që flet, pa e vrarë fort mendjen se do të ketë ndodhur e kundërta, madje duke irituar njerëzit deri në vjellje! Posaçërisht bredhjet e tij kohëve të fundit sa në një institucion sa në tjetrin, shtetëror a privat, me biznesmenë a me punonjës, me studentë a me gra, në ditë feste a në ditë pune, në kohë dreke a në kohë darke, dhe qëllimet e tij të tejdukshme për çfarë arsye i bën ato, vërtet të zgjojnë një shije tepër bajate! Dhe kur i vëren të gjitha këto veprime të këtij pretendenti për kryeministër edhe për një mandat të tretë, pa dashur të shkon mendja se ai nuk sillet kështu në mënyrë të pavetëdijshme, se e di mirë çfarë po kërkon, por sikur është i bindur se në momentin kur ai ndalet, edhe do të bjerë! E kur bie, puna s’është mirë!… Nga këto sjellje të kryeministrit njeriu nis të dyshojë se mos ky farë tipi është shndërruar në një shortar (falltar) duke shpresuar se mund t’u qesë fall njerëzve duke i hipnotizuar kurdo që atij i teket dhe ka nevojë për ta! Mendja mos me ta marrë. Jo z. kryeministër, populli nuk ha bar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura