SYLEJMAN PIREVA: “LULËZIMI” I KRYEQYTETIT

 (Prishtinë, 13. 12. 2012) – Mashalla! Syri i keq mos e paftë! Prishtina, qyteti ynë më i madhi i Kosovës, po rritet dhe po ‘lulëzon’ me shpejtësi të madhe, si rrallë qytet tjetër në rajon! Po, por varet se nga ç’pozicion e kundron, se po t’i biesh disa rrugëve të tij dytësore, atëherë shihet qartë se jemi mashtruar! Nuk jam ndonjë ekspert për ta bërë matjen e saktë të përqindjes së zbukurimit dhe të shëmtimit të këtij qyteti, por kujtoj se nuk janë fort larg njëra me tjetrën dhe sikur i konkurrojnë njëra-tjetrës.
Sheshet
Kush dhe çka po e zbukuron dhe shëmton qytetin tonë, kryeqytetin e Kosovës, qytetin e ardhshëm evropian? Kam të drejtë të interesohem, se më në fund “a nuk jam edhe unë Evropë?!…” Po, janë sheshet. Mbaro e prish, prish e mbaro, shpall e rishpall tender pas tenderi, zvarrit ndërtimin afat pas afati, dhe le ta zëmë se më në fund do të themi: ‘bac u kry’! Sa për koston sa kushtojnë ato, nuk bëhet fjalë! Fundja, cili është ai shtet në botë që kursen e nuk i jep përparësi shesheve, veçmas kur ato gëzojnë statusin e një kryeqyteti?! Aq më tepër kur dihet se në këto sheshe janë të vendosura figura të rëndësishme të kombit! Njëherë ndërtohen ato, nuk ndërtohen ditë për ditë! Sot ndërto e nesër prish! Sot zbukuro, e nesër shëmto! Jo, nuk bën ashtu! Prandaj duhet pasur shumë kujdes se si të ndërtohen ato! I kuptoj reagimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve që në krahasim me standardin e tyre dhe taksat që paguajnë ata, kjo kosto është tepër e shtrenjtë. Nuk po hyjmë andej a ka pasur allishverishe, sepse kjo është bërë diçka e zakonshme. Më në fund, le ta ndiejnë edhe qytetarët pak, sepse ky qytet a s’është më shumë i tyre?! Me nisë me i këqyrë hallet e qytetarëve, kurrë sheshe të hairit s’do të ishin ndërtuar! Rëndësi ka ndërtimi i tyre, pasi më nuk do të mendojmë për to, kur kjo gajle na është hequr më së paku për një shekull!

Ilaçi i qeverisë për qytetarët!
Qytetarët le të bëhen të zotë e vetvetes, le të gjenden si të munden, me krah a me shpinë, me pendë a me mend, secili sipas takatit dhe zanatit! Por jo me hajni, jo me drogë e punë të tjera të pista! Kjo s’u ka hije, sepse janë qytetarë të një kryeqyteti që po troket në dyert e Evropës moderne! Me këto punë ka kush merret! Janë specialistët e shkolluar për këtë! Ata, le që nuk zihen ndonjëherë, por kur vjedhin, vjedhin mirë dhe me thasë, nuk përlyhen ata me pak dhe me çfarëdo! Pastaj nuk kanë nevojë të heqin keq dhe të rrezikojnë duke kaluar kufi pas kufiri, kur ka mundësi t’i gjejnë hazër dhe të paketuara në vend të ‘sigurt’. Krijojnë rastin në pikë të ditës dhe përmes qytetit, para hundëve të policisë, i nxjerrin thasët, dhe jo vetëm me drogë, por edhe me para të majme dhe shpëtojnë pa ferrë në këmbë! Fantastike! Kjo është diçka! Kjo është punë!
Ndërtesat
Zemërzinjtë mund të flasin sa të donë dhe çka të donë, por sa është ndërtuar (krye)qyteti ynë për katër-pesë vjet, s’është ndërtuar në të kaluarën as për njëzet vjet! Çfarë njëzet, as për tridhjetë vjet thuaj lirisht! Dhe jo çfarëdo ndërtesash, por të një stili që syri me t’u kënaqë! Kurrgjë më të mira nuk i sheh as edhe midis Evropës! Ka zëra që s’pajtohen me mua, se kinse kanë një konstruksion të dobët që as tërmetit prej 5 shkallësh nuk i bëjnë ballë, se të gjitha bisedat e fqinjit mund t’i përgjosh pa farë pengesash, madje edhe vezët kur i përzhitin, kinse kutërbojnë deri në banesën e fqinjit pranë, por këto janë veç fjalë! Ka edhe asi përgojues që bëjnë vërejtje se qeveria lokale, apo thënë më troç, inspektorët e saj, mbajnë njërin sy mbyllur para këtyre rasteve, se kjo është marrëveshje e kurdisur midis kompanisë ndërtuese dhe inspeksionit, pra e qeverisë, por këto janë vetëm llafe! Ku marrin vesh ata se sa fije armaturë u dashka shti shtyllave bazë dhe me çfarë trashësie, ‘dhjetëshe’, ‘dymbëdhjetëshe’ apo?!… Më së lehti me folë! Aspak korrekte!
Desha ta përmend pak edhe punën e gjelbërimit para këtyre ndërtesave që nuk mjaftojnë aspak, ose mungojnë fare, por ku me i gjetë ato hapësira?! Nuk ka Kosova aq shumë tokë për të llogaritur që çdo ndërtesë ta ketë gjelbërimin e vet! Ne kemi nevojë për banesa, pra për beton, se sa për gjelbërim, ky është një luks i panevojshëm!
Rrugët
Thoni çka të doni, por nuk shkon asnjë ditë që nuk vëreni ndonjë kompani me makinerinë e saj mjaft moderne, duke u marrë me ndërtimin dhe asfaltimin e ndonjë rruge, rrugice apo të një ‘unaze’në (krye)qytetin tonë. Dorën në zemër, hijeshinë një qyteti ia shtojnë, më mirë se kushdo tjetër, rrugët e mira, të gjera, të pastra, si dhe trotuaret e shtruara me marifet! Kështu do të ishte mirë dhe lezet, por cila është e vërteta këtu? Mjerisht shumë larg realitetit! Në përgjithësi rrugët e (krye)qytetit tonë nuk i përngjajnë asnjë qyteti evropian! As me gjerësi, as me pastërti, as me cilësi dhe as me trotuare! Të gjithë ata që mendojnë me u plakë në këtë qytet, kaherë ju kanë hyrë ethet në bark, se qysh do ta kalojnë jetën pa u ngulfatur prej ngushtëllakut! Po ku keni parë kështu, kur sa ta çelësh derën e shpisë, me hapin e parë si ta qitësh, je në rrugë?! Çfarë trotuari është ai, kur një çift nuk i zë mirë siç duhet, e le më të tjerë! A mund ta merrni me mend se kësi trotuaresh në (krye)qytetin tonë janë me dhjetëra kilometra! Kush nuk beson, le t’i masë! Kjo kurrgjë, ka dhe më keq! Dilni veç një herë kah lagjja Mati 1 dhe një pjesë e lagjes së Spitalit, pa i numëruar të tjerat, ku janë ndërtuar alamet ndërtesa, ju do të shihni rrugë aq të këqija, sa as qentë s’e kanë kollaj të ecin nëpër to! Bile sikur t’ua kishin gjuajtur nja disa kacia zhavorr, sa mos sharrue deri në gju në to! Por çfarë!
Por mos i përjetoni gjërat kaq thellë, merreni veten pak me të mirë, se më i mirë se sabri kurrgjë s’ka! I vjen rendi edhe kësaj pune. Qeveria e Prishtinës, të gjitha këto i ka në plan! Ajo gjumin s’e bën si gjumë, vetëm e vetëm që qytetarët e vet t’i rehatojë sa më mirë e sa më shpejt, vetëm që të mos i shohë mazunë! Bëni gajret veç edhe këtë dimër, se me pranverën që do të vijë, gjendja do të ndërrojë 100% ! Të ‘lumtë’ ne për këtë Qeveri!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura