XHEVAT BISLIMI: ZJARRMIA (ETHET) PËR ZGJEDHJE E PUSHTET DHE MUNGESA E VULLNETIT PËR TA BËRË REPUBLIKËN

Prishtinë, 9 maj 2017: Zjarrmia për zgjedhje të parakohëshme dhe për pushtet tashmë ka prekur edhe partitë e (anti)koalicionit qeverisës, sidomos PDK-në e Kadri Veselit. Kjo zjarrmi për zgjedhje të parakohëshme dhe për pushtet është më e natyrshme te partitë politike opozitare. Atyre u shkonë më shumë për fytyre. Thellimi dhe zgjerimi i krizëz së koalicionit qeverisës është pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme të qeverisë së tyre. Mbajtja në këmbë e këtij koalicioni tashmë po duket e pamundur. Dëshira e PDK-se (kreut të saj) për ta prishur koalicionin dhe për të shkuar në zgjedhje të përgjithshme të parakohëshme ose të jashtëzakonshme ka marrë formë dhe përmbajtje të plotë. Kryetari i PDK-së ka ambicie që të bëhet kryeministër. Sa më parë që të bëhen zgjedhjet, beson ai dhe ekipi i tij, PDK-ja do të ketë rezultate më të mira. Çdo ditë e humbur është në dëm të PDK-së. Ndërsa LDK-ja e Isa Mustafës është e interesuar që kjo qeveri të qeverisë deri në përfundim të mandatit, sepse është e vetëdijshme që, nëse mbahen zgjedhjet tash, do të ketë rezultate të këqija. Deri diku secila parti politike është e përfshirë dhe po udhëhiqet nga dëshira për pak ose për më shumë pushtet, ndërsa nuk po shprehin vullnetin, përkushtimin dhe angazhimin e duhur për ta bërë Republikën, për ta ndërtuar shtetin që do të garantonte minimumin e barazizë dhe sigurisë, ekonomike, sociale, shëndetësore…
A mund të kemi institucione shtetërore të besueshme dhe të suksesshme me këtë sistem zgjedhor?
Nuk mund të kemi, mendoj unë. Sistemi aktual zgjedhor (sidomos për zgjedhjet e përgjithshme) ka prodhuar dhe do të prodhojë rezultate dhe institucione të pabesueshme dhe të kontestueshme. Për këtë nuk janë fajtorë komisionerët, KKZ-të apo KQZ-ja, por sistemi. Sitem të këtillë zgjedhor, i cili i mundëson qytetarit që t’i ketë pesë vota (më parë dhjetë) ka vetëm Bosnja dhe Hercegovina! Asnjë vend tjetër në botë nuk e ka një sistem të këtillë zgjedhor! Apo jemi shtet suis generis, shtet ala boshnjakçe?! Ky sistem zgjedhor u mundëson shefave të partive dhe grupeve të tyre që ta kontrollojnë dhe manipulojnë tërësisht votën e kandidatëve të tyre për deputetë… Prandaj, asnjëra nga partitë politike, qofshin në pozitë apo opozitë, nuk kërkoi dhe nuk po kërkon të ndryshohet sistemi zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme. Nuk po kërkojnë sepse, po të kishim sistemin një qytetar një vote, shefat e partive nuk do të mund të manipulonin me votatë dhe t’i nxirrnin deputet vetëm të “preferuarit” ose të dëgjueshmit e tyre. Keni vënë re që edhe shoqëria civile,, që bënte shumë zhurmë për listatë e mbyllura, por edhe mediet nuk e ngrisin dhe nuk e trajtojnë këtë TEMË të rëndësisë së veçantë për zgjedhje dhe institucione të besueshme dhe të fuqishme e kompetente në punën e tyre. Duket që ka një “marrëveshje” të pashkruar midis partive politike (shefave të tyre) dhe shoqërisë civile e medieve që në të shumtën e rasteve janë aleate të politikës (partive politike)! “Kush jep paranë, thoshte Nasradini, le t’i luan gishtatë”.

Për vete e quaj fatkeqësi për vendin tonë mungesën e vullnetit për ta ndryshuar-korrektuar sistemin e sotëm zgjedhor. Fatkeqësi edhe më e madhe është mungesa e vullnetit dhe gatishmëria për t’u ulur krerët e partive politike dhe të institucioneve dhe për të rënë në ujdi (konsensus kombëtar) që të “pastrohen” listatë dhe politika nga kandidatët që janë të përfshirë në korrupcion e krim të orgaizuar dhe nga kandidatët me të kaluar kolaboracioniste (si rasti Isa Mustafa e plotë të tjerë…). Nuk mund të bëhet ky vend dhe kjo Republikë me politikanë, qeveritarë, deputetë e drejtuesë tjerë të jetës politike e publike që ishin ose janë pjesë e bashkëpunimit me pushtuesin dhe me armiqtë e vendit tone (me mercenarë), me njerëz të përfshirë në korrupcion, krim të organizuar, trafik, kontrabandë… Nuk bëhet! Nëse për të qenë pjesë e AKI-së duhet bërë verifikimi nga sektori i specializuar për këtë punë si nuk bëhet dhe pse të mos bëhet verifikimi i politikanëve dhe qeveritarëve që përcaktojnë fatet e vendit?!! Pse të mos largohen nga politika, nga institucionet dhe nga jeta publike (edhe nga mediet) ata që po e marrin vendin dhe popullin në qafë?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura