TË VËRTETAT E PAMUNDSHME…

TË VËRTETAT E PAMUNDSHME…

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 13 shtator 2021

1. Vjega joetike…

Serbia ka shumë ftyra dhe asnjërën prej tyre të vërtetë.

Ndaj, mund të hapë Prishtina të gjitha kartat e pakta, sa të pakta, por ky gjest nuk do të përnxiste një dëlirësi morale në Belgrad: një reflektim, pendesë, katarsis. E, poaq, një realizëm gjeopolitik për të jetuar në paqe me të tjerë përreth.

Por ajo synon, në mënyrën e vet lapidare, t’a mbyllë shpejtësisht këtë kapitull brukselian. Sepse, e hapur, dosja e të vrarëve dhe zhdukurëve që gjenden gjithandej dhéut serb, dëshmon krimin shtetëror të saj.

Sipas evokimit të N. Çanak, në një takim të pasluftës europianisti, ky skofiar i rremë Xhinxhiq, paskësh sugjeruar heshtjen e varreve. Sepse, si do të justifikonte, kush do të investojë në Serbi kur në çdo pëllëmbë toke, po rrëmihe pak, dalin eshtëra shqiptarësh!?

Ndaj dhe arkivat e Uçk-së, hapja e tyre, shkaktoi një ortek politik.

Mirëpo rrokullima sikur do i bënte lak udhës së duhur!

Shoqata, media militante, opozitarë me kujtesë lufte e ndonjë ekspert i përndezur bënë rreshtimin e tyre monolit. Është e vetmja punë që bëjnë përfekt: mendimin grupor!

Nuk e di të ketë prapsira për të fshehur. Nuk e besoj këtë. Asnjëherë.

Përse, pra, ky rrëmet politik e kjo hallakamë patriotike?

E rithem, nëse s’ka fshehtësira të errta lufte, aherë ç’është kjo barrikadë?

Sedërfyerje ndanë Serbisë apo shpërdorim i tyre për të mprehur kauzën opozitare?

Mbase të dyja bashkë, por ndërsa njëra, sedërholla, sado legjitime mbase i bindet arsyes, tjetra ngjan e ulët dhe krejt e pashpresë.

Përse dhe si mund të shkasë aq poshtë etika njerëzore që të bëjnë betejë pushtetare me arkivat ku kanë futur duart i mbari e mbrapshti!? Në arkivat që ndryjnë histori, memorje të dhimbjes, ofshamë morti, korrespondencë, përplasje parie, fitore, humbje, gropë, rënje,  porosi shéjte a varr në yrtin e humbur?

2. Deshpërimi klasik…

Nëse Austro-hungaria do të mentoronte mëvetësinë e Shqipërisë, është e pakuptimtë të bluajë më pas ide e pasione kolonialiste ndaj saj.

Kështu disi, i parafrazuar, pat thënë Plaku i urtë i Vlorës.

Por një shekull më vonë kjo fjalë e artë kthehet sërish në arenë. Yuri Kimm, kryediplomatja amerikane e Tiranës, sikur ngjan t’ketë huqur misionin: ka marrë në dorë si Guvernatore supreme frerët e Shqipërisë. Madje, nuk është e vetme nga kori diplomatik që ka zbritur shtigjesh dhiare.

Po kjo kulturë e çuditshme përfaqësie, ushtrohet shpërfillshëm tash sa vjet dhe në Kosovë. Diplomatë, emisarë, vizitorë rasti, analistë të paguar e shumë ngordharë të tjerë hedhin gurin. Dhe këlyshnaja vendore turret duke i lehur rendësit rival për guralecin që s’hahet dot…

Dhe të gjithë, pra, flasin me vulë. I vënë pikën. Dhe dëgjohen e ndiqen përulshëm nga prijësit e internatit politik ku ndodhet i ngujuar plebsi tyre.

Është e ditur, tashmë, se çelsi i marrëdhënieve ndërkombtare është raporti i Fuqisë.

Megjithatë, një deshpërim me vetë qenien, racën shqiptare nuk më shmanget dot.

Fëmijët që në hapat e parë në jetë e mendim, mësojnë vetëm për disfatë shqiptarësh n’për qindra vjet: luftëra pa fitore, kryengritje me autorësi të huaj, vjedhje historie, rrëmbime tokash, dyndje në askund, moskuptim të vuajtjes, dëbime biblike, rrudhje të etnosit, fatkeqësi, armiqë te porta, popullvrasje, varreza qelekullash tejendanë gadishullit të tyre…

Teksa shpaloset kjo kronikë e pafund e humbjes, kujtoj shpesh teorinë e Darvinit mbi seleksionin e llojeve, që, me gjasë, shpjegon dhe mbijetesën e popujve…

Por, sërish, pas çdo akti tragjik, ata mësojnë poashtu krenarinë. Prejardhjen e lashtë. Por një krenari të largët, mbuluar nga mjegulla e moteve. Jemi 2000 vjet rob dhe qëndruam, mburrej një fosil i hershëm politik.

Çfarë cinizmi i poshtër të edukosh krenarinë e robërisë dhe humbjes!

3. Dualizmi i së vërtetës…

Një “non-paper” i radhës qarkullon ndër hone ballkanike.

Kësaj here për vetminë e gjuhës dhe etnisë së stisur  maqedonëse.

Tashmë të gjitha palët: mohuesja, që godet dhe e mohuara që goditet, e kanë në tryezë shkronjën e tij.

Sofja e Shkupi pa shqiptarët, do të ruajnë e shpallin të vërtetat e tyre. Bullgare e para dhe, pranë saj, versioni i grupimit sllav që, anise anonimër etnikë, i thonë vetes maqedonës.

Të tilla, ato do të ligjërohen në Kushtetutë dhe, paralele përherë, do të kultivohen në të gjithë piramidën shkollore.

Në fakt, e vërteta nuk është paralele. Shumëngjyrëshe. E dyfishtë. Askurrë. Sllavët e Shkupit s’mund të jenë njëkohësisht bullgarë dhe maqedonës: një komb dyetnik, i paparë në botë. Historia dhe gjuha i japin një provë të kundërt kohës.

Dhunimi i tyre s’është, prandaj, veçse një leshnajë e natyrës së kulluar politike. Por, ja, kështu duket kneta e kompromiseve komike të Europës.

“Non paper-i” anashkalon një të vërtetë tjetër, themeltare, të Maqedonisë: të vërtetën shqiptare. E pra, po bëmë këtë qasje, aherë do të ketë trialitet të vërtetash, ndërkohë që më e vjetra, ilirjote, është qendra e saj.

Ndërkaq, në gjurmë të këtij trilli, sikur shoh të shfaqen njëj agu të turbullt dyzime që mërgojnë dhe në nyjë të tjera në Ballkan. 

Në fakt, një nënlloj i tillë i kancelarive të pista real-politike, mbërthen qyshkur Kosovën.

Megjithëse postulatesh të ndryshme, nënujshëm sanksionohen dy të vërteta përjashtuese. Njëra e shpifur në këmbanat e gënjeshtrës dhe tjetra e pastër si bora e Alpeve të saj.

Mirëpo nga kjo Europë heterogjene e përplot hije mistike të kohëve të vjetra, vjen gjithçka.

Fantazitë ekspandive apo  koncepti i Meternichut pas plojës së tyre, admironin sajesat e mëdha territoriale si premisë e paqes.

Dhe nga kjo murtajë ajo nuk është çliruar plotërisht ndonjëherë.

Ndër skuta sallonesh gëlojnë ato ende sot, tek aq të zjarrta janë betimet e aq të liga dredhimet. Veriu i Kosovës është prova fundore e tyre. Me të gjithë blozën e  shekujve që ermojnë komplot e skllevër të rinj… 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura