TËRMETI APOKALIPTIK I VITIT 1267 QË SHKATËRROI DURRËSIN

Shkrimi i rrallë i vitit 1267/ “Tërmeti apokaliptik shkatërron Durrësin”

Një tërmet i rëndë shkatërroi Durrësin në vitin 1267. Për këtë ngjarje apokaliptike, albanologu i ndjerë Robert Elsie na ka lënë pas një rrëfim interesant. Bëhet fjalë për rrëfimin e historianit dhe studiuesit George Pachymeres, i lindur në vitin 1242 dhe i vdekur rreth vitit 1310. Ai lindi në Nikea dhe mbajti detyra të larta në Kostandinopojë.

Libri i tij “Historia” flet për periudhën e sundimit të Mikael Paleologut VIII dhe Androniku II. Ai përbën burimin kryesor për periudhën. Në të është edhe një përshkrim prekës i tërmetit të tmerrshëm që goditi qytetin e Durrësit. Historiani francez Alain Sucellier e daton këtë ngjarje tragjike në korrik të vitit 1267

Pas disa kohësh, një ngjarje e rëndë dhe e përlotshme ndodhi në Durrës. Gjatë muajit korrik, disa zhurma të pazakonta bënin që toka të dridhej vazhdimisht, zhurma që normalisht do t’i quanim rënkime. Ato po i paraprinin diçkaje të tmerrshme që do ndodhte.

Një ditë, zhurma ishte më e vazhdueshme dhe më e fuqishme se herët e kaluara. Frika që kaploi njerëzit bëri që ata të shkonin dhe të gjenin strehim jashtë qytetit, pasi kishin frikë se gjërat do përkeqësoheshin.

Nata ra mbi rënkimin e një ditë më parë dhe bashkë me të nisi një tërmet i fortë, më i dhunshëm se çdo gjë tjetër në kujtesën e gjallë. Nuk ishte, siç mund ta përshkruajnë disa, një dridhje e tokës në formën e një lëkundjeje, por një lëvizje e tillë kaq e fortë, sa dukej sikur i gjithë qyteti u kthye me kokë poshtë dhe u përplas fuqishëm në tokë.

Shtëpitë dhe godinat e larta nuk rezistuan për një sekondë, duke u rrënuar e duke varrosur brenda banorët. Ata nuk kishin kohë të shpëtonin sepse godinat ishin ndërtuar pranë njëra-tjetrës. Në të vërtetë, kishte më shumë shans që të mbijetonin ata që qëndronin brenda shtëpive sesa ata që dilnin nga shtëpitë që ishin kursyer pjesërisht nga shembja.

Asnjë nga ndërtesat nuk mbijetoi e paprekur. Ato u rrëzuan mbi njëra-tjetrën dhe çdo godinë që kishte rastisur të rezistonte ndaj fatit të shkatërrimit, ishte prishur nga rrëzimi i të tjerave.

Katastrofa ishte e papritur dhe e jashtëzakonshme për të lejuar që dikush të mbijetonte duke u arratisur. Për shumë njerëz, ishte si një ëndërr: ata nuk e zbuluan kurrë se në çfarë ngjarje u zhdukën. Fëmijë të vegjël dhe bebe, që nuk e kuptonin se çfarë kishte ndodhur, u varrosën nën rrënoja.

Zhurma e fortë dhe tmerri ishin të atilla, sa të mbijetuarit që e gjetën veten përballë dallgëve të rritura ndjeshëm në det, imagjinuan se ky nuk ishte vetëm fillimi i agonisë, por në të vërtetë fundi i botës.

Për shkak se qyteti ishte buzë detit dhe tërmeti i tmerrshëm kishte ndodhur kaq papritmas, ata që e gjetën veten jashtë, dhe që ishin zhurdhuar praktikisht, u përballën ashtu siç ishin me një trullosje të tillë nga shpërthimi i shtëpive njëra pas tjetrës, sa nuk mund të parashikonin asgjë tjetër veçse se ky ishte shkatërrimi i tërë universit.

Tërmeti zgjati për aq kohë sa asgjë nuk mbeti në këmbë. Gjithçka brenda qytetit ishte shembur dhe banorët ishin mbytur, me përjashtimin e vetëm të akropolit, që qëndronte i fortë dhe i mbijetoi tërmetit.

Kur agoi dita, banorët e zonave përreth nxituan menjëherë në qytet dhe nisën të gërmojnë, duke përdorur gjithçka që mund të merrnin në duar: sfurqet, kazma dhe çdo mjet pune që gjenin.

Nga të katër anët, ata nisën të gërmojnë, duke u përpjekur sigurisht që të shpëtonin çdo viktimë të pafat që mund të ishte ende gjallë, por ç’është më tepër, në përpjekje edhe për të shtënë në dorë çdo lloj pasurie që mund të nxirrnin nga brenda rrënojave.

Siç ndodhi, bashkë me të rriturit vdiqën dhe trashëgimtarët dhe nuk ishte askush që të pretendonte pronën. Kështu, pas disa ditësh, pasi kishin marrë flori dhe gjëra të tjera që kishin gjetur, shqiptarët rreth e rrotull Durrësit e braktisën këtë qytet të lashtë në vetminë e tij, një qytet tashmë i panjohshëm, i cili numërohej mes qyteteve ekzistues jo prej ekzistencës së tij, por thjeshtë prej emrit.

Peshkopi i tij, Niketas, që kish qenë aty gjithë kohës, mbijetoi, ndonëse në të gjithë trupin tashmë kishte plagë të fatkeqësisë. Përballë një katastrofe të tillë, që askush nuk do të kish menduar ndonjëherë se ishte e mundur, atë e kapi paniku dhe ia mbathi, duke e lënë metropolin të privuar jo vetëm nga personi i tij, por edhe nga banorët, shkëlqimin e ndërtesave dhe gjallërinë e dikurshme. /syri.info

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura