THEMELIMI I BASHKËSISË SË KLUBEVE DHE RRETHEVE SHQIPTARE NЁ EVROPЁN PERЁNDIMORE, KORRIK 1983

THEMELIMI I BASHKËSISË SË KLUBEVE DHE RRETHEVE SHQIPTARE NЁ EVROPЁN PERЁNDIMORE, KORRIK 1993

Më 9 korrik 1983, nga përfaqësuesit e shumicës së klubeve dhe rretheve të dalluara të shqiptarëve në Evropën Perëndimore u vendos që të themelohet BASHKËSIA E KLUBEVE DHE RRETHEVE SHQIPTARE NЁ EVROPЁN PERЁNDIMORE.

***

Nga ”Programi Aksional i Bashkësisë së klubeve të punëtorëve  shqiptarë nga Jugosllavia në Evropën Perëndimore”

Për qëllimmet dhe interesat e tyre, në fillim, iniciativën për hapjen e klubeve shqiptare e përkrahën edhe policët e sigurimit jugosllav të veshur me petkun e diplomatit. Ata ushqenin shpresat se me ndihmën e klubeve do të kryenin më lehtë misionin e tyre të spiunazhit. Shikuar realisht, po të kishte nisje nga qëllime të mira, krejt puna në këtë drejtim do të duhej të kryhej nga ana e përfaqësuesve të RSFJ, të cilët këtë punë edhe e bëjnë kur janë në pyetje klubet e kombeve dhe kombësive tjera nga Jugosllavia, të cilave pos ndihmës së ndryshme administrative u ofrohen edhe ndihma materiale. Kur planet djallëzore me shqiptarët u dështuan, atëherë edhe çjerrja e maskës dhe zbulimi i vërtetë i planeve të tyre nuk ka vonuar të duket. Disponimi i përgjithshëm antishqiptar i shovinistëve të Beogradit dhe sidomos i politikës së tyre të jashtme antishqiptare erdhi në shprehje edhe në qëndrimin e tyre ndaj shqiptarëve të mërguar nga Jugosllavia, si thonë në mënyrë ironike “me punë të përkohshme”. Duke u nisur nga ky qëndrim, ku më heret e ku më vonë filluan presionet ndaj aktivistëve të ndryshëm që kishin kontribuar më së shumti në tubimin e shqiptarëve të shkapërderdhur, duke i etiketuar si element armiqësorë dhe ndaj pjesës dërmuese të tyre u morën masa të ndryshme; prej marrjes së pasaportave e deri tek burgosjet e rënda.   Këto fërkime në mes punëtorëve e aktivistëve të ndryshëm dhe ambasadave e konsullatave jugosllave arritën kulmin në momentet pas shpërthimit të demonstratave në Kosovë, të cilat pos të tjerash çuan edhe tek tubimet e shumta nëpër klubet shqiptare, të organizuara nga përfaqësitë jugosllave, të cilat nga punëtorët shqiptarë në mërgim kërkonin të dënonin vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë. Konsullatat, vet, në emrin e disa klubeve dërguan telegrame në Radio Prishtinë, sipas të cilave bashkatdhetarët në botën e jashtme i dënonin demonstartat në Kosovë.

Gënjeshtrat e tilla u denoncuan në mënyrën më kuptimplote me anën e tetë demonstratave që u organizuan vetëm në Pranverën dhe Verën e vitit 1981 e që do të vazhdonin edhe në vitin 1982. Nga ngjarjet më të ndryshme të të gjitha llojeve në këtë kohë nuk u kursyen as klubet e shqiptarëve. Sot është fakt me rëndësi se këto klube dita ditës po grumbullojnë rreth vetes gjithnjë e më shumë anëtarë të rinj dhe në përgjithësi po konsolidohen. Kjo i dedikohet më së shumti faktit se mërgimtarët po e kuptojnë se një prej detyrave të para për ta është ajo, që në këto momente të jenë sa më të bashkuar. Që kjo punë të intensifikohet edhe më shumë, deri në atë shkallë që e kërkojnë interesat e kohës, më 9 korrik 1983, nga përfaqësuesit e shumicës së klubeve dhe rretheve të dalluara të shqiptarëve në Evropën Perëndimore u vendos që të themelohet BASHKËSIA E KLUBEVE DHE RRETHEVE SHQIPTARE NЁ EVROPЁN PERЁNDIMORE.

Ideja themelore e Bashësisë është solidariteti.

Bashkësia me punën e vetë ka për qëllim:

– Të kordinojë punën e të gjitha klubeve në Perëndim, duke aplikuar përvojën e përparuar të ndonjë klubi në një tjetër; të bëjë njohjen e tyre reciproke, të organizojë mbrëmje të përbashkëta në mes klubeve fqinje dhe të atyre më larg, të cilat do të shkojnë në interesin e mërgimtarëve.

-Të ndihmojë me të gjitha forcat, me njerëz, me mjete materiale dhe me ndihmë morale në hapjen e sa më shumë klubeve, duke organizuar sa më shumë mërgimtarë që të tubohen rreth tyre.

-Edhe pse përfaqësitë diplomatike dhe të gjithë mekanizmat tjerë të RSFJ-së, që kanë kontakte më të shpeshta me ne, duke u nisur prej një diplomati e deri tek një polic i thjeshtë në autostradë apo tren po sillen ndaj nesh tejet armiqësisht, ne do të vazhdojmë të respektojmë simbolet e RSFJ, ashtu siç veprojnë edhe klubet e kombeve e kombësive tjera megjithëse trajtimi i tyre në krahasim me ne është diametralisht i kundërt.

– Bashkësia do të perkrahë kërkesën e popullit shqiptarë “Kosova Republikë” dhe në këtë drejtim ajo e shikon me simpati punën e Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi. Konsiderata e lartë e Bashkësisë ndaj Lëvizjes i vjen sidomos kur të kihet parasysh fakti se Lëvizja u ngritë lart duke pasur në themelet e saj edhe gjakun e freskët të tre heronjve që ranë afër Shtutgartit.

Bashkësia me këtë punë, me kordinim të aktivitetit, ka për qëllim që në kushtet e ashpërsimit të krizës t’i ndihmojë mërgimtarët tanë në mundësitë e veta që problemet e tyre që po u shtohen dita ditës, t’i përballojnë më lehtë. Bashkësia është e vetëdijshme për situatën e rëndë të popullit të Kosovës dhe këtë situatë ajo e vlersëson si të jashtëzakonshme, situatë që u afrohet kushteve të luftës, andaj ajo me ndihmën e mërgimtarëve do të ndërmarrë hapa të atillë që i kalojnë kufijtë e aktivitetit të Bashkësisë në kushte normale. Kjo do të thotë pos të tjerash se Bashkësia, pjesën më të goditur të popullit të Kosovës për aq sa i lejojnë mundësitë, do ta ndihmojë edhe materialisht.

Gusht 1983, Saarlouis

***

Letër dërguar delagatëve të Bashkësisë së Klubeve dhe Rretheve Shqiptare në Evropën Perëndimore

1 nëntor 1983

Siç jeni në dijeni, Bashkësia e klubeve, më 16 tetor 1983 thirri mbledhjen e vet të parë, në të cilën pos të tjerash u miratua Statuti i Bashkësisë dhe u zgjodh organi udhëheqës i saj.  Në vazhdën e vendimeve u vendos që organi udhëheqës i Bashkësisë të mblidhet një herë në tre muaj. Në bazë të këtij vendimi Këshilli Drejtues i Punës së Bashkësisë së bashku me këshilltarët e vet do të mblidhet më 14 janar 1984 e do të diskutoj e marrë vendime mbi aktivitetin e mëtejshëm të klubeve dhe rretheve shqiptare në Evropën Perëndimore.  Duke pasur parasysh këto rrethana, Bashkësia e klubeve përmes delegatëve të vet u bënë me dije klubeve shqiptare dhe rretheve të ndryshme që gjatë muajit nëntor të këtij viti të mblidhen udhëheqësitë dhe anëtarët e klubeve për të përpiluar programet e tyre njëvjeçare. Në këtë drejtim ata duhet që në pika të ndryshme të ndalen rreth aktivitetit të tyre të gjertanishëm, të vërejnë sukseset dhe dobësitë dhe në këtë bazë të përpunojnë planet e tyre të punës se ku është qëllimi ynë që të arrijmë pas një viti. Si udhërrëfyes, gjatë përpilimit të planprogrameve,  të shërbej Statuti i Bashkësisë në të cilin Bashkësia ka treguar qëllimin e vet. Si rrjedhim i kësaj, vendimet që merren duhet të jenë në frymën e Statutit të Bashkësisë, i cili u miratua në mbledhjen e parë të saj. Qëllimi kryesor gjatë përpilimit të planeve njëvjeçare duhet të jetë masovizimi i klubeve me sa më shumë anëtarë, si dhe krijimi i lidhjeve sa më të shumta me grupe të ndryshme punëtorësh, të cilët edhe nëse nuk mund të bëhen anëtarë për arsye të ndryshme, ta propagandojnë klubin dhe ta ndihmojnë atë materialisht. Rëndësi të madhe, më të madhe se gjer më tani t’u kushtohet kontakteve me organizata të jashtme të vendeve në të cilat punojmë.

Rëndësi t’i kushtojmë konsolidimit të grupeve muzikore, mbledhjes sa më të mirë të materialit filmik. 

Njoftoni Bashkësinë me të gjitha vendimet që merrni, të cilës sipas një vendimi, duhet t’i dërgohen raporte të rregullta mbi punën e klubeve dhe për çështje diskutabile kur nevoitet mendimi i Bashkësisë. Në bazë të planprogrameve të secilit klub, Këshilli Drejtues i Punës (KDP) do të përpunojë planin njëvjeçar të Bashkësisë në tërësi, në mbledhjen e vet më 14 janar 1984.

Të dashur shokë delegatë, të dashur shokë të udhëheqësive të klubeve!

T’i përvishemi punës me të gjitha forcat, të shkundemi nga përtacia e të mos lejojmë që asnjë minutë të na shkoj kot. Bashkësia e klubeve i shikon me sy jo të mirë disa dukuri në disa klube të reja për të cilat u angazhuam me sa e sa mundime që t’i krijojmë, kur ende pa u konsoliduar mirë klubet, ngrihen thirrje nga individ të ndryshëm që të ndërrohen udhëheqja e ndonjë klubi, apo e ndonjë anëtari të kryesisë, thuase se klubet na kanë munguar vetëm e vetëm pse nuk kemi pasur njerëz për t’i caktuar për kryetar.

Të dashur shokë, klubet në disa vende na kanë munguar dhe na janë minuar nga shovinist të ndryshëm dhe vegla të tyre që janë armiq të përbetuar të popullit tonë, të cilët nuk kanë dëshirë t’i shohin edhe dy shqiptarë së bashku. Në të gjithë veprimtarinë tonë, në të mirën e popullit, duhet të punojmë për atë që të shfrytëzojmë në maksimum mundësitë legale dhe t’i bashkojmë njerëzit e jo të ngrejmë çështje që nuk shkojnë në interesin e përgjithshëm. Pa sakrifikuar nuk mund t’i ndihmojmë interesit të përgjithshëm, e në grupin e sakrificave hynë edhe ajo ndjenjë e durimit për zgjidhjen e problemeve. Deri në rregullimin e çështjes së adresës së përhershme të Bashkësisë, të cilën së shpejti do ta zgjedhim dhe për këtë do t’ju njoftojmë, raportet i dërgoni në adresën e kryetarit të Bashkësisë.

Ju dëshirojmë punë të mbarë.

Saarlouis, 1 nëntor 1983

(Nga Xhafer Durmishi: Protesta e aspirata, faqe 14 – 17)

——————-

Letër nga Haxhi Berisha për Xhafer Durmishin-Skenderin, fillim i korrikut 1983

            Mirë dita i nderuari shoku Skender,

            Ja tani më erdhi radha që të shkruaj edhe disa fjalë në lidhje me situatën aktuale këtu, si dhe me shumë çështje tjera të cilat na duhen për çdo ditë në jetën e përditshme. Së pari më vjen shumë keq që në letrën e parë që ta dërgova, më ktheve një përgjegje shumë të shkurtër, por prapë jam i bindur se me siguri koha nuk të ka premtuar që të thellohesh me tepër në të gjitha ato pika, të cilat i kisha cekë në atë letër, por të gjitha për mua janë të rëndësishme, dhe ju lutem që në këtë letër të thellohesh në të gjitha ato që i kam cekë.

            Do të ishte mirë të më tregojsh arsyen pse nuk erdhe sipas asaj që biseduam në telefon, sepse kjo më jep nganjëherë të kuptoj se po i bën punët nasgja.

            Sa i përket gjendjes këtu është mjaftë mirë. Momentalisht merrem me shfaqjen e filmave. Filmat shfaqen për çdo të diel dhe çdo herë shifra e të interesuarve e kalon 200-shin. Deri më tash kemi shfaq në Kreuzlingen. Edhe atje në fillim kishte mjaft të interesuar, por më vonë disa u larguan, për shkak se gjoja dikush paska folë në lidhje me këtë aktivitet dhe paska hapë një panik në masë. Por unë menjëherë kontaktova me shokët të cilët janë më aktiv në atë rreth, dhe vendosëm që filmat mos të shfaqen më si më parë, por të ndërrohet taktika e veprimit dhe ajo u bë, pra u vendosë që ata shokët t’i shfaqin filmat nëpër banesa të punëtorëve dhe kjo u tregua shumë e frytshme. Unë jam në korent të shpeshtë me këta shokë, dhe këta thonë se punët po shkojnë mjaftë mirë. Për çdo natë ka deri në 20 të interesuar.

            Tash po kthehem prapë këtu. Si shënova më lartë deri në 200 veta vinë për çdo të dielë, për shikim filmash, dhe deri më tash çdo herë kemi bisedue në lidhje me klubin, dhe herën e fundit me pëlqimin e të gjithëve, u themelua klubi dhe u pagëzua me emrin “XHELADIN ZEQIRI”. Sa i përket të gjitha formaliteteve në lidhje me klubin janë krye, vetëm presim që të premten të nënshkruhet kontrata në mes nesh dhe pronarit të lokalit. Për këtë se si bëhet do t’ju raportoj më vonë.

            Deri më tash janë lajmëruar 120 anëtarë. Shumica e kanë pague anëtarësinë, por sidoqoftë unë jam shumë optimist në këtë drejtim dhe jam i bindun se në dy muajtë e parë të punës së klubit do të arrinë deri në 300 anëtarë dhe besojë se punët do të shkojnë shumë mirë dhe shpresoj që ky klub do të korrë sukseset më të mëdha në Zvicër, sepse këtu masa është mjaft e ngritur. Them kështu sepse këtu ka shumë të rinj.

            Unë kam biseduar me disa shokë në rrethin e Buksit, dhe së shpejti edhe atje do të hapet një klub. Kuadro të cilët mund të drejtojnë apo më mirë të them që mund të kontribuojnë në këtë drejtim ka mjaft, të cilët nuk kursejnë asgjë. Gjithashtu mendohet se edhe ky Klub do të ketë së paku 300 anëtarë, sepse përfshinë një territor shumë të gjerë, duke i bashkuar një varg qytetesh. Është mendua që klubi i Buksit të pagëzohet me emrin “Ibe Palikuqi”, mirëpo për këtë nuk është vendosë ende definitivisht. Ky është vetëm propozim i disa shokëve, por sidoqoftë është e mirë që edhe ju të thuani mendimin e juaj në lidhje me këtë, dhe mund t’u shpjegohet njerëzve e ata e kuptojnë. Klubi i St. Gallenit e muar këtë emër duke u nisë prej asaj se këtu gjendet një numër shumë i madh i shqiptarëve nga Tetova dhe pjesëve tjera nën Maqedoni, dhe momentalisht këta janë shumë aktiv. Për hir të kësaj dhe të faktit se ky emër do t’i bashkoj të gjithë shqiptaret e këtyre viseve.

            Këtu në afërsi gjendet një klub tjetër jugosllav në qytetin Vill i cili i kishte diku kah 160 anëtar, ku 90 prej tyre janë shqiptarë, siç treguan disa shokë. Shqiptarët në këtë klub nuk kanë kurrfarë të drejtash as nuk kanë filma shqip, as këngë as nuk posedojnë libra. Pra siç e sheh është një gjendje e vajtueshme, e aq më të vajtueshme gjendjen e bëjnë udhëheqësia e poshtër dhe disa tradhtarë të cilët gjenden në udhëheqësi. Megjithëkëtë unë do të përpjekem që në të ardhmen disa shokë të mirë, të bëhen anëtarë të këtij klubi, dhe në anën tjetër janë duke u munduar, disa shokë tjerë të cilët punojnë dhe jetojnë në këtë qytet, që të përvetësojnë sa më shumë shokë. Kështuqë edhe prej këtuhit nëse dikush anëtarësohet, ekziston mundësia që edhe ky klub të bie në duartë e punëtorëve. Edhe për këtë besoj se më mirë mund të tregoj radhën tjetër.

            Në Luzern dhe në ato qytetet tjera përreth kam qenë disa herë por nuk mjafton. Është aq shumë e nevojshme që të shkoja më shpesh, por për shkak të kushteve objektive materiale nuk kam mundësi që të shkoj më shpesh. Megjithatë po merremi vesh ndonjëherë përmes telefonit. Edhe aty, momentalisht merren me shfaqjen e filmave. Thonë se kohëve të fundit edhe atje ka mjaft të interesuar, por atje nuk ekziston puna mirë në mes njerëzve të cilët në sipërfaqe duke si aktivista, siç duke lufta për karrierë. Është gjendja e njejtë siç ka qenë këtu më parë, a disa kohë. Para ca kohe isha atje dhe bisedova me disa prej tyre për çështjen e përgjithshme, për punët që na presin, për detyrat të cilat na i ka ngarkua (koha), dhe e dënova apo më mirë të them e kritikova luftën për karrierë, si sëmundje e cila me kohë duhet të shërohet. Si duket ajo vizitë e imja kishte pasë sukses deri diku, por duke ju falenderuar faktit se atje gjendet edhe ai shoku tjetër, i cili ishte në koncert, këta të dytë janë duke kontribuar në planin e përgjithshëm si dhe në shërimin e sëmundjes për karrierë. Është vërtetë fat i mirë që Demë (Mustafaj) së bashku me atë shokun tjetër gjenden në atë rreth, dhe besoj që do t’i japin një shtytje të madhe luftës.

            Sa i përket Demës, ai është shumë në rregull, në pikëpamjet e përgjithshme si në relacionin me njerëz. Është shumë i hapët dhe simpatik për shumë njerëz, por për fat të keq deri më tash ka qenë keq ekonomikisht dhe nuk ka mund të jap atë çka prej tij pritet. Tash ai ia ka filluar punës dhe së shpejti do ta përmirëson gjendjen e vet ekonomike, dhe do të jap fryte më të mëdha. Edhe pse ai njeri deri më tash nuk ka punuar aq shumë, ai ka marrë pjesë rregullisht në shfaqjen e filmave, dhe ka njoftua një numër të madh njerëzish për shfaqjen e filmave. Gjithashtu deri më tani ka formua një rreth shokësh, por për mungesë të qarkullimit nuk ka mund të hapet më shumë.

            Kur isha atje, gjatë bisedës me disa shokë unë shtrova hapjen e klubit të Luzern si një punë të domosdoshme, dhe të gjithë e përkrahën propozimin tim, vetëm kur ishte fjala që klubi të jetë i hapët edhe në lidhje me konzullatën, disa e arsyetonin se gjoja nuk ka kuadro të afta për atë punë, dhe njerëzit e aftë nuk paskan mundësi të kontribuojnë për atë klub, se gjoja njerëz të aftë dhe me njohuri të mëdha na qenkan vetëm ata të cilët e kanë të rrezikueme shkuarjen në Kosovë.

            Unë këto botëkuptime ua hudha poshtë, duke u tregua shembullin e klubit të Zurichut dhe klubit të ri që u hap këtu në St. Gallen duke ua shpjeguar dobitë që janë në aspektin e përgjithshëm. Kuptohet të gjitha këto me shokët e Luzernit. Po shtoj edhe diçka rreth gjendjes në Luzern. Atje qenka një numër shumë i madh i shqiptarëve me fe frishtere. Këta thonin se katolikët janë shumë pak të interesuar. Arsyen se pse as unë nuk e di, se unë nuk mund të mbështetem në arsyetimet e disave. Për këtë unë propozova, që nëse klubi hapet, të pagëzohet me emrin “Zef Lush Marku”, duke menduar se një klub që mban këtë emër do të bashkoj (afroj) më tepër katolikë.

*          *          *

            Edhe kontratën e lokalit e bëmë. Tash së shpejti klubi do të fillon të punojë dhe çdo ditë po kemi punë edhe më të mëdha. Është shumë e arsyeshme sikur të më shkruash në çdo pikë që kërkoj të më përgjigjesh. Sidomos rasti i Shaqës është shumë rast serioz dhe për këtë nuk duhet që ne gjanat t’i bëjmë nasgja. Me sa më duket pasoj e kësaj është që A. P. (Abdullah Prapashtica) del tani si fraksionistë.

            Më shkruaj në këtë adresë:

Faik Januzi (për Haxhiun)

            Trischli strase 10

            Rorschach 9400

            SCHWEIZ

*          *          *

            Tash do të ndalem edhe pak për gjendjen atje te ju. Si qëndron puna me ata kangjallozat. Unë ndëgjova për heroizmat e tyre dhe kjo nuk ishte për mua një e panjohur, edhe pse e kam ditur se herdokur Nuhija bashkë me Abdullah Prapashticën do ta tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë. Por siç po shifet, e gjithë kjo nuk është vetëm një punë fraksioniste, por kjo mund të shtynë nganjëherë të mendojsh, se e gjithë kjo manovër ka qenë e përgatitur diku tjetër. Kjo sipas mendimit tim është një tradhti e pashoqe. Por sidoqoftë kjo nuk duhet të na frikëson, përkundrazi, të na bën sa më të fortë, se është fat i mirë që ata e treguan veten tash, se më vonë do të kishte qenë edhe më e rrezikshme një punë e tillë. Tash pra të mbetet që të më tregosh në pika të shkurta rreth këtyre “patriotëve”. Më shkruaj në pika të shkurta për qëndrimin e shokëve tjerë, para një poshtërsie të tillë dhe a kanë arritur të përvetësojnë edhe ndonjë, apo janë demaskuar edhe më tepër. A e lexuat një trakt që u shpërnda para dy javësh dhe si ndikoi tek masa. Këtu ai trakt është lexue me interesim të madh dhe ka ndikue shumë pozitivisht në masë.

            Në kohët e fundit unë kam marrë një letër nga shoku U (Xhafer Shatri – shën i Xh. D.).  Ai më kishte shkrue në pika të shkurta në lidhje me punën e kangjallozave dhe ai më tha se ata kanë bërë një punë fraksioniste përçarëse, dhe më tha se duhet t’i luftojmë sa më shpejt dhe sa më ashpër.  Mirëpo prapë, ai së bashku me letër ma dërgoj edhe një trakt tjetër i cili ka dalë tash në lidhje me punën e tyre si punë fraksioniste. Mua më pëlqeu, ishte një trakt mjaft i drejtë dhe përfshihet periudha e bashkimit të organizatave, dhe i cek pretendimet e përfaqësuesve të ish-PKMLSHJ, të cilët pretendonin që të formohet Partia Komuniste e Kosovës, dhe ofrimi i Fronit që i kanë bërë këtij shokut (Xhafer Shatrit – shën i Xh. D.) dhe përfshihen një varg çështjesh tjera, të cilat mendoj se do të jenë shumë të vlefshme për opinionin që ta thonë mendimin e tyre në lidhje me këtë punë përçarëse dhe fraksioniste. Por unë për këtë mendoj se janë pasojat e Centralizmit Demokratik. Mendoj se nuk kemi qenë mjaftë të ashpër kundër këtyre gjanave dhe me lëshimet e njëpasnjëshme u kemi dhënë shansë që ata të futen tepër në këtë rrugë të gabueshme. Por për këtë ne do t’i shohim se ku do t’i qetë kjo rrugë. Tash së bashku me këtë letër ta dërgoj edhe një trakt intern në lidhje me këtë tradhtinë e pashoqe.

            Mua më intereson të di edhe në lidhje me Shaqën, a ke pasë më lidhje telefonike dhe çfarë të thotë ai? Si qëndron gjendja me te. Unë nga ai shoku (Xhafer Shatri-shën i Xh. D.) e mora vesh se ai paska lidhje të ngushtë me Nuhiun. Më shkruaj në pika të shkurta në lidhje me te, se vërtetë të shtynë të mendojsh, sidomos ajo që Shaqa nuk ka kontribue në vendin ku ka jetue dhe punue. Të shtynë të mendosh se vërtetë ai është njeri i cili ka dëshirë të tregohet në mese tjera, gjoja si aktivist dhe t’u shet mend të tjerëve se si duhet të punohet. Kjo është e vetmja që më ka shty deri më tani të mendoj se vërtetë edhe Shaqa lëngon nga sëmundja e karrierës, por tek ky gjanat ndryshojnë se ky është dhe do të bëhet edhe më i rrezikshëm. Po që se në mes tij dhe Nuhisë ekzistojnë lidhje të ngushta, për këtë ne duhet të jemi shumë syçelë dhe vigjilentë.

            Tash shoku Skender mendoj se të gjitha këto na japin të kuptojmë se vërtetë jetojmë në një kohë përplot kontradikta dhe probleme si dhe është e kjart që kemi shumë armiq dhe tradhtarë, por edhe ne kemi mbi vete probleme të koklavitura, dhe për këtë duhet t’i koordinojmë punët sa më mirë dhe të mos e lejmë asnjë shpraztirë që ta shfrytëzon armiku për qëllimet e veta.

            Më shkruaj edhe për gjendjen aktuale, si qëndron në Gjermani, në Dusseldorf, Hamburg, Munchen dhe në qytete tjera. Në Hamburg si janë punët me klube, a janë regjistrue shumë anëtarë, në Munchen a ke qenë dhe si qëndron puna. Për Shtutgart nuk po të pyes se po merrem vesh nganjëherë me Faridinin dhe Hafizin.

            Po ti si je me shëndet, a po lodhesh dhe si po e kalon me punë. Prej familjes a ke ndonjë letër apo ndonjë telefon, si janë. Me atë shokun a ke lidhje telefonike dhe ç’thotë, si janë punët në Kosovë?

            Me Mërgimin (Sabri Novosellën) a ke këmbim letrash, dhe si është me shëndet, familjen si e ka dhe a e ka brengosë puna e këtyre pisave. Çka thotë ai për këtë, çfarë duhet bërë dhe cilat masa duhet të merren momentalisht kundër tyre. Shiqo, dhe i thuaj të ketë kujdes në këtë situatë, se po që se ne do t’i sulmojmë përmes Zërit të Kosovës, atëherë mund të ndodhë që këta e shofin se e kanë humbur potezin dhe prej tyre pritet çdo gjë. Nuk është hiq larg mendsh se pas të gjitha këtyre, se Abdullah Prapashtica ka qenë i ushtruar për një punë të tillë, dhe ka dalë me të vetmin qëllim që popullit tonë të shenjtë t’ja zgjatë prangat e robërisë. Për këtë do ta shofim më vonë se si do të përfundon e gjithë kjo zoologji.

            Ti personalisht ke kujdes dhe mos u sjellë kohë e pa kohë dhe mundësisht të mos operojsh shumë. Kjo që them është në interesin e përgjithshëm dhe asaj duhet të përmbahemi. Të jesh i kujdesshëm nuk do të thotë se po frikohesh, por përkundrazi je edhe më i fortë dhe do të luftosh edhe më fort armikun. Sepse vërtetë kur ata do ta humbin terrenin atëherë prej tyre pritet çdo gjë.

            Tash të pyes edhe për Naimin, a të ka shkrua ndonjë letër dhe ç’thotë ai? Çfarë ka bërë me strehim apo nuk i ka hyrë kësaj pune ende atje.

            Si qëndron puna me shokët e Zvicrës, me Ukën (Xhafer Shatrin-shën i Xh. D.) a po ke këmbime letrash dhe çka thotë ai për të gjithë këto, çfarë mendon për ata pisat, dhe a është i bindur në ato të cilat i thonim ne para sa kohësh. Çfarë mendon, a janë zhdukur ato mbeturinat e kalueme dhe nëse jo, si të veprojmë që ato mbeturina të zhduken sa më parë.

            Unë mendoj që ne duhet të veprojmë ashtu si deri më tani. Të jemi të sinqert dhe të punojmë sa më tepër, dhe puna e çdonjërit do të shihet. Kryesorja është që ne mos t’u lëmë vend mbeturinave të krijohen, se pastaj do të ishte keq për të dy anët, dhe kjo vërtetë do të ishte vetëvrasje. Sa kam mund të vërej, se këndej gjendja ka qenë e vajtueshme dhe plotë thashetheme, e prej nga rrjedhin apo nga kanë rrjedhë është pyetje pa përgjigje…!

            Dhe nja dy fjalë në lidhje me gjendjen time. Unë momentalisht jam i papunë, i pa banesë, pa leje të qëndrimit dhe pa asgjë në këtë drejtim, por në realitet asgjë nuk më mungon, i kam të gjitha, kam një numër të madh shokësh që po ma mundësojnë qëndrimin këtu. E kam ndërmend t’i hy strehimit (ta paraqes kërkesën për azil) por për shkak të klubit dhe shumë punëve tjera nuk kam mund t’i hyj kësaj pune ende, se kërkesa për azil do të më izolonte për një kohë, dhe kjo do të ishte jo e dobishme për punën tonë. Në të ardhshmen do të rregullohen të gjitha për këtë jam shumë optimist.

            Në pritje të përgjegjes ju përshëndes me gjithë zemër, duke ju dëshiruar shëndet të mirë dhe suksese në punë.

            Haxhi Berisha

DOKUMENTE PROGRAMORE TË LËVIZJES PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI (LRSSHJ), JANAR – MARS 1984

© Pashtriku.org

———————

Klubet shqiptare në mërgim

PROCESVERBALI I MBLEDHJES SЁ PARЁ TЁ BASHKЁSISЁ SЁ KLUBEVE SHQIPTARE – GJENEVЁ, MЁ 16.10.1983

https://pashtriku.org/procesverbali-i-mbledhjes-s%d1%91-par%d1%91-t%d1%91-bashk%d1%91sis%d1%91-s%d1%91-klubeve-shqiptare-gjenev%d1%91-m%d1%91-16-10-1983/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura