TRI DITË ME USHTARËT DHE OFICERËT E UÇK-së

TRI DITË ME USHTARËT DHE OFICERËT E UÇK-së

(Reportazh)

Nga Shefqet Jashari Strofci

(Botuar: ’’Revistë ushtarake’’Nr.2, tetor 1998)

Me tetë bashkëkombas, pas një rruge të gjatë dhe të vështirë arritëm para derës hyrëse të Qendrës për Rekrutim, Stërvitje dhe Përgatitjen e Kuadrit Ushtarak. Edhe pse ushtari kujdestar e njihte oficer Miftarin që na shoqëronte, ai na ndali për t’i kryer formalitetet e nevojshme. Urdhëroi një ushtar të na i marrë shënimet personale. U entusiazmova shumë kur për herë të parë pash një garnizon dhe një ushtri të rrëgullt të Republikës së Kosovës. Në oborr të garnizonit – që ishte në mes të pyllit – kishte plot gjallëri, çka më përkujton bletët e një zgjoji.

Më ra në sy një grup ushtarësh që kishin zënë vend nja nëzet metra larg derës hyrëse në anën e djathtë të saj. Ishin ulur në formë harku. Një ushtarak në dukje dyzetvjeçar shkonte sa te njëri sa te tjetri. Si dukej i këshillonte rekrutët si pastrohen armët apo si mbërthehen e zbërthehen ato. Pak më larg tyre ishte grupi tjetër më i madh që bënin të njëjtën punë. Edhe në anën e majt të hyrjes ishte një grup ushtarësh. Armët e tyre ishin të mbështetura në shpinën e gjerë të një lisi vigan, ndërsa në një tavolinë të improvizuar kishin vënë një hartë.

***

Komandant Hafir Hoxha PAPAJ 1998 gjatë stërvitjeve të ushtarëve të UÇK-së. Video Dëshmori i Kombit, Driton G.Veliu nga Polaci i Drenicës!

https://www.facebook.com/watch/?v=1149722032451876

***

Kurreshtja më shtyri ta pyesja oficer Miftarin se ç’bënin ata ushtarë atje? Si duket, më tha Miftari, përpunojnë të dhëna nga harta topografike. Janë pjesëtarët e Njësitit vëshgues që kryejnë detyra speciale për njësitë tona operative. Bëra ca hapa drejt tyre, por z.Miftari më ndali. Ka rregull këtu, Shefqet, më tha. Sëpari do të shkojmë në komandë. Pasi të njihesh me komandantin, do t’i tregojmë për dëshirën tënde për të shkruar diçka për jetën e ushtarëve dhe oficerëve tanë në këtë Qendër.

Arritëm para ndërtesës ku flamuri kombëtarë valonte në një shtizë të gjatë druri, që ishte ngulur në tokë. Një grup ushtarësh kishin zënë vend mu para shkallëve që të çonin në komandë. U përshëndetëm dhe u njohëm. Në mesin e ushtarëve kishin qenë edhe dy oficerë të cilët me kurrfarë shenje nuk dallonin prej ushtarëve tjerë. Gëzimi kishte ardhur nga Zvicra, ndërsa Shpendi nga Gjermania. Nuk zgjatëm shumë llafe me ta dhe hymë brenda në komandën e Qendrës. Ishte një burrë dyzetvjeçar. E bënte të pashëm trupi i tij i ngjeshur sportiv. Uniforma ushtarake i rrinte bukur. Na priti përzemërsisht dhe më bëri përshtypjen se këtë burrë e kisha njohur qysh moti. Ishte komandant Jahiri, oficer i ish armatës jugosllave i cili ka ardhur nga Zvicra para tre muajsh në këtë Qendër. Gruan dhe fëmijët i ka lënë në Zvicër, ndërsa familjen e gjërë në Kosovë. Më foli shkurtimisht për “Qendrën për Rekrutim, Stërvitje dhe Përgatitjen e Kuadrit Ushtarak”.

Rritja dhe zgjerimi i UÇK-së, tha komandanti, shtroi nevojën për formimin e kësaj Qendre për pranimin e rekrutëve, stërvitjen dhe përgatitjen e tyre fizike, ushtarake e psikologjike, për t’u aftësuar të bëhen ushtarë të denjë të njësiteve tona ushtarake. Çdo ditë vijnë me dhjetëra rekrutë nga diaspora, kryesisht të rinj, pa pasur njohuri ushtarake dhe pa kondicion të mjaftueshem. Me ta punojnë oficerët më të aftë që i kemi në Qendër dhe është për t’u habitur se sa shpejt i përvetësojnë mësimet e artit ushtarak dhe me sa perkushtim i pastrojnë e i ruajnë armët. Vetëm atëherë kur ushtarët përgatiten mirë fizikisht, ushtarakisht e psikikisht për t’i kryer detyrat me sukses jepet urdhëri dhe caktohet vendi se ku do të shkojnë. Bisedën e ndërpremë të pa përfunduar për shkak se darka ishte bërë gati. Ishte kënaqësi e këndshme kur në tavolinë pamë një bukë misri dhe një enë me qumësht të nxehtë. Kuzhinieri, një burrë i shkurt nga trupi, në një moshë pesëdhjetëvjeqare, na u drejtua me këto fjalë: ”Urëdhroni zotërinj, mirë se ju ka pru Zoti! Kemi edhe bukë të grytë edhe djathë, po qe se ndokush nuk e han bukën e misrit”.

Si duket të gjithë kishim qenë përmalluar për bukë misri, pasi që askush nuk kërkoi tjetër gjë përpos asaj që ishte shtruar në sofër. Qetësinë e thellë e prishën krismat e lugëve që i jepnin një ritëm tingëllues jo harmonik kuzhinës ku nuk dëgjohej asnjë zë tjetër. Akrepat e orës tregonin se po afrohët gjysma e natës. Komandant Jahiri m’u afrua dhe më pyeti: ”Don të vish nesër me Njësitin e vëzhguesve? Do të depërtojmë në prapavijën e armikut për të bërë vëzhgimin dhe përgjimin e forcave të armikut. Do të jetë një ditë e gjatë që do të na sjellë lodhje dhe mundime, prandaj po qe se nuk mund t’i përballosh ato, mos eja”. Si të mos vij, kur Ju më privilegjoni dhe më nderoni duke ma dhënë mundësin për të mësuar nga afër për punën e ushtarëve tanë.

***

Ishte ora pesë e mëngjesit. Dielli bëhej gati ta tregojë bukurinë dhe madhështinë e tij në horizont. Njësiti i vëshguesve që përbëhej nga shtat veta ishte bërë gati dhe pinin kafen e mëngjesit. Edhe unë u bëra gati për nisje por, pak me vonesë, pasi nuk më kishin zgjuar me kohë, duke më priviligjuar të flija nja gjysmë ore më shumë. Kisha parandjenjën se uniforma ushtarake dhe kallashi më rrinin mirë. U bëra ushtar në moshën pesëdhjetë e pesë vjeçare. Çfarë ndenjash gëzimi e krenarie më lindën në ato momente. Ku të kisha kohë t’i ve në letër ato ndjenja, kur ushtarët më pritnin. Kafenë e piva me tri gërrqamë, pasi komandanti e dha urdhërin për nisje.

Papritmas garnizoni u gjallërua. Ushtarë, rekrutë dhe oficerë – sa çel e mbyllë sytë – e mbushën hapsirën para komandës, që ishte vendi i posaçëm për rreshtim. Çdo gjë bëhej me rregull. Oficerët para tyre jepnin urdhëra. Sa çil e mshil sytë ushtarët dhe rekrutët me oficerët e tyre grupe – grupe muarën drejtime të ndryshme. Një grup vraponte, tjetri bënte ushtrime gjimnastikore, një tjetër grup ende qëndronte në rresht.

Të kënaqej zemra, shpirti dhe syri kur shihje burra të pjekur dhe djelmosha që kryenin urdhërat dhe porosinë e eprorëve të tyre. Pasi kaluam një orë rrugë nëpër territoret tona të çliruara, bëmë një pushim të shkurtër. Me dy palë dylbi shërbeheshin për të bërë vëzhgime. Më erdhi radha edhe mua t’i ve dylbitë në sy. Sa mirë shihen pozicionet e armikut. Aparati i përgjimit u vu në shërbim nga komandant Jahiri. Brenda pak kohe hyri në ndërlidhjet e komandës së armikut oficer Nasini. I futa dëgjojsat në vesh. Dëgjohej zëri i një oficeri serb që urdhëronte të bombardohej fshati Smolicë. Krisma dhe ushtima e topave muar malin. Tymi dhe flaka kapluan qiellin. Para syve më parakalonin gra, fëmijë e pleq që lëshonin shtëpitë e tyre për t’u strehuar dikund maleve. Vaji i fëmijëve ma këputi shpirtin. Fillova të mallkoj këtë botë të flliqur, këtë botë të padrejtësive të mëdha. I mallkova edhe udhëheqësit tanë, ”subjektet” shtetërore dhe partiake, që janë çuar peshë duke u munduar t’ia nxjerrin sytë njëri – tjetrit për interesa të tyre personale dhe partiake. Deri kur ky popull i gjorë do të pres që ata të vetëdijësohën për përgjegjësinë që kanë. Mu kujtua thënja e gjeniut popullor i cili nga përvoja e hidhur e tij na mëson se ”i mjerë i forti sa i ligë është, dhe lum i ligu sa i fortë është”.

Urdhëri i Komandantit për të vazhduar rrugën më tutje për të hyrë thellë në prapavijën e armikut m’i ndërpreu meditimet. Duhet t’i zbulojmë forcat armike që i kanë pru para dy ditësh, më tha komandanti. Nuk dimë për numrin e tyre dhe as për vendin se ku janë vendosur. Aparati i përgjimit na jep të dhëna të nevojshme, por nuk janë të mjaftueshme. Ato duhet të plotësohen edhe me të dhëna tjera, që do t’i mbledhim me anë të përgjimeve. Filluam rrugën me kujdesin e syve pishë të oficerit Nazin dhe ushtarit Rrahim, që i përdornin dylbitë herë pas here. Arritëm në cakun të cilin e kishte shënuar në hartën topografike komandanti. Aparati i përgjimit u vu në shërbim. Edhe dylbitë shkonin prej dore në dorë, duke shikuar me radhë pozicionet e armikut. Dielli ngutej të prerojë. Rrezët e tij të kuqrremta depërtonin me vështirësi aty ku ne kishim zënë vend. Komandanti dukej i kënaqur me punën që kishin kryer sot. Me pedantëri shenonte ca shenja në hartën topografike, që unë si kuptonja ç’domethënie kanë. Dielli më nuk dukej kur komandanti dha urdhërin për t’u kthyer në Qendër. Oficer Gëzimi i printe kolonës, pasi ai rrugën e njeh shumë mirë. Edhe dylbitë i përdorte kohë pas kohe për t’u siguruar se nuk do të binim në ndonjë kurthë të armikut.

Posa dualëm në territoret tona të çliruara filluam bisedën me komandantin. Ma shpjegoi rëndësinë e madhe të vëzhgimeve dhe të përgjimit. Nëpërmjet vëzhgimeve tha, ne me saktësi i dimë forcat e armikut dhe stacionimin e tyre. Ne në bazë të këtyre të dhënave e bëjmë mbrojtjen tonë dhe i përgatisim sulmet për të arritur objektivet tona. Edhe përgjimet na hyjnë në punë për marrjen e informatave të nevojshme për forcën e armikut dhe për humbjet e tyre. Sa herë që vëzhgojnë ekspertët tanë hyjnë në ndërlidhjen e komandës së ushtrisë dhe policisë serbe. Do t’ua tregoj një rast, më tha komandant Jahiri, për aftësitë e Njësitit tonë. Kur brigada jonë luftonte në fshatin Logjë, ushtria serbe dhe paramilitarët serbë ndërmuarën një ofensivë të fuqishme të mbështetur nga helikopterë, tanke dhe altileria e rëndë e tyre. U zhvillua një betejë e përgjakshme, ku forcat serbe pësuan humbje të mëdha dhe u detyruan të tërhiqen. Nga mllefi i humbjeve të mëdha në njerëz dhe mjete materiale mësyen përsëri. Njësitë tankiste serbe iu ishin afruar pozicioneve tona. Na mungonin antitanket. Ishte vështirë t’u përballohej atyre. Ekspertët tanë të ndërlidhjeve arritën të hyjnë në rrjetin e ndërlidhjes së ushtrisë serbe. Oficer Nasini që e flet gjuhën serbe shumë mirë i dha urdhër të prerë komandantit të njësive tankiste: ”Kthehuni menjëherë! Shqiptarët do të na mbysin të gjithëve”! Si duket zëri i oficerit tonë është përputhur me zërin e oficerit serb dhe kështu tanket serbe e ndërrojnë drejtimin dhe kthehen prapa. Dhe për të pasur ky truk yni sukses ekspertët tanë me anë të instrumentit që dispononin bllokuan ndërlidhjet e komandës serbe.

Arritëm në Qendër pasi muzgu i natës e kishte mbuluar garnizonin si duvaku nusen. Rojet e tij ishin në gjendje gatishmërie për sulm. Kuzhinierin dhe zv.komandantin i gjetëm në kuzhinë. Kaloi mezi i natës kur u krye darka. Barcoletat e Skënderit na disponuan të rrimë edhe ca kohë. Thonë se të qeshurit është edhe ilaç. Diçka duhet të ketë të vërtetë nga kjo thënie, pasi që në sytë e vëshguesve shihej ngazdhimi, kënaqësia, çlodhja dhe freskia.

Krevati që më është caktuar të fle qysh natën e parë kur erdha në Qendër ishte afër dritarës në katin e dytë. Ferku i mëngjesit nuk më kishte zgjuar si zakonisht. Nuk ma kishte prishur gjumin as zhurma e ushtarëve kur janë zgjuar dhe as lindja e diellit, rrezet e arta të të cilit më kishin mbuluar ftyrën. Ishte bërë ora dhjetë, kur zëri i një ushtari që kërkonte komandantin më zgjoi nga gjumi. Isha vetëm në dhomë. Shkova te Burimi i garnizonit. Piva ujin e tij të ftohtë, që rriedhte prronit teposhtë si biluri. Gurgullima e ujit me cicërrimën e zogjve krijonin një simfoni të përkryer që më solli harmoni dhe qetësi shpirtërore. Më tutje në lëndinën e mbuluar me bar dëgjohej biseda e një grupi të rinjsh që kishin ardhur për t’u bërë ushtarë të UÇK-së.

Gjatë bisedës që pata me ta kuptova se ky grup i të rinjve, prej shtatë vetësh, kishin ardhur nga Turqia. Gjashtë prej tyre ishin shtetas te Republikës së Kosovës, nxënës të Medresës së Stambollit, ndërsa shoku i tyre më i vjetër ishte shtetas i Turqisë me origjinë shqiptare. Nxënësit i kishin ndërprerë mësimet, ndërsa shoku i tyre e kishte ndërprerë punën dhe së bashku kishin mësy rrugën drejt Kosovës. Kishin ardhë në Shqipëri. Ca ditë i kishin kaluar në Tiranë dhe Shkodër dhe pastaj nëpërmjet Tropojës kishin mbërritur në këtë Qendër. Pritnin komandantin për ta pyetur se a do tu lejohet t’i kryejnë detyrat fetare po qe se pranohen në këtë Qendër. Nuk pranuan t’ua shënoj emrat në këtë shkrim timin, përpos dy vetave, pasi që familjet e tyre nuk e kishin dhënë pëlqimin që ata t’i ndërpresin mësimet. Po kush mund ta ndali vrullin rinor, patriotizmin e rinisë tonë për të vepruar, për tu bërë forcë e pathyeshme e Lëvizjes sonë kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Pas pak kohe erdhi komandanti. Një bisedë e ngrohtë vëllazërore u bë në këtë lëndinë e cila gjendej ndërmjet kronit dhe pishave të gjata që hija e tyre na mbronte nga rrezet e nxehta të diellit. Na prekën fjalët e Avdullahut, fjalët e të cilit na i përkthente shoku i tij Fehmiu, nxënës i vitit të tretë të Medresës së Stambollit. Më vjen keq dhe turpërohem, tha Avdullahu që nuk di ta flas gjuhën shqipe, gjuhën e babgjyshit dhe babait tim, por zemra dhe gjaku në damarë më rrahin shqip. Masakrat e barbarëve serbë ma kanë turbulluar gjakun dhe me padurim pres t’u bashkangjitëm shqiponjave trima të UÇK-së. Unë me këta vëllezërit e mi do të jemi krenarë dhe shumë të gëzueshëm po qe se do të na pranoni në radhët tuaja. Besojmë se nuk do të na pengoni në kryerjen e detyrave tona fetare. Komandanti, pasi i dëgjoi një nga një edhe gjashtë nxënësit e ardhur nga Turqia, i falënderoi në emër të oficerëve, rekrutëve dhe ushtarëve të Qendrës. Ardhja juaj në mesin tonë na gëzon dhe na bën krenarë që jemi shqiptarë. Kurse sa i përket kërkesës suaj do të bëjmë çmos t’ua sigurojmë kushtet e domosdoshme. Tani do ta njihni një oficer tonin që e fal namazin rregullisht së bashku me dhjetëra ushtarë.

Komandanti nxori bllokun nga çanta. Ia lëshoi sytë dhe shpejt u ngrit në këmbë. Si dukej ende ka për të punuar sot. Më bëri me shenj që ta shoqëroj. Hymë brenda në Komandën e Qendrës për të vazhduar bisedën që e patëm filluar natën e parë kur erdha në Qendër. Një hartë e Kosovës rrinte vjerrë në mur përballë meje. Një hartë tjetër ushtarake ndodhej mbi tavolinën e tij të punës ku ishin të fiksuara shumë shenja me ngjyra të ndryshme, të cilat tregonin pozicionet e armikut dhe pozicionet tona. Ishin të shënuara edhe forcat në njerëz dhe mjetet luftarake për çdo pozicion të armikut në një bllok të posaçëm që gjendej mbi tavolinë. Pastaj komandanti nxori hartën topografike të cilën e kishte përdorur gjatë vëzhgimeve. Shiko, Shefqet, më tha, ne ishim sot këtu kur e bëmë pushimin e parë, pastaj vazhduam rrugën dhe arritëm në këtë kodër ku i kryem detyrat për të cilat kishim ardhë. Me vëzhgime i zbuluam forcat rezervë të armikut, çka për ne ka rëndësi të madhe kur i përgatisim planet e njësive tona operative për sulm. Tani do t’i kemi të plota shënimet për forcat e armikut që gjenden në teritoret e Deçanit, të Junikit dhe të Rekës së Keqe.

***

Pas dreke rekrutë të rreshtuar nëpër njësi e të udhëhequr nga oficerët e tyre muarën rrugën shpatit përpjetë për të shkuar në Poligonin e shejtarisë (qitjes). Komandanti nuk pati kohë të më shoqëronte, por për mua nuk kishte fare rëndësi, pasi kisha krijuar rrethin tim shoqëror. Më shoqëruan Muhameti, Afrimi dhe Mustafa, të cilët nuk ishin të obliguar të shkonin në poligonin e shejtarisë pasi ata i kishin kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe vetëm pritnin urdhërin të nisen në ndonjë njësi operative të UÇK-së. Arritëm të fundit në poligon. Çdo rekrut gjuante shenjën në fillim me tre plumba dhe pastaj edhe me pesë plumba tjerë. Rezultatet shënohen për çdo rekrut. Më në fund më erdhi radha edhe mua. Me një plumb edhe unë e godita mesin e shenjës me një kallashnikov rus. Këthehemi në Garnizon me një rregull dhe disiplinë ushtarake pa e prishur rrjeshtin, edhepse diskutohej për rezultatet e gjuajtjes së shenjës në poligon.

***

Dielli bëhej gati për t’i kaluar kodrat e larta që shtriheshin pas shpinës së garnizonit. Unë me një grup ushtarësh bënim biseda për jetën e tyre para se të vinin në këtë Qendër. Shumica prej tyre kishin ardhur nga Zvicra e Gjermania. Ishin djem të rinj që pritnin me padurim t’u bashkangjiten njësiteve të rregullta të UÇK-së. Biseduam deri sa erdhi koha e fjetjes, që duhej të përfillej nga të gjithë. Bëhem gati të shkojë në shtrat. Isha te kroni, kur komandanti më gjeti për t’u përshëndetur me mua pasi sonte do të shkonte në një detyrë që duhej ta kryente natën. Nesër në mëngjes nuk do të jetë në garnizon. U larguam ca metra larg ushtarëve që lanin dhëmbët dhe pastronin këmbët. Kam përshtypjen, më tha komandanti, se jeni të kënaqur nga gjithë kjo që keni mësuar nga jeta e rekrutëve, ushtarëve dhe oficerëve tanë në këtë Qendër. Është e tepërt të flas se çka duhet të shkruash e çka të mos shkruash për krejt çka ke parë e dëgjuar këtu, pasi edhe vet e din se çka është sekret ushtarak dhe çka nuk është. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi edhe shumë të meta në punën tonë. Vërejtjet tuaja do të na ndihmojnë shumë për t’i larguar ato. Ju do të jeni të mirseardhur të na vizitoni edhe herat tjera. Shpresojmë se pozicionet e armikut që ne i vëzhguam së bashku do t’i shpartallojmë së shpejti. Do të bëjmë çudira me moralin e lartë, vullnetin e pathyeshëm dhe vrullin rinor të ushtarëve të njësive tona të rregullta të UÇK-së. Kosova martire ishte dhe do të mbetet gjithmonë djep i shqiptarisë, më tha komandant Jahiri, por me siguri ka ardhur koha që Ajo të bëhet varr i Serbisë.

Bëhem gati të shkoj në krevat, por gjumë nuk kam. Nesër herët duhet të nisem për Tiranë. Rruga është e gjatë dhe e vështirë. Por përshtypjet e fituara për tri net sa isha me ushtarët, rekrutët dhe oficerët tanë, do të ma bëjnë rrugën edhe më të mundimshme, sepse është shumë vështirë të ndahesh nga këto shqiponja mali, që po përgatiten t’i dalin zot Kosovës, t’iu dalin zot Viseve tona të shenjta, për t’ua dhënë dajakun e merituar hordhive të karpateve të Rusisë, që aq shumë na sollën vuajtje, dhembje dhe varre.

***

Dielli që po lind për ne shqiptarët e robëruar, pas një acari, shtrëngate dhe nate të gjatë, do të na sjellë një jetë të re, që nuk e kemi përjetuar deri tash, e për të cilën qe dy mijë vjet u derdh aq shumë djersë, lot dhe gjak.

Botuar: ’’Revistë ushtarake’’Nr.2, tetor 1998

___________________

PSE PO FALSIFIKOHET BETEJA E KOSHARËS?! HALIL BICAJ “KALI I TROJËS” NË MINISTRINË E MBROJTJES SË FASRK-ut!

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura