UDHA E AMSHIMIT KONKRET
Nga Meti Rexhepi
“si ta shërojmë shpirtin tonë nga kujtesa e sertë”
(Prend Buzhala: ANI I ILIRISHTEVE; f. 168)
deri te ai flamur me katër sëpata mbi koka
shtrohej ngjitja shkallareve të tërthorta
mbi kurrizin e vertikales sonë bartnim hiperbolën e kuçedrës
nuk kishte fjetur shtirej se mbyllte njërin sy
se si e ku mund të binte mësymja
ishte një shtysë e kurdisur termometri
kurdoherë e kishe me veti
mbase temperaturat vibrojnë
pesha e temperaturës të hedh nga njëri në polin tjetër
ngjitja sjell shkallaren e marramendjes së vjetër
gradëve të ngritura pastaj zbritja
me krah a pa krah nga akulli në zjarr
të ndjek trajta e paralizës
e shndërrimit në gomar që pall në malin pa barë
ta pështysh vetën të shkarë
të këndellesh në një asket
drejt cilësdo kahe të mësysh
një gjymtyrë kuçedre do ta kesh
shtetin-oktapod mijëra tentakula valë alarmesh
prapa shpinës dhe përballë
këtej e ndjenë bymimin dhe ngrirjen
në përrallë mbresën dhe shpresën
asnjë lutje deri te oaza e zemrës dhe e shpirtit
nuk ta jepte dorën e shpëtimit
i përshkuar valëve drithëruese
shkallëve avullore të hiperbolës
pas Teje i dyti i treti i dhjeti i njëqindti
pse mos t`i rrekeshin figurës së krahasimit
ja si shtegtonte Epi nën thika e tyta për Lirikën
pikë-pikë gojët anonime e kishin mbush përfytyrime
shtohej qeta termometrit i zbrisnin gradët
krahasimi i shkëput përfytyrimeve të zezën torturë
është litar i ngjitjeve tehut asht-prerës urës së rrënuar
për t`ia thyer zinxhirët Të Mirës së Lidhur
mirëpo Ai e shkroi epitafin e vet në fletë
dhe e dogji po me dorë të vet
rininë trupin dhuntinë vashën dhimbjen
për dritën e këtejme të amshimit konkret
kundruall ndeshtrashës një amshimi të errët
figura e krahasimit humbi bastin me Bacën*)
të del para sërish e brishta shtysë
Zotit të lajthitur mbaja ison mu në fytyrë
prapakthimi të thyen dyfish
përballja e lënë pezull
rrëzon drejtpeshimin
i çelë apetite asaj kuçedre për gëlltitje
kuçedra e yshtur nuk përmbyllej në litotë
para Të Madhit Zot i shihje lot
pikërisht për shkrirje të tilla i kishte caqet nisma
si të lëkundej pa u goditur kjo botë
kuçedrës-shtet ia shihje përmasat e nervozes
kozmetikë politesash si zjarr kashte dhe blozash
prapa-shtysës i priteshin këmbët
të paralizonte krahasimi i gjymtimit
trishtohej litota kllapave të forta
si të shikohej ndryshe vrastarja dhe krimi
torzo e ngopur dhe flijimi
thurej modeli i flakjes tmerrit tek zgjerim gjoksesh
rivendosje kokash bashkim gjymtyrësh
pastaj trupit somnambul t`i ndizeshin
të gjithë kandilat e rruzullimit
shiu lante vetveten bukurisë së strukur
i huazoi hark-kuqen vetull dhe i fali një ylberi
mbi të gjitha rropatjet veçse simboli ngadhënjeu
i përhershmi gravitet
të josh dhe të plandosë sapo të ngrihesh përpjetë
*) Adem Demaçi
Gjilan, gusht 2021
______________________________
LOTËT NUK I DIGJEN LUMIT
(Babait Muharrem Rafuna,
në tridhjetë vjetorin e vdekjes, më 24 tetor 1991)
Meti Rexhepi
përvjetori i tridhjetë më prekë lagësht më prekë
teksa pashë
të varur një kosë të topitur e të ndryshkur
më erdhi një erë bari e pleksur me djersë
në muzeun e qetë fluturonte një plis
dhe thahej një këmishë e një kënetë
e nuk binte asnjë kanjushë
tek dritarja pa roletë
një stuhi krah-thyer trazoi qetësinë
lëkunden gjë sendet e mbetura në muzeun tim
plisin ia kishte grabitur stuhia
e përbalti dhe i nxiu bardhësinë
atëbotë derdhej furishëm terri i moteve të mllefit
në shpirt kokë e shpinë
babait tim
mos iu fiktë fanari në amshim
po të shkruante në letër
do të shkruante me lapsin e rrezeve
aty janë të ngërthyera të gjitha nuancat e ngjyrave
dhe të reve
por
Ai gjithsesi do të gufonte si gejzer
parakalimeve të aradheve
pema e Tij që më mbolli në kokë
qet bisqe dhe lëngshëm bulëzon
mes brishtësisë vjeshtake që zverdhon
shirat mandej kthjelltësi e brymtë
përcëllojnë dhe shkrijnë vesën e mbresën
babai im
paç ndjesë
nuk të kalbi harrimi
derisa muzeut tim
nuk i doli tymi
as e përfshiu flaka tinëzare
as përftimi
ndaj mos e pritsha kumtin
se edhe lumit të mallëngjimit do t`i digjen lotët
Gjilan, më 24 tetor 2021