UK LUSHI: NE DUHET TA NDIHMOJMË LUGINËN KONKRETISHT

New York, 07. 11. 2013 -[Letër publike kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edvin Rama.] Të nderuar kryeministra Thaçi dhe Rama, në Ballkan kanë filluar të fryjnë erëra të reja. Pas një nate të gjatë padrejtësisht dhe konflikti, gadishulli ynë po ridefinohet në disa dimensione. Ndër këto dimensione, mbase më të rëndësishmet për një të ardhme më të mirë, janë pozicionimi i ri gjeostrategjik (i brendshëm dhe jashtëm) i siujdhesës dhe rritja e mirëqenies së ballkanasve. Roli juaj si udhëheqës të qeverive të dy shteteve ballkanike, pesha e të cilave është në shtim e sipër, është dhe duhet të jetë kritik.
Për ata që dinë, kërthiza e ekuilibrit të ri gjeostrategjik të Ballkanit gjendet në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe disa lokalitete të baraslarguara në një rreze të shkurtër me këto tri qytete të banuara me shumicë shqiptare. Si politikanë dhe titullarë të qeverive me legjitimitet demokratik dhe para së gjithash si posedues të burimeve shtetërore, ju dhe ekipet tuaja duhet të jeni në rrjedhë të zhvillimeve gjeopolitike më mirë se qytetari i zakonshëm dhe duhet të punoni për interesat e qeverive që drejtoni ndërkaq, që, njëkohësisht, jepni kontributin adekuat për balancën e re ballkanike. I bindur që ju e kuptoni domethënien e gjeostrategjisë dhe pasojat e moskuptimit të saj, unë, si profesionist i ekonomisë, po ju shkruaj këtë letër publike për të ndarë me ju disa ide dhe për të kërkuar nga ju që të bëni më shumë për mirëqenien e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

–  Hashim Thaçi dhe Edi Rama – 

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja me rrethinë gjenden nën sovranitetin e Republikës së Serbisë dhe nuk trajtohen ende si duhet nga autoritetet e Beogradit. Vendbanimet që gravitojnë rreth këtyre tri komunave janë regjioni më i pazhvilluar dhe diskriminuar në Ballkan. Sidoqoftë, përkundër sjelljes së keqe të Beogradit dhe pozitës së dëshpëruar të qytetarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe rrethinë, përgjegjësia e pasivitetit eventual nga Prishtina dhe Tirana gjithsesi bie mbi ju, ngase mosveprimi i Republikës së Serbisë nuk e justifikon mosveprimin e Republikave të Kosovës dhe Shqipërisë për të mbrojtur dhe mbështetur jetesën e shqiptarëve atje. Nëse qytetarët shqiptarë të këtij brezi territorial nuk janë në gjendje të gëzojnë dhe realizojnë aspiratat e tyre për jetë të begatshme si ballkanasit tjerë, kjo është e padrejtë dhe rrezik për përmbysje të cilësdo baraspeshë gjeopolitike dhe gjeoekonomike.
Si duhet të ndihmohen menjëherë, jo me fjalë dhe vizita simbolike siç ka ngjarë deri më tash, por konkretisht, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja me rrethinën e tyre?
E para: qeveritë tuaja, në Prishtinë dhe Tiranë, duhet të financojnë ndërtimin e një materniteti brenda 6 deri 12 muajve. Kujdesi për foshnjat është e drejtë fondamentale humanitare dhe kusht primar për të ardhmen e secilës bashkësi njerëzore. Ndërtimi i maternitetit duhet të pasohet me zgjerimin e tij në spital të madhësisë së mjaftueshme për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve në Luginën e Preshevës. Qeveritë tuaja duhet të paguajnë specialistë të gjinekologjisë dhe obstetrikës nga Republikat e Kosovës dhe Shqipërisë që të shërbejnë në këtë maternitet dhe, sigurisht, edhe mjekë të specialitieteve tjera, më vonë, në spital; deri kur numri i mjekëve në regjion do të rritet gjegjësisht Republika e Serbisë do të plotësojë kërkesat shëndetësore të të gjithë taksapagueseve të saj.
E dyta: Prishtina dhe Tirana, duhet të heqin njëanshëm çdo taksë apo tarifë për qarkullim të lirë të njerëzve, automjeteve dhe mallrave nga Lugina në territoret e Republikave të Kosovës dhe Shqipërisë. Në fakt, qeveritë tuaja duhet të financojnë ndërtimin e një tregu lokal me infrastrukturë dimërore dhe verore, në ç’vend biznesmenët vendorë dhe sidomos bujqit do të mund të shisnin dhe grumbullojnë produktet e tyre, të cilat, pastaj, do të mund të transportoheshin për shitje edhe në tregjet e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë ku do të duhej të kishin trajtim të posaçëm në tatime. Ky treg dhe këto subvencione për prodhimet në fjalë mund të jenë gjeneza e një projekti më të madh për ta shndërruar tre-kufirin Serbi-Maqedoni-Kosovë në një Zonë të Lirë Tregtare dy-tri vjetët e ardhshme.
E treta: ekspertë të ekonomisë, financave, ligjit ndërkombëtar dhe integrimeve europiane që punojnë për qeveritë tuaja duhet të bashkëpunojnë në kapacitet mbështetës me qeveritë komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe të bëhet hartimi i një propozimi për Fond Emergjent administratës së BE-së në Bruksel. Paratë nga Fondi Emergjent do të përdoreshin për rehabilitimin e sistemit të ujërave, infrastrukturës urbane dhe rrugore në regjionin e Luginës. Ky Fond Emergjent nuk duhet të ngatërrohet me Fondin Zhvillimor, i cili duhet të financohet nga Republika e Serbisë dhe i cili, sipas të gjitha konventave ndërkombëtare, është obligim i saj sepse qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me rrethinë paguajnë tatimet në buxhetin e shtetit serb.
Të nderuar kryeministra,
këta do të ishin vetëm tre hapat e parë konkret për të rimëkëmbur shpresën për jetesë më të mirë të banorëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; por edhe një ecje në drejtim të vendosjes së qytetarëve dhe mirëqenies së tyre në plan të parë, ndërsa vazhdon tentativa e përafrimit dhe forcimit të bashkëpunimit në të gjitha anët e Ballkanit.
Lugina mund të jetë pikë afrimi apo largimi mes popullit shqiptar dhe popullit serb. Një ndër variablat përcaktuese se cili do të jetë roli i saj në marrëdhëniet serbo-shqiptare do të jetë kualiteti dhe kuantiteti i angazhimit tuaj dhe qeverive tuaja për njerëzit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Regjioni i Luginës nuk mund të mbetet në margjinat e zhvillimeve më të reja në Ballkan. Ne të gjithë dhe veçanërisht ju si kryeministra duhet dhe e kemi detyrim të ndihmojmë Luginën konkretisht. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë mbajtur në gjysmëterr edhe për shkak të mosangazhimit të qeverive në Prishtinë dhe Tiranë. Koha ka ardhur që së bashku ta nxjerrim Luginën aty ku e ka vendin i gjithë Ballkani – në dritë. Alternativë tjetër nuk ka për ne; por as për ju.
Të respektuar kryeministra Thaçi dhe Rama,
Lugina kërkon veprime konkrete. Duke u ndihmuar qytetarët atje, ndihmohen Lugina, shteti i Kosovës dhe Shqipërisë, Ballkani dhe e ardhmja paqësore e të gjithëve. Ju ftoj ju, të dyve, të filloni të angazhoheni seriozisht për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën që nga ky çast.
Sinqerisht i juaji,
Uk Lushi

 ===========================

Pandeli Majko dhe Edi Rama në Preshevë – 18. 11. 2012

Preshevë, tension për abetaren shqipe

Dokumentari i UÇPMB-ës

————————

*Ilustrimet janë të pashtriku.org*

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura