VASIL S. TOLE: ISMAIL QEMAL BEJ VLORA, BEKUESI I SIMBOLEVE TONA KOMBËTARE – HIMNIT DHE FLAMURIT

Tiranë, 30. 10 . 2013 – Ismail Qemali ka një lidhje shumë të veçantë, por të pandriçuar sa duhet e të pathënë me forcë deri më tani, me shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, shumë më përpara se ai të ngrihej në Vlorë prej tij, si shenja më e qartë e Shqipërisë së pavarur… Ismail Qemali pa tek simbolet kombëtare (para dhe pas shpalljes së pavarësisë), ekzistencën e një Shqipërie shpirtërore, e cila kishte qenë e tillë, pra në dëshirat e shqiptarëve të thjeshtë si dhe tek vizioni i drejtuesve historikë të saj, të paktën që prej kohës së heroit tonë kombëtar Skënderbeut, në shek. XV-të. Ai, lideri bashkëkohor i pavarësisë së shqiptarëve, me qëllim i përdori qartazi këto simbole kombëtare si strategji komunikimi: përmes dëgjimit-himni dhe përmes shikimit-flamuri kombëtar! Vini re këtë fragment të fundit të fjalës së Ismail Qemalit në çastin e shpalljes së pavarësisë: … duke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria! Ismail Qemali vë shenjën e barazimit mes Atdheut dhe Flamurit të tij.

*  *  *

Gjatë gjithë periudhës që prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 e deri më sot, janë me dhjetra format e regjimeve politike që u eksperimentuan në Shqipëri, duke filluar prej formave të republikës parlamentare, mbretërisë, regjimeve fashiste dhe diktatoriale komuniste e deri tek demokracitë pluraliste, në ditët e sotme. Po ashtu, në përputhje me konjukturat politike të ditës kemi pasur edhe shembujt se si zvogëlohej, tkurrej ose në ndonjë rast shkonte në kufijtë natyralë edhe kufiri shtetëror i Shqipërisë, në krahasim me kufijtë e Shqipërisë në kohën e shpalljes së Pavarësisë prej Ismail Qemalit. Pavarësisht sa më sipër, ato që s`kanë ndryshuar prej atëhere, është akti i unik i shpalljes së pavarësisë në vetvete si dhe përzgjedhja e duhur e dy simboleve tona kombëtare: flamurit dhe himnit tonë kombëtar.
Ç`përfaqësojnë këto simbole kaq të rëndësishme në thelbin e tyre për mbarë popullin tonë dhe si duhet ta zbulojmë kontributin e Ismail Qemalit në përzgjedhjen e këngës “Rreth flamurit të përbashkuar” si kënga jonë kombëtare?

Për këdo që e njeh sadopak origjinën dhe kontributin e familjes Vlora dhe veprimtarinë e ngjeshur politike dhe administrative të Ismail Qemalit në institucionet e ndryshme të Perandorisë Otomane, nuk do ta ketë të vështirë të zbulojë disa të vërteta të thjeshta që lidhen me të. Kemi të bëjmë me një familje të madhe të lidhur ngushtësisht sa me Shqipërinë natyrale dhe me shtresat e ndryshme shoqërore të saj, e po aq, me formimin me kulturë të shëndoshë klasike dhe bashkëkohore të pjesëtarëve të kësaj familjeje, e posaçërisht të Ismail Qemalit, i cili çmonte rëndësinë që pati në formimin e tij intelektual veçanërisht kultura franceze dhe angleze. Në shtypin shqiptar të kohës çmohej se Ismail Qemali u rrit në Europë, duke u ushqyer me liri të kaltërt e të qëruar e nuk do trembet asgjë përpara së drejtës.
Duket se pjesë e kulturës europiane është edhe njohja e organizimit të shtetit dhe e funksioneve të tij në administrimin e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike të një vendi të caktuar. Vetë familja Qemali dhe pjesëtarët e saj, me rrënjë e me degë, prej qindra vitesh, ishte e shpërndarë si një yllësi hapësirave të Shqipërisë etnike dhe të mbarë Perandorisë. Ismail Qemali flet në kujtimet e tij për amanetet e të vdekurve të Vlorajve (gjysh, gjyshe, xhaxhallarë, nipa, kushërinj, të afërm etj), të rënë në luftë ose të vdekur natyralisht në shtrat, që kurmi i tyre të kthehej në atdhe, në Vlorë. Pjesë e kësaj njohjeje të tij ishin të lidhura edhe me trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, në mënyrë të veçantë me këngët dhe vallet e tij heroike, të cilat në thelb dëshmonin rezistencën e një populli dhe aspiratat e tij për liri dhe pavarësi. Ismail Qemali vazhdimisht theksonte se shqiptari mbi të gjitha vë nderin, familjen dhe vendin e vet!

Pa u zgjatur në hollësi të tepërta, do të fokusohem në disa të dhëna që lidhen me njohjen shumë të rëndësishme që Ismail Qemali kishte për simbolet shpirtërore për një komb dhe fuqinë e tyre në krijimin e unitetit kombëtar. Në thelb, përcaktimi i dy simboleve bazë të një shteti është një punë nga më të vështirat, pasi në rast se simbolet nuk janë te gjetura ashtu siç duhet dhe pa kontekst të rëndësishëm patriotik, filozofik dhe artistik, zhvlerësohen dhe dalin nga përdorimi shumë shpejt. Për këtë gjë mjafton të shohësh historikun e simboleve të vendeve fqinjë me ne, e më gjerë. E kundërta ka ndodhur me këto dy simbole, të cilat pagëzuan si shtetin shqiptar në vitin 1912, por u shndërruan në simbole unikale të gjithë shqiptarëve, kudo ku janë, sot e mot. Nuk është e rastësishme që në fillim të viteve 1900, në kohën kur ende Shqipëria ishte nën sundimin osman, në këngët e sapokrijuara patriotike shqiptare, ndër to kënga “Betimi mi flamur” e krijuar në vitin 1908, u artikulua qartë, si në një lloj manifesti, pavarësia e Shqipërisë. Vargjet si: Në dorë armët do t`i mbajmë/Të mprojmë atdhenë më çdo kënt/Të drejtat tona ne s`i ndajmë/Këtu armiqtë s`kanë vent/ nuk ishin gjë tjetër veçse një thirrje për mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë së pavarur. Pikërisht, kjo kërkesë sublime, shprehje e shpirtit të lirë të shqiptarit, ndodhi në kohën kur qeveria e re e xhonturqve premtonte vetëm liri dhe të drejta vetëm brenda suazës së perandorisë dhe kur diplomacia ndërkombëtare ishte e preokupuar më së shumti me plane për copëtimin e Shqipërisë, se sa me projektin e një Shqipërie vërtet të pavarur.
Por le të shohim më konkretisht lidhjen flamur dhe himn flamuri.
Ismail Qemali ka një lidhje shumë të veçantë, por të pandriçuar sa duhet e të pathënë me forcë deri më tani, me shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, shumë më përpara se ai të ngrihej në Vlorë prej tij, si shenja më e qartë e Shqipërisë së pavarur. Në kujtimet e tij, ai shkruan se gjatë kohës së qëndrimit në Janinë në vitet 1860-1867, pati mundësinë të vizitojë një çiflig të një miku të tij në fshatin Melingouss ku atij i treguan edhe disa rrënoja me rëndësi shumë të madhe sipas tij, që i kujtonin përshkrimet antike të vendit të Dodonës dhe të Malit Tmarus së bashku me lisat shekullorë rreth e rrotull tyre, ende të pazbuluara në atë kohë. Ismail Qemali këtë vizitë të tij ja përshkruan mikut të tij të fëmijërisë Z. Konstantin Karapanos, megjithëse një ekspeditë arkeologjike franceze kishte deklaruar së ishte thjesht fantazi gjetja e Dodonës antike në atë zonë. Konstantin Karapanosi (i cili megjithë amatorizmin dhe prirjet filogreke gjatë veprimtarisë së mëvonshme të tij në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve, sidomos për çështjen e Epirit), në gërmimet arkeologjike që bëri disa vjet më vonë, në të njëjtin vend të sugjeruar por edhe i ndihmuar prej Ismail Qemalit për marrjen e lejes prej autoriteteve osmane, zbuloi Dodonën antike dhe Zeusin e Dodonës së bashku me simbolin e shqiponjës epirote që mban në kthetra rrufenë e tij!
Simbolika
Është kjo shqiponjë, pra shqiponja epirote, të cilën studiuesit e heraldikës e çmojnë si simbolin bazë të flamurit tonë, e cila njihet në origjinën e vet si shqiponja lajmëtare, aq vlerësuar edhe në trashëgimisë shpirtërore etnografike të popullit tonë, shumë më përpara se të vihej në flamurin e Skënderbeut, tashmë me dy krerë. Në një lloj kuptimi, Ismail Qemali mund të quhet iniciuesi i zbulimit të tempullit të Dodonës e posaçërisht të gjetjes së shqiponjës pellazgjike të Zeusit, të asaj shqiponje që Faik Konica e përshkruante në vitin 1909, në artikullin “Shqipëria e ka një flamur autentik”.
Vlora dhe Ismail Qemali ishin familjarizuar më herët me përdorimin e flamurit si simbol kombëtar. Një ndër to lidhet me manifestimin e datës 3 shtator 1908, i zhvilluar gjatë vizitës së Tij në Vlorë, në kuadër të zgjedhjeve për deputet në parlamentin osman. Dëshmitë e kohës evidentojnë sa reputacionin që Ai gëzonte në shtresat e gjera të popullsisë, e po ashtu edhe përdorimin prej Tij, në publik, të flamurit dhe të ngjyrave tona kombëtare kuq e zi. Ja një fragment nga letra e nënkonsullit austro-hungarez Kraus, dërguar ministrit të jashtëm baronit Fon Erental, në Vienë: “… arritja e Ismail Qemal Beut mori pamjen e një manifesti patriotik madhështor. Në Skelë ishte mbledhur një mori njerëzish prej mijëra vetësh të ardhur prej qyteteve dhe fshatrave përqark. Moloja ishte e stolisur me shumë flamurë. Mastet dhe shtyllat ishin të dekoruara me pëlhura me bojrat kombëtare shqiptare kuq e zi. Në vendin ku moloja bashkohet me tokë, dhe në hyrjen e qytetit ngriheshin flamurë. Për t’u theksuar do të ishte gjithashtu, se duke udhëtuar prej Skelës në qytet, Ai mbante në mes përpara një flamur shqiptar me zhgabën dykrenore! Eqrem Bej Vlora, në kujtimet e tij na jep një detaj domethënës mbi reagimin që patën disa qarqe fanatike për përzgjedhjen e këtij flamuri si flamur kombëtar të Shqipërisë. Aty thuhet se: … Ismail Qemali kishte përzgjedhur një korb si simbol të Shqipërisë së lirë në vend që në flamur të kishim suret e bukura të kuranit! Dhe më tej: “… Po ç`mund të presësh tjetër nga Ismail Beu, që e ka kaluar të gjithë jetën në vendin e frëngjve”?!

Në këtë pikë, nuk po zgjatemi me hollësi për të përcaktuar se cili flamur u ngrit në ballkonin e sarajeve të Vlorajve, ai i Eqrem bej Vlorës, ai i qëndisuri prej Marigosë dhuratë e shqiptarëve të Amerikës në Korfuz, apo flamuri që solli me vete Spiridon T.Ilo nga Bukureshti? Në të gjitha rastet është i njëjti flamur me shqiponjën në të dhe se kurrsesi nuk duhet të besojmë ose të zhvillojmë teori, të cilat të bëjnë të mendosh, sikur Ismail Qemali bashkë me shokët e tij kërkuan për të gjetur një flamur dhe himnin e tij në minutën e fundit, a thua se ata nuk e dinin se cilat qenë aktet formale që do ta shpallnin Shqipërinë e Pavarur, pas nënshkrimit të deklaratës! Më 28 Nëntor 1912 ai kujton se: “…duart më dridheshin emocionesh shprese dhe krenarie, kur po ngulja në ballkonin e shtëpisë sime të hershme, flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej sikur shpirti i heroit të pavdekshëm ndriti atë çast si një dritë e shenjë përmbi kokat e njerëzve!”
Pyetja që lind është se pavarësisht kësaj hollësie për kuriozët, a nuk ishte Ismail Qemali një lajmëtar i madh i lirisë së shqiptarëve, ashtu siç ishte në antikitet shqiponja e Zeusit?
Në një lloj kuptimi, Ismail Qemali e solli me vete Himnin e ardhëm të Shqipërisë nga Bukureshti, drejtpërdrejt nga vendi ku Himni kishte lindur për ta sjellë atë në Vlorë, duke bashkuar këto dy simbole në një unitet të vetëm të pazgjidhshëm: flamur dhe himn kushtuar flamurit. Ismail Qemali, pak përpara shpalljes së Pavarësisë ishte për vizitë në Rumani, në Bukuresht, aty ku siç ai shkruan: “… jetonte një koloni e madhe shqiptare. Nga mbledhja që bëra atje 15 bashkatdhetarë vendosën të ktheheshin me mua në Shqipëri. U telegrafova të gjitha krahinave të Shqipërisë për të njoftuar se po vija, dhe deklarova, se kishte ardhur koha për të përmbushur aspiratat tona kombëtare.” Ajo që dimë me siguri është se nipi i Asdrenit Zisi Stavre, njeri me aftësi muzikore, në kujtimet e tij për atë takim thotë se në momentin e nënshkrimit të rezolutës së këtij takimi nga të gjithë pjesëmarrësit: “…të gëzuar, i muarëm në mes Ismail Qemailin dhe Luigj Gurakuqin, i përqafuam dhe kënduam së bashku një këngë kombëtare”! Ky është një informacion i jashtëzakonshëm i cili na bën të kuptojmë se si Ismail Qemali ashtu edhe Luigj Gurakuqi, jo vetëm ishin në dijeni të traditës së këndimit të këngës-himn “Betimi mi flamur” prej antarëve të shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit në mbledhjet e tyre, por akoma më shumë qartësohet se edhe ata e njihnin këtë këngë deri në atë masë sa të mund ta këndonin bashkë me të tjerët.
Në këto kushte, Ismail Qemali e dinte më mirë se askush forcën që buron prej një atdheu, i cili përpara se të jetë materialisht një copë toke, duhet që të ishte më përpara i projektuar shpirtërisht, si një ideal sublim, në zemrat e shqiptarëve të thjeshtë. Si një diplomat i regjur, ai kishte njohuritë e duhura si për mekanizmat e duhura të funksionimit të shtetit ashtu edhe në njohjen dhe forcën e simboleve kombëtare, posaçërisht të himneve kombëtare, në mënyrë të veçantë të himneve të vendeve fqinje me ne, të shkëputur nga Perandoria Osmane para Shqipërisë si Greqia, Bullgaria, Rumania, Serbia etj. Himnet e këtyre vendeve mbanin shpesh herë titujt kuptimplotë si në rastin e himnit grek: “Ode për lirinë”, aq të dëshiruar për popujt e robëruar. Kështu, Ismail Qemali e ka projektuar në mendjen e tij këtë simbol shpirtëror, deri më atëhere “në pritje” brenda grumbullit të “këngëve kombiare” dhe kolonia e Bukureshtit thjesht ja vendosi “mbi pjatë” për ta zgjedhur në momentin e duhur.
Besojmë se Ismail Qemali pa tek simbolet kombëtare (para dhe pas shpalljes së pavarësisë), ekzistencën e një Shqipërie shpirtërore, e cila kishte qenë e tillë, pra në dëshirat e shqiptarëve të thjeshtë si dhe tek vizioni i drejtuesve historikë të saj, të paktën që prej kohës së heroit tonë kombëtar Skënderbeut, në shek. XV-të. Ai, lideri bashkëkohor i pavarësisë së shqiptarëve, me qëllim i përdori qartazi këto simbole kombëtare si strategji komunikimi: përmes dëgjimit-himni dhe përmes shikimit-flamuri kombëtar! Vini re këtë fragment të fundit të fjalës së Ismail Qemalit në çastin e shpalljes së pavarësisë: … duke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria! Ismail Qemali vë shenjën e barazimit mes Atdheut dhe Flamurit të tij. Pra, duke e ditur e njohur dhe pranuar sinonimin atdhe=flamur, pa më të voglin dyshim është merita e Ismail Qemalit që ndikoi në zgjedhjen e himnit kombëtar si një këngë kushtuar po flamurit, pasi, si flamuri në vetvete ashtu dhe një këngë kushtuar atij, janë koncepte dhe fakte etnikërisht shqiptare.
Në 12 shkurt të vitit 1919, i mbështjellë me Flamurin kombëtar dhe nën tingujt e “Himnit të Flamurit” përcillet për në shtëpinë e fundit nga autoritetet shqiptare e italiane dhe nga populli i Vlorës, në varrezat e Kaninës, vetë Ismail Qemali, plaku i shenjtë i Vlorës, për të cilin Noli, në poezinë “Hymni i Flamurit” shkroi:
Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Kësisoj, me aktin e shpalljes së pavarësisë, Ismail Qemali u bë njëkohësisht edhe bekuesi i këngës sonë kombëtare, “Himnit të Flamurit”.

___________________

– KUSH ËSHTË VASIL S. TOLE –

 *) Prof. Dr. Vasil S. Tole ka lindur më 22 nëntor 1963 Përmet, Shqipëri, është kompozitor dhe etnomuzikolog. Shkollën e mesme e ka kryer për violinë, në vitet 1978-1982 pranë shkollës artistike “Tefta Tashko Koço”, në Korçë. Në periudhën 1983-1987 përfundon Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë, në degën e Kompozicionit dhe pas diplomimit, deri më 1991, punon në qytetin e Përmetit pranë Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri”. Prej vitit 1991 është pedagog i Kompozicionit dhe Folklorit Muzikor Shqiptar në Fakultetin e Muzikës pranë Akademisë së Arteve, në Tiranë. Më 1994 mbron disertacionin për gradën e Doktorit të Shkencave Etnomuzikore me temë “Aspekte historike në evolucionin e muzikës popullore instrumentale të Shqipërisë së Jugut”. Në vitin 1994-1995 kryen specializimin pasuniversitar për Kompozicion në Folkwang Hochschule në Essen-Gjermani, nën drejtimin e Prof. Wolfgang Hufschmidt dhe, më 1996, bën studime të postdoktoranturës pranë Universitetit të Athinës. Në vitin 2000 fiton titullin e Mjeshtrit të Kerkimeve=Profesor i Asociuar. Autor i monografisë “Muzika dhe Letërsia”, ONUFRI-1997; “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut” + C.D, Tiranë 1998; “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”-I, Sh.B.L.U 1999; “Folklori muzikor-strukturë dhe analizë”, Sh.B.L.U 2000; si dhe i shumë artikujve në shtypin periodik dhe atë artistiko-shkencor. Ka marrë pjesë në kongrese, simpoziume dhe veprimtari të tjera mbi muzikën, në vende të ndryshme si në Hollandë, Francë, Itali, Austri, Greqi etj. Veprimtaria e tij muzikore përfshin atë simfonike, muzikën e dhomës dhe për instrumente solo e cila është luajtur në Shqipëri si dhe në vende të ndryshme: Itali, Gjermani, Austri, Bullgari, Greqi etj. Ka fituar disa çmime, si atë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për kompozitorin e ri më të mirë (1990), çmime në Festivalet “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” (1993,1994,1995,1997), në “Festivalin e Romancave Shqiptare” (1996, 1999), çmimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve për baletin me një akt (1998) etj. Është anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (2000), anëtar i “Albautorit” (1992), bashkëthemelues i shoqërisë artistike “Elena Gjika”-Përmet (1990), bashkëthemelues i shoqatës së “Muzikës së re” (1993), themelues i seksionit shqiptar të “Rilm abstract literature of music”, New York-USA (1995), bashkëthemelues dhe antar i kryesisë së seksionit shqiptar të C.I.O.F.F-it, President i Këshillit të Muzikës Shqiptare-anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës-UNESCO, antar i GEMA-s-Germany (1997), antar i SEM-it (1999)-USA, antar i IOV-Austri, drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit-Tiranë (1997-1999) etj.

——————————————–

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura