VASIL VASILI *): TE MOIKOMI KOHA LULËZON, ÇASTI VDES

Greqi /Patra, 25. 10. 2106: (Sprovë) – Moikom Zeqo poetikisht qëndron i varur te Çasti i Madh, – te Koha, dhe te rimishërimi i Pitagorës. Te një aksident në gjykim, siç është koha dhe te një ringjallje e pjesës së lehtë, siç është shpirti i rimishëruar pitagorian, ka mbështetur të dy mekanizmat e tij poetikë.

Ka vënë në lëvizje dialektikën e çastit nëpërmjet kohës së amshuar. Kjo është një rrugë shumë e vështirë poetike.
Është e njohur që Moikomi është poet i jashtëzakonshëm i referencave historike. Ato i ka bërë vetëdije kulturore. Referencat, të futura brenda guackës së figurës, i ka hedhur si çaste të ndritshme mbi kanavacën e errët të kohës. Si rastësi të menduara, ato ndihmojnë për të të bashkuar me idenë e një çasti.
Të qenit brenda një çasti ka shumë rëndësi për t’a ndjerë një poezi. Brenda një çasti është e barabartë më së paku me thithjen e avullit poetik, i cili ka të tretur disa përbërës në ajrin e tij të lehtë. Por Moikomi brenda një poezie ka shumë çaste që vihen në një unitet, pikërisht nga avulli poetik me të cilin i mbështjell.
Moikomi çastin e flijon për kohën. Ai psikologjikisht nuk e njeh çastin. Psikologjikisht nuk e njeh dhe kohën. Kohën e njeh kulturalisht, ndërsa çastin nuk e njeh as kulturalisht, se thamë që atë e flijon për kohën, por duhet saktësuar se e flijon për kohën kulturore dhe, koha kulturore është një kulm që vjen rrallë dhe, në urnën e saj ka pafundësi çastesh të flijuar.
Poezia e Moikomit është urnë e çasteve dhe jetë e kohës. Iluzioni i jetës së kohës që jep Moikomi është i habitshëm. Gjithëçka historike e bën kohë që s’vdes. Një metaforë e këndell kohën, e kthen nga amshimi i zbehtë.

Moikomi kulti i figurës.

Për çastin dhe poezinë që rrjedh prej tij duhet një kuptim tjetër, që ta godasë jeta jo kultura.
Moikomin e godet së brendshmi dituria. Moikomi ka kujtesë, por s’ka çaste. Çastet e tij janë dituritë.
Ato janë çaste në kujtesë, jo para shqisave. Ai shikon me kujtesën. Çastet i lë si mbetje nën napën e diturisë. Duke e flijuar çastin për kohën ai bëhet artist jakobin, për të ardhmen e flijon të sotmen. Por edhe për të djeshmen flijon të sotmen. Por i gjithë ky flijim i të sotmes është strategji poetike. Për poezinë s’ka kuptim lidhja vetëm me të sotmen, kuptim ka që ajo të jetë në çdo të sotme.
Moikomi të ashtuquajturën kohë e sotme nuk e ka, ai ka të ashtuquajturat të shkuar dhe të pritshme.
Askush s’e ka të shkuarën dhe të pritshmen, ndërsa Moikomi i përdor ato si të ishin eshkë që ndizet nga fjala e tij. Kujtesa te Moikomi rritet, shqisat tulaten, mekanizmi poetik punon. Dy skajet e papranishme i përdor si pasqyra për të sotmen. Në vetvete e sotmja e Moikomit është e zbehtë, ajo i harxhon energjitë për të kaluarën dhe të pritshen dhe rron duke thithur energjitë e tyre. Rron me mushtin e dy pemëve që s’janë. E sotmja është njeriu me çaste të vdekur dhe me kohë të gjallë në shpirt. Njeriu, që gjithënjë, mbeti paradoks i pakuptueshëm. Kështu rron një shpirt i vjetër i rimishëruar në një trup të ri. E sotmja në njërin kah shikohet në të kaluarën, në kahun tjetër, në të ardhmen. Ky paradoks i pakuptueshëm ngjan tmerrësisht dhe besnikërisht me Moikomin poet.
Ky synim është më shumë i vetvetishëm se sa i ndërgjegjshëm. Zemra e mekanizmit kohor te Moikomi është dega e shkuar e kohës, ajo është edhe më e përdorshmja. E sotmja është një pikë mbështetse.
Dialektika në këtë poezi është e zëvendësuar me eklektizmin, por mekanizmat i punojnë nëpërmjet sintezave të cilat mpiksen në figurë.
Sipas ligjeve të brendshme të figurës, metaforat janë të zhveshura nga koha. Ato janë përkthime të brendshme të imazheve që lindin së bashku me fjalën. Imazhet s’kanë kohë, kohën e kanë vetëm në subjektivitet që edhe ai kërkon të përkthehet. Që të bëhet shoqëror. Këtu poeti me mendimtarin krijojnë krisjen e parë. Figura vjen të bëjë një plojë poetike, të vrasë pamjen e së përditshmes të rëndomtë lodhëse dhe të ringjalli kohën e bukur. Figurës i hiqet koha dhe i shtohet koha e bukurisë së përjetëshme. Por dihet, koha e përjetëshme është një titull i zbrazur se e përjetëshmja shfaqet nëpërmjet çastit. Prandaj poeti loz me mendimtarin, i jep një gjë që s’është. Ai e di që figura ka vetëm bukuri. Figura është një zgjuarësi sipërane, një ekonomizim fjalësh si një formulë shkencore Ajo ka lënë jashtë gjithçka të tepërt. Bukuria është jokohore dhe shfaqet befas si shpërthim. Shpërthimi buron prej instinktit, por instinktin e filtron kultura që të mos jetë i breshtë.
Kemi thënë diçka që lidhet me personalitetin poetik të Moikomit: Instinktin e tij e filtron kultura që të mos jetë i breshtë.
Edhe diçka shtesë: Moikomi mrrekullohet shpejtë. Psikika e tij është e hapur për mrrekullinë. Gjithë rrjedhën e mrrekullimit ai e përkthen në metaforë. Është përkthimi i poetit, më i rëndësishëmi përkthim, që nuk është zej se është brenda njeriut, është natyral. Poeti përkthen vetveten me ndihmën e kohës. Poeti është në thelb poet për përkthimin e brendshëm. Pjesa tjetër është pajtimi i këtij përkthimi të brendshëm me një strukturë gjuhësore (shoqërore). Ç’farë merr nga koha dhe ç’farë i lë kohës kalon nga subjektiviteti i tij. Një poet i madh është edhe përkthyes i madh. Edhe lexuesit amtarë e përkthejnë poetin, por edhe ky përkthim është natyral, përkthesit e një gjuhe tjetër e kanë përkthimin zej.
Moikomi ka kultin e figurës. Asaj i beson më shumë se sa poezisë. Poezia për të janë 12 apostujt.
Figura është Krishti, që i udhëheq ata me dritën qiellore ose me dritën e së ardhmes. Për Krishtin Moikomi i flijon të 12 apostujt. Le t’i quajmë 12 apostujtë 12 përbërsit e poezisë. Me më shumë dhimbje do të flijonte Gjonin, sepse e quan të një gjaku poetik me të vetin. Të dy, përfytyrimin e kanë të harlisur dhe më tej se aq. Gjoni ka edhe grimca rimishërimi. Një arsye shtesë për t’a quajtur të një gjaku. Dhe, të dy, janë dishepuj, por me mjeshtra të ndryshëm. Madje Moikomi ka dy mjeshtra, Kohën edhe Rimishërimin pitagorian. Brenda Kohës ka gjetur edhe Mjeshtrin e Gjonit, por atë e ka vetëm një shembëllim të bukur, e ka një nga shembujt e mekanizmit të tij të dytë poetik, jo mjeshtër të tij. Edhe brenda Pitagorës e ka gjetur mjeshtrin e Gjonit.
Figura e Moikomit kërkon të pamundurën. Atë që mund ta bëjë vetëm Shpëtimtari. Moikomi ka marrë misionin e shpëtimtarit të figurës. Figura e Moikomit sikur del nga një zonë industriale pa tym. Kjo zonë ka qënë në të gjitha periudhat, pavarësisht nga të thirrurit e saj: mitologji, fe, filozofi, mistikë, shkencë, art. Kjo zonë ka një fjalë përmbledhëse, dituri. Kjo është zona e poetikës industriale të Moikomit, e cila gjendet në të gjitha qytetërimet.
Për Moikomin nuk ka kuptim të shprehurit për kohën në të shkuarën, për atë, gjithëçka që ka ndodhur, është ende e pranishme. Ai e përdor të kaluarën sikur është ende, po këtë vështrim ka edhe për të ardhmen, ky vështrim është në pajtim me mekanizmin e dytë poetik të tij, por nuk është në hullinë e kohës heraklitane.
Si zbulim figura është asnjanjëse, si asnjanjëse ajo i përngjason shkencës. Shkenca i përngjason natyrës.
Natyra është nevojë për qenien. Shkenca është pjesa e natyrës së zbuluar. Gjer këtu mund të mbërrijmë me mendim. Metafora si zbulim buron nga të menduarit shkencor, të menduarit shkencor degë kryesore ka dobishmërinë. Me këtë mendim krijohet një përplasje e rrëshqitshme, por metafora mbetet si zbulim që buron nga të menduarit shkencor i poetit. Metafora në të ardhmen bëhet shkencë. Ajo është zbulim dhe përgjithësim, pa kohë dhe pa vend. Metafora e rrethuar nga fjalët e rrethanave të saj krijon art. Duke e kuptuar figurën si asnjanjësi, në fakt e lidhim fshehtas me të përjetëshmen, me një eufemizëm të kohës. Gjithnjë dalin probleme me përkufizimin e kohës. Asnjë përkufizim i kohës nuk i përgjigjet të gjitha rrethanave që lidhen me përdorimin e saj.
Metafora punon për t’i tejkaluar përfytyrimet e gjuhëve kombëtare. Ky tregues flet për thelbin e gjuhës së përbotëshme të metaforës.
Lëndën e kulturës poetike të Moikomit e përbën historizmi kulturor. Nga historizmi kulturor del edhe metafora e tij, e cila në gradën më të ultë mund të shikohet edhe si pjesë e citimit kulturor. Duke rizbuluar një figurë kulturore ai bën edhe rikujtimin e historikes, i bën një rimishërim të lehtë në cermonialin e vetmuar të poezisë. Ndez pishtarë nëpër kohë, por koha nënkupton edhe vendet që janë poshtë dritës së saj. Edhe kur flitet për vende, në këtë poezi, nënkuptohet koha. Kështu është lidhja e kohës me vendin në poezinë e Moikomit. Vendi është vasal i kohës. Vendi projektohet nga koha kulturore. Referencat janë kohë kulturore të thukta. Jeton ende ajo kohë dhe ai vend që i kanë mbetur për pasardhësit referenca kulturore.
Përbërësin e instinktit në figurë e ka të fshehur pas perdes së kohës dhe ndriçimit të metaforave. Si rregull, lëvizja e instinktit kryhet brenda çastit. Instinkti shoqëron çdo çast. Atëherë bëhet edhe përputhja në fjalë e instinktit me të ndjerit e brendshëm dhe me rrethanat, me rrethanat që e lindën dikur fjalën dhe me rrethanat, që lindin poezinë në rrethana të tjera. Moikomi çastit i shton me shumicë kohën dhe, nga shtimi i kohës dhe i figurave, instinkti zbehet dhe, nga zbehja e instinktit, mbetet vetëm poezia e kulturës.
Moikomi e nxjerr thellësinë e mendimit të tij, që e ka në figurë, në sipërfaqe. Ajo sikur gjen shtigje të ngushtë nëpër thepat e humbëtirave prej nga vjen dhe shfaqet në sipërfaqen e të sotmes me tensionin e një vetëtime. Rufenë e përdorte vetëm Zeusi. Tani ja kanë rëmbyer nga duart poetët, e kanë bërë metaforë.
Sipërfaqja me metafora është thellësia e kësaj poezie. Si impresionistët, ai gjithë fuqinë e artit e ka në sipërfaqe, sepse ajo është një poezi e kulturës, jo e instiktit.
Por figura e Moikomit nuk ngjan me figurat e pikturave të impresionistëve, se ajo në brendësi të saj ka fuqinë e Mujit të maleve legjendare shqiptare.
Moikomi ka krijuar një tip figure me lëndë nga historizmi kulturor, të cilin e ka idhull. Estetika e Moikomit dehet dhe zbërthehet nga historizmi kulturor. Për Moikomin ai vepron edhe në të sotmen.
Vetdija e Moikomit punon si unike, por me të gjitha degët e kohës, andej sikur vijnë alenët e shumëpritur. Koha dhe referencat janë edhe kufij moral. Moralitetin e kohës dhe të referencave Moikomi e përfill me nderim dhe me ndrojë si një tabu, por atyre i jep një pamje të re me risintezën e figurës dhe i ushqen me lëvizje sanguine stili dhe me pamje të re surealiste. Referencat dhe koha, si pjesë e të menduarit klasik, nuk do të dëshironin kurrë që të ndodheshin brenda fjalisë sureale, por poezia e re ka klasin e vet. Koha me estetikën nuk përputhen në gjithëçka.
Mbase jemi në agun e një kohë të re të figurës dhe Moikomi është një përfaqësues i shquar i saj.
Mbase jemi edhe në një kohë të një poezie që ka lidhje të fortë me kulturën sipërane dhe tani, poezia i shembëllen një celulari që e ka zerin si cilësinë e tij të parë, por ka edhe figurën bashkëngjitur, dhe të shkuarën, por që ruan edhe kumtet për të nesërmen, e shumë dije të tjera, aq sa ngjan me një enciklopedi të vogël. Bashkëjetesa e shkencës me artin është e dukëshme dhe në harmoni. Një nga emblemat e kësaj bashkëjetese gjendet edhe në poezinë e Moikomit.
Poezia e Moikomit është poezi e sintezës së mbyllur brenda një qarku, është një lloj aleksandrizmi i ri. Të gjitha sintezat kanë një qark të mbyllur. Megjithëse Moikomin po ta shtryllësh poetikisht do të pikojë kohë dhe rimishërim pitagorik, ai për qarkun e sintezës përdor librin, të ngjajshmin e kohës dhe të rimishërimit, por më konkret se ato. Libri është një burim jetëdhënës, tej kuptimit metaforik. Me librin askush s’matet dot se është një pafundësi dhe kujtesa kurrë s’mjafton ta mbulojë pafundësinë. Vetëm jeta e ka si pjesë të saj librin. Me jetën vetëm Uollt Uitmani guxoi të matej.
Në qarqe të tjerë janë elita të tjera me mjete të tjera artistike, të ndryshme nga ato të Moikomit.
Fjalën diturore Moikomi e lidh me fjalët më të zakonshme. Dituria sikur noton mbi të rëndomtën.
Fjalët e rëndomta janë shërbyese, por janë edhe një reliev për fjalën diturore. Ato së bashku me metaforën e nxjerin poezinë përkohësisht nga historizmi dhe e lidhin me çastin. Fjalët shërbyese të fjalës diturore, mbeten zëdhënëse të çasteve diturore. Ato e madhërojnë fjalën diturore me të rëndomtën e tyre Ato janë balta e diturisë. E rëndomta është gjithnjë në të sotmen. Kur depozitohet në të kaluarën, e rëndomta dlirësohet, por i avullojnë kripërat. Për Moikomin poezia është dituria, por dituria ka formën e patrajtëshme të kohës, që e shtyp psikologjikisht çastin e rëndomtë ku vlon instinkti.
Sa më shumë shtohet kultura aq më shumë zvogëlohet pesha praktike e instinktit, ndonëse rezerva e tij asnjëherë nuk paksohet. Megjithëse aq sa shtohet po aq edhe harroen pjesë të kulturës. Idea është se shtohet kultura. Harrimi është tendencë. Njeriu sot ka kulturën e të përdorshmes së shpejtë, me shumë hollësira, por pa metodë. Është e vështirë të gjesh një prerje të artë midis instinktit dhe kulturës. Këtë nyje gordiane të artit, në letrat shqip, e ka zgjidhur vetëm Migjeni, duke e lënë të lirë instinktin në mes të një kulture të pafundme që ndryshon.
Poezia e Moikomit shembëllen si lojë historike. Kohët përbërëse të poezisë kanë veshje të ndryshme.
Vetëm kostumin e stilit e kanë të njejtë, të disiplinuar, sipas psikikës së Moikomit dhe, me një petk të bukur rinor bashkëkohor. Shpirti i kësaj poeziet ka fisnikëri moderne. Ato ngjajnë me ngjyrat e gëzuara të portretit Baba Tangi të Vang Gogut.
Një plakë si historia, te Moikomi, ka pamje të re.
Edhe referencat janë trëndafilat e kohës që ka ikur. Moikomi i riçel.
Mbase është krijuar Iluminati i Poezisë dhe Moikomit i është caktuar një rol i fshehtë. Besoj se brenda këtij iluminati poetik, Moikomi është poeti më i qartë, ndonëse shprehet me mistikë historie, që ka nën krahët e saj edhe polem mistikash të tjera.
Mister i ka figura, jo mendimi, se ai është i qartë si kultura. Figura i ka aq mister sa ka edhe një formulë shkencore. Ajo është një dituri që ka shpërthyer. Formula shkencore lëviz lëndën, metafora e Moikomit e shpërthen shpirtin e veshur me histori dhe me bijëzat e saj, për t’u parë nga brenda dhe për t’u vendosur në trupin e të sotmes.
Qëllimi i Moikomit nuk është as t’a vrasë as edhe t’a lëndojë historiken, ndonëse ajo shpesh shfaqet si shoqëruese penguese e njeriut. Ai ka përzgjedhur nga historizmi çastet më antologjikë. Me antologjitë ai kërkon të bëjë edhe kritikën e historizmit, por edhe të të sotmes, gjithënjë duke e lartësuar të bukurën që vjen nga të gjitha drejtimet. Ky vështrim përngjason me një revolucion kulturor.
Moikomin e kanë pranuar në qerthullin e iluminatit poetik, për cilësitë e shkëlqyera të figurës. Atje, me siguri, mban titullin Mjeshtri i Madh i Figurës.
Iluminati Poetik, ku bën pjesë Moikomi, ka Priam Mjeshtër Pitagorën. Atje vijohet një projekt 2500 vjeçar i këtij Priami. Neni i parë i këtij projekti thotë se shpirti rimishërohet në trupa të tjerë. Ky nen është kundër natyrës, e cila shuhet dhe rilind nga hiri i vet, po në lëkurën e saj. Ky nen është kundër natyrës, por është në pajtim me Priamin Pitagorë. Moikomi është shumë i përulur përballë këtij neni. Përulja e tij është poetike, nëpërmjet këtij neni shfaq imazhet.
Iluminati Poetik u ka lejuar anëtarëve një frymë patetizmi panteist. Poetët e vuajnë pa dhembje, madje e vuajnë me krenari. Të gjithë ne jemi të rimishëruar në trupa të tjerë. Kjo botë nuk vdes kurrë, pikërisht nga rimishërmi. Ky është thelbi i mekanizmit të dytë poetik të Moikomit, që e ka pranuar jo si detyrim nga Iluminati Poetik, por nga idea, edhe e tij për pavdekësinë.
Libri e ushqen idenë e pavdekësisë. Edhe vetëm një metaforë e zbuluar flet për pavedekësinë.
Moikomi është brenda këtij qerthulli.
Ka aq nene themeltarë në poetika të tjera sa ka edhe Mjeshtra Priamë.
Moikomi është edhe Poeti i rimishërimit pitagorian Moikom Zeqo, po aq sa është edhe Moikom Zeqo, Poeti i Kohës heraklitiane.
Edhe Krishtin ky iluminat poetik e ka bërë pitagorian, por s’e ka futur dot në kohën heraklitiane.
Pa mësimet e këtij Mjeshtri Moikomi mund të mos ishte poet, por mund të ringjallëte metodat alkimiste.
Shpirti i tij kërkon të jashtëzakonshmen.
Ndaj Mjeshtrit Kohë Moikomi s’është i përulur. Atë e godet në pikat më të dobta për ta provuar nëse është i vërtetë, por pasi e ka goditur, përsëri futet nën strehzën e tij si djali plangëprishës nën krahët e atit.
Dalja nga skema e kohës Moikomin e çdrejtpeshon, prandaj me gjithë pjesën dyshuese që ka në diturinë e tij, ai i blatohet kohës. E bren dyshimi i përhershëm nëse Koha është ashtu siç na e kanë përshkruar dhe, pastaj i lodhur, kapet pas kthetrave të historisë, që nuk është formë e kohës, se ajo është vepër njerëzore dhe njeriu prodhon luftra, por jo kohë. Lidhja e Moikomit me Kohën është midis të pranuarës dhe dyshimit nëse ajo është, prandaj ai shpesh përdor historiken si maskë të kohës.
Kohës nuk i njohim asnjë fjalë, por ne e mendojmë si shumë të ditur, madje më të diturën nga të gjithë të diturit. Këtë hamendësim Moikomi e ka bërë pjesë të dy mekanizmave të tij poetik. Ai kërkon të matet me kohën. Ta shpërndaj shpirtin pitagorin nëpër të gjithë kohën heraklitiane. Ta shpërndajë do të thotë edhe ta futi në trupa të tjerë. Koha sipas këtij arsyetimi është trupi i shpirtit pitagorian. Koha del si mjet, shpirti pitagorian del si qëllimi më i lartë i kësaj poetike. Këtu dhe kështu mbyllet qarku poetik i Moikomit., një nga të paktët qarqe kaq të mëdhenj që janë shestuar ndonjëherë. Qarqet s’janë të rinj, por është e re idea për t’i përdorur ata. Gjithë këtë zbrazëti të kohës dhe të rimishërimit që të trembin, Moikomi e ka mbushur me figura. Duket sikur e ka shpëtuar kohën dhe rimishërimin me përpjekjen e tij, por ndërkohë na ka dhënë idenë madhështore se mund të bëhet e pamundura. Nuk e dimë se çfarë është shpirti dhe koha, mbase ide madhështore, por dimë që Moikomi është në qendër të kësaj ideje.
Me Pitagorën, Mjeshtirn tjetër, e ka më të lehtë. Ja ka pranuar ungjillin dhe e ndjek me besnikëri.
Atje bën klimatizimin e shpirtit në trupa të tjerë si në një uzinë universale. Moikomi ka një detyrë të rëndësishme në ceremonialin e klimatizimit të shpirtit me pjesët e kohës.
Moikomi është poeti me dy mekanizma poetikë, që burojnë nga dy mjeshtra. Njëri është abstrakt, mëse abstrakt, i pakapshëm edhe nga arsyetimi përfytyrues, tjetri ka jetuar 2500 vjet më parë dhe ka qenë një mendje gjeniale e së përpiktës, por ideja e tij e rimishërimit mbetet abstrakte. Ai i ka pajtuar dhe urtësuar në poezinë e tij këta personalitete (a s’themi për kohën që është gjykatës), ndonëse të dy janë abstrakt, se në thelb edhe rimishirimi është i pakapshëm. Të dy mjeshtat poetikë të Moikomit janë kohë të panjohura. Vetëm historia ka një dëshmi të zbardhur të së qenës në xhepat e dijetarëve. Nga dyshimi për kohën dhe për rimishërimin, Moikomi shkon tinëz te historikja. Koha dhe rimishërimi duke qënë të dy abstrakt, sipas një arsyetimi që njëson, mund të jenë një ide në emra të ndryshëm.
Asgjë s’është e re në këtë botë. Veprave që shembëllejnë si mistike, mjafton t’u dish ku i kanë ngulur rrënjët, atëherë ato të afrohen vetë.
Askush nuk i ka të gjitha cilësitë, por çmohet për ato që ka për të mos dalë nga vetvetja, ndërkaq bashkëkohtës të tjerë ose nuk i kanë këto cilësi ose i kanë të zbehta, prandaj vënë maska..
Poezia e Moikomit është e shkruar mbi palimpsestin e kohës heraklitiane me një ëndërr pitagoriane.
Pa ndihmën e frymës moikomiane këta mekanizma nuk mund të punonin. Fyma moikomiane është pjesa e gjallë e mekanizmave, të cilët ndonëse shumë, shumë të vjetër dhe shumë të vështirë për t’u përdorur kanë marrë përfundimisht frymën e Moikomit. Tani ka edhe poezi me frymë moikomiane.
Këtë sprovë për t’u futur në poezinë e Moikomit e bëra duke përfytyruar Miscellanean e Miscellaneave të tij. Nuk mund të përdorja detaje nga që ai ka mijëra metafora, por më thelbësorja pse s’përdora detaje, është se këtë sprovë e shkrova për sivëllezërit e mi, shijuesit e poezisë së Moikomit.

Patra, tetor 2016
*) Vasil Vasili, shkrimtar, kritik letrar, autor i disa librave në prozë, poezi dhe eseistikë, punon dhe jeton në Greqi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura