VAXHID SEJDIU: DOLI NUMRI I TRETË I REVISTËS ‘BASHKIMI’ NË USTER TË ZVICRËS

Zvicër, 23 tetor 2019: Ditë më parë doli edhe numri i tretë i revistës “Bashkimi” në Uster të Zvicrës, e cila që nga numri i parë, tërhoqi vëmendjen e lexuesve shqiptarë për përmbajtjen dhe trajtimin tematik. Derisa numri i parë dhe i dytë ishin numra që përcjellin një mesazh të qartë, se në mërgatën shqiptare po lind një revistë serioze, për nga natyra e shkrimit dhe cilësia e saj, për numrin e tretë mund të themi me plot gojën se kjo revistë me 32 faqet e saj e plotëson një zbrazëtirë kulturore në mërgatën shqiptare në Zvicër dhe më gjerë. Prandaj me materialet e trajtuara me plot kujdes, lirisht mund të krahasohet me simotrat e saj në atdhe.
Dhjetë faqet e para janë materiale të cilat sjellin aktivitete të shoqatës “Bashkimi”, angazhimin e tyre, të cilët me mund dhe sakrificë punuan me muaj në shërbim të shoqatës, me qëllim që të realizohen qëllimet e parashtruara: rregullimi i lokalit të Shoqatës dhe organizimi i Panairit të Librit. Po ashtu në këtë revistë zë vend edhe prezantimi i ish- anëtarëve të kryesisë, intervistat (me z. Afrim Hasajn, Hysni Hajdarin dhe rapsodin Isuf Rashitin), të cilat e plotësojnë mjaft bukur rubrikën rreth Shoqatës dhe për Shoqatën.
Ashtu siç paralajmërohet që nga faqja e parë, kjo revistë është botim i Shoqatës “Bashkimi” në Uster të Zvicrës,e cila me punën e saj është bërë shembull i ruajtjes dhe zhvillimit kulturor të shqiptarëve në këtë anë. Thënë shkurt ky numër i dedikohet Panairit të Librit “Diaspora 2019” të organizuar me datën 15. Shtator 2019 në Sallën e qytetit në Uster, duke bashkuar një numër të konsiderueshëm krijuesish të mërgatës shqiptare, shtëpi botuese dhe dashamirë të librit me moton “udha e librit deri në diasporë”.

E gjithë kjo përshkruhet në faqet 11-16, ku lexuesi ka mundësi të lexoj, se si kjo Shoqatë e vyeshme arriti të organizoj me forcat e veta një Panair Libri me përmasa të këtilla. Në njoftimin e saj shihet qartë një falënderim për të gjithë ata që punuan dhe vepruan në shërbim të realizimit të Panairit. Dhe pastaj në shkrimet e autorëve të ndryshëm si Rexhep Rifati, albinfo.ch. , Lirim Begzati etj.,do të sjellin në faqet e revistës një mori shënimesh nga dita e Librit. Vend të merituar në revistë zënë nxënësit e shkollave shqipe, pjesëmarrës të konkursit letrar në Panairin e librit, fëmijët, të cilët sëbashku me prindërit e tyre kishin ardhur për të qenë sa më afër librit, për të dëgjuar fjalët e shkrimtarëve dhe natyrisht më të mirët për të marrë shpërblimet e merituara – dhuratë nga Shoqata “Bashkimi”.
Materialet e trajtuara marrin katër pamje: aktivitete kulturore, prezantim të anëtarëve dhe grupit të valleve, letërsi dhe duke e mos e harruar shkollën shqipe si vatër të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës amtare. I gjithë ky kolorit të jep një pamje kuq e zi.
Revista mund të lexohet me një frymë dhe në fund të saj pa dashtë rrjedhin fjalët: Ju lumtë anëtarë të shoqatës “Bashkimi”, sepse vetëm me punë iu mbyllet goja smirëzive, atyre që e pengojnë rritën e shkollës shqipe dhe ruajtjen e kulturës shqiptare.
Dhe fare në fund mund të themi se kjo revistë posa ta marrësh në dorë të bënë për vete, me materialet që trajton, me fotografitë që i japin gjallëri revistës dhe e përshkruajnë mjaft bukur angazhimin e këtyre të rinjve në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura