VAXHID SEJDIU: FILOZOFIA POLITIKE E UKSHIN HOTIT THEMEL I SHKOLLËS POLITIKE KOMBËTARE

Zvicër, 16. 05. 2016: Sot, më 16 maj 2016 bëhen saktë 17 vjet nga dita kur Ukshin Hotin, gardianët e burgut famëkeq të Dubravës (afër Istogut), e nxorën në ora 11.00 nga hapësirat e burgut, gjoja për ta “lënë të lirë”. E diela e zezë e vitit 1999, do të largoj një ditë para kohe të burgosurin politik shqiptar, duke mos dhënë kurrë asnjë arsyetim, se ku përfundoi ai, se pse u lëshua një ditë më herët? – se pse u lëshua ditën e diel? – ditë e cila nuk ishte zakon për lëshimin e të burgosurve politik. Kjo tragjedi e shekullit bart me vete edhe anën tjetër të medaljes, si është e mundur që institucionet tona politike, akademike dhe intelektuale, që 17 vjet të mos e kërkojnë uraganin e mendimit politik kombëtar, profesor Ukshin Hotin në mënyrë institucionale, nga institucionet ndërkombëtare.
Filozofia politike e Ukshin Hotit, themel i shkollës politike kombëtare
Parashtrohet pyetja, pse filozofia politike e prof. Ukshin Hotit duhet të jetë themel i shkollës politike kombëtare? – Përgjigja është shumë e shkurt dhe tepër e qartë.
Ai ishte ndër të rrallët që realitetin politik shqiptar e shihte nëpërmjet të vërtetës shkencore dhe si të tillë e vinte në funksion të interesave të popullit shqiptar, në funksion të lirisë, në funksion të së drejtës ndërkombëtare. Kërkesat e popullit shqiptar në Jugosllavi nuk i shihte nëpërmjet Kushtetutës jugosllave por në kohezion me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën historike të popullit shqiptar për bashkim. Ai hyn në mesin e intelektualëve të pathyeshëm të kombit, i cili me qëndrimet dhe veprimet e tij politike dhe kombëtare tronditi jo vetëm sistemin politik jugosllav por edhe mendësinë politike shqiptare. Asnjëherë nuk e barazoi kolltukun me idealin. Nuk arriti ta thyej okupatori, por nuk arritën ta lëkundin nga qëndrimet e tij kombëtare, as politikat lavire të kohës në Kosovë. Ishte në luftë me të gjitha strukturat që ruanin status-quon, me pushtuesit, që ia kishin vënë lakun në fyt popullit shqiptar, me arsyetimet bajate të komunistëve krahinor në Prishtinë etj. Ishte njohës i mirë i forcës politike të pushtuesit serbosllav, por edhe i vetëdijshëm për rolin e disfatistëve shqiptarë, për rolin e atyre të cilët në rend të parë kishin pushtetin dhe jo lirinë. Asnjëherë nuk bëri kompromis me lirinë e popullit shqiptar, por lirinë dhe forcën e këtij populli e shihte në bashkimin e tij. Qëndrimet e tij njerëzore përputhen me qëndrimet e tij politike në letër dhe në vepër. Si i tillë, mbeti gjithmonë i shënjuar dhe i luftuar nga grupet e ndryshme politike që vraponin pas organizimit politik nën dhe jashtë hijes së Beogradit. Janë të shumta dëshmitë që pushtuesi i kishte nxjerrë përballë tij, por po ashtu të mjaftueshme janë dëshmitë që shqipfolësit i nxirrnin kundër organizimit të tij politik.

 

Mendimet e tij ishin fakte shkencore, të cilat bazoheshin në Deklaratën e Përgjithshme mbi të drejtat e njeriut të OKB-së. E thoshte me shpirt se “Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe në të drejta”. Qëndrimet e tij motivoheshin nga karakteri historik i shqiptarëve, të cilat së bashku e shtynin të veproj me vendosmëri ndaj zyrtarëve politik të kohës.
Ai ishte vizionar. Qysh në vitin 1991 tërhoqi paralele duke paralajmëruar se shqiptarët nuk kanë nevojë për zëvendësime të kota, për prova politike që nuk çojnë askund, për ndërrime pushtetesh , por shqiptarët kanë nevojë për liri, barazi dhe demokraci autentike. Ai shënjonte pseudot në të gjitha lëmit e jetës duke i dhënë frymë mendimit të lirë. Prandaj ishte kundër “zëvendësimit të një monizmi me një monizëm tjetër”. Ai ndër të parët kishte përqafuar demokracinë, por duke mos e mohuar elementin historik: “demokracia do të duhej të ngrihej në mbështetje të trashëgimisë pozitive të kontinuitetit politik të historisë së pandërprerë të popullit.”
Nëpërmjet ligjëratave politike i kishte përcaktuar qartë raportet serbo-shqiptare, si dhe të gjitha mënyrat e veprimit në drejtpeshimin politik.
Kosovën e shihte formalisht në gjendje okupimi, prandaj bashkëveprimi politik ishte më se i nevojshëm, por esencial dhe jo sipërfaqësor.
Ishte vazhdimisht në kontakt dhe në lëvizje me studentët, punëtorët, fshatarët dhe të gjitha shtresat e popullit shqiptar që kundërshtonin të keqen e madhe – komunizmin jugosllav apo okupatorin serbosllav, i cili me dekada kishte nxjerrë shqiptarët nga binarët e jetës. Zhvillimet politike në Kosovë, i shihte nën hijen e zhvillimeve demokratike në Evropë. Ai për të gjitha pyetjet politike, kishte përgjigje reale, të qartë, konkrete…
Ekzistencën e shtetit e njihte përmendësh dhe për këtë arsye, ekzistenca e tij do ta kishte shpëtuar Kosovën e sotme nga kjo amulli politike, nga kjo ngarkesë e panevojshme partish dhe pushtetesh. Zhvillimin e një shteti normal siç ishte rasti i Kosovës e kishte ëndërr jete. Në të gjitha paraqitjet e tij politike e përkufizonte atë me gjithë forcën ekonomike, kulturore, historike por edhe politike. Ishte i rrallë ndër të rrallët. A thua pikërisht për këtë vertikalitet njerëzor dhe intelektual duhet të kryqëzohej.
Cila është papërgjegjësia politike e kombëtare ndaj Ukshin Hotit
E para, të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës nuk kanë bërë asgjë në mënyrë institucionale për ta zbardhë rastin në fjalë,
E dyta, ku ka përfunduar peticioni me nënshkrimet e mbi 13.000 qytetarësh të Rahovecit, të cilat i janë dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, për zbardhjen e rastit në fjalë,
E treta, ku janë dy akademitë ajo e R. së Kosovës dhe ajo e R. së Shqipërisë që këtë rast nuk e ngritën në rast ndërkombëtar për të kërkuar ndriçimin e tij,
E katërta, ku janë partitë politike shqiptare në Kosovë, Shqipëri, IRJM….., të cilat me një mobilizim në shkallë kombëtare, do të kishin tubuar me miliona nënshkrime, dhe duke i dorëzuar në dyert e Gjykatës së Hagës, do të kishin ndriçuar rastin në fjalë dhe do të kishin akuzuar pushtuesit për krime ndaj personave të pambrojtur, ndaj të burgosurve….
E gjithë kjo skenë… e këtillë të lë pa fjalë.

Walenstadt, 16.05.2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura