VEDAT M.RESHITI – PUNËTOR, TRIM E ATDHETAR I VËRTETË, SHEMBULL I HUMANIZMIT DHE I FRYMËZIMIT

Pashtriku.org, 30. 10. 2015: (Në 15 vjetorin e vdekjes) – Lindi në fshatin Bresanë më 20 nëntor 1967. Ishte fëmija i katërt i bashkëshortëve Meleq e Zybije Reshiti. Rrjedh nga një familje me traditë atdhedashurie e cila ishte halë në sy e pushteteve antishqiptare në këto troje. Stërgjyshi i tij, Meleqi, një personalitet i shquar i kohës dhe një besimtar i devotshëm, kishte rënë dëshmor në luftën e njohur të Çanakalasë në Turqi (1914) duke u përballur me forcat greke. Meleqi, emrin e të cilit do ta trashëgonte i ati i Vedatit, kishte lënë dy fëmijë të vegjël jetimë (Nurijen 2 vjeçare dhe Reshitin 6 muajsh). Këtë të dytin nuk e kishte parë kurrë! I rritur me shumë varfëri, vuajtje e peripeci, gjyshi i Vedatit, Reshiti qysh si fëmijë kishte marrë rrugët e botës për ta siguruar kafshatën e gojës dhe mbijetesën për gjashtë fëmijët e tij (3 djem e 3 vajza). Edhe Reshitin, ngjashëm më babain e tij, lufta e gjen të mobilizuar në radhët e partizanëve duke u përballur me golgotën e shqiptarëve. Ai i kishte shpëtuar për një fije floku masakrës së Tivarit dhe një sulmi në Trieshte. Tivari dhe Trieshta ishin një mësim i mirë përse nuk duhet besuar përrallave për vëllazërim-bashkim me popujt sllav në ish-Jugosllavi.
Reshiti gjatë punës së tij si teknik i ngrohjes në radio Beograd, mëson shkrim-leximin si autodidakt dhe nga takimet që ka pasur me personalitete e intelektualë të kohës brumoset me ide e ndjenja kombëtare dhe të njëjtat i bart tek fëmijët dhe nipërit e tij. “Kishim luftuar që Kosova t’i ribashkohet Shqipërisë, por na tradhtuan”- thoshte shpeshherë gjyshi Reshit teksa u shpjegonte nipërve të tij për tradhëtinë që kishin bërë komunistët jugosllavë… Këto rrëfime të gjyshit kishin rol kyç në edukimin patriotik të pasardhësve të tij, në këtë rast edhe të Vedatit tek i cili ishte brumosur urrejtja ndaj pushtuesit serbosllav. Kjo urrejtje do t’i shtohej edhe më tepër gjatë shërbimit ushtarak në ish-armatën Jugosllave ku shërbeu në vitin 1987-1988 në të njëjtën kazermë ku kishte shërbyer Aziz Kelmendi, i vrarë nga eprorët e tij pak përpara se ta përfundonte shërbimin ushtarak në një sulm të inskenuar ku humbën jetën edhe disa ushtarë të nacionaliteteve të ndryshme dhe faji për ato vrasje iu la Aziz Kelmendit. Kjo krijoi një klimë urrejtjeje antishqiptare, urrejtje të cilën do ta përjetonte në lëkurën e tij edhe ushtari Vedat Reshiti…

Vedat (Meleq) Reshiti (20.11.1967 – 29. 10. 2000)

Grevën historike e minatorëve të Kosovës e vitit 1989 që qe shndërruar në rezistencë gjithëpopullore demokratike e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën, Vedati e përjeton si moment të rëndësishëm. Ai tashmë ishte një djalë i pjekur dhe e dinte që vetëm të bashkuar dhe duke i rezistuar pushtetit serb, Kosova mund të çlirohej dhe të pavarësohej e t’i bashkohej shtetit mëmë. Vedati u bë një nga organizatorët dhe pjesëmarrës aktiv në të gjitha protestat e demonstratat e organizuara në mbështetje të minatorëve dhe në kundërshtimin e ndryshimeve kushtetuese të cilat i hiqnin Kosovës edhe atë pak autonomi që ia garantonte kushtetuta e vitit 1974.
Rezistenca paqësore e viteve 90-ta ndonëse ishte përqafuar nga një pjesë e madhe e popullit shqiptar, Vedatit nuk i bënte përshtypje. Ai pothuajse në çdo takim e ndejë e përsëriste se shkaun nga Kosova mund ta largojë vetëm lufta. Ngjarjet që do të pasonin i dhanë të drejtë plotësisht këtij mendimi të Vedatit.
Themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e gëzoi atë pa masë. Ky qëndrim i hapur në përkrahje të UÇK-së, Vedatit i kushtoi shtrenjtë.
Në vitin 1998, atë e arreston policia serbe dhe e keqtrajton e rrah brutalisht për 10 orë rresht në stacionin policor në Dubravë afër fshatit Zym. Krahas policëve serb që e goditnin pamëshirshëm me shufra gome e kondakë automatiku, pjesëmarrës në tortura ishte edhe polici shqiptar Xhylbehari, i njohur si Xhura dhe një polic i etnitetit goran me emrin Bajram. Të gjitha këto tortura ia bënë në emër të kërkimit të një arme e që më vonë doli se ishte skenar i përgatitur nga udbashi shqipfolës Lulzim Neziri!
Pas këtij torturimi çnjerëzor, Vedati kishte vendosur që për të gjallë mos t’ju binte në dorë policëve serbë. Ai pak ditë pasi e kishte marrë vetën nga plagët e shkaktuara, shkon në Shtabin e UÇK-së në Vërri, përkatësisht në fshatin Jeshkovë ku shpreh vullnetin për t’iu bashkëngjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Drejtuesit e Shtabit pasi ia marrin shënimet, i thonë se duhet të kthehet në Opojë dhe të angazhohet në themelimin e Brigadës së Opojës…
Pas dëbimit me dhunë të popullatës së Opojës për në Shqipëri, Vedati mbërrin në Kukës me familjen e tij dhe pasi i sistemon familjarët, vendos kontakte me Shtabin e UÇK-së në Kukës.
Më 14 prill 1999, realizon ëndrrën e tij të kamotshme për t’u bërë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Eprorët e caktojnë në Brigadën 138 “Agim Ramadani” si ushtar në Njësitin e Ndërlidhjes të cilin e komandonte Gani Begu. Gjatë shërbimit në këtë njësit shumë të rëndësishëm të UÇK-së, Vedati shquhet për guxim, trimëri e devotshmëri.
Pak para përfundimit të luftës, më datën 10 qershor 1999, gjatë granatimit të forcave serbe në pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare, Vedati plagoset në pjesë të ndryshme të trupit, të shkaktuara na copëza të predhave. Në punktin e mjekësisë ushtarake në Padesh i bëhet trajtimi i plagëve dhe mbahet nën mbikëqyrje për disa ditë. Ende pa iu shëruar mirë plagët, Vedati rikthehet në njësitin e tij dhe vazhdon kontributin deri më datën 19 shtator 1999 kur demobilizohet vullnetarisht për të rifilluar jetën pranë familjes së dashur. Ai, iu përkushtua punës së pareshtur për të ndërtuar në Kosovën, tashmë të lirë, një jetë me më shumë kuptim.
Megjithatë, plagët e marra në luftë të cilat ishin më të theksuara në pjesën e pasme të kokës, në qafë dhe në gjymtyrë, kishin lënë pasoja tek Vedati. Ai shpeshherë ankohej për dhimbje të tmerrshme në kokë dhe humbje të ekuilibrit. Këto plagë dolën të jenë të kobshme për Vedatin. Një vit e ca pas përfundimit të luftës, gjegjësisht më 29 tetor 2000, derisa po e ngiste traktorin, humb ekuilibrin dhe rrokulliset nga një lartësi rreth 30 metrash duke ngelur i vdekur në vend.
Vedat Reshiti ndërroi jetë, duke na lënë të gjithëve peng kujtimin më të mirë për të, shembullin më të mirë se si duhet jetuar jeta në mënyrë aktive e plot kuptim. Ky djalosh fjalëpak e zemërmirë, punëtor e trim, atdhetar i vërtetë, i pajisur me cilësitë më të mira njerëzore, do të mbetet përjetë në koshiencën tonë, shembull i humanizmit dhe i frymëzimit. Respekti ynë për të është i përjetshëm.
Varrimi i të ndjerit u bë të nesërmen më 30 tetor 2000 në praninë e qindra pjesëmarrësve, në mesin e të cilëve shumë bashkëluftëtarë të tij.
Vedati ka lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë si dhe kujtimin e përjetshëm për të.

(Nga Demir Reshiti, Bresanë, 29. 10. 2015)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura