VËSHTRIM KRITIK PËR LIBRIN «NËPËR SHTIGJET E LUFTËS»

VËSHTRIM KRITIK PËR LIBRIN «NËPËR SHTIGJET E LUFTËS»

Nga Fehmi Berisha

Porsa fillojmë ta lexojmë librin e përgatitur nga shkrimtari Agim Sylejmani, shohim se kryetemë e librit është atdheu dhe dalëzotësit e tij, të cilët nëpër dekada fluturuan maleve për t’u sjellë rreze e ndriçuar të vërtetën e fshehur dinakërisht, gjatë moteve nëpër trojet tona të lehura e të kafshuara prej qenve.

Ndër shekuj mbi atdheun tonë zbrazeshin rrufe, të cilat jo vetëm këmbë e duar por donin të na e lidhnin edhe gjuhën. Pas tradhtisë që na e kishte bërë PKJ, nuk kishim kapacitet as ne të mbeturit në Jugosllavi e as Shqipëria, që bashkimin kombëtar, asokohe, ta realizonim përmes armëve.

Aparatura shtetërore me të gjitha mjetet provoi të na e shlyente kujtesën, të na zhveshte nga mitet dhe simbolet, të na zhveshte nga vlerat dhe identiteti ynë kombëtar. Provonin të na bënin jugosllavë. Ashiqare shihej se Jugosllavisë iu rrit oreksi të zgjerohej tutje në trojet shqiptare dhe të dilte në detin Adriatik. Gjithë veprimtaria e saj dëshmonte qëllime gllabëruese imperialiste.

Një tragjedi e tillë e përgjakshme rinin intelektuale i shtyu të vetorganizoheshin, të rreshtoheshin pas Jashar Alisë, fillimisht, në celula e grupe dhe ngadalë deri në organizata.

Burgosjet, përndjekjet, sipas planit të Çubrilloviqit, masakrimet deri në gjenocid, nga regjimi i cili Kosovën dhe Iliridën i donte pa shqiptarë, veprimtarët si Jasharin me shokë nuk i frikësuan. Përkundrazi, ata të mbushur me mllef u shtynë të hidheshin në veprim.

E drejta për vetëvendosje, sipas kartës së OKB-së, iu mohuan shumë etniteteve gjithandej globit, si p.sh. baskëve, katalonëve, irlandezëve, e poashtu na mohohej edhe neve, sepse Evropa, kinse e modernizuar dhe demokratike, nuk i priste me kënaqësi lëvizjet etnike, kombëtare, dhe qëllimin e tyre seperatist e të drejtën për vetëvendosje. Jo, se brënda gjirit të vet kishte dhe ka edhe sot më se 94 Kosova, ndaj i shtinte veshtë në lesh dhe nuk e dëgjonte thirrjen e grupeve revolucionare çfarë ishte edhe GRK-ja e Jashar Alisë, grup i cili e njihte mirë Programin e Demaçit, ndaj Kadri Osmani, Jashar Alia dhe mijëra shokë e shoqe u desh të lajnë muret e burgjeve jugosllave me gjakun e tyre dhe asnjëherë të mos ndalojnë, përkundër vuajtjeve e dhimbjeve, derisa ja dolën të organizojnë demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981, të cilat qenë hapi i parë i UÇK-së.

I vetëdishëm se kulturat e larta kombëtare mund të mbahen në këmbë vetëm nga sistemet e standardizuara të edukimit publik dhe të organizuara nga shteti e që, këtë mundësi, ne të okupuarit nuk e kishim, Jashar Alia me shokë gjeti rrugën për t’ia arritur qëllimit dhe u angazhua të themelohet Grupi Revolucionar i Kosovës, në kuadër të të cilit zhvillohej aktivitet atdhetar duke iu kundërvu sistemi jugosllav, i cili përmes makinerisë shtypëse na kishte poshtëruar dhe nuk kishte lënë mënyrë pa provuar për të na e shlyer trashëgiminë autentike, pra, kujtesën, mitet, simbolet, por edhe gjuhën. Ndaj, ky grup gjeti rrugën për realizimin e ëndrrës së shumë gjeneratave, që këto pjesë t’i bashkohen trungut, pra nënës Shqipëri dhe të mbaj, çelnikosë e t’i bëjë të pavdekshme vlerat kombëtare. Për këtë qëllim, me vetëdije të lartë dhe me guxim, Jo, tha Kadri Osmani, themelues i Grupit. Jo, thanë anëtarët e Grupit Jashari, Binaku, Xhaferi, Meta, të cilët kishin një ngritje solide intelektuale dhe e njihnin mirë filozofinë e Zhan Zhak Rusosë dhe tezat e tij, posaqërisht atë për kombin, e cila thoshte: kombi, siç ka kufij të natyrshëm, ka një origjinë dhe një vend të caktuar në natyrë, si dhe karakter e mision të veçantë dhe nuk ka ndonjë dallim mes tij dhe etnisë, sepse të dyja janë të barabarta si pjesë të rendit të natyrës, derisa nacionalizmi i liridashësve është veti natyrore.

Grupi Revolucionar i Kadriut, Jasharit, Xhaferit, Binakut, i njihnin shumë mirë dhe i përcillnin edhe lëvizjet nacionaliste gjithandej nëpër Europë, siç ishin lëvizja e bretonëve, ajo e flamanëve, pastaj lëvizjet për autonomi politike në Angli, Spanjë, Holandë, Irlandë e gjetiu, prandaj u ngritën. U ngritën rrëmbyeshëm, u ngritën si vullkan e flakadan, duke ditur mirë, se me popujt me të cilët na ishte imponuar të jetonim na veçonte gjuha, tradita dhe historia politike.

Mes grupeve të shumta të asaj periudhe, ballë oxhakut qëndronin LRBSH e Adem Demaçit dhe Grupi Revolucionar i Kosovës. Ky i fundit, në ato kushte e rrethana, ia kishte dalë ta nxirrte edhe revistën “ZËRI I KOSOVËS”, përmes së cilës shpalosnin pikëpamjet dhe qëllimet liridashëse, duke trasuar rrugën e lirisë dhe bashkimit kombëtar.

Ajo revistë me artikujt e saj kallte gurin dhe ndizte gjakun e rinisë tonë e cila, jo në numër të vogël, jetonte në mjegullë, sepse regjimi jugosllav përmes lakejve të tij, të tipit Azem Vëllasi dhe garnitura, me të gjitha mjetet joshëse e stimuluese i ushqente me brumin dhe helmin jugosllav, duke ua shpërlarë trurin dhe kujtesën historike dhe duke shkruar poezinë jugosllave për “bratstvo-jedinstvo”.

Këtë helm të poezisë jugosllave për “bratstvo-jedinstvo”, grupi i Jashar Alisë me shokë, duhej ta largonin me urti nga kokat e rinisë së pafajshme, por të mashtruar nga regjimi dhe lakejtë e tij.

Grupi Revolucionar i Kosovës, asokohe, kishte ideologji të majtë.

E kuptueshme.

E kuptueshme, sepse shteti amë Shqipëria, ishte i vetmi shtet që na mbështeste në kërkesat dhe veprimet tona, ishte shtet socialist.

Kjo për kohën ishte domosdoshmëri edhe për shtetin amë edhe për grupet tona të organizuara klandestine, për të cilat mund të thuhet se ishin të vetëdishme që ideologjitë vijnë e shkojnë, por nacionalizmi dhe ndjenja e fortë e identitetit kombëtar mbesin të qëndrueshme.

Këto lëvizje, bota e shëndetshme dhe e qytetëruar i shihte si pozitive, por ashtu nuk i shihnin qeveritë byrokratike të Evropës kapitaliste, të cilat nuk donin t’ia prishnin rehatinë vetes dhe gjithëherë ishin në anën jugosllave. Nuk i shihte pozitive as Bashkimi Sovjetik, si baba i sllavizmit. Me ne ishte vetëm nëna Shqipëri, në krye me gjeniun e strategun Enver Hoxha, i cili me mësimet dhe porositë e tij të kujdesshme na mbante gjallë dhe krijonte e çelnikoste bindjen për fitore.

Sipas shumë sociologëve, etniciteti edhe pse është thelbësor për kuptimin historik, megjithatë, lidhjet etnike janë mbi çdo besnikëri tjetër, por ka ndodhur që, etni të caktuara edhe kanë humbur vitalitetin, janë zbehur dhe fishkur për t’u ringjallur nga forca të jashtme.

Pikërisht këtë nuk e lejuan atdhetarët shqiptarë, si Jashar Alia me shokë.

Për veprimtarinë atdhetare, themeluesit e këti grupi jetëgjatë në veprimtari, u arrestuan dhe u dënuan me shumë vite burg të rëndë Serbie. Asnjëri prej tyre, edhe kur prangat shtërngonin e kërcitnin eshtrat dhe provonin torturat më të përbindëshme, nuk u thyen dhe nuk ndaluan këngën. Forcë i jepnin njëri-tjetrit, por forcën e merrnin edhe nga anëtarët e familjeve gjatë vizitave, duke parë qëndrimet e tyre stoike. Njëra nga modelet ishte edhe nana ZUKË.

Personazhi i këtij libri Jashar Alia, veprimtari i radhëve të para në lëvizjen atdhetare, gjatë jetës, nëpër dekada kishte vepruar sipas ndërgjegjes së tij. Në këtë intervistë shihet që është tepër modest dhe me fjalë të kursyera gjatë gjithë rrëfimit. As me një rresht të vetëm nuk gjenë retorikë, mburrje dhe as fryrje për ngjarjet të cilat i rrëfen. Edhe më i kursyer dhe modest tregohet, kur është fjala të kritikojë defektet si bajraktarizmin, xhelozinë, prirjen për t’u dukur e defekte tjera, të cilat herë-herë edhe na kanë përcjellë gjatë veprimtarisë klandestine si grupe dhe akterë të tyre, posaqërisht gjatë burgjeve dhe pas daljes prej atje.

E them këtë me argumentin kokëfortë se ne, armata e të burgosurve politikë, lëre që nuk ia dolëm ta themelojmë subjektin dhe platformën tonë politike e të vepronim bashkë tutje, ballëlartë e krenar, por u thyem deri te Lëvizja me adresë dhe Lëvizja pa adresë, duke u shkapërderdhur nëpër subjekte e grupacione të pa dëshmuara, pasive e të stërkequra të kohës, duke ua krijuar atyre mundësinë e hapësirën për të na penguar në rrugën dhe qëllimet tona, e besa edhe për t’u dhënë hapësirë të na denigrojnë e përbaltin.

Edhe veprimtari i radhëve të para, kurrë i lodhuri, Jashar Alia, i cili kishte vepruar me mish, me shpirt e me mendje për ta përmbyllur me fisnikëri të drejtën e shqiptarëve për të jetuar në një shtet, ndonjëherë, mbase edhe me shtytjen e shokëve, të cilët i respektonte dhe i donte pa hile, edhe kishte rrëshqitur lehtë, pa dëme të mëdha. Kishte gabuar, siç e thekson vetë, që ishte antarësuar dhe angazhuar në lëvizjen pacifiste të Ibrahim Rugovës, e cila bashkë me akademikët e vetë, luajti rolin e cenzorëve, bash siç luanin anëtarët e Komitetit të Partisë Komuniste dhe inspektorët e UDB-së me turmat e veta vigjilente, të cilët në fund, në momentin vendimtar, haptas nxorën brirët dhe i mprehën edhe kundër UÇK-së së Jashar Alisë dhe shokëve të tij. Brezi i Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Fehmi Lladrovcit ishte meritë e grupeve klandestine të viteve të pas Luftës së Dytë Botërore dhe posaqërisht e LRBSH-së dhe GRK-së, të cilat drejtoheshin nga ideologjia e Adem Demaçit, Kadri Osmanit, Jashar Alisë dhe shokëve të tjerë.

Kundërshtarët, si LDK dhe e ashtuajtura Qeveria Bukoshi, fatbardhësisht edhe pse nxorën e mprehën brirët, dështuan turpshëm. Por, është për t’u habitur, që ai kor ushujzash i atyre viteve vazhdoi denigrimin tonë edhe pas lufte, vazhdon edhe sot, sepse shokët tanë të cilët udhëhoqën luftën, pas përfundimit të saj, me ngut, të tillët i strukturuan nëpër institucione shtetërore e mediale!

Nuk pati asnjë kriter për gjithë këtë proces. Ndaj shtrohet pyetja: në bazë të çfarë arsyetimi u damkosën e u gjykuan veprimtarët e veteranët e Lëvizjes Kombëtare? Kjo pyetje nuk mori përgjigjje as dje, as sot, dhe nuk besoj që do të merr as nesër.

Eshtë e trishtueshme dhe neveritëse, se si sot, zëdhënësit e institucioneve famëkeqe të strukturave më të dyshimta të Jugosllavisë, janë shndërruar në pararojën e vigjilencës “patriotike”, duke pandehur se ky zell i dyshimtë i tyre, u jep të drejtë të hedhin baltë mbi dëshmorët e vdekur dhe të gjallë, si bartës të veprimtarisë dhe luftës, të cilat e përafruan bashkimin kombëtar.

Unë e shoh edhe një anashkalim, mbase të pa qëllimshëm, por gjithësesi të gabuar e, ky ishte veprimi i një grupi shokësh, të cilët pasi në mënyrë të organizuar lëshuan radhët e LDK-së, anashkaluan Partinë Parlamentare dhe Adem Demaçin, i cili ishte në krye të saj dhe përzgjodhën profesor Qosjen me të cilin e themeluan Lëvizjen e Bashkuar Demokratike.

Si përfundim do të shtoja, që pas mbarimit të luftës të UÇK-së, pjesë e së cilës ishte edhe Jashar Alia, dhe jo vetëm pjesë, por siç e ceka më lart, ishte trasues i asaj rruge, ai bashkë me shumë të dënuar politikë të tjerë “u harruan”. U harruan nga shokët më të ri, të cilët morën ta udhëheqin shtetin e ri të Kosovës. Atyre shokëve u mjaftoi vetvetja dhe harruan veprimtarët e radhëve të para, të cilëve nuk u bënë vend askund, sepse koha tregoi, që atyre nuk u vinte turp dhe as nuk frikësoheshin, ndaj bashkë me ish-lakejtë e LKJ-së, nuk lanë të ligë pa bërë. Ndjehem mirë, që Jashar Alia dhe shumë shokë të tjerë, madje as vet Adem Demaçi, nuk u gjetën mes tyre.

Personazhi i këtij libri bashkë me shokë, u mbetën besnikë dhe stoikë idealeve të tyre dhe me mbarimin e luftës konsideruan se kishin përfunduar misionin e tyre.

Jashar Alia – veteran i veprimtarisë atdhetare, sot jeton në Zvicër, por është vizitor i shpeshtë i atdheut. Ai tash mirret me krijimtari letrare. Deri më tash ka botuar disa libra. I dëshiroj shëndet dhe suksese të tutjeshme në fushen e letrave shqipe Jasharit dhe poashtu suksese të tutjeshme i dëshuroj edhe krijuesit Agim Sylejmani!

________________

JASHAR ALIA – FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

Nga Xhevat Zekaj

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura