Nga Rexhep Kasumaj, Dimër, 2024
Viktima letrare
(Mbi lirinë, gjithmonë)
1.
Udhëtari i rrallë kishte një trazim. Një mall që i veshte sytë. Bënte rrugën e gjatë për të parë, pas shumë kohësh, të birin që punonte cembalist në oborrin e Fridrichut të Prusisë.
Ishte ky Johan Sebastian Bach, muziktari i famshëm i Leipzigut. Kantori që ndrinte si një yll në qiellin e shpirtërave të epërm të Europës.
Me të marrë vesh se gjendej në Potsdam, mbreti dha urdhër t’a sillnin menjëherë në kompleksin e fortesave përrallore të Sanssouci-së. Madhëria e tij, adhurues muzike, madje dhe vetë flautist i pasionuar, kishte mbushur ambientet përplot instrumentë muzike mondane.
Fisnikëria e lartë oborrtare e Potsdamit do mblidhej një mbrëmje gjithë entuziazëm për të ndjekur Mjeshtrin e largdëgjuar.
Por askush s’e priste që, si për t’a sfiduar, më parë do ulej në piano vetë Naltmadhnía duke kërkuar nga Bach-u një punë të vështirë. Fillimisht ishte një temë ndërthurëse trenotshe që mjeshtri do t’a luante me lehtësi rutine. Mirëpo sovrani s’do ndalonte me kaq. Ndoshta kje smira e lavdisë që ai të rëndonte kërkesën: deshironte temën gjashtënotshe!
Aherë Bach-u u ndal. Rrudhi ballin dhe, pasi u mendua, kërkoi ndjesë. Nuk e bëj dot, tha me një zë pak të shuar…
Por ai i premtoi Fridrichut se do t’a kryente njëj dite që do behte shpejt në jetën e tij. E, vërtetë, me t’u kthyer në Leipzig i hyri punës. Shkroi veprën dhe ia dërgoi monarkut të Prusisë në Potsdam. Po ai, për çudi, kurrë nuk do t’i kthente fjalë: as mirënjohje, e as refuzim.
Dhe veprën që Bach shkroi me porosinë e Sundtarit, titullohej rebelshëm “Viktima muzikore”!
2.
Po kush, vallë, ishte këtu “viktima”? E ardhshme. Përfundimtare. E orës së mbramë kur shkëlqimi venitet dhe uniforma e fuqisë njëshbëhet me dheun, me baltën e mërzitshme…
Nëse aktkrijimi dukej t’përçonte dëgjesë – titulli simbolik manifestonte revoltë. Përbuzje. Madje mallkim: ja ku e ke, ti dhunëtar i mendjes së lirë…
E pra, sërish: ishte i pari që, pa krahë flatrimi, rivalizonte, përulte e smironte? Apo i dyti që i përkiste një mbretërie tjetër eterike që nuk njeh vdekjen: pa skeptër, shpatë tehgjakosur, shërbëtorë, skllevër?
Anipse i dedikohej Fuqisë verbtane, vepra flijuese i shërbente Lirisë. E quajtur “viktimë”, ajo pikturonte një kohë mbi farën e së cilës do ftilloheshin mote të tjerë ende më të turbullt e mortorë.
Por “gjashtënotshi” i bekuar dërgonte n’për mjegull kumtin çlirues. Kënga, vargu poetik a një mendim dritësor refuzojnë diktatin. Dhe, poaq, armët e tij: dogmën, kanunet, disiplinimin
e shkrimtarisë. I përtall fshehur përkohësisht dhe i mposhtë hapur përjetësisht!
3.
Tashmë ka marrë formën e gojëdhënës: fragment tepër shembullor për t’reflektuar tabllonë e epokës. Është një shkëputje miljeu ku shkollat vertikale dhe penat zyrtare ndrydhnin ata që ishin më të gjerë se doktrina dhe më të mëdhenj se Rendi që i farkonte.
I kishte shkuar njëherë Esad Mekulit një skriboman. Nga çanta e rëndë plot pluhur province, nxori tregimin dhe e vuri ngadalë mbi tryezë. Natyrisht, si rridhte më pas nga pyetja disi qortuese, s’kishte asnjë shpresë.
Ç’lexoni ju, shok shkrimtar, do t’a qesëndiste pak redaktori legjendar. Për nder, me thënë të drejtën, murmuroi ndër dhëmbë tregimsjellësi, unë lexoj kryesisht shkrimet e mia!
Dhe ky ishte prototipi i armatës të cilët, ngjizja unike e injorancës dhe lojalitetit, duhej t’i shndërronte në misionarë për brezat.
Ndërkaq, gjenitë e atykëtushëm, të rrallë e vetmuar si yjet mengjesorë, do shtrëngohen të shkruajnë “viktimat letrare” si flijim për lirinë.
Jo vetëm deri vonë kur hetoheshin ëndrrat dhe përgjoheshin të vdekurit, por akoma tani, skutash të ndryshme të botës, zhvillohet kjo betejë. Sa i ashpër është logu midis kopesë që lexojnë vetëveten dhe autorëve të “librave viktimë”, që gazmon dhunëtarët!
Ndonjëherë ngjan që beteja, nga prirjet karakteriale a kalvari i mbijetesës, të turbullojë gjithçka: eprorët, vartësit, shkronjësit, protagonistët, hijet…
Ndoshta Gëte është personifikim i kësaj plotësie dybotëshe: poeti paskësh “bashkuar m’një të vetëm Shpirtin dhe Pushtetin” si do t’pohojë Rothe, historian i dëgjuar. Nuk do magjepsej aspak nga hiri i demokracisë që lindte në Amerikë apo nga flakëzat e revolucionit francez. Pëlqente të ishte hierark në Principatën e Weimarit. Madje, një detaj i parëndomtë biografie që m’rastisi t’a njihja, rrëfente se ai kishte kryesuar një kohë vetë Komisionin e luftës…
Athua t’a ketë mirë Rothe? Bethovenit, fjala vjen, nuk do t’i ndodhte asnjëherë ky njësim i çuditshëm, gati i pamundur…
E, pra, një ditë, në mjegullinën e kronikave, do jetë vështirë të dallosh “viktimën” reale letrare nga frymëzimi i njëmendtë apo shërbesa meskine dhe fshehatare e autorëve të tyre..!