XHELAL ZEJNELI: ARSIMI SHQIPTAR NË MAQEDONI – DEGRADIMI SI PASOJË E PARTIZIMIT TË SKAJSHËM

Shkup, 11. 12. 2013 – Rezultatet e maturës shtetërore në Maqedoni nga lënda e gjuhës shqipe dhe e letërsisë, për shkak të mënyrës se si realizohet provimi, as prej së largu nuk janë tregues objektivë dhe të saktë të cilësisë së arsimit shqiptar në Maqedoni. Në disa shtete të rajonit, provimi i maturës shtetërore zbatohet nën mbikëqyrjen e kamerave dhe pa telefona celularë. Përqindja e nxënësve që nuk e kalojnë maturën shtetërore, p.sh. në Shqipëri dhe në Kosovë është tejet e madhe. Sikur edhe në Maqedoni të viheshin në përdorim kamerat dhe të eliminoheshin telefonat celularë, përqindja e nxënësve që nuk do ta jepnin këtë provim, do të kishte përmasa dramatike dhe tronditëse. Në vitin shkollor 2010-2011, në afatin e qershorit provimin nuk arritën ta japin vetëm 1 % e maturantëve. Pas dy muajve, pra në afatin e gushtit, kaluan të gjithë. Sivjet, provimin nuk arritën ta japin 3,6 % e maturantëve.
Politizimi dhe partizimi i skajshëm i arsimit shqiptar në Maqedoni
– Faktori politik shqiptar në Maqedoni, në lëmin e arsimit zbaton përzgjedhje negative. Për t’u punësuar si mësues, si arsimtar, si profesor në shkollë të mesme, apo edhe si asistent dhe ligjërues në universitet, medoemos të jesh anëtar partie, ose të jesh në shërbim të partisë. Përndryshe, s’ke gjasa të punësohesh as edhe si mësues në ndonjë shkollë katundi. Pa kaluar nëpër listat e strukturave të mesme partiake, nuk mund të punësohesh as edhe si shërbëtor shkolle.

 Në këtë mes pra, nuk merren parasysh kriteret profesionale dhe morale të kandidatit i cili dëshiron të punësohet si edukatore në çerdhen e fëmijëve, si mësues, si arsimtar, si profesor shkolle të mesme, si asistent dhe si ligjërues. Kriter i vetëm është përkatësia partiake. Të jesh anëtar partie, veprimtar, d.m.th. aktivist partie, militant partie, emisar politik i partisë, vjedhës votash i partisë, mbushës kutish votimi, agjitprop i partisë; të kesh varur flamurë nëpër shtylla elektrike, të kesh ngjitur nëpër mure dhe ekspozitura parulla, pankarta, banderola, billborde; të kesh shpërndarë afishe dhe material propagandues partiak nëpër çajtore, byrektore, qebaptore, bastore dhe taverna; ta kesh sharë sa më shumë partinë oponente, të kesh shkruar dhe të kesh botuar shkrime denigruese për partinë oponente dhe ta kesh lëvduar partinë vetanake; të kesh marrë pjesë – bashkë me familjen (me nënën 80-vjeçare të marrë nga shtrati i lëngimit, me bashkëshorten dhe me fëmijët) – nëpër mitingje dhe tubime partiake, duke qëndruar shpeshherë në reshtin e parë të tubimit…
Partitë politike e politizojnë dhe e partizojnë arsimin edhe duke emëruar drejtorë shkollash. Më pas, prej drejtorëve të shkollave partitë kërkojnë të jenë të dëgjueshëm, të jenë instrumente të tyre, t’i zbatojnë urdhrat, kërkesat, dëshirat, nevojat dhe interesat meskine të tyre.
Ndryshe, drejtorin, ose e ndërrojnë, ose nuk e rizgjedhin.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni, në fund të vitit shkollor hartojnë lista me emra nxënësish të cilët kanë prej 7 deri në 12 nota të dobëta dhe të cilët, për interes të partisë, nuk duheshkan të përsërisin. Në këto lista përfshihen dhjetëra dhe qindra nxënës të dobët. Si rezultat i këtij angazhimi partiak, në shkollat që kanë mijëra nxënës, ndodh të përsërisin një numër simbolik i nxënësve, për të mos thënë asnjë.
Kur nxënësit e shohin se nuk ngel pothuajse askush dhe se kalon edhe ai me 12 nota të dobëta, shpeshherë edhe pa shkuar në riprovim, ata akoma më shumë i shpërfillin detyrimet shkollore.
Nuk përsërit nxënësi i cili katër vjet me radhë ka pasur 12 apo edhe 14 nota të dobëta, i cili çdo vit ka pasur nga 100 mungesa dhe ka munguar kur ka dashur, i cili kurrë s’ka marrë çantë në shkollë, i cili kurrë s’ka mbajtur uniformë shkollore, i cili kurrë s’ka pasur stilolaps gjatë orës së mësimit, i cili në një fletore të vetme “ka mbajtur” shënime për 12 lëndë të ndryshme, d.m.th. për të gjitha lëndët.
Po të jetë fjala për një, dy, apo tre nxënës, disi do t’i dilej në krye çështjes. Por fjala është për dhjetëra dhe qindra nxënës të tillë.
Nxënësit e tillë rijnë në të njëjtën klasë me nxënësit e dalluar.
Kjo ndikon që cilësia të ulet në mesatare, për të mos thënë të bjerrë edhe nën mesatare. Në të tilla rrethana, pesa e nxënësit të dalluar (tanimë “të dalluar”), të jetë relative dhe e diskutueshme.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni, në kohën e regjistrimit të nxënësve, hartojnë lista dhe ua dorëzojnë drejtorëve të shkollave, duke kërkuar prej tyre që në shkolla elitare të regjistrohen pa kritere edhe nxënësit të cilët nuk i plotësojnë kriteret e regjistrimit, pra nxënësit të cilët do të duhej të orientoheshin nëpër shkolla profesionale. Që në tremujorin e parë, kjo kategori e nxënësve mbushen me nga shtatë nota të dobëta. Si “rezultat”, nxënësit me 12 nota të dobëta do të jenë katër vjet në të njëjtën klasë me nxënësit e dalluar.
Kjo përzgjedhje skajshmërish negative është në dëm të arsimit, në dëm të cilësisë në arsim, e sidomos në dëm të nxënësve të dalluar.
Mirëpo, partive politike shqiptare në Maqedoni, kjo nuk u intereson fare. Atyre u interesojnë votat, u intereson marrja e pushtetit, qoftë në shkallë vendore, qoftë në atë qendrore.
Në sistemin monist drejtorët emëroheshin prej komitetit komunal të partisë komuniste. Sot emërohen prej degës së partisë – demokratike. Në thelb, midis emërimit të drejtorëve në kohën e monizmit dhe emërimit të të njëjtëve në kohën e pluralizmit, d.m.th. të demokracisë, nuk ka asnjë dallim. Madje, ka që thonë se në komunizëm disi i kushtohej rëndësi cilësisë së kuadrit arsimor dhe atij drejtues. Sot ndërkaq, përzgjedhja negative e kuadrit arsimor dhe atij drejtues, ka marrë përmasa dramatike.
Partizimit dhe politizimit të arsimit sot, të zbatuar nga partitë politike shqiptare në Maqedoni, do t’ia kishin zili edhe emisarët e arsimit të Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalinit.
Shqiptarët nuk duhet të presin se cilësinë e arsimit në Maqedoni do t’ua përmirësojnë maqedonasit.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni ndërhyjnë në punët e shkollave edhe për çështje të tjera, si:
– shëtitjet njëditëshe në natyre apo në ndonjë qytet tjetër;
– ekskursionet pesëditëshe në vitin e tretë të shkollës së mesme;
– kremtimi i mbrëmjes së maturës.
Shpesh ndodh që agjencinë apo ndërmarrjen transportuese e cila e zbaton shëtitjen apo ekskursionin e nxënësve, ta caktojë partia, përkatësisht individë influentë të pushtetit vendor, d.m.th. komunal.
Restorantin apo motelin ku do të drekojnë nxënësit apo arsimtarët me rastin e shëtitjes njëditëshe në natyrë apo në ndonjë qytet tjetër, ndodh ta caktojë partia apo individë influentë të pushtetit vendor.
Hotelin ku do të vendosen nxënësit që shkojnë në ekskursion – po ashtu e cakton partia, përkatësisht individë influentë të pushtetit vendor, d.m.th. komunal.
Kur është fjala për kremtimin e mbrëmjes së maturës, partia apo individë influentë të pushtetit vendor ndërhyjnë në caktimin:
– e studios që do ta kryejë fotografimin e nxënësve;
– të grupit muzikor;
– të restorantit apo të sallonit ku do të kremtohet mbrëmja e maturës.

Në pikëpamje ligjore, çdo gjë duket në rregull, por, çdo lloj tenderi është i kotë. Tenderimi nuk përfillet fare, pothuajse në asnjë shkollë.
Shkollat furnizohen edhe me material konsumues. Ka raste kur edhe furnizuesi i shkollës me material konsumues caktohet me kritere partiake.
Nga sa më sipër rezulton se partive politike shqiptare në Maqedoni nuk u intereson fare cilësia në arsim, por votat, ardhja në pushtet, vendor apo qendror.
Atëherë shtrohet pyetja: kush do ta rregullojë arsimin, si do ta rregullojë dhe kur?!
Shoqëria civile në Maqedoni është në shkallë të ulët. Asaj as që i dëgjohet zëri.
Prindërit kurrë nuk e kanë çelur gojën për dobësitë në arsim. Shumë shpesh qëllon të dëgjosh në çarshinë e qytezës apo të kasabasë refrenin: “Sot s’ka arsim. Arsimi është i shkatërruar…”
Ndonjëri nga këta që ka ardhur në konstatime të këtilla, mbase është edhe prind. Prindërve ndërkaq, u intereson vetëm një gjë: Fëmija i tyre të kalojë shkëlqyeshëm, d.m.th. me pesë. A janë të merituara pesat dhe sa janë të merituara, kjo çështje, asnjë prindi fare nuk i intereson. Prindi ndërhyn që fëmija i tij të kalojë me pesë, apo, po qe se është i dobët dhe ka 12 nota të dobëta – të mos përsërisë. I njëjti prind, pas dy ditëve, të ndalë në rrugë dhe të thotë: “Sot s’ka arsim. Arsimi është i shpartalluar…” Ai harron se një prej rrënuesve të arsimit është edhe vetë ai, ngase kërkon që treshi i fëmijës së vet të bëhet pesë.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni merren:
– me politikë kombëtare, apo;
– me kalimin e nxënësve që notojnë në nota të dobëta?!
Preokupim kanë:
– çështjen shqiptare në Maqedoni, apo;
– mosngeljen e nxënësve që vlojnë nga mungesat?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura