Shkup, 22 dhjetor 2020: Politika që ndjekin VMRO-të bazohet në një ideologji anakronike, retrograde dhe antihistorike. Kjo politikë antirealiste dhe destruktive nuk i kontribuon paqes dhe stabilitetit të Maqedonisë dhe të rajonit. Qëndrimet e Gruevskit se aderimi i Maqedonisë në NATO është një akt më pak i rëndësishëm se ruajtja e emrit kushtetues të vendit, janë antiperëndimore dhe kundër NATO-s.
Pikëpamje identike kanë edhe ultranacionalistët serbë – Koshtunica, Tadiqi, Nikoloqi, Drashkoviqi dhe Shesheli (tanimë politikisht i vdekur) të cilët thonë: “…Serbia nuk do të hyjë në BE, duke bërë tregti me Kosovën…”
Politika e sllavo-maqedonasve ballafaqohet me tre lloj problemesh:
– e para, problemi me fqinjët sllavo-ortodoksë (Bullgarinë, Serbinë, Greqinë);
– e dyta, problemi i identitetit kombëtar (një pjesë janë probullgarë, pjesa tjetër ndërkaq – proserbë);
– e treta, problemi ndëretnik, shqiptaro-maqedonas.
Me fjalë të tjera, Maqedonia ballafaqohet me problem të jashtëm – me fqinjët, dhe me problem të brendshëm (çështja shqiptare e pazgjidhur).
Problemet e sipërthëna, flasin për krizë identiteti. Çështjet e lartpërmendura, e bëjnë Maqedoninë vend me stabilitet fragjil.
Zgjidhja e çështjes shqiptare mund të ndikojë vendosmërisht në forcimin e kohezionit të këtij vendi dhe rrjedhimisht edhe në stabilitetin e tij.
Qëndrimet e Gruevskit se integrimi i Maqedonisë në NATO nuk mund të bëhet me kushtin e ndërrimit të emrit kushtetues të saj – janë thellësisht antishqiptare.
Për shqiptarët ndërkaq, që përbëjnë një të tretën e popullsisë së këtij vendi, integrimi i saj në Aleancën Veri-Atlantike, është interes mbi interesa.
Rrjedhimisht, qëndrimet e Gruevskit, shpërfillin vullnetin e një të tretës së popullsisë së këtij vendi dhe bien ndesh me përcaktimin strategjik të saj.
Por, shpërfillja e faktorit politik shqiptar rreth kontestit me Greqinë lidhur me emrin është si llogaria pa hanxhiun.
Në historiografinë maqedonase të kohës së Jugosllavisë së Titos (apo të AVNOJ-it) shkruan se maqedonasit janë sllavë të jugut. Sot ndërkaq, kur AVNOJ-i dhe titizmi kanë perënduar, ca historianë maqedonas thonë se ata na qenkan maqedonas antikë, pasardhës të Lekës së Madh!
Çfarë paradoksi absurd: Dje thoshin se janë sllavë të jugut, sot thonë se janë maqedonas antikë! A s’flet vallë kjo, për krizë identiteti?!
Prejardhjen e vet antike, maqedonasit e sotëm, nuk e dëshmojnë me asnjë argument, as historik, as linguistik, as antropologjik.
Historiografia bullgare në anën tjetër, kur e mohon ekzistimin e kombit maqedonas, bazohet në faktin se sllavo-folësit e sotëm në Maqedoni janë pjesë e kombit bullgar sllav dhe jo pasardhës të maqedonasve antikë.
Në shekullin XIX, në krahinën e Maqedonisë (pjesa e Egjeut, e Vardarit, e Pirinit) kanë banuar pesë popuj: popullsi sllavo-folëse, popullsi greke, turke, vllahe, shqiptare. Kemi pra një konglomerat popujsh. Për këtë arsye, në restorantet e Evropës ekziston një sallatë që quhet “sallatë maqedonase”, që do të thotë – sallatë e përbërë prej shumë përbërësve.
Secili nga këta popuj kanë mundur të thonë: “Jemi pasardhës të Lekës së Madh, por gjatë periudhave historike, jemi asimiluar.” Por asnjë nga popujt e sipërthënë nuk vepron kështu, ngase kanë identitet të padiskutueshëm. Sllavo-maqedonasit ndërkaq, duan të ndërlidhen me maqedonasit antikë, për shkak të krizës së identitetit.
Sipas disa pseudo-historianëve maqedonas, maqedonasit e sotëm, nuk mund të krijohen si komb, po qe se nuk ndërlidhen me maqedonasit antikë. Kjo është një pikëpamje, sa antishkencore, aq edhe retrograde, anakronike dhe antihistorike. Kombet janë krijuar në “shekullin e kombeve” – d.m.th. në shekullin XIX.
Sipas historiografisë bullgare, kombi sllavo-maqedonas, është krijim artificial titist dhe avnojist. Po kështu mendon edhe historiografia serbe. Sipas historianëve grekë ndërkaq, tendencat e sotme të sllavo-maqedonasve për t’u identifikuar si pasardhës të maqedonasve antikë, çojnë në krijimin e një kombi artificial.
Me fjalë të tjera, edhe teoria e prejardhjes sllave të maqedonasve, krijon një komb artificial kominternist, avnojist, serbokomunist dhe titist (sipas Bullgarisë dhe Serbisë), edhe teoria e origjinës antike e maqedonasve të sotëm, krijon komb fiktiv (sipas Greqisë).
Pikërisht për shkak të kontradiktave të sipërthëna, Maqedonia e vogël është nën ombrellën e Uashingtonit dhe të Brukselit.
Nga të gjithë fqinjët e Maqedonisë, Shqipëria është e vetmja e cila nuk ka konteste me të. Së këndejmi, përfshirja e shqiptarëve, që përbëjnë një të tretën e popullsisë së këtij vendi, në tejkalimin e kontestit rreth emrit me Greqinë është e justifikueshme, në funksion të një zgjidhjeje të arsyeshme.
Preokupimet e historiografisë dhe të politikës maqedonase, lidhur me prejardhjen antike të tyre, të përkujtojnë mitin e rrejshëm serb për Kosovën, gjë që e çoi Serbinë në konflikt me botën.
Maqedonia nuk ka kapacitet të merret me histori dhe me politikë. Popujt si sllavo-maqedonasit, duhet të merren, jo me të kaluarën, por me të tashmen, për një të ardhme më të mirë.
Shqiptarët nuk kanë përse të paguajnë çmimin e krizës së identitetit të sllavo-maqedonasve.
Nacionalizmi shtetëror maqedonas që manifestohet lidhur me emrin e këtij vendi, nuk është i drejtuar as ndaj Bullgarisë, as ndaj Serbisë dhe as ndaj Greqisë, por vetëm ndaj shqiptarëve. Kështu sepse, me bullgarët, me serbët dhe me grekët, maqedonasit i lidh përkatësia sllave dhe feja ortodokse. Shqiptarët për maqedonasit konsiderohen të huaj. Ndaj shqiptarëve ata kanë paragjykime dhe stereotipe – të përpunuara nëpër dekada – në qarqet akademike serbo-greke. Duke i shpërfillur shqiptarët lidhur me emrin e këtij vendi, Cërvenkovski dhe Gruevski duan të thonë:
“Ne jemi shteti, ne jemi populli shtetformues, ne jemi trashëgimtarët e shtetësisë, ne jemi mbartësit e shtetësisë. Shqiptarët ndërkaq, s’janë veçse minoritet – i shpërfillur.
Historiografia maqedonase e sotme, mbase do të kërkojë një ditë edhe revidimin e vendimeve të Konferencës së Bukureshtit (1913) kur krahina me emrin antik Maqedoni u nda midis tre shteteve hegjemoniste të Ballkanit, me ç’rast pjesën e Egjeut (mbi 50%) e mori Greqia, pjesën e Vardarit (rreth 30%) e mori Serbia, ndërsa pjesën e Pirinit (mbi 10%) e mori Bullgaria – humbësja e Luftës së Dytë Ballkanike, e cila para kësaj lufte, nën pretekstin se sllavo-folësit e kësaj krahine janë bullgarë, e kërkonte tërë këtë krahinë për vete.
Në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it (Këshilli Antifashist i {lirimit Kombëtar të Jugosllavisë, të mbajtur në qytezën Jajce të Bosnjës dhe Hercegovinës, më 29.XI.1943) komunistët jugosllavë të udhëhequr nga Josip Broz Tito-ja, morën vendim që Maqedonia e Vardarit t’i merrej Serbisë. Si rezultat i një vendimi të këtillë, pas Luftës së Dytë Botërore lindi Republika Popullore e Maqedonisë.
Duke qenë se me vendimet e AVNOJ-it Serbisë me të drejtë iu morën Bosnja dhe Hercegoniva, Mali i Zi dhe Maqedonia, që fare s’kishin të bënin me serbët dhe me Serbinë, akademiku serb me shkollë të mesme bujqësore – Dobrica Qosiqi, i mbiquajtur baba i kombit serb, deklaroi: “Atë që serbët e fitojnë me luftëra, e humbin në paqe”, duke fajësuar kështu kroatin Josip Broz Tito.
Uashingtoni dhe disa vende të BE-së, ndër ta edhe Franca, lidhur me kontestin rreth emrit me Greqinë, mbështesin një zgjidhje të arsyeshme. Ka shumë vende në botë që emrit të vet ia kanë shtuar atributin “e re”, si Zelanda e Re, Gueneja e Re…
Pas shpërbërjes së amalgamës jugosllave, doli prej saj një Maqedoni e re, si vend i dy popujve shtetformues – shqiptarëve dhe maqedonasve.
Qëndrimi i Shkupit rreth emrit ngërthen në vete pretendim potencial ndaj fqinjëve. Në një kohë kur të gjitha vendet e rajonit synojnë bashkëngjitjen në botën trans-atlantike dhe kur fati e perspektiva e çdo vendi ndodhet nën sigurinë e NATO-s, qëndrimet e ngurta të Shkupit janë në kundërshti me tendencën historike.
Në krahinën antike të Maqedonisë, në lashtësi jetonin: ilirët, helenët (grekët e lashtë), dakët, trakasit, maqedonasit e lashtë. Bij të ilirëve të dikurshëm janë shqiptarët. Bij të grekëve të lashtë pretendojnë se janë grekët e sotëm. Bij të dakëve apo të trakëve pretendojnë se janë rumunët, të cilët janë romanizuar si rrjedhojë e pushtimit romak të Dakisë dhe të Trakisë, në kohën e perandorit romak Trajanit. Maqedonasit e lashtë ndërkaq, të Lekës së Madh dhe të Filipit, janë asimiluar.
Maqedonia e sotme është territor gjeografik. Nocioni Maqedoni është emër gjeografik. Asnjë popull nuk mund të identifikohet me këtë emër gjeografik. Maqedonasit e sotëm janë sllavë. E sllavët kanë ardhur në Ballkan në qindvjeçarët VI dhe VII.
Për Sofjen, sllavo-maqedonasit, s’janë veçse bullgarë.
Sipas Sofjes:
– gjuha që flasin sllavo-maqedonasit është gjuhë bullgare;
– atë që sllavo-maqedonasit e quajnë histori të veten, është histori bullgare;
– heronjtë që sllavo-maqedonasit i nderojnë si të vetët, janë heronj bullgarë.
Për Beogradin, s’ka kishë ortodokse maqedonase. Ajo s’është veçse kishë serbe. Për Athinën, territori antik i Maqedonisë s’është veçse tokë greke.
Pjesa veriperëndimore në Maqedoninë e sotme, e cila është e banuar me shumicë absolute shqiptare, është territor shqiptar, i pushtuar nga serbët në vitin 1912.
Në Londër (1912-13), në Paris (1919-20) dhe në AVNOJ (1943) këto troje shqiptare iu njohën pushtuesve serbë, përkatësisht sllavo-maqedonas.
Me fjalë të tjera, qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes thonë: Për të parandaluar një konflikt të mundshëm midis Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë rreth Maqedonisë është më mirë të krijohet një Maqedoni sllavo-maqedonase, me të drejta të caktuara të shqiptarëve.
Përndryshe, do të kishim një bellum omnium in omnes. Ballkani, kjo fuçi baruti, do të shpërthente.
Maqedonia sot, ekziston në saje të baraspeshës së kontradiktave të fqinjëve ballkanikë dhe është në funksion të amortizimit dhe të asnjanësimit të aspiratave të tyre hegjemoniste dhe ekspansioniste ndaj saj.
Postime të Lidhura
BESIM R.CENGU: MOIKOM ZEQO – MISIONARI I NJË ARTI ELITAR
Tiranë, 28. 05. 2013 – Ka krijues që në rrugën e tyre artistike synojnë të mos i ngjajnë…
SHKOLLA SHQIPE NË ZVICËR …
Shkolla Shqipe Zvicër/ Hapet edhe pika shkollore në Laufen të Kantonit të Basellandit! … Nuk ka gjë më…
KËNGËT POLIFONIKE DHE TRADITA POPULLORE NË RRETHIN E VLORËS
Pashtriku.org, 07. 05. 2015 – Rrethi i Vlorës është njëri nga 36-të rrethet e Shqipërisë. Ka 151,286 banorë…
KATËR DEKADA PËRPJEKJE…
Nga Arif Ejupi Z.Gani Kosumi qëkur ishte fëmijë e kishte pasion sportin dhe leximin e materialeve që kishin…