XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (11)

Pashtriku, 13 korrik 2020:
(1) Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e LPK-së
Më 26-27 korrik 1993, në Kodër të Trimave, në Prishtinë, në shtëpinë e veprimtarit Fatmir Brajshori, mbahet Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e LPK-së. Marrin pjesë: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Adnan Asllani, Isa Krasniqi, Xheladin Gashi, Fatmir Brajshori, Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Beqir Beqa, Sabri Kiçmari, e të tjerë drejtues dhe delegatë nga terreni. Në mbledhje bëhen ndryshime programore e në statut. Në Program tekstualisht aprovohet si mjet i arritjes së qëllimit lufta e armatosur për çlirimin e Kosovës (dhe viset shqiptare në ish-Jugosllavi). Aprovohet rezoluta sipas të cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të LPK-së. Ndërsa, emri i LPRK’së u ndërrua në LPK, pra LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS.

Vrasja me torturë e Ahmet Haxhiut
Ahmet Haxhiu u lind më 6 maj 1932. Ishte 13 vjeç kur forcat e OZNA-s ia vranë babën në Sankoc. Baca Ahmet ishte njëri nga pjesëtarët e bëthamës bazë të grupit politik nga i cili në vitin 1963 doli LRBSH me në krye Adem Demaqin. Ai ishte burgosur mëse 5 herë nga regjimi serbosllavë. Në vitin 1991, së bashku me Xhavit Hazirin dhe Xhavit Halitin u takuan me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ramiz Alinë, nga i cili siguruan mbështetjen morale! Baca Ahmet jo njëherë kishte rrezikuar veten duke bartur materiale dhe dokumente të LPK-së, për t’i përcjellur nëpër ambasada e takime të ndryshme ballkanike e botërore. Ai ishte i palodhshëm e sypatremur dhe për bartjen dhe furnizimin me armatim nga jashtë e nga brenda për luftën që do të vinte së shpejti për çlirimin e Kosovës. Mirëpo burgosja e fundit (1993) ishte fatale për shëndetin e tij, sepse, më 6 Korrik 1994, nga torturat dhe sëmundja që kishte marrë në burg vdiq veprimtari i LPK-së, Ahmet Haxhiu. Veprimtaria përkushtuese e Ahmet Haxhiut është e lidhur ngusht me mbarë veprimtarinë e gjeneratave të dallueshme të Kosovës, duke u nisur nga ajo e Fazli Grajqevcit, vazhduar nga ajo e vitit 1968,1981 e këndej.

Arrestimi dhe dënimi i Mr. Ukshin Hotit
Ukshin Hoti u lind në fshatin Krushë e Madhe, më 17 qershor 1943. Fakultetin e Shkencave Politike e mbaroi në Zagreb, ndërkaq studimet posdiplomike drejtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare politike dhe ekonomike në Beograd. Që nga gjysma e dytë e viteve 70 gjer më 1981 ka punuar në detyra të ndryshme politike e arsimore në Kosovë; ka qenë ligjërues i Fakultetit Juridik, drejtimi Juridiko – Diplomatik, i Fakultetit Filozofik, dega Filozofi-Sociologji, i shkollës politike të Qendrës Krahinore për Arsimimin Marksist “Edvard Kardel”. Gjatë periudhës 1971 – 1977 ka qenë Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme të KE dhe të Kuvendit të KSA të Kosovës, ka qenë anëtar i pothuajse të gjitha forumeve federale që merreshin me politikën ndërkombëtare. Në vitet 1977 – 1978, specializoi në Universitetin e Çikagos, Harvardit, Bostonit, Uashingtonit dhe të Kembrixhit, ndërsa në vitin 1979 u kthye në Kosovë. Ukshin Hoti gjer në vitin 1981 ka qenë kreatori kryesorë i politikës kombëtare dhe pjesëmarrjes së Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar. Ukshin Hoti për herë të parë u burgos në Nëntor të vitit 1981. Ukshin Hoti u dënua me 9 vjet burg, por duke qenë se aktgjykimi i shkallës së parë s’kishte asnjë bazë juridike për një denim kaq të lartë, gjykata supreme më 11 qershor 1984, u detyrua t’ia zbriste dënimin në 3,5 vjet burg,me akuzën për “veprimtari armiqësore kundër shtetit jugosllav”. Më 17 Maj 1994,pushteti okupues serb arreston dhe burgosë përsëri veprimtarin e shquar të qështjes tonë kombëtare, Mr.Ukshin Hotin, Kryetar i “UNIKOMBIT”, duke i hapur procedurën hetimore. Akuzat e ngritura kundër Ukshin Hotit ishin: … Në pjesën e parë të vitit 1994, si anëtar dhe kandidat për kryetar të organizatës ilegale “UNIKOMBI”, ka pëgaditur dhe ka ndërmarrë veprimeqë me përdorimin e dhunës dhe rrugëve të tjera kundër-kushtetuese ta rrezikoj rregullimin kushtetues të RFJ,ta shkëpus një pjesë të teritorit të RFJ dhe të Republikës së Serbisë – teritorin e Kosovës dhe Metohisë,të banuar me pjesëtarë të pakicës komëtare shqiptare dhe me qëllim të formimit të shtetit të veçantë.Si kandidat për kryetar të kësaj organizate ilegale,në takimin ilegal të kryesisë së zgjeruar të “UNIKOMBIT”, i cili është mbajtur në Prishtinë,i pranon detyrat dhe merr pjesë në përpunimin e Programit dhe Statutit të k1organizte ilegale… Si anëtar i organizatës ilegale armiqësore “Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës” (tani LPK), nga ana e qendrës ka marrë udhëzime,instruksione dhe detyra konkrete për veprimtarinë armiqësore me qëllim të formimit të RK dhe shkëputje së asaj pjese të teritorit të RFJ.Nga qendra e Lëvizjes Popullore të Kosovës ka qenë i ngarkuar të botojë gazetën DEA (Demokracia Autentike). Veprimtaria e tij ka qenë e shprehur më së shumti në rrethin e Prizrenit. Më 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij. Sipas Bajrush Xhemailit, një nga të burgosurit, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, ditën e diel, me 16 maj, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve dhe sot e asaj ditë nuk dihet fati i tij.
Rrethimi dhe vrasja e Hasan Ramadanit

Ramadan Pllana me prindërit e Xhavit Hazirit

Më 7 gusht 1994, forcat serbe rrethojnë aktivistin e LPK-së Hasan Ramadani, dhe shtëpinë e tij në Shajkovc. Pas një lufte heroike dhe të pabarabartë nëntëorëshe që bëri me armën që i kishte lënë udhëheqësi i shquar i LPK-së Afrim Zhitia, vritet dhe Hasani sypatrembur,ndërsa shtëpia i digjet.
Formimi i Këshillave Popullor
Pjesë e veprimtarisë nga krahu ynë i LPK-së për Kastriot dhe Fushë Kosovë
(Nga: Mustafë Krasniqi, Ejup Thaqi, Isak Qolli, Fadil Mirena, Emin Mirena, veprimtarë të LPK-ës).
“Ka ardhur koha kur kushtrimin e lirisë ta çojmë në çdo shtëpi shqiptare” – Afrim Zhitia
Këshilli Popullor i LPRK-së për Kastriot u formua në vitin 1988 dhe përbëhej nga: Mustafë Krasniqi, Behxhet Kelmendi dhe Florim Kelmendi (studentë). Pas formimit ky këshill për udhëheqës zgjodhi Mustafë Krasniqin, i cili më vonë emërohet Kryetar i Këshillit Popullor për Komunën e Kastriotit. Lidhjen me KP e LPRK-ës e mbante përmes Bardhyl Mahmutit, deri me vrasjen e Afrim Zhitisë kur Bardhyli largohet nga vendi.
Njëra ndër detyrat e para ishte betimi dhe përhapja e filozofisë së çlirimit tek shtresat e gjëra popullore, anëtarësimi dhe zgjerimi i rrjetit me anëtarë të rinj. Kësaj filozofie ky këshill iu përmbajt gjerë në fund dhe me të gjitha mundësitë fizike, materiale dhe ato politike. Për herë të parë ky këshill u ngarkua me shpërndarjen e trakteve në fillim të vitit 1990, këto trakte dhe shpërndarja e tyre pati jehonë të madhe në tërë trevat e Kosovës, sidomos në mihjet sipërfaqësore sepse aty kishte të punësuar nga të gjitha trevat e Kosovës. Më 2 gusht 1993, policia arreston shumë veta, dhe njërin ndër figurat më të rëndësishme të LPK-ës Xhavit Hazirin, ndërsa Ramadan Avdiu i shpëton tentim arrestimit. Këshilli ynë, pasi vendosi lidhjen me R.Avdiun, biseduam për mbarëvajtjen e punëve të cilat i kishim kryer që nga humbja e lidhjes.
Ne, krahas aksioneve dhe shpërndarjes së trakteve po i zgjeronim radhët me anëtarë të rinj dhe me këshilla popullor, kemi mbajtur shumë takime në Prishtinë, në Shipitullë, në Hade, në Bardh të Madh.
Në këtë periudhë janë shpërndarë shumë afishe ngase tashmë e kishim të organizuar mirë sistemin e punës. Në bazë të hierarkisë së LPK-ës dhe të K.P në Prishtinë, e në bazë të numrit të Këshillave popullore. Këshilli Popullor në pajtim me degën kaloi si Këshill i Rrethit për Kastriot e Fushë Kosovë, kishte dhe dy këshilla, një në Mitrovicë dhe një në Podujevë.
Ky Këshill i Rrethit kishte 8 KP, dhe disa anëtarë që kanë vepruar nëpër fshatra të ndryshëm. Qëllimi i Këshillit të Rrethit ishte që çdo fshat ta ketë nga një këshill popullor, apo së paku një anëtarë. Kështu që me sistemin e ri kishim këta këshilla: Dy në Sibovc, njërin e udhëhiqte Behxhet Kelmendi, ndërsa tjetrin Ejup Thaçi, në Hade dy këshilla, njërin e udhëhiqte Fadil Mirena, ndërsa tjetrin Emin Mirena, në Shipitullë kishim një këshill dhe e udhëhiqte M.Krasniqi. Në Bardhë të Madh përgjegjës i këshillit popullor ishte Isak Qolli, ku ka pasur shumë anëtarë dhe veprimtarë të kahershëm të çështjes Kombëtare, në Sllatinë këshilli udhëhiqej nga Florim Kelmendi, në Mihaliq ishte Skënder Muharremi, kurse me anëtarin e Këshillit të Mitrovicës (Nysret Ahmetin) lidhje ka qenë M. Krasniqi, ndërsa me Këshillin e Podujevës, lidhja ka qenë Fadil Mirena. Poashtu edhe në Milloshevë M.Krasniqi ka koordinuar punët për një këshillë popullor me Afrim Eminin (dhëndërin e Afrim Zhitisë).
Me të gjitha këto sakrifica ky këshill ka qenë njëri ndër këshillat me të suksesshëm në atë kohë, veprimet e tij konkrete, në aksione të shumta, duke paralizuar transportin e thëngjillit dhe sistemin e bartjes së energjisë për në Mal të Zi dhe për Serbi, e shumë aksione tjera që janë të njohura për popullatën dhe për ish organizatën e LPK-ës.

Figura emblemë e çështjes Kombëtare, Xhavit Haziri
Xhavit Haziri u lind në Druarë, Komuna e Vushtrrisë më 1960, mësimet e para i mori në vendlindje ndërsa ato të larta në Prishtinë. Për shkaqe të veprimtarisë së tij patriotike bie në sy të armikut dhe arrestohet si pjesëtar, apo anëtari i OMLK-së dhe burgoset më 1985, ku edhe dënohet me nëntë vjet burg. Ky veprimtar i denjë, për të dytën herë arrestohet në gusht të vitit 1993 dhe u dënua me 5 vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit lirohet në vitin 1997. Ky atdhetar pas mbarimit të burgut nuk e ndaloi vrullin e tij për ta çliruar atdheun. Ai inkuadrohet menjëherë dhe ishte ndër themeluesit kryesor të UÇK-së. Për fat të keq, në shtator të këtij viti (1998) rrëmbehet nga policia sekrete serbe, dhe që nga ajo periudhë nuk dihet për fatin e tij, Ukshin Hotit e shumë atdhetareve të tjerë. Veprimtaria e tij atdhetare shtrihet në dy dimensione, në atë politike dhe ushtarake, dhe në të dyja ka qenë njëra ndër shtyllat kryesore. Në vitin 1991 në saje të përpjekjeve dhe dashurisë për një veprimtari të hovshme angazhohet dhe zgjidhet anëtarë i Komitetit Drejtues së LPRK-ës, dhe më vonë anëtar i Kryesisë së LPRK-së. Gjatë kësaj periudhe është angazhuar për zgjerimin e radhëve të LPRK-ës, pa lanë anash edhe përgatitjen për një luftë të armatosur. Në këtë vit Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu dhe Xhavit Haliti shkuan në Shqipëri dhe u takuan me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ramiz Alia.
Takimi dhe lidhja e Xhavit Hazirit me Këshillin e Rrethit të Kastriotit
Lidhja me Xhavit Hazirin u bë në kohën kur kërkohej riorganizimi i radhëve të LPRK-ës (LPK-ës), ne Këshilli i Rrethit, deri atëherë ishim në lidhje me R.Avdiun, kaluam në lidhje me Xh.Hazirin. Këto takime u bënë përmes R. Avdiut. Me Xhavit Hazirin u takuam në Prishtinë (Ejup Thaqi dhe Mustafë Krasniqi). Në këtë takim biseduam rreth organizimit të mëtutjeshëm rreth plan-programit të LPRK-ës etj. analiza e organizatës dhe kalimi prej LPRK, në LPK dhe ca detyra tjera.
Në mbledhjen e dytë që u mbajt me Xhavit Hazirin, ne i përsëritëm ca kërkesa, njëra nga këto ishte aprovuar në një mbledhje të Këshillit të Kastriotit, dhe ishte në veprim, kurse për dy të tjera u shtruan si të domosdoshme të zbatoheshin:
1. ushtrimet ushtarake
2. sigurimi i armatimit dhe
3. shkuarja në Shqipëri për ushtrime ushtarake
Këto kërkesa u pritën mirë dhe na u premtua që me mundësinë e parë do të sigurohet armatimi, ndërsa për kërkesën e shkuarjes në Shqipëri, Xhaviti na e tërhoqi vërejtjen me këto arsye:
“Ne duhet të kemi kujdes. Ne kemi nevojë për shokë, e veprimtarë, e jo për t’i rrezikuar shokët në sajë të dëshirës që të bëjmë diçka. Ne edhe këtu mund të bëjmë më shumë se çdo kund tjetër…”
Në këtë kohë kishin filluar shkuarjet për ushtrime ushtarake në Shqipëri, por fatkeqësisht armiku iu ra në gjurmë dhe me këtë rast u dekonspiruan shumë shokë.
U zbuluan dhe veprimtarë nga Këshilli i Drenicës që udhëhiqej nga Adem Jasharit. Në grupin me Adem Jasharin ishin edhe dy shokë tanë Xhemail Kelmendi dhe Isuf Ismaili, njëri prej tyre, nga Këshilli ynë, Xhemaili ishte anëtar i Kryesisë së ngushtë të Këshillit të Rrethit. Pas këtij zbulimi arrestohen dhe ndiqen shumë veta, ndër ta ishte edhe Adem Jashari, gjë që edhe u sulmua nga forcat policore-çetnike, ky trim ia filloi luftën me policinë, të cilët ishin kthyer me kokë ulur, ndërsa në Podujevë pati arrestime, në Sllatinë të madhe u kërkua Xhemail Kelmendi, i cili në sajë të shkathtësisë i shpëtoi arrestimit.
Pas këtij rasti, Xhemail Kelmendi detyrohet të largohet për në Zvicër, pas tij largohen edhe Behxhet Kelmendi, më vonë edhe udhëheqësi i Këshillit të Hadës (Fadil Mirena), pastaj u larguan dhe Sylejman Qyqalla, Nexhmedin Gerguri dhe Zeqir Berisha nga Këshilli i Bardhit të Madh, e gjithashtu u largua dhe njëri nga udhëheqësit Këshillit të Podujevës. Vlen të theksohet se për ushtrime ushtarake në Shqipëri ishin dhe dy vullnetarë nga rrëza e Qyqavicës, Milazim (Mursel) Miftari dhe Bajram (Isa) Miftari.
Me të dalë në ilegalitet, Xhemail Kelmendi, Naim Gubetini si dhe Fadil Mirena qëndruan nëpër familje të besueshme, si në Bardh i Madh te Isak Qolli, në Shipitullë në shtëpinë e Tahir Krasniqit, në Hade në shtëpinë e Isak M. Mirenës, në Bivolak te Ismet Saraqi, në Gllavotin te Hoxhë Mahmut Murati, në Mihaliq në shtëpi të Behram Muharremit, në Stanovc të Poshtëm, në shtëpi të Ragip Thaqit dhe në Sibovc në shtëpi të Asllan Thaqit. Pas disa muajsh ilegalitet u vendos që të largohen nga vendi. Organizimin e largimit e mori përsipër Isak M. Mirena. Vend nisja ishte nga shtëpia e Hajrullah Mirenës në Hade, ku qëndruan për një kohë prej nga marrin rrugën për në Maqedoni e Shqipëri e për në Zvicër. Gjatë kësaj periudhe lidhjet i mbanim me Xhaviti Hazirin, sistemimi i ri i organizatës, ishte në veprim, këshillat që ishin me anëtarë jashtë rrethit, apo të rretheve tjera, u sistemuan në rrethet e afërta. Kështu që ne, duke ju përmbajtur këtij parimi, anëtarët nga vendbanimet tjera, Mitrovicë, Podujevë si dhe anëtari nga Istogu, Rifat Gjoci duhej të kalonin në rrethet prej nga vinin.
Nevoja për të ndërmarrë veprime konkrete ishte e madhe, ndërsa ato duheshin kryer patjetër. Përpos telasheve dhe dëmeve ekonomike, veprimet tona ilegale armikut i shkaktonin edhe pengesa politike. Për ilustrim po japim një citat nga intervista e Ali Ahmetit dhënë gazetës INFOPRESS, më 30 prill 2007, ku thuhej: “Tashmë nuk është sekrete se nga ajo kohë filluan veprimin njësitet luftarake të cilat ishin pjesë e lëvizjes ilegale, në radhë të parë duke përdorur eksplozive dhe duke dëmtuar ekonominë dhe linjat, kryesisht duke hedhur në ajër linjat e largpërçuesve me të cilat transportohej energjia për në Mal të Zi dhe për në Maqedoni dhe disa dëme që i shkaktoheshin shiritave transportues të Elektro-ekonomisë së Kosovës”. Vlen të theksohet që këtë aksion e kishin kryer anëtarët e Këshillit të Rrethit të Kastriotit.
Meqë këto aksione shkonin mbarë, anëtarët tanë filluan t’i kryenin ato pa u ndalur, sidomos në vijën Bardh i Madh deri te Elektrana e Kosovës “A” dhe“B”, po ashtu edhe ajo në vijën tjetër nga Gospoja, që i takonte Këshillit të Rrethit për Kastriot dhe prej Këshillit Popullor të komunës së Fushë Kosovës.
Në gusht 1993, në një takim me Xhavit Hazirin në Tokë-baxhe (Prishtinë), ky Këshill u sistemua në dy grupe: Ejup Thaçi, Isak Qolli dhe Emin Mirena, ishin përcaktuar në grupin për çështje ushtarake, ndërsa në grupin e dytë, Mustafë Krasniqi, për çështje politike, për informim dhe përcjelljen e situatës. Në korrik 1993, në mbledhjen e fundit, ndoshta dhe e fundit ishte për Këshillin e Rrethit (si mbledhje e rregullt), ku për pos detyrave dhe këshillimeve, vumë në rendin e ditës edhe pikën rreth dërgimit të delegatit për në Mbledhjen e IV të LPRK-ës. Aty u propozua që edhe për kryesinë të votohet, sepse kjo ishte edhe sipas rregullores. Në takim u vendos që Mustafë Krasniqi, të shkojë në Kryesinë Qendrore (kjo i takonte Këshillit të Kastriotit sipas Xh.Hazirit ), në vendin e tij për kryetar u zgjodh Ejup Thaçi, u mor vendimi, që në mbledhje të jetë delegati i zgjedhur Ejup Thaçi dhe anëtari për kryesinë e ngushtë Mustafë Krasniqi.
Mbledhja u mbajt në shtëpinë e Fadil Mirenës, edhe pse Fadili ishte vendosur në Zvicër, mirëpo kishte ardhur Ilegalisht në Kosovë. Pas kësaj mbledhje të riorganizimit, kemi mbajtur edhe dy mbledhje tjera, te Mustafë Krasniqi dhe një tjetër te Isak Qolli, ku ishte i pranishëm edhe Ramadan Avdiu.
Pas kësaj mbledhje me Ramadan Avdiun dhe ditë me parë me Adnan Asllanin e Hulusi Beqirin filluam sistemimin nëpër Këshillat Popullor. Gjatë këtij sistemimi ne kemi kryer një aksion të rëndësishëm, pjesëmarrës ishim: Mustafë Krasniqi, Fadil Mirena, Ejup Thaçi dhe Emin Mirena. Aksion të ngjashëm kanë kryer dhe Halil e Ajet Preniqi. Po ashtu pak më vonë u krye dhe një tjetër aksion nga Ejup Thaçi, Isak Qolli dhe Zeqir Berisha. Ndërsa ditë më vonë në ndërrimin e natës, po në këtë kohë Isak Qolli paralizon prodhimtarinë e nxjerrjes së thëngjillit nga mihja sipërfaqësore.
VIJON …

__________
Referenca:
1. Sejdi Gega dhe Fazli Veliu,LPK në vazhdën e përpjekjeve për bashkim,themeluese e UÇK
_____________________
XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (10)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10254

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura