XHEVAHIR CIRONGU: JETËSHKRIMI DHE VEPRIMTARIA KRIJUESE LETRARE E POETIT, SHKRIMTARIT, STUDJUESIT DHE KRITIKUT PJETËR CARA

Durrës, 04. 10. 2015: Pjetër Cara ka lindur në fshatin Perlat i Epërm të Mirditës në vitin 1939. Pas mbarimit të arsimit pedagogjik ka punuar si mësues Gjuhë-letërsie dhe drejtues në shkollat e vendlindjes. Në vitin 1970, pas mbarimit të shkollës përkatëse, është emruar oficer drejtues në Kufi e më vonë në Polici në sektorin e Edukimit e të Kuadrit. Gjatë jetës e punës së tij ka shkruar e botuar poezi e tregime, novela e romane, èse e studime të ndryshme letrare. Për rezultate të larta në punë dhe për figurë të pastër morale është dekoruar nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë me “Urdhërin Naim Frashëri, Për ruajtjen e mbrojtjen e Kufirit dhe për Shërbime të shquara shtetërore e shoqërore në fushën e edukimit e të sigurisë”. Veprat e tij ndodhen në Bibliotekën Kombëtare, në bibliotekën e qytetit të Durrësit dhe në bibliotekën e qytetit të Rrëshenit. Kjo veprimtari krijuese përmbledh këto vepra letrare:
Vëllime poetike:
*Poezi rinore (1957-1977).
*Një këngë e vonuar (1994, 2011)
*Rrjedhin Ujvarat (2008)
*Mos ma zër diellin (2011)
*Mos është çmendur koha (2011)
*Fyelli i bariut (2011)
*Replikë me dashurinë (2011)
Vëllime në prozë:
*U shenb një botë (studime letrare -2008)
*Ta lëmë prapa të shkuarën (èse, pamfle- 2011)
*Ankthi i lirisë (skica e tregime- 2013)
*Dega e thyer (novela- 2013)
*Zemra të plagosura (roman- 2013)
*Rrëfimi i Fatmir Murrizit (roman- 2013)
*Brengat e jetës (Kujtime e refleksione- 2013)
*Bisedë me poezinë (studime letrare- 2013)
*Prurjet e reja, risi vazhdimësie (studime- 2013) për zhvillimet letrare.
*Shqiponjat e lirisë (dramë- 1959)

***

– Poeti, shkrimtari, studjuesi dhe kritiku letrar Pjetër Cara –

Për gjithë këtë veprimtari krijuese, si kontribut i çmuar për pasurimin e letërsisë shqipe, është pranuar në ish LSHASH dhe, me shpërbërjen e saj, tani është antar i klubit të shkrimtarëve e artistëve të qytetit të Durrësit.
***
KULLAT E TROPOJËS

Larg robërisë që zgërdhihej në pallate
me shqiponjat tropojani ngriti foletë,
që liria porsi ushtare nëpër monopate
të hynte në kulla e të rronte për jetë.

Te kulla e Micit si në kudhër çeliku, 1
u farktuan beslidhjet që hasmin e shporrën.
Nga këngët e trimave Tropojës i rrjedh qerpiku
dhe Bajrami ulet ngadalë të shterrë Valbonën. 2

Dikur në kulla, brenda në kamare,
mjerimi skërmiste dhëmbët si minjtë…
Por erdhi çlirimi me zemrat batare
dhe gjaku si fanar përhapte dritë.

Ëndrrat në mrize me mjekërr të zbardhur 3
në sofër me malsorët janë ulur si mysafirë.
Tok me mjekun Rama serbes ka ardhur 4
te kullat e reja për një bisedë të lirë.

Kullave këndon ëmbël xhuraja e Naimit 5
dhe vallet e çikave harlisen në livadhe.
Përkdhelin kreshtat tingujt e “Lules së Kujtimit”,
ndërsa poetët këndojnë “Pse mendohen këto male”.

Ndër kullat e bardha si fortesa të lira
piqet burrëria maleve bashkë me boronicën.
Veç shpërthen dhe hareja zemrave të dlira,
se Shkëlzeni i shtrëngon supet me Çiçavicën… 6
1. Mic Sokoli– luftëtar patriot, hero i popullit. 2. Bajram Curri– luftëtar e udhëheqës populor, hero i popullit. 3. ëndrrat– poema e Ndre Mjedjes “Ëndrra e jetës” dhe “Mrizi i zanave” të Gjergj Fishtës. Sami Frashëri mjekër bardhë. 4. Ram Sadria– oficer kufitar, hero i popullit. Mjeku– Sali Berisha, ish President e Kryeministër i Shqipërisë. 5. “Lulja e Kujtimit”- opera e Kristo Konos. Naim Frashëri. “Pse mendohen këto male”– poemë e Ismail Kadaresë. 6. Shkëlzeni– mal. Çiçavica– mal në Kosovë.
***
M A L S O R I…

E pat trupin të lartë si pishat e kreshtës,
tër’ jetën me gjoks ka çarë tufanet me bor’.
Fytyra e tij ruante ashpërsin’ e bjeshkës,
zemrën e kishte çelik në kraharor.

Kur fliste, thua se malet gjëmonin…
në sa prita ka rënë e dinte vetëm ai.
Në postën e kufirit kur e kërkonin,
vrapin e kishte si djalë i ri.

Syt’ e tij lëshonin xixa si stralli
kur e pyesnin për luftërat e gërxheve.
“Jo, jo, kurrë nuk ka humbur shqiptari,
sa herë ka rënë në pritat e mbretërve!”

Kur rrije me ‘të në zemër të katundit,
thua se kishte ngrënë vetëm barut të zi.
Në dorë kish maliherin në vend të bastunit
dhe në gjirin e kohës hesht vepra e tij.
***
ÇIKËS HASJANE..
.

Atë ditë mëngjesi kollitej shumë
nga ethet e forta të luftës.
Me një kopan rrezesh n’ Drinin e murmë
lante me nënën ndërresat e çupës.

Lokja e rriti me thërrime dashurie
si kujdeset mëhalla për të vetmin djalë.
Mëngjeset sykaltër që zbrisnin në korie
shtegut të diturisë e përcillnin ngadalë.

Një ditë vajzat fluturonin prej gëzimit
e gudulisnin shikimin e djemëve malsorë:
“Ani, ani, ne duam qe besa çikën e Agimit,
se kjo na i qan hallet me zemër në dorë!”

Shekujt shkundnin krifën prej zemrimit
kur e reja si filiz rritej në çdo kraharor.
Gëzimi i malsorëve çelte si lulet e prillit,
se çika ngjiste shkallët e Kuvendit Popullor!
***
S E L A M    M U S A I T

Eh, labi Selam, labi Selam!
Ti ishe si rrapi më këmbë
mbuluar me sharkun e halleve.
Shpesh kur nxihej deti e bënte bam,
Ti ngriheshe i pangrënë…
por të ushqente dashuria e nënave.

Eh, labi Selam, o labi trim!
Ç’ të thanë rrënjët e rrapit të rëndë,
kur mbushje me nëntë pushk’e patllake?
Ato ishin qindra thirrje për kushtrim,
ato ishin breshëri me këngë
që udhëhiqnin sulmet e një nate.

Rrjedh ajo gurrë heroizmi, o trim.
Po Ti s’ vjen dot të flladitesh, çon këngët
t’ i krahndezësh me vëllezërit në çdo gurrë:
atje ku Shqipëria është në kushtrim,
atje ku dashuria i përvesh mëngët,
atje ku shënjestra nuk ndryshket kurrë.
1.Selam Musaj (Salari-Tepelenë) – luftëtar për liri, hero i popullit.
***
AKUJT PO SHKRIJNË…

Ishin hepuar akujt kudo aq shumë,
saqë kohën e gjuanin ku mundnin.
Shpirtrat përpiqeshin t’ kalonin n’ lumë
që shpresat si flamur qiellit t’ i tundnin…

Çdo gjë dukej se po shkonte drejt ngrirjes:
gëzimit i mardhnin doçkat e vogla,
shqetsimi skërmiste dhëmbët prej dhimbjes,
ngrica i shkundi mendimet si gogla.

N’ ashtin e shpirtit ngrinin shum’ dëshira,
pasionet i zverdhte një brym’ n’kafaz.
Me gur’ n’ krah binte jeta në rrëpira,
siç dukej i mbeti gëlbaza n’ gurmaz.

Syt’ e panë k’te peisazh që ngrinte,
njerëzit zun’ qoshet me bruca të rënda…
Nga qiejt’ një tajfun i egër vinte
e përlau me vete çfar’ gjeti brenda.

Retë struken në skutat e qiellit,
pëllumbat nga ulliri nisën shtegtimin.
Hapsirat i ngrohën syt’ e diellit,
akujt të ndrojtur nisën shkrifërimin…

Shqepen hejet nga sqetullat e maleve,
u shkrinë copat nga gjinjtë e fushës.
Ran’ kokrrizat nga maja e petaleve,
iku ndrojtja nga syri i voglushes.

Vjollcat nxorën kokën nëpër lëndina,
vijn’ fazanët që ngrysën litargjinë.
Këngës ia merr bukur kanarina,
për këte diell që akujt po shkrinë…!

Janar 1992
***
VDEKJA E ZOTAVE.
..

Nxitimi më thërriste për në varrim
që të shkoja tok me fëmijët e mi.
Kush ka vdekur sonte, more gjytyrim?
Trembshëm ua ktheva unë përsëri.

Si mundet që s’ e paske marrë vesh ti?
Vdiqën të gjithë zotat në mesnatë!
N’ mendjen e historis’ një ndryshim i ri
e ka nis rrugën e brisht’ me shamatë.

Vërtetë të shkretët, sa pak jetuan!
Më fal besimtar, zoti yt s’ vdes kurrë!
Shqytarët e tyre fort u mjeruan,
çudia më thoshte: mbahu, or burrë!

I porosita fëmijët që të heshtnin,
se ai që flet për t’ vdekurit bën mëkat…
Ndonëse gëzimet filluan t’ i qethnin
e për dokrrat e vjetra shum’ qenë rropat.

N’ fillim më mbytën streset, them t’ vërtetën.
Pastaj më ra ndërmend se çfar’ ndërtuan
me thonjt’ e tyre vet’ e prishën t’ shkretën
e shum’ Sizif’ në tempull i flijuan.

T’ lutem, laraskat nga qielli përzini,
atje t’ ngjitet liria dh’e vërteta!
Rrufjan’, mos rrèni për ato që s’ dini, 1
për zotat që s’ jan’ n’ gostira e dreka!

S’ ka gjë që s’ bindën shumicën kush ishin,
ringjallja i rrit jetës dimensionin.
Dija e ndrojtur s’ ia ndez më kamishin 2
mëris’ t’ shtrir’ n’ hastër me represionin.

Meqë zotat fëmij’ na lan’ shëndetin,
duam t’ i ngrej’ paqja urat e mirkuptimit
t’ forta si malet dhe një kut me detin,
dielli t’ buzqesh’ n’ ylberet e besimit…!
1. mos rrèni- mos gënjeni. 2. kamishi, n – çibuku, n.
***
PEISAZH QË VRET…

Mëngjesi me zë të lartë kollitet
nga acari i dimrit me suferinë.
N’ prehrin e rrugës lypsia dremitet,
varfëria shpejt këmbët i lëpinë.

Mëngjesin përsëri gëlbaza e mbyt,
nga rrezet e para fërkon syt’ mpirja.
Tingujt e ngashrimeve krijojn’ një etyd
e gjymtyrët si akujt nisin nga shkrirja.

Megjithqë dhimbjet kafshojnë urinë,
si fantazëm e plagosur ringrihet.
Me pleshtat shkund ngadalë plogështinë,
sa zëri i mekur nis t’ kapërdihet.

Me lutjen e rastit vazhdon zakonin,
njerzia e shmang me fjal’ ’t kursyera:
“Prit të lutem, sa të marr pensionin!
M’ fal, kur t’ kthehem, se nuk kam të thyera!”

Mbi plehra dremit n’ kalldrëmet e hallit
kjo ushtri e skamjes, një peisazh që vret.
Nën tingujt e trishtueshëm t’ kavallit
në prehrin e fatit mëshirën e pret.

Lypsis’ i djeg ëndrrat saçi i mesditës
dhe futet vrik n’ sqetullat e hijeve.
O diell, nuk e vramë shpirtin e frikës,
vegjëlia t’ dergjet mes korieve…!
***
NË PERLAT…

Çdo vit pranvera vjen e trëndafiltë
dhe njerëzinë e deh me gaz e shend.
Muzgjet shkundin kurrizin e përhimtë
kur dimri i vesh koriet me argjend.

Pyjet belbëzojnë fjalë të ëmbla
kur buzqeshjet rinore losin në lëndina.
Freskinë e hijeve ta ka ënda
kur ylberi kreh vashat gjeraqina!

N’ odat e moçme shakat vickla hedhin
dhe mençuria me hosten seç i shpon.
Si qingjat në vath kujtimet i mbledhin
dhe kënga harenë me dyzen e zgjon.

Tufa mrizon te kroni i lajthisë,
bujku fshin’ lodhjen me shallin e erës.
Mbi djep çelin këngët e dashurisë,
bujaria t’gostit me poqen e verës. 1

Kodrat jan’ si krahu i dallandyshes
mbushur me brezare plot rrush e qershi.
Besnikria i then hundët mëdyshjes
kur pabesia skërmitet përkarshi.

Rrin’ Korifejt n’ fronin e diturisë,
shpirtin ëmbëlsojn’ me gjuhën e nënës.
T’ rënët pushojn’ n’ altar të perëndisë
që t’ lajnë plagët me dritën e hënës.

1. poçe vere- polik vere.

FLETËT BININ NJË NGA NJË…!
Baladë

Klithma bishash kafshon furtuna,
drurët dridheshin diku brinjës
e fletët binin një nga një…
Curronte veshët shtegut të hijes
frika e hasmit pa nxjerrë zë…

Si shkëmbenj shkëput Shkëlzenit, 1
përgjon njësiti ball shtërngatës
fsheh në gjethe rrëzë një kroni.
Sytë i ngulte në zemër të natës…
Pabesia mprihte dhëmbin buz’ një honi!

Duhma e krismave tmerron natën…
Palcës së dheut jehon trimëria
dhe jep kushtrimin e larë në gjak!
Ngrys si bjeshkët ky Ram Sadria 2
amanetin e ka mbjell te një zambak…!

Dhe kur qielli loton me shqotë,
dhe kur qyqja lajmron pranverën,
dhe kur hallet flenë te pragu,
amaneti ligjëron me erën
e pritës rrjedhin prap’ rrëkè gjaku…!

Zherkë, Tropojë
Korrik 1977

1. Shkëlzeni (Tropojë)– mal i lartë. Zherka (Tropojë)– fshat kufitar me tradita.
2. Ram Sadria (Tropojë)– Oficer kufiri, bashkë me njësitin kufitar u vra në përpjekje me bandat e UDB-s jugosllave, hero i ppullit.

***
GËRSHETI I LIDHUR…

Kur zbritën malet, qe fillim i vjeshtës…
Dy valixhe ua këpusnin kyçin
ngarkuar deng me mallin e bjeshkës,
thua mbi shpinë mbanin dhe Bytyçin…!

Atë kurm të derdhur si një shtatore,
kaçurrelin mbi kokë të ngritur.
Sytë të shkruar si një pemëtore
ngadalë përcillnin ndrojtjen e mitur.

Buzqeshjet e tyre kthjellonin motin,
vrulli fluturonte si pelivesa,
çiltërsia shfaqej me “ashazotin”,
e vërteta mbinte me një “jo qe besa”!

U shkrin’ për vendin, u flijuan për dritën,
fjalën hoje mjalti prej boronicave!
Me duhmën e maleve përzunë frikën,
si zanë duken në vallen e çikave…!

Në prehrin e dashurisë së njerëzve
hodhën shtat si një lastarë bjeshke.
Hallet i qepën me një zhurm’ domethënëse
kur digjnin përkushtimin si copë eshke…!

Fisnikëria e gërshetit të lidhur
mbillej thellë në zemrat e punëtorëve.
Intrigantët si ujq duke u dridhur
me mëlçi në qafë u binin këmborëve.

Epshet fshehtas lëpinin sqepin
strukur në pyllin e thashethemeve.
Harbutëria me dajak hidhte grepin
t’ i zhyste në lumin e hidhërimeve…!

Êndrrat dhe këngët nuk u lidhën nyje,
gërsheti dallg’ që then qafën n’ ujvarë.
Hekurat si xhind u rrinin mbi krye,,
ndonëse vatrat e lotit qenë tharë…

duke shplarë buzët e pafajsisë
kur hakmarrja i vodhi me egërsi.
Fatin t’ ua bënte prè të hipokrizisë,
gëzimet t’ ua kthente në mërzi…!

Larot tundnin djepin e primaturës
strukur larg në honet e poshtërsisë.
Ky gërshet lidhi duart e diktaturës
dhe pastroi udhën e drejtësisë…!

Pretenca e tyre e ashpër, e rreptë,
ish mbruajtur me epizmin e bjeshkëve.
Si bombë i ra lanetit të sertë,
kohës ia shpoi timpanin e veshëve…!

Tani gjallojnë si lule begonje,
mallin e tretin te syt’ e fëmijëve.
Vështrimi i tyre shikim Shqiponje,
godet si shpat’ kokat e gjarpërinjëve..!
1.Vajzave e grave me profesione të ndryshme që u dënuan për agjitacion e propagandë në të shkuarën, duke flijuar ëndrrat e shpresat dhe gëzimet e tyre familjare. 2. Bytyçi (Tropojë) – trevë e këtij rrethi me tradita, vendlindja e mësueses patriote Rukie Rama që u bë viktimë e kësaj goditje fatale të luftës së klasave me këngëtaren Alida Hisku e të tjera femra shqiptare dhe me shtetësi të huaj që patën të njëjtin fat.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

TË JESH …

Lirikë fundjave Prishtinë, mars 2024 Ng Rexhep Kasumaj Të jesh… Mjafton të jesh pasditeve në t’voglën verandë pa…