XHEVAT BISLIMI: ‘ZAJEDNICA’ E SERBISË NUK ËSHTË ASOCIACIONI I GAZETARËVE (MEDIAVE) TË PRISHTINËS

(Viti, 05. 03. 2013) – Të gjithë ata që e kuptojnë pakëz serbishten e dinë që fjala “zajednica” e serbishtes e ka kuptimin “bashkësi” në gjuhën shqipe ose “komunitet” në gjuhë të ndryshme, që nënkupton një shkallë më të lartë të organizimit, një entitet, një shkallë bukur të lartë të të drejtave-përgjegjësive dhe një shkallë të caktuar autonomie… Pra, nëse është kështu, fjala “bashkësi” (“zajednica”) nuk e ka të njëjtin kuptim, as në formë dhe as në përmbajtje, me fjalën “asociacion”, që në gjuhën tonë shqipe i bie “shoqëri” ose “shoqatë”, që nuk ka asnjë të drejtë, përgjegjësi apo kompetencë ligjore, ekzekutive…, nuk ka dhe nuk mund të “prodhojë” kurrfarë autonomie për një territor të caktuar, siç do të ishte “zajednica” e komunave “serbe”. Por, meqë Kosova jonë është “suigeneris”, nuk është çudi që edhe nën petkun (rrobën) e një “asociacioni” (me emër) të krijohet një entitet-autonomi për 4-5 përqind të popullit të Kosovës.
Unë po i kuptoj bashkëbiseduesit shqiptarë të Daciqit dhe zëdhënësit e tyre kur po e përdorin me të drejtë fjalen “asociacion” (mund të përdorej shumë më saktë dhe më drejtë fjala jonë burimore “shoqëri” ose “shoqatë”), sepse kështu po këmbëngulin dhe po duan që të jetë organizimi i komunave “serbe”… Me demek ta ketë statusin e një OJQ-je. Por, fakti që ky organizim i komunave “serbe” (5% e popullit të Kosovës!!) brenda Kosovës po diskutohet me Serbinë na bënë që të ndjehemi të “kërcënuar” nga ky organizim i komunave “serbe” brenda shtetit të Kosovës ndaras nga komunat tjera. Jo vetëm kaq. Po rrezikohet edhe “projekti” i famshëm i një Kosove “shumetnike”-atisariane (joshqiptare)!

– Bruksel, 4 mars 2013 – 

Në këtë rast vetëvetiu vjen konstatimi: po të ishte fjala vetëm për një “asociacion” joqeveritar nuk ma ha mendja që do të merrej me të Serbia dhe as bota… Pastaj, po të ishte fjala për të drejta dhe standarde të kohës (evropiane), atëherë pse nuk bëhen asociacione ose “zajednica” të njëjta për shqiptarët e pushtuar nga Serbia?! Apo, ata nuk janë popull i “zgjedhur” nga Zoti?! Të drejtat që tashmë janë siguruar dhe këto që po kërkohen me “këmbëngulje” për pakicën serbe në Kosovë nuk i gëzojnë as shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e tyre (mbi 30%) dhe as shqiptarët në Mal të Zi!! Madje, këto të drejta nuk i gëzonë asnjë pakicë kombëtare ose etnike në Evropë dhe botë. Për hirë të së vërtetës duhet të themi se këto të drejta nuk i gëzon as pakica serbe (mbi 30%) në Mal të Zi! Prandaj, e them me shumë përgjegjësi se koha ishte që institucionet e Kosovës të kërkonin dhe të këmbëngulnin për rishikimin e Planit të Ahtisarit në interest të Kosovës dhe të popullit të saj shqiptar, në interes të një sigurie, paqeje dhe qëndrueshmërie afatgjate në Kosovë dhe rajon, e jo të bisedohet për të drejta plus të pakicës serbe ose, më saktë të Serbisë në Kosovë… Na mbetet të besojmë te “këmbëngulja” dhe “vendosmëria” e institucioneve tona dhe te kurrë-kurrat e Kryeministrit. Por, mua dhe qytetarin tonë po e pengon “politizimi” ose servilizmi i mjeteve të njoftimit (mediave) në Prsihtinë. Tv-të e Prishtinës e japin Daciqin e Serbisë (në gjuhën serbe) duke thënë se “ne po kërkojmë krijimin e një “zajednice” të komunave “serbe” në Kosovë, kurse gazetarët e këtyre TV-ve i thonë dëgjuesit tonë se Daciqi-Serbia po kërkon një “asociacion” të komunave “serbe” në Kosovë! Ecë e ruaje qetësinë! Ecë e mos ua “shaj” shkollën – etikën e gazetarisë së tyre… Kërkoj falje nga disa “ultrademokratë” dhe nga disa “ultradashamirë” të fjalës së lirë dhe të mediave të “lira”, por po na bëjnë nervozë këto media servile… Me këtë nuk them dhe nuk do të them asnjëherë se në media nuk ka edhe gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë e pronarë mediash që punën e tyre e bëjnë me korrektësi dhe përgjegjësi të lartë për dhe para qytetarëve tanë. Nderim për ta!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura