XHEVAT BISLIMI: ZGJIDHJA IDEALE PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE TË KOSOVËS ËSHTË BASHKIMI POLITIK: PDK-LVV-AAK-NISMA!

Prishtinë, 21. 10. 2015: (Mendim për tejkalimin e gjendjes së rëndë politike, ekonomike, sociale, kombëtare e kulturore) – Bashkimi politik në një front i partive-subjekteve politike, PDK-LVV-AAK-NISMA, do ta nxirrte vendin nga ky kurth i madh i marrëveshjeve të Brukselit dhe do të hapte perspektivë të shkëputjes së plotë të Kosovës nga Serbia (çështje mbi çështjet tjera…). Ky bashkim-front, përveç të mirës politike e kombëtare, do të ishte zgjidhje edhe për një konsolidim të shpejtë të institucioneve dhe të sistemit politik përgjithësisht. Bashkimi i forcave politike me rrënjë të përbashkët do të rikthente shpresën e vrarë të këtij populli dhe do t’i “çlironte” energjitë e ndrydhura intelektuale, krijuese, zhvillimore e ndërtuese. Po të bashkoheshin këto forca efekti i menjëhershëm do të ishte krijimi i Qeverisë së përkohshme (teknike) për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme në vend…. Por, kusht për realizimin e këtij propozimi-bashkimi është “spastrimi” ose katarsisi i këtyre subjekteve që do të bashkoheshin në një front nga ata që janë përfshirë në korrupsion, në shpërdorim detyrash-postesh, fondesh e pasurish… E kam fjalën te krijimi i një trupe (komisioni…) të përbashkët me pajtueshmëri të plotë për “dekriminalizimin” e domosdoshëm dhe të pamëshirshëm të këtyre subjekteve ose të këtij bashkimi nga cilido që me apo pa vullnetin e tij është i përfolur ose që ka një perceptim publik se është përlyer në korrupcion, në krim ekonomik, në pasurim të paligjshëm, në bashkëpunim me të huajt në dëm të interesave kombëtare e shtetërore, në përvetësim a uzurpim prone, tenderi, posti publik, etj., në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe me interesat publike e shtetërore.

***
Hyrje për zgjidhjen ideale

Mbajeni mend, lexues të nderuar, po shkruaj dhe po jap mendim për një zgjidhje ideale që është pak reale e më shumë utopike në Republikën shqiptare të Kosovës. Se Kosova e çliruar (aq sa u çlirua…) me përpjekjen, mundin, luftën dhe flijimet gati një shekullore (e kam fjalën për periudhën pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë…) nuk po ecte në rrugën e shkëputjes së plotë nga Serbia e kuptonin pak shqiptarë, sepse entuziazmi mbarëshqiptar, që shkaktoi dëbimi i forcave dhe i administratës pushtuese nga Kosova, ishte aq i madh sa nuk na lejonte ta shihnim, ta lexonim dhe ta kuptonim drejt projektin e Fuqive të Mëdha për të ardhmen e kësaj krahine të Shqipërisë-Kosovën. Kjo gjendje “syleshe” edhe mund t’u falejë shqiptarëve të robëruar, pa klasë politike dhe pa inteligjenci të mirëfilltë kombëtare (me elita kombëtare ende në formim). Mirëpo, kjo “syleshësi” nuk mund t’i falet Tiranës zyrtare, e cila nuk ia doli të ngritej në shkallën e detyrës që kërkonte koha për shkëputjen e plotë të kësaj krahine të saj nga Serbia (për shkak edhe të gjendjes së rëndë brenda shtetit gati të rrënuar…)! Vetëm pas pesë vitesh, në vitin 2004, shqiptarët u “zgjuan” nga ekstaza e gjatë që solli çlirimi dhe e kuptuan se Kosova po rrëshqiste dhe po rrezikonte të rikthehej në prehrin e Serbisë! Ky ndërgjegjësim i rrufeshëm shkaktoi edhe pakënaqësi të rrufeshme-uragan (ngjarjet e marsit…), që tronditën komoditetin e klasës së re dhe të asaj të vjetër (jugo!) politike. Tronditja nuk ishte më e vogël as për praninë ndërkombëtare dhe për qendrat e vendosjes. Falë këtyre ngjarjeve mbarëpopullore-shqiptare bota (Fuqitë e Mëdha), nën ndikimin dhe me këmbënguljen sidomos të SHBA-ve, u hapën bisedimet për statusin e Kosovës. Me bisedimet e Vjenës dhe me Planin e Ahtisarit Kosova do të Shpallte pavarësinë, por nuk do të mund të bëhej shtet plotësisht i pavarur nga Serbia, sepse heqja dorë nga bashkimi i kësaj krahine të Shqipërisë me shtetin shqiptar nuk ishte veç e “dhimbshme”, por edhe tepër e dëmshme për pavarësimin-shkëputjen e plotë nga Serbia. Statusi i pakicës serbe dhe i Kishës ortodokse, instrumente të Serbisë, do ta mbanin peng dhe të kushtëzuar pavarësinë, lirinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës! Plani i Ahtisarit dhe pranimi i tij nga Grupi negociator i Kosovës “e linin të hapur derën”, siç po thotë edhe analisti i njohur, Daniel Serveri, për trysni dhe lëshime të reja në dëm të shtetit të sapo shpallur!
Mirëpo, edhe kësaj radhe, njësoj si pas mbarimit të luftës, Shpallja e Pavarësisë së Kosovës (në “stilin” e Ismail Qemalit…!!) dhe gëzimi-festa që mbretëroi kudo ku kishte shqiptarë la nën hije “hijet” që hijezonin (kushtëzonin pa afat…) Pavarësinë e Kosovës! Republika e re shqiptare e Kosovës e qeverisur keq nga një klasë e papërgjegjshme kombëtarisht e me shumë kusilingë e bashkëpunëtorë të Serbisë, e korruptuar dhe e akuzuar rëndë (disa drejtuesë politikë dhe komandantë të UÇK-së) nga qendra të ndryshme ndërkombëtare (akuza të përgatitura nga Beogradi neofashist) u shantazhua dhe u gjunjëzua edhe njëherë në bisedimet e reja me Serbinë në Bruksel dhe me miratimin e Gjykatës Speciale!! Publikimi i këtyre marrëveshjeve (ri)tronditi Kosovën shqiptare dhe një pjesë të politikës (opozitën), shoqërinë civile (popullin) dhe inteligjencien shqiptare. Por, edhe kësaj here, siç thotë populli ynë i mirë, “kur erdhën mentë shkuan dhentë”!
Zgjidhja ideale
Gjendja në Republikën e Kosovës është më e qartë se kurrë pas nënshkrimit të Marrëveshjeve të Brukselit me Serbinë dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Prandaj nuk po ndalem shumë në shpjegime “plotësuese”, por po jap mendimin tim për një zgjidhje ideale e pak reale. Ideale, sepse me këtë klasë politike që ka kapur segmentet kryesore te politikës, të ekonomisë dhe të institucioneve është gati e pamundshme, ndërsa është pak reale, sepse po të kishte dëshirë, vullnet dhe vetëdije kombëtare e qytetare te kjo klasë politike në formim, edhe mund të realizohej. Zgjidhja ideale që do ta shpëtonte Republikën shqiptare të Kosovës nga rrokullisja (shkërmoqja) e mëtejme është në dorën e partive-subjekteve politike që rrënjët i kanë në angazhimin, përpjekjen, luftën dhe flijimin për lirinë-çlirimin e Kosovës dhe të viseve të saj jo vetëm në luftën e fundit, por të paktën që nga koha kur u (ri)copëtua Shqipëria në vitin 1912. Bashkimi politik në një front i partive-subjekteve politike, PDK-LVV-AAK-NISMA, do ta nxirrte vendin nga ky kurth i madh i marrëveshjeve të Brukselit dhe do të hapte perspektivë të shkëputjes së plotë të Kosovës nga Serbia (çështje mbi çështjet tjera…). Ky bashkim-front, përveç të mirës politike e kombëtare, do të ishte zgjidhje edhe për një konsolidim të shpejtë të institucioneve dhe të sistemit politik përgjithësisht. Bashkimi i forcave politike me rrënjë të përbashkët do të rikthente shpresën e vrarë të këtij populli dhe do t’i “çlironte” energjitë e ndrydhura intelektuale, krijuese, zhvillimore e ndërtuese. Po të bashkoheshin këto forca efekti i menjëhershëm do të ishte krijimi i Qeverisë së përkohshme (teknike) për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme në vend. E mirë dhe interes i domosdoshëm shtetëror e kombëtar për këtë vend do të ishte edhe largimi i LDK-së nga pushteti në të gjitha nivelet dhe nga pozita të rëndësishme publike. Rrënjët e LDK-së, eksponentëve të saj të gjallë e të vdekur, ishin, për shkaqe dhe arsye historike, politike, shoqërore e ekonomike, në Jugoserbinë pushtuese! Prejardhja dhe lidhshmëria e ngushtë ideologjike, politike dhe kolaboracioniste e LDK-së, sidomos e eksponentëve të saj të sotëm e të djeshëm, është dhe do të mbetet problematike për shoqërinë tonë edhe për një kohë. E kaluara e kësaj force politike dhe rrënjët e saj te qytetarët tanë dhe te të huajt asocojnë në bashkëjetesën (“vëllazërim-bashkimin), ideologjinë, kulturën, mendsin dhe pushtimin e tipit titisto-rankoviçist. Duke larguar LDK-në nga qeverisja dhe nga pozita të rëndësishme publike, si dhe të tjerët që nuk janë formalisht anëtarë të saj, por që janë brum i njëjtë, kuptohet me zgjedhje dhe me votë, i jepet porosi e qartë Serbisë dhe miqve të saj se Kosova është shqiptare dhe përgjithmonë e pavarur dhe e shkëputur nga Serbia neofashiste e milosheviçve dhe nikoliçve të sotëm e të nesërm. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të duhej të interpretohej dhe kuptohej si “hakmarrje” ose “diferencim”, por si një masë e domosdoshme për ta shkëputur Kosovën tërësisht nga Serbia dhe për ta zhvilluar e fuqizuar deri në bashkimin e saj të natyrshëm me trungun e saj. Edhe bashkimi i forcave politike me rrënjë të përbashkët nuk duhet të kuptohet dhe as të shpjegohet si bashkim kundër dikujt, por si një nevojë imediate, si domosdoshmëri për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje e padëshiruar nga askush dhe si bashkim për të sotmen dhe të ardhmen e sigurt dhe paqësore të Kosovës dhe të kombit shqiptar në rajon. Madje ky BASHKIM do të ishte e mira e të gjitha palëve të interesuara për Kosovën. Ky BASHKIM do t’i ekuilibronte forcat jo vetëm brenda kombit tonë, por edhe në rajon.
Ndërtimi, zhvillimi dhe fuqizimi i një shteti të Kosovës me pavarësi dhe sovranitet të plotë është interes edhe i LDK-së dhe i anëtarësisë dhe zgjedhësve të saj shqiptarë. Qëndrimi i LDK-së në “opozitë” për disa vite (së paku pesëmbëdhjetë vite) dhe largimi i eksponentëve të rinj e të vjetër me botëkuptime dhe ideologji titiste (me shkollën e Titos) e kozmopolite (vetëpastrimi) do të ishte interes i kësaj partie politike dhe i Kosovës shqiptare. Gjithmonë sipas meje, ky do të ishte kontributi dhe sakrifica e parë e LDK-së për lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe shtetin e Kosovës.
Bashkimin PDK-LVV-AAK-NISMA në një front, subjekte me rrënjë të përbashkët, mund ta pengonin, përveç Serbisë dhe miqve të saj, vetëm disa figura me interesa të ndryshme nga interesat e vendit dhe të kapur nga bëmat e tyre “patriotike” gjatë këtyre viteve… Ç’është e vërteta, po të kishin forcë mendore dhe shpirtërore për ta perceptuar dhe kuptuar drejt gjendjen e sotme dhe të ardhmen problematike të Kosovës, edhe ata do të nxirrnin përfundimin se ky BASHKIM do të ishte edhe shpëtimi i tyre. Të paktën nuk do të përfundonin në koshin e plehrave, siç kanë përfunduar e do të përfundojnë disa bashkëkombës tanë. Prandaj, po të ndodhte “mrekullia”-bashkimi, Kosova e Re do të stabilizohej me shpejtësi dhe forcat destabilizuese brenda dhe jashtë Kosovës do të strukeshin e do të minimizoheshin (interesi i parë). Plani i Ahtisarit dhe marrëveshjet e Brukselit do të zbatoheshin konform interesave shtetërore e kombëtare dhe dalngadal do t’u “përshtateshin” kërkesave dhe interesave të kohës… (interesi i dytë). Stabilizimi i Republikës së Kosovës do të stabilizonte edhe rajonin e Ilirisë (Ballkanit) dhe çështjen e pazgjidhur shqiptare (interesi i tretë). Rajoni i stabilizuar do të kishte ndikim të jashtëzakonshëm për stabilitetin dhe paqen në Evropë e më gjerë (interesi i katërtë). Këto janë vetëm disa arsye themelore pse ky BASHKIM do të mirëpritej edhe nga prania ndërkombëtare (e cila nuk do të kishte punë më në Kosovë e rajon në këtë format që është): nga SHBA-të, nga BE-ja dhe nga qendrat tjera të vendosjes në botë. Prandaj, të gjithë ata që e kanë dashur dhe e duan këtë vend të lirë e të pavarur plotësisht nga Serbia dhe nga ndikimi i miqve të saj, posaçërisht anëtarët dhe votuesit e këtyre forcave politike (PDK-LVV-AAK-NISMA), edhe strukturat e tyre, duhet të bëjnë trysni më shumë se kurrë te “bosët” e këtyre subjekteve që të bashkohen në një front. Të bashkohen për të mirën dhe shpëtimin e Kosovës shqiptare dhe të paqes në rajon për të mirën, qetësinë dhe zhvillimin normal evropian të këtij populli.
Por, kusht për realizimin e këtij propozimi-bashkimi është “spastrimi” ose katarsisi i këtyre subjekteve që do të bashkoheshin në një front nga ata që janë përfshirë në korrupsion, në shpërdorim detyrash-postesh, fondesh e pasurish… E kam fjalën te krijimi i një trupe (komisioni…) të përbashkët me pajtueshmëri të plotë për “dekriminalizimin” e domosdoshëm dhe të pamëshirshëm të këtyre subjekteve ose të këtij bashkimi nga cilido që me apo pa vullnetin e tij është i përfolur ose që ka një perceptim publik se është përlyer në korrupcion, në krim ekonomik, në pasurim të paligjshëm, në bashkëpunim me të huajt në dëm të interesave kombëtare e shtetërore, në përvetësim a uzurpim prone, tenderi, posti publik, etj., në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe me interesat publike e shtetërore. Katarsisi do të duhej të shtrihej edhe në institucionet shtetëroe e publike të çdo niveli. Largimi-pensionimi i këtyre njerëzve, pa paragjykuar dhe pa kursyer askënd, është kusht sine que non për këtë BASHKIM-FRONT ideal për Kosovën, por gati i pamundshëm me këta krerë dhe me grupet që ata mbajnë rreth tyre. Rrugët dhe zgjidhjet tjera do të ishin më të vështira dhe më të ngadalshme e me shumë të panjohura për Republikën tonë të re e të lodhur sa nga të huajt, sa nga vendorët…

(Autori është magjistër i diplomacisë, gazetar, publicist, politikan, ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura