XHEVIT DAFKU: SHISHTAVECASIT JANË SHQIPTARË NUK JANË BULLGARË!

Kukës, 5 shkurt 2018: Ashtu sikurse përpara 15 vitesh, edhe në këto ditë po përvijohet një propogandë antishqiptare për etnicitetin e Shishtavecit, e përtej tij për Gurrën (Gorën) në përgjithësi. Jo vetëm për shkak të argumenteve të mia individuale, por edhe duke iu referuar drejtpërdrejt fshatit të Shishtavecit, traditës së krijuar të tij, praktikës jetësore të banorëve vërejmë lehtësisht dhe qartë disa përfundime.
Banorët e fshatit Shishtavec janë të ardhur në vendbanimin e sotëm përgjithësisht nga krahina shqiptare si Luma, Kruja,Topojani, Opoja e viset e tjera shqiptare nga Maqedonia e Kosova. Përveç përdorimit të gjuhës (nëse e quajmë kështu) e cila ka një përdorim praktik pa alfabet dhe pa ndonjë identitet të qartë, çdo gjë tek ata flet vetëm shqip. Jo vetëm kaq, Shishtaveci flet e komunikon ndryshe me gjithë trevën e Gurrës që reflekton edhe dallimin e prejardhjes së ndryshme me vendbanimet e tjera të Gurrës (Gorës). Ndërsa etno-kultura e tij është tërësisht shqiptare, topojanase më së shumti në këtë kontekst. Ndikimi topojanas është i pranishëm në çdo pore të jetës, veprimtarisë së përditshme, dokeve e zakoneve, manifestimeve etnografike e sjelljeve të tjera kolektive.

Gurra (Gora) aktualisht flet gjuhën nashke, shkinisht, por esenciale është se në zakonet, traditat dhe kulturën e saj është e njëjtë jo vetëm me Topojanin që theksuam më lart, por edhe me Opojën dhe fqinjët e tjerë rrotull, që na forcon idenë se ata janë të ardhur në këtë vendbanim. Këtë e konfirmon edhe historiani i vonuar Nazif Dokle në librin e tij “Sinan Pashë Topojani” kur thotë: “Ata nuk e quajnë veten bullgarë (vini re bullgarë), serbë ose maqedonas. Ata e quajnë veten arrnautë, më rrallë turk”. Kjo dëshmon qartë se fshati i Shishtavecit nuk ka asnjë lidhje gjaku me sllavët në tërësi, por është historikisht shqiptar, banor në trojet e krahinës se Topojanit, gjegjësisht janë topojanas.
Studiuesi Thoma Murzaku thotë: “Kur lexojmë emrat latin, dmth katolikë, grekë, vllehë etj, në dokumentacionet greke dhe serbe duhet të kuptojmë emrin shqiptar” (Konferenca Kombëtare 2-5 korrik 1982). Pra më saktë nuk mund të kërkojmë shkencërisht edhe në terrenin konkret, në fshat.
Më së pari, popullsia e Shishtavecit vërtetë nuk është autoktone, por është e vendosur në trojet e fshatit Novosej të pranuar nga banorët etnikë të “Ilirisë së shkretuar” nga maqedonasit në shek. e II p.e. re. Banorët e parë të Shishtavecit janë vëllezërit Zhifko, Marko, Ilia dhe Bogdani në fillim të shek. XII të erës sonë. Vini re vendndodhjen dhe vendshtrirjen ku është Shishtaveci: Ky vendbanim është një hapësirë (pllajë) djerrë e tërësisht shkëmbore. Pra Novosej me marrëveshje dhe mirëkuptim i lejoi të krijojë ngulimin pikërisht aty ku ndodhet kjo tokë jo pjellore që nuk i nevojitej edhe aq shumë. Prandaj këta banorë u zhvilluan në bashkëjetësi të detyruar jetësisht me novosejasit.
Deri sot nuk ka asnjë studim të mirëfilltë shkencor për gjenezën e popullsisë së Shishtavecit dhe siç thotë studjuesi Zenulla Bala nga Shishtaveci : “…kështu do të ngelet për aq kohë sa të realizohet një studim shkencor.”
Dr. Hajriz Meleqi thote: “Rreth përhapjes së goranëve, deri tani janë bërë shumë spekullime. Asnjëherë nuk ka patur çasje të mirëfilltë shkencore (se) nga secili studim, ka patur prapavijë politike” (Revista “Sharri” në 54-55 qershor-korrik 2006.)
Për herë të parë emri Shishtavec në bazë të të dhënave të pakta historike, përmendet në vitin 1335 në kartën e Car Dushanit. Fillimisht është quajtur Shishtojec dhe më pas Shishtovec. Më pas Fushaj në gjysmën e parë të shekullit të XX dhe më në fund ndalon në emrin Shishtavec. I pari që është vendosur në këtë vend është çobani Zhivko të cilit nuk i dihet prejardhja. Nga mesi i gjysmës së parë të mesjetës erdhën edhe tre vëllezër çobenj, vllehë nga Rumania, por mundet edhe nga Greqia. Përveç disa toponimeve me emrat e tre vëllezërve si Kodra e Alisë, Kodra e Bogdanit etj, nuk njihet asgjë nga zhvillimi i tyre si fis. Ato nuk kanë gjurmë etnografike përveç një komunikimi të përzier që përdoret edhe nga fise të tjera që kanë populluar fshatin. Shtimi demografik i Shishtavecit është bërë gradualisht dhjetëvjeçar pas dhjetëvjeçari nga familje shqiptare të ardhura nga troje të ndryshme. Këtu ata gjenin fisin vlleh me gjuhën e tyre komunikuese. Familjet që vinin gjindeshin në mjedisin e banorëve çobanë dhe detyroheshin të siguronin komunikim duke përdorur me vështirësi gjuhën nashke, shkinisht, gjuhë që përdornin paraardhësit e tyre çobej. Kështu gjysma-gjysma është bërë komunikimi i banorëve të rinjë, vit pas viti e shekull pas shekulli. Një gjuhë e përzier çobane me shqipen.
Mungesa e studimeve për këtë terren dhe zhvillimin demografik dhe etno-kulturor e linguistik, është shfrytëzuar nga segmente antishqiptare për të përfituar politikisht. Disa mendojnë se ato janë maqedonë, disa të tjerë thonë janë serbë, të tjerë thonë bullgarë. Ka edhe nga ato që i quajnë boshnjakë apo bogomilë. A nuk është kjo një komedi me këta banorë tërësisht shqiptarë në tokën dardano-ilire? A nuk flet kjo për një domosdoshmëri të një studimi shkencor për përcaktimin përfundimtar të identitetit të popullit të Shishtavecit dhe krahinës së Gurrës (Gorës)?
Zenulla Bala studjues nga Shishtaveci në librin e tij “Shishtaveci, historia dhe tradita” thotë: “Tingujt e të folmes së Gorës, përballet tërësisht nga grafia e shqipes”. Ai sjell prejardhjen e gjithë fiseve të fshatit. Fisi Balaj (Balevc) rrjedh nga Mati. Fisi tjetër Balaj vjen nga fshati Surroj i Kukësit. Fisi Doçi rrjedh nga fshati Nangë i krahinës së Lumës. Fisi Basha nga Oreshka. Fisi Draga nga Tetova (Tikvesh) vis shqiptar në Maqedoni dhe fisi Ballabani, Kallabaku, Murga nga Topojani. Familja Gani Shyti nga Topojani. Familja Zaim Hazizi nga Topojani. Familja e Idriz Allarajit nga Turaj. Fisi Bela (Beleci) nga fshati Bele. Familja e Bilal Sinanit nga fshati Surroj, Familja Seferi nga Tikveshi i Tetovës. Fisi Duraku nga Duro nga fshatrat shqiptare në Maqedoni.
Fiset e tjera më të vjetra të ardhura nga treva të ndryshme shqiptare të përmendura deri vonë si Bogdani, Ilia, Velko, Marko që sot quhen Hoxhinci (Hoxha), Gavenci, Koliqofci, Dragonci të ardhur nga fshatra shqiptare dardane në Maqedoninë e sotme. Mallaukofci (Maukaj) (Uka), Zhivkofci, Micofci (Haxhiaj) Haxhinci të ardhur nga Prizreni. Bobanovci (Ballabanët), Ginxhevci (Kingjët), Pecanovci (Shehu), Beqovci nga Opoja. Belevcinga, Belja Kashinci (Kashta) nga Mati dhe Surroji. Doçovci nga Nangët e Lumës. Autori me këto të dhëna demografike çelë një dritare për studiuesit dhe institucionet shkencore për hulumtime gjenetike për Shishtavecin. Ai vërteton se popullsia e Shishtavecit nuk është autoktone dhe etnike në trojet ku jeton.
Banorët e vendosur gradualisht të ndodhur në ambintin e gjuhës komunikuese detyroheshin të organizonin marredhënie me banorët që gjenin dhe të flisnin në gjuhën e tyre. Që një popull të konfirmohet etnik së pari duhet të jetë aty bashkë me teritorin, gjuhën, etno-kulturën dhe mënyrën e jetesës tradicionale.
Shishtaveci në trojet e krahinës së Topojanit nuk mund të krijonte një kulturë tjetër, tradita të tjera të ndryshme me banorët etnikë. Këtë e vërtetojnë zakonet, traditat dhe mënyra e jetesës në terrenin e lashtë. Ngjashmëritë e praktikave jetësore të dasmave, mortave, emrat dhe toponimet pagane në trevat që përdorin një komunikim linguistik të shpërbërë dhe pa alfababet, janë të njëjta me Topojanin, Gorën, Tetovën dhe Prizrenin.
Shishtaveci gjatë shekujve zhvillohet në këtë truall të krahinës së Topojanit, kryesisht është përfshirë në njësitë administrative të Gurrës (Gorës), bile edhe sot anatemohet si me origjinë gorane, pavarësisht se të gjithë fiset që e formojnë si qendër banimi, janë shqiptarë të ardhur dhe me origjinë etnike të tillë.

Fshati Shishtavec (video me dron)

Pra asnjë edhe ne nga historianë në simpoziume shkencore këtej e përtej kufirit artificial dhe studjues nga fshati nuk përbëjnë asnjë të dhënë se popullsia e Shishtavecit të jetë sllave, përjashtuar vëllezërit rumun që janë zhdukur tërësisht.
Propoganda dhe paisja e banorëve shishtavecas e më tej se janë bullgarë është pjesë e perandorisë bullgare për t’u shtrirë në Shqipëri deri në thellësi të saj. Ajo duhet sanksionohet shkencërisht dhe shtetërisht nga shteti dhe institucionet shkencore historike një herë e përfundimisht për të mos lejuar tendenca të tilla antishqiptare. Tendenca të tilla nuk po manifestohen për ndryshim kufijsh nuk janë vetëm bullgare, por edhe serbe, maqedonase dhe greke. Një rrezik i madh që i paraqitet kombit shqiptar që duhet të shqetësojë jo vetëm popullin por veçanarisht të shtetit shqiptar.
Shishtaveci shqiptar (argumente të tjera shkencore)
Pas çlirimit, Shishtaveci përcaktohet në ndarjet administrative si qendër administrative, ekonomike dhe ekzekutive me emrin lokalitet ku përfshiheshin të gjithë fshatrat e Krahinës së Topojanit dhe Zapodit. Në vitet 60’, Zapodi shkëputet nga lokaliteti dhe krijon një qendër të tillë në vete, duke u njohur si krahinë etnike, teritoriale dhe etnografike. (sipas Ali Domit).
Deri në vitet 1970, Shishtaveci ishte qendër administrative e të gjithë krahinës etnike të Topojanit. Nuk do të kishte situatë të tillë sot sikur qendra e Lokalitetit të vendosej në qendër të krahinës, në fshatin Topojan.
Më vonë Shishtaveci shkëputet duke u krijuar si njësi ekonomike dhe administrative më vete me fshatrat Shishtavec, Novosej, Kollovoz, Shtrezë, Oreshkë.
Gjithnjë kjo ndarje në procesin e kolektivizimit të bujqësisë, por jo si krahinë, Shishtaveci nuk iu anëshkrua Zapodit, pra është në Krahinën e Topojanit. Këtu vërtetohet se Shishtaveci nuk është konsideruar asnjëherë me origjinë sllave, pavarësisht komunikimit linguistik të shpërbërë dhe për më tepër pa alfabet.
Mendimet dhe synime të papjekura shkencërisht se Shishtaveci ka origjinë bullgare, nuk argumentohen në asnjë rrethanë përveç dëshirës së ngushtë të interesit të ditëve tona në tranzicion thjesht për të fituar një mundësi për emigrim në Europë me një pasaportë bullgare. Kjo në këndshikimin e interesit të ngushtë personal, vërtetë nuk përbën ndonjë fatalitet, por shikuar në interesin kombëtar dhe historik, përbën një problem që do të sjellë produkt të rrezikshëm për tërësinë teritoriale të RSH, më vonë. Ky shqetësim qartësohet dhe vërtetohet sot kur Bullgaria me synim ka siguruar një numër të konsiderueshëm individësh të këtij vendbanimi me pasaportë duke i konsideruar si shtetas bullgar. Nëpërmjet këtij veprimi Bullgaria ëndërron të sigurojë ngadalë terrenin e përshtatshëm që shteti shqiptar të njohë një minoritet bullgar në teritorin e Shqipërisë.
Unë shqetësohem si qytetar shqiptar se është e afërt dita që Bullgaria do të kërkojë më shumë. Tendenca ksenomane për interesin e ngushtë, duke mos parë se çfarë vjen pas është më e pakta e dëmshme. Shishtaveci është pjesë integrale e tërësisë teritoriale të Shqipërisë, Qarkut të Kukësit dhe Krahinës së Topojanit. Banorët e Shishtavecit janë me origjinë shqiptare. Bullgarisë dhe në përgjithësi sllavëve pretendues prej 15 shekujsh për të gllabëruar teritore shqiptare, u duhet thënë hapur dhe prerë: “Larg duart nga Shqipëria”. Qytetarëve të thjeshtë e të ndershëm duhet t’u krijohen kushte të sigurta për jetën e tashme dhe të ardhme.
Këto pikëpamje apo qëndrime në dëm të çështjes së përgjithshme kombëtare nuk kanë as dakordësinë e banorëve të Shishtavecit, as të krahinës, e as të Shqipërisë. Këto pikëpamje e kanë zanafillën e vjetër pansllave ruse me Hilferdingun dhe Jastrebovin, antishqiptarë të tërbuar. Këta përfaqësues politikë të Rusisë cariste, qëllimisht trevat ku flitet nashke, shkenisht etj, i quajnë sllavë të shqiptarizuar.
Mendoj se është domosdoshmëri shtetërore dhe shkencore organizimi dhe realizimi shkencor mbi këto treva për t’u dhënë përgjigje definitive pikëmjeve dhe tendencave shoviniste. Edhe një here, as Shishtaveci jo e jo, por as treva e Gorës në tërësi, nuk kanë asnjë lidhje gjakësore e kockore me sllavët.

__________

Shishtavec 2017 mjeshtri i valles .ali kingji
Shishtavec 2017 ( Valle Grash Me Veshje Tradicionale)

_____________________________________

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura