RRETHIMI I SARAJEVЁS …!

Nga Adnan Qaka

Këto ditë u shënua fillimi i rrethimit të Sarajevës – rrethimi më i gjatë në historinë moderne

Këto ditë u shënua 34-vjetori i fillimit të luftës dhe rrethimit të Sarajevës, një nga ngjarjet më tragjike dhe më të rëndësishme në historinë bashkëkohore evropiane. Rrethimi i Sarajevës, i cili filloi më 5 prill 1992 dhe përfundoi më 29 shkurt 1996, zgjati plot 1,425 ditë, duke u bërë rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti në historinë moderne të luftës

Fillimi i rrethimit dhe agresioni i organizuar

Rrethimi i Sarajevës nuk ishte një zhvillim spontan, por rezultat i një strategjie të organizuar ushtarake dhe politike kundër Bosnje dhe Hercegovinës si shtet sovran. Forcat e ish-Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), dhe më pas njësitë tjera të forcave të armatosura serbe, vendosën një sistem të plotë rrethimi dhe izolimi të kryeqytetit.

Nga pozicionet në kodrat përreth – përfshirë Grbavicën, Varrezat Çifute, shkëmbin me majë, shkëmbin “Baba” në shpatin verior të malit Trebeviq dhe Kodrën e Arrës në Polinat, kisha ortodokse në Dobrinja IV etj, – qyteti u mbajt nën zjarr të pandërprerë artilerie dhe snajperësh. Qytetarët e Sarajevës ishin në shënjestër të përditshme, pa asnjë dallim.

Snajperistët ishin më aktivë gjatë motit të mirë, kur qytetarët dilnin jashtë. Ata shënjestronin vendet ku mblidheshin civilët, qëllonin njerëz në tregje, në kopshte, para shtëpive, në tramvaja, por edhe në radhë për ujë dhe ushqim. Gjithashtu,  qëllonin në kontejnerë me ujë që njerëzit mbanin. Si pasojë, banorët deryroheshin të shkonin për ujë natën vonë ose shumë herët në mëngjes, për të shmangur zjarret e snajperistëve.

Fushata sistematike e terrorit ndaj civilëve

Rreth 350,000 banorë të Sarajevës u ekspozuan ndaj një fushate të vazhdueshme terrori. Mesatarisht, 329 predha godisnin qytetin çdo ditë, ndërsa në total u hodhën rreth 50, 000 ton predha artilerie.

Bilanci i viktimave është i rëndë dhe i dokumentuar: 11,541 qytetarë të vrarë, përfshirë 1,601 fëmijë. Sipas hulumtimeve pasluftës, pothuajse katër të pestat e viktimave u regjistruan në dy vitet e para të rrethimit.

Viktimat e para civile ishin Suada Dilberović dhe Olga Sučić, të vrara më 5 prill 1992 gjatë protestave paqësore. Viktima e fundit e rrethimit ishte Mirsada Durić, e vrarë më 9 janar 1996 në një sulm ndaj tramvajit, pranë Muzeut Kombëtar.

Qytetarët vriteshin çdo ditë – në rrugë, në shtëpi, në kryqëzime, nga snajperët apo nga granatat. Një nga simbolet më të rënda të kësaj dhune dhe krimi të gjenocidit ishte vrasja e civilëve në radhët e bukës.

Në rrugën Vase Miskina (Ferhadija e sotme), përballë tregut të qytetit, gjatë shpërndarjes së bukës, një granatë goditi turmën e civilëve: 22 persona u vranë dhe 144 u plagosën. Ky akt përfaqëson një nga shembujt më të qartë të sulmeve të drejtpërdrejta ndaj popullsisë së pambrojtur.

Po ashtu, tregu Markale u bë objekt i dy masakrave të rënda. Më 5 shkurt 1994, një granatë vrau 68 civilë dhe plagosi 144 të tjerë. Në sulmin e dytë, më 28 gusht 1995, u vranë 43 civilë dhe u plagosën 84.

Shkatërrimi i qytetit dhe kushteve të jetesës

Gjatë rrethimit, pothuajse çdo segment i jetës urbane u shkatërrua. Objekte kulturore, arsimore dhe shëndetësore u goditën dhe u dogjën: Biblioteka Kombëtare dhe Universitare (Vijećnica), Posta Qendrore, Salla Olimpike Zetra, Muzeu Olimpik, Instituti Oriental, ndërtesa e gazetës “Oslobođenje” dhe materniteti “Zehra Muidović”.

Përveç bombardimeve, qyteti përjetoi mungesa ekstreme të ujit, energjisë elektrike dhe ushqimit. Gjatë dimrit, qytetarët detyroheshin të digjnin mobilje, libra dhe çdo gjë të mundshme për t’u ngrohur. U prenë pemë në të gjithë qytetin, ndërsa shumë familje mbetën pa asgjë.

Snajperët vrisnin qytetarë edhe brenda shtëpive të tyre, ndërsa kalimi i rrugëve u bë një akt i rrezikshëm për jetën.

Rezolutat ndërkombëtare dhe dështimi i tyre

Pavarësisht miratimit të disa rezolutave nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, situata në terren nuk ndryshoi në favor të civilëve.

Rezoluta 752 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1992) kërkonte ndërprerjen e ndërhyrjes së JNA-së në Bosnje dhe Hercegovinë, por kjo nuk u zbatua. Rezoluta 824  e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1993) shpalli Sarajevën “zonë të sigurt”, megjithatë kjo nuk ndaloi vrasjet dhe krimin e gjenocidit – përkundrazi, ato vazhduan me intensitet të njëjtë ose edhe më të madh. Vrasjet e fëmijëve nga snajperët nuk u ndalën as pas kësaj shpalljeje.

Rezoluta 787  e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1992) afirmonte se “çdo entitet i shpallur njëanshmërisht ose përmes marrëveshjeve të imponuara, në kundërshtim me integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, nuk do të njihej.”

Marrëveshja e Dejtonit dhe pasojat e saj

Në këtë kontekst, njohja e të ashtuquajturës “Republika Srpska” si entitet  dhe krijesë gjenocidale në kuadër të Bosnje dhe Hercegovinës përmes Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995 përbën një çështje të thellë kontestuese në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e përcaktuara nga OKB.

Marrëveshja e Dejtonit, ndonëse i dha fund luftës, institucionalizoi ndarjen etnike dhe krijoi një strukturë shtetërore të brishtë dhe jofunksionale. Kjo zgjidhje u perceptua si kompromis i imponuar, që në thelb legjitimoi realitete të krijuara përmes krimit të gjenocidit.

Realiteti pasluftës ka treguar se një sistem i tillë nuk ka prodhuar stabilitet të qëndrueshëm. Strukturat politike kanë mbetur të fragmentuara, ndërsa veprimet e vazhdueshme të aktorëve politikë nga entitetet kanë kontribuar në dobësimin e shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës.

Drejtësia ndërkombëtare dhe përgjegjësia penale

Krimet e gjenocidit  të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës janë trajtuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, i cili ka dënuar figura të larta ushtarake dhe politike për terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës përmes snajperëve dhe sulmeve artilerike. Objektivi  kryesor ishte marrja nën kontroll e Sarajevës,  synim të cilin ata u përpoqen ta arrijnë përmes sulmeve të vazhdueshme,  granatimeve intensive dhe fushatave të snajperizmit.

Vendimet e këtij tribunali kanë konfirmuar se qytetarët e Sarajevës ishin objekt i një fushate të qëllimshme terrori, me synim ushtrimin e presionit politik përmes krimit të gjenocidit ndaj civilëve, dhe shkatërrimin e boshnjakëve si të tillë.

Rrethimi i Sarajevës mbetet një simbol i qëndresës njerëzore përballë një dhune të paprecedentë, por edhe një dëshmi e dështimit të rendit ndërkombëtar për të mbrojtur civilët.

Sot, 34 vjet më pas, kujtesa për viktimat – 11,541 të vrarë, përfshirë 1,601 fëmijë – nuk është vetëm një akt përkujtimi, por një obligim për të kërkuar drejtësi dhe për të reflektuar mbi të ardhmen e Bosnje dhe Hercegovinës si shtet funksional, sovran dhe i pandarë.

Sarajeva mbijetoi. Por historia e saj mbetet një paralajmërim i fuqishëm për botën.

——————

ALEANCA IZRAEL – SERBI …

https://pashtriku.org/aleanca-izrael-serbi/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura