VLADIMIR MUҪA: POEZI ME DUKURI TË REJA STILISTIKE – ESTETIKE

Durrës, 15. 04. 2014 – (Refleksione mbi librin poetik “U jepem udhëve” të Vera Istrefit, botim i shoqatës kulturale “Anton Pashku”, Prishtinë – 2007) – Në festivalin poetik “Flaka e Gjilanit”, afrohet në tavolinën tonë, paksa e drojtur, por dhe me një çiltërsi e sinqeritet poetik, me hapin e një mjellme, një poeteshë nga qyteti i Kukësit. Më jep dy libra poetikë të vegjël në shuminë e fletëve, por të punuar në një kulturë dizenjimi tepër të lartë, nga Damush R. Avdimetaj, shoqata “Anton Pashku” Prishtinë.
Kureshtja më ndoqi gjersa vajta në dhomën e hotelit dhe i lexova telegrafisht poezitë. Një përmbledhje poezishë, e cila që në dukje të parë reflektonte pasionin, profesionalizmin e meditime në një dinamikë për botën që na rrethon me gjithë kompleksitetin e saj.
Ajo që më bëri përshtypje në leximin e parë të librit “U jepem udhëve” është qasja në dukuri të reja stilistike dhe estetike, pse jo dhe shkrirjen në një amalgamë të shumë nocioneve lirike si një domosdoshmëri e intesitet të jetës, mandej kërkim e kërkim të një klime sa më ekologjike, pa ato absurditetet që pjellojnë patogjenen letrare të provincializmit e anakronisë.

Autorja e librit – Vera Istrefi.

 Ndaj në këto poezi, lexon shumë sinqeritet, ndonjëherë dhe naivitet poetik (çiltërsi, desha të them). Autorja ka stimuluar me sukses përpjekjen për të përgjithësuar idetë përmes vargut, mes një rime të brendëshme e që stimulon mendimin poetik, që vjen si një bashkësi e ndjenjës dhe e mendimit.
Ky vëllim i katërt, i poetes Vera Istrefi, në tërësinë përmbledhëse, përbëhet nga 37 poezi të cilat me sharmin poetik që mbartin tregon se kemi të bëjmë me një poete jo tranzite, por ngulmëtare e serioze.
Këto lirika filozofike – meditative, në tërësinë e tyre janë stolisur me emulsione figurative e metafora pikante. Strofat monokolonë i bëjnë erupsive e të figurëshme. Teksa i lexon shpirti të përfshihet nga gjithçka emotive e cila burimin e ka në ato rryma nëndallgshe të thellësive shpirtërore. Kjo është ajo dëndësi multi-valente që e ka thekur sensin lirik, dimensional të poetes Istrefi.
Në planin shpirtëror, në iracionalitet, libri “U jepem udhëve” nxit interesin duke ngrëthyer në vetë-vete llojshmëri problemesh, ideshë, motivesh, të cilat hapin mundësinë për shtigje medituese. Kjo përbën dhe tabanin në tërësi të poezive, në hapjen e shtigjeve të një lirizmi gjithëpërfshirës.
Vera Istrefi me këto 37 poezi, si një bashkësi unike ndjenjësore, në lirizëm, sjell një rrjedhshmëri llogjike duke plotëruar poezitë njera – tjetrën, duke i bërë momografinë shpirtit poetik.
Nëpërmjet figuarve artistike, tropeve, fonemave, poetja na jep tabllonë e një jete që mbush e zbraz hojet shpirtërore të njerëzve në funksion të fisnikërimit, shpirtëzimit, përmes tabulateve të artit poetik.
Në tërësinë e tyre, lirikat nuk mbartin valenca melankolie, të qorollepsura, por hera-herës, ato janë të veshur dhe me rroben e djallit; prandaj poetja na shfaqet herë si një sirenë në ujrat e Komanit, herë si një circe , herë si një shtojzavalle, herë si një djallushe, por herë dhe si një kaprolle, siç ngjizet në shpirtin e poetes dhe siç vegjeton në ambjentin që e mëkon me lëng jetësor.
Nga mënyra e ndërtimit stilistiko-estetik shtresuar në to një mori konceptesh filozofike, këto lirika, larg mediokrittetit, marin vlera të reja, duke na dhënë një personalitet të ri dalë nga palimpsestet jetësore të krijuesit. Kjo ka sjellë dhe risinë e një lirike poetike që ka hyrë në rrugën e një moderniteti të natyralizuar, larg klisheve klasike.
Shpirtëzimi natyror i poezisë, ka rritur dukshëm refleksionin e imazheve jetësore gjer në detaje duke nxjerrë në pah emulsionet që vinë nga thellësia e shpirtit e që si një purpurante ndriçon idetë, qëllimet që i ka vënë vehtes në magjistralen e poezisë. Jemi ngopur me lirika kopjatriçe eseniane. Kur lexojmë këto lirika tjetërlloj, me një anatomi e strukturë të re, na ngrohet disi shpirti nga ajo ç’ka sjell novatorizmi krijues.
Ndaj dhe këto lirika më ngjajnë me një lule në frutëzim ku në pistilin lazgushian bie poleni poetik i modernitetit nga ku del një frut i shëndretshëm, i ri, bio-shqiptar.
Surealizmi e impresionizmi në ballinë dhe ilustrimet vinë si një poezi e dytëzuar dhe i shkon shumë për shtat sharmit poetik ekzistencilaist i cili me vargun e thyer monokolonë, në një rimim alternativ ku asonancat e aliteracioni vjen natyral nga magjia e shpirtit.
Kurbatura e tingëllimës poetike në mes të mendimit poetik nuk i len shteg sakrifikimit artistik rimor, ku për hir të rimimit hera –herës humbasim ndjenjën dhe mendimin.
Është interesante , disi i veçantë si stil mosvënia jo pa qëllim i titujve të poezive.
Titullin, poetja e ka lënë në shijen e konceptin e lexuesit: – lexoje, shijoje në shpirt e në mëndje, me një barazpeshë vendos ti si sovran i dashur lexues, titullin – thotë poetja Vera Istrefi.
Në qenien e poetes lëvrijnë shumë ndjesira lirike, që nga ato që vinë nga përtej hapësirave kozmike e gjer në imtësirat e meditimeve Zen – Budiste, si një vëzhguese e imët. Ndaj dhe ky lloj lirizmi e personalizon, e veçon atë si në strukturë dhe në lirizmin mediativo-filozofik, ku nëpërmjet sharmit lirik ngjizon lirizmi dashuror dhe ai shoqëror si një dualitet që e ndjek trill pas trilli poeten.
Shprehem me fjalën “trill”, jo nga se poezitë nuk kanë përftuar konstruktin poetik, por nga që poetja Vera Istrefi në natyralitetin e saj poetik është kigo, shumë kursimtare në përdorimin e fjalës poetike. Ajo parapëlqen në këtë kontekst të kigos poetike të përdorë metaforat parabolike si pikënisje e mbrritje e trillit poetik. Kështu ajo shprehet “E le lotin lirshëm/ dhe zgjas vetëm dorën/ marr me vete ikjen.”
Duke përdorur një hapësirë të tillë parabolike e një lirizëm të një universialiteti dashuror, në këto nocione ku frymëmarrja e vokërrimave dhe detajeve, vinë si vetë amalgama të jetesës së poetes, ajo kërkon të bukurën tek e thjeshta, e zakonshmja , e përditshmja në çdo poezi ajo është vetëdija, është çiltërsia poetike që njerëzon poezinë.

Kopertina e librit poetik “U jepem udhëve” të Vera Istrefit.

Ndonëse me kursimtari, autorja shumë bukur, si tek poezia “Brigjeve të Komanit” ka përdorur në një integrale të përsosur nocionet e një lirizmi balaidik, futur bukur në konceptimin modern, monokolonë të lirikës.
Mendoj se eposi dhe tradita etno- kulturore , burimoret, diktojnë futjen më me guxim të nocioneve më të plota të lirizmit balaidik, aq shumë i kultivuar në burimoren krahinore e në poezitë e këndshme të Agim Spahiut, Avzi Nelajt e të Bajazit Cahanit.
Në social – poetikën e Vera Istrefit, një vend të rendësishëm zen triniteti që e ndjek gjatë gjithë gjurmimeve poetike si femër , si bijë, si nënë, ku kulminacionin e arrin në poezinë e faqes 26, ku: “Shpesh /përkëledh ëndërrat/si dy djemtë e mi/ t’i ve në qetësi.” Apo elegjia në librin paraardhës “Në akuj digjem” ku: “Foshnja/shkatërruar ish/brenda meje/ por/zërat e fëmijve /më ftojnë/më imponohen natyrshëm/si bijt e nënës.”
Ky sens balaidik ndjehet harmonishëm dhe në lirizmin dashuror e natyror të cilët udhëtojnë bashkë nëpër vargje e strofa sepse : “Më është trishtuar mëllagë e bukur/në dritare/lulet rozë të saj/ kanë marrë arratinë/ndërsa gjethet,/nga keqardhja për mua/rrinë.”
Siç ndjehet dhe nga këto vargje, në poezinë e Vera Istrefit, lexuesi merr mesazhe të qarta, të cilat vinë si gjetje të bukura e shumë shprehëse. Në këto poezi të “ papagëzuara” me emëritimitete ka gjithnjë një ritëm, një gjuhë të limuar në rifinitura, me një figuracion natyral , të thjeshtë si herbaret e Gjallicës; të bëjnë përshtypje përdorimi me sens i metaforës me nocione parabolike. Në saj të një estetike të tillë evidentohet dhe veçoria e kësaj poeteje që është komunikimi pa zhurmë, me lexuesin dhe natyrën në një trajtshmëri.
Një gjë e tillë arrihet me një tematikë më të gjërë, ambjentaliste, meditative e të komunikimit shpirtëror me natyrën. Poezia në këtë kontekst vjen si nevojë e brendëshme pa sforcime.
Mbasi e ke lexuar, për kënaqësi këtë libër të katërt të poetes, mund të pohosh me të drejtë se Vera Istrefi vjen në poetekën shqiptare si një poete ekstrakte, e qartë, transparente në gjithçka, e natyralizuar në vendet nga ku ka marrë lëndën dhe është frymëzuar.
Duke evokuar të kaluarën e vet shpirtërore, autorja për asnjë çast nuk harron që nëpërmjet spaciove poetike, me shpirtin orfeik, të paraqesë atmosferën e krijuar në kohë e rrethana të caktuara.
Si rrjedhim i një konseguence të tillë poetike, figuracioni artistik nuk mbetet në nocionin e bizhuterisë por merr jetë në trajta të plota, bëhet pjesë organike e mendimit, duke lëçitur në laboratorin krijues horizonte të reja kuptimore duke joshur tek lexuesi vlera të mirëfillta letrare dhe artistike.
Në poezitë e saj Vera operon me strukturë të shkurtër, lakonike, ku hera herës parabola mbartin një simbolikë që tejkalon rrëfimin poetik, me një simbolikë parësore në absolute në tërësinë poetike.
Duke parë me vëmëndje poezitë në faqet 24, 50, 58, 26 dhe poezinë tek vëllimi “Në akuj digjem” faqe 20, dalin në pah projeksione poetike me nocione baladike në poezinë moderne, me një ndërthurje të elementëve.
Mendoj se në këtë drejtim interferimi i elementëve mitikë e legjendarë si dhe tematika e lirizmit atdhetar e natyror, duhet të ketë më shumë hapësirë.
Futja e këtyre nocioneve do ta gjallëronte akoma më shumë poezinë, e do të çimentonte një stil disi dhe më të veçantë, i cili shumë pak lëvrohet sot. Treva ka shumë pasuri në këtë drejtim,. Atëhere , këto element që çelin vende – vende si ajo lulja e bukur e Gjallicës, nuk do të vyshkej pa i marrë erë.
Këto lirika vijnë si struktura vizionare , aktualizuese profetike, si një lirizëm dashuror, atdhetar, shoqëror, si unike në një drejtim të tillë.
Në tërësi një gjë e tillë është e arritshme, sepse me mençurinë e saj, autorja, elementët balaidikë i ka eksperimentuar me sukses duke krijuar një stil të saj.
Vera Istrefi në tërësinë estetike dhe stilistike e shpërfill vetminë poetike, sepse ajo nuk vjen thjeshtë si akses personal por si fat i të gjithëve. Poetja është ajo që jeton bashkë me të tjerët, pavarësisht kontrastit kohor, ideologjive që trysnojnë mëndjen në sisteme të ndryshme shoqërore.
Prill 2014
– Vladimir Muça – Nënkryetar i K.SH.A. Durrës, poet dhe studiues.
– Kontakti: vladimir_muç[email protected]

***

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
– UNIVERSI I POEZIVE TË VERA ISTREFIT –
Lexoni të gjitha vëllimet me poezi:


VERA ISTREFI: U JEPEM UDHËVE
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/istrefaj_u_jepem_udheve.pdf

=========


VERA ISTREFI: NË AKUJ DIGJEM
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/ne-akuj-digjem.pdf
***


VERA ISTREFI: SHIU I FUNDIT
HAPE:
 https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/istrefaj-shiu.pdf

***


VERA ISTREFI: NËNQESHJE E ËMBËL
HAPE:
 https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/nenqeshje.pdf

***


VERA ISTREFI: MBETUR JAM NË PRITJE
HAPE:
 https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/mbetur-jam-ne-pritje.pdf

************************************
( Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura