Pashtriku.org, 09. 05. 2014 – Në 1999 në Arkivin e Muzeut Historik Kombëtar është futur një ekspozitë fotografike, riprodhime të arkivit familjar të poetit të shquar Lasgush Poradeci. Kjo ekspozitë prej afro 50 fotografish pasqyron aspekte krejt të panjohura nga jeta rinore e Lasgushit si student në universitetin e Gracit në Austri, takimet dhe tubimet me të tjerë personalitete të kulturës shqiptare dhe asaj botërore.
E famshme është fotografia e Marubit, bërë më 1940 që tregon Gjergj Fishtën së bashku me Asdrenin, të ulur dhe pas tyre në këmbë Lasgush Poradecin dhe Ernest Koliqin. Por në Arkivin e Muzeut Historik Kombëtar ruhen dhe tre poza të tjera të panjohura për publikun e gjerë dhe specialistët të Lasgush Poradecit me Koliqin, Fishtën, Tefta Tashkon, Kristaq Antoniun. Të shumta janë fotografitë me gruan, Nafijen si dhe dy vajzat e poetit. Një cikël më vetë janë fotografitë e poetit me qenin e tij të quajtur Cuc. Të gjitha këto fotografi mund të përbënin objektin e një albumi të veçantë prej Lasgush Poradecit. Por fotografitë kronologjike dhe të jetës së Lasgushit janë akoma më shumë dhe përmbajnë edhe motive nga më të çuditëshmet, apo dhe paradoksalet.
Gjergj Fishta së bashku me Asdrenin, të ulur –
dhe pas tyre në këmbë Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.
Asdreni, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci – Shkodër, 1938.
Para disa kohësh miku im, regjisori i njohur Kiço Londo, më njeh mua me një fotografi tepër të rrallë të Lasgush Poradecit. Këtë fotografi e kish bërë diku në fillimin e viteve 60 një artist i fotografisë dhe i karikaturës si dhe shkrimtar honurist, i quajtur Polikron Kotini. Polikroni ka vite që ka vdekur dhe mua më vjen keq, që vepra e tij është lënë në harresë. Shpresoj se edhe Polikron Kotini nuk do të mbetet në harresë. Për këtë gjë është e rëndësishme që të flas për fotografinë që ai i ka bërë Lasgush Poradecit.
Fotografia është bardhë e zi. E tregon Lasgushin të veshur me një kostum të çelur dhe me kapele republike në kokë. Është ulur mbi një stol druri dhe ka hequr këmbët me çorape nga të dy këpucët, njërën këpucë e mban në dorën e djathtë. Sfondi prapa poetit është sfondi i vijës së një rruge, në Pogradec dhe duket një qepen metalik. Lasgushi me sa duket po shikon këpucën që i është dëmtuar, dhe në këtë pozicion të çuditshëm e ka fiksuar në celuloid Polikron Kotini. Pas vdekjes së Polikron Kotinit, i cili ka jetuar edhe në qytetin e Fierit, është pikërisht Kiço Londo, që mbasi i ra në dorë kjo fotografi e Lasgushit e ruajti atë për shumë vite me rradhë për t’ja dorëzuar më në fund origjinalin, jo pa keqardhje, arkivit të Muzeut Historik Kombëtar. Kjo fotografi, që mund të quhet si meditim i poetit për këpucën e tij të prishur, të kujton situatën e tij qesharake ekonomike, varfërinë proverbiale të poetit dhe deri diku një lloj tipizimi të përsëritur të gjestit të Hamletit, që mediton me kafkën e Jorikut në dorën e djathtë. Ky përafërsim nuk është i rastit.
Në këtë shkrim dua të shënoj dh diçka tepër të veçantë. Dihet që Lasgush Poradeci ka studjuar për pikturë dhe ka dhënë mësim lëndën e vizatimit në kryeqytetin e Shqipërisë. Ja dhe dy tre esse të shkruara bukur prej tij, kushtuar artit të pikturës. Ajo që është më e mrekullueshme është fakti se vajzat e Lasgushit ruajnë një koleksion prej 25 vizatimesh, kryesisht portrete me laps me karbon dhe pak kompozime me ngjyra vaji, që përbëjnë trashëgimin pikturik të Lasgushit për shekujt. Meqënëse e drejta e botimit të këtyre vizatimeve u takon vajzave, trashëgimtareve të poetit, unë po flas për një vizatim të botuar prej tij tek libri “Ylli i zemrës”.
Ky vizatim paraqet një pejsazh dhe ka nënshkrimin Poradec, tetor 1930. Vizatimi tregon bregoren e Shën Mitrit në Pogradec. Ky pejsazh tregon pemët, shtëpitë si dhe malet nga pas. Është një grafikë e shpejtë dhe me sa duket pasqyron me vërtetësi vendin konkret. Vetë Laszgush Poradeci, shënon: “Bregorja në Shën Mitër me kazermat mbi të”. Prapa malet e Verodvës dhe Rërcënjit”.
Lasgush Poradeci me Cuc’in e tij.
Por, çfarë simbolizon ky pejsazh për jetën dhe mentalitetin e Lasgush Poradecit?
Bregorja e Shën Mitrit e ka marrë këtë emër nga një kishë e vjetër, kushtuar Shën Dhimitrit. Studjuesi Gjergji Gusho, në librin e tij “Mbi përhapjen e krishtërimit dhe kishave në rrethin e Pogradecit, flet për një legjendë të motshme, për kishën e Shën Dhimitrit. Mua më është kujtuar vetë nga takimet, që kam patur në vitet 1976-1979 me Lasgush Poradecin, në qytetin e tij të lindjes, elementët e kësaj gojëdhëne që janë tepër poetike. Gojëdhëna thotë se në gadishullin e Linit, një javë para Pashkëve të Mëdha, mblidhej një këshill i kishës dhe diskutohej se kush nga njerëzit do të merrte në kujdesje kishën e Shën Dhimitrit. Ai që e merrte përsipër këtë kujdesje duhet të shtronte një drekë për të gjithë fshatin ditën e shenjtit. Lasgushi më thonte se një ditë para ditës së Shën Mitrit, herët në mëngjes, zbriste nga pylli një drenushë, e cila qe e caktuar për t’a bërë kurban për shenjtin. Kjo drenushë u lihej në dorë grave të fshatit për ta gatuar dhe me të gostiteshin të gjithë fëmijë e pleq, vendas e të ardhur. Por një ditë gjatë mëngjesit ritual kur po zbriste drenushja nga mali, një fshatar nga Lini e pa dhe e gjuajti për ta vrarë me çifte. Drenusha nuk u godit, por e tmerruar u largua për të mos u kthyer më. Kështu humbi rituali gojëdhanor i kurbanit të drenushës. Fshati që bëri gabimin e pësoi, mbas disa kohësh, kur po pastronte çiften ajo i shkrepi dhe vrau gabimisht të birin e vetëm.
Lasgush Poradeci shkonte shpesh në Bregoren e Shën Mitrit sepse aty argëtohej me mjedisin egzotik dhe klimaterik. Të dy elementët substancialë të shkrimit, fotografia e Polikron Kotinit dhe vizatimi me gojëdhënët e Shën Mitrit janë vetëm një prolog për një studim më të plotë në aspektin ikonografik të dëshmive filmike apo dhe të dëshmive pikturike apo vizatimore të Lasgush Poradecit tonë.
– Shkrimi është bërë në qershor 1999.
********
Fet Lasgush Poradeci – fragment audio & video:
Recitim – Vdekja e Nositit – Lasgush Poradeci:
—————————————–
Në foto Ernest Koliqi, Asdreni, Lasgush Poradeci, Tefta Tashko Koço,
Lola Gjoka, Mikel Koliqi, Koço Tashko.
Qani Çollaku (i pari nga e majta) dalë me një grup miqsh të poetit Lasgush Poradeci
(në qendër) para shtëpisë së Poradecit.
************************************
Pikturë, Lasgush Poradeci në dhomë…
Lasgush poradeci: “Dy cicat që tronditën botën”, telajo me ngjyra,
përmasa 70 x 50 cm, nënshkruar Llazar Gusho.
======================================
(Ilustrimet i përgatiti pashtriku.org, sh.b)