FATMIR MINGULI: MINIMALIZMI, ARTI TRIUMFUES I POEZISË SË KALTRINA VB HOTIT

Durrës, 23. 09. 2016: (Vështrim kritik për vëllimin poetik “Puthja sekret” të Kaltrina VB Hoti) – “Jam ngjyrë e qiellit/që derdhet në tokë,/nuk të takoj ty, as vetes”.
Kaltrina VB Hoti, “Më pyete kush jam” në librin” Puthja sekret”. I ndarë në katër cikle poetikë, libri “Puthja sekret” i poetes dhe piktores Kaltrina VB Hoti, të jep pështypjen e menjëhershme se po lexon një roman të ditëve tona. Ky konstatim vjen përsa i përket temave dhe jo formës e cila është ajo e poezisë së gjallë e plot dritë.
Ndarja në cikle, është një angazhim serioz i një poeteje që ka ambicjen e arritjes të përkryerës, por dhe të një pune të ngjeshur, plot me subjekte dhe ide. Ndryshe, shumë poetë dhe poete japin libra duke rreshtuar poezitë, duke mos e ndjerë ndoshta dëshirën e lexuesit, i cili e kërkon një tematikë, para se t’i lexojë librin aksh autori.
Kaltrina VB Hoti me këtë libër të ri përforcon ndjeshëm pozicionimin e saj në radhët e autorëve të ndryshëm shqiptarë. E të mendosh se ajo para këtij libri ka përpunuar poezinë e saj në gjuhën angleze, pra ajo vjen si një befasi në poezinë e sotme shqiptare kudo ku ajo lëvrohet, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe në diasporë. Sot poezia shqipe nuk njeh kufinj, këtë dëshmon dhe libri i ri i Kaltrina VB Hoti me titullin”Puthja sekret”.
Tek e lexon këtë libër poezitë e botuara aty të ngjallin emocione të pashlyeshme sepse ato ndërthurin jetët e ndryshme të shqiptarëve, kudo ata ndodhen, sidomos sot që janë shpërndarë nëpër botë.
Por poezitë e Kaltrina VB Hoti janë të një lloi të veçantë, një “tjetërlloj”, një poezi e thurur me gjerdanë të simboleve dhe parabolave letrare, ku mbizotëroin stili manjetik i minimalizmit.
Në parathënien e librit bukur mirë analizohen të katër ciklet e ndryshme të titulluara nga autorja me shumë përkujdesje. Unë duke e parë me syun e një kritike te këto cikle shoh dhe diçka tjetër, shoh ato elementë të teknikës që përdor poetja për të pasqyruar sa më këndshëm pikërisht ndjenjat e saj për gjithçka.
Kështu nëse e shohim me këtë sy gjejmë “fjalë kyçe” të teksteve, të cilat janë simbole siç janë qielli, loti, pika e ujit, puthja, hija, vello e nuses, lulja, ëndrra, lumi, etj. Janë këto simbole që e bëjnë poezinë e Kaltrina VB Hoti tejet racionale, shumë shprehëse dhe të dhënë me stilin minimalist në artin e poezisë. Dihet që përqafimi i kësaj rryme në art është një guxim për artistin, por me sa duket piktorja dhe poetja e kanë gjetur çelësin magjik në artin e pikturës dhe të poezisë.
Kam dëshirë të citoj një pjesë nga poezia e poetit- piktor William Blake, një citim që na ndihmon të kuptojmë më lehtë poezitë e Kaltrinës:
“Të shohësh botën në një kokërr rërë
Dhe Parajsën në një lule të egër,
Të mbash infinitin në pëllëmbë të dorës
Dhe eternitetin në një orë.

Dhe mbi të gjitha figurat e bukura letrare, spikat midis të tjerave dhe bashkimi i zjarrit me ujin, një laitmotiv i lakmuar në filozofinë e jetës. Lindin metamorfoza të lumit në pikë shiu e pastaj në pikë loti e pastaj në balsam. (Lumi na bashkon). Pika e ujit dhe pika e lotit janë dy simbolet rreth të cilave vërtiten idetë e jetës së madhe dhe minimalizmi merr jetë. Realizohen mirazhe të vetë autores e cila e vendos veten në qiell por që pasqyron atë që ndodh në tokë… (Shtrydhi retë)
Dhe toka i dhuron tjetër imazh, atë të skulptorit i cili operon me baltë, çka kupton që operon me ngjarjet e jetës.
Cilki i parë mund të quhet dhe “Qielli, njeriu dhe uji”. Por dashurisë poetja Kaltrina VB Hoti i hap portat e tregon shqetësimet e mëdha të saj, ku puthja merr kuptime më të larta se ato të zakonshmet sa që në poezinë “Hije të së kaluarës” ajo shfaqet si një pikturë impresioniste midis kopshtit të vargjeve plot me figura artistike. Cilki i dytë mund të quhet dhe “Puthja”.
Një vend të posaçëm ze në këtë vëllim poetik problemi i mardhënieve miqësore, thellimi në këtë ndjenjë të madhe njerëzore, thellim që drejtohet nga parime fiozofike të jetës së sotme. “Dialog me mikun” apo “Mendimin tënd thërras” janë modele të një dialogimi të shpirtëzuar të njëmiqësie të madhe larg koncepteve të të tjerëve.
Në shumë poezi të këtij libri, autorja me nota të theksuara nostalgjie për vendlindjen e saj, për rininë e saj sjell pamje të poetizuara të nusërimit të vashave shqiptare, pamje që do t’i kishte zili çdo artist apo studjues. Duvaku, unaza, vello, shamia e kuqe, simbole të spikatura dhe mbresëlënëse janë pikërisht ato objekte minimaliste që Kaltrina i ngren në simbol të jetës shqiptare. Ajo kontribuon për njohjen e shqiptarëve, të jetës, kulturës dhe artit të tyre të traditës dhe të sotmes.
Në se cikli i tretë do quhej “Jeta”, i katërti do quhej thjeshtë “Kurbeti”. Këtu shpërthen dhimbja e asaj që poetja e thotë në një paskajore të mahnitshme “Unë erdha”!
“Më merr o pëllumb i bardhë
Zemra më është çarë,
Varrin e babait ende s’e kam parë
Dua të puth duart e nënës plakë
Por nuk dua të më shohë
S’i ka mbetur fuqi për të lotuar.”

Dhe poetja është e bindur se do t’ja dalë të tejkalojë dhimbjet e kurbetit, duke dhënë sa më shumë me artin e saj. Ajo nuk e harron qilimin e fshehur në sundukun e shtëpisë së vjetër aty në Dardaninë e dashur dhe nuk harron të ngrejë vargje lapidare për Shqipërinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Aty në librin e Kaltrinës i gjejmë të gjitha këto idetë, veprimet, ëndërrimet dhe simbolet e mëdha të jetës.
Ky libër më detyron të bëj dhe një koment mbi artin minimalist në letërsi. Mendimi europian është se në letërsi ky art apo stil është më pak i përhapur dhe dominues, ndërsa në Amerikë ka të njejtat vlera si në filmat e Quentin Tarantinos, ashtu dhe poezisë.
Libri i Kaltrina VB Hoti e vërteton më së miri faktin që ndodh në Amerikë me “minimal art”!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura