Tiranë, 20. 04. 2014 – Ramiz Kelmendi, me të rënë gongu i përfundimit të betejës parlamentare, pra sapo u mbyll një legjislaturë, nga disa e suksesshme dhe nga disa një kohë e shkuar kot, bëri shpallen e tij publike: divorcin nga partia që e kishte deleguar si deputet, pra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haredinaj. Ishte një divorc politik i papritur, kur, për më tepër, vendin si deputet i parlamentit ai e kishte “fituar” jo edhe aq përmes biznesit të tij të stërmadh dhe ende të paditur si duhet, por edhe përmes 400 mijë eurove që kishte dhënë si donacion për mbrojtjen e zotit Haredinaj në gjyqin e Hagës. Shumë kush mendoi se tani, pasi kishte qenë i detyruar të mbante mbi vete nje mandat parlamentar, ai më në fund do të kthehej tek bizneset e tij, në të cilat janë përfshirë më shumë se 1 mijë e shtatëqind punëtorë, nga të cilët një e treta janë pejanë.
Por, për lexuesit në Shqipëri, emri i Ramiz Kelmendit, si shumë të tjerëve, nuk do të thotë thuajse asgjë. Le ta bëjmë të qartë. Ai është drejtuesi i korporatës ELKOS Grup, njëra nga më të mëdhatë në Kosovë, dhe njëkohësisht është njëri ndër më të pasurit e saj. Së bashku me biznesmenin tjetër, Ekrem Lluka, ata janë dy nga njerëzit më të fuqishëm ekonomikisht në Kosovë, por edhe me një ndikim të ndjeshëm edhe në jetën politike, dhe kjo e fundit, edhe pse nuk duket, ndjehet kur tunden paksa perdet e skenës së politikës. Para luftës në Kosovë, Ramiz Kelmendi, nuk njihej si një dorë e fuqishme ekonomike dhe as si një njeri i politikës. Lidhjet e tij nuk ishin as me qarqet e politikës paqtuese, por as me lëvizjen çlirimtare. Për të dyja palët, sepse në fakt ishin dy palë, ai ishte një njeri i panjohur, por, si duket ai nuk ka qenë i panjohur për një lidhje tjetër, e cila, shumë shpejt pas luftës, do të bëhej e njohur. Ramiz Kelmendi do të kishte një zanafillë në botën e biznesit, e cila, megjithëse deri më sot ende nuk është ndriçuar si duhet, ajo e kishte një portë të madhe në botën serbe të mafias politike dhe ekonomike, sidomos të asaj që kishte rrënjë të hershme në Kosovë, njëkohësisht, një portë të vogël në vetë strukturat e Kosovës. Herë pas here ai i ka mëshuar fort portës së madhe, përmes së cilës edhe ka bërë bizneset më të rëndësishme.
Me Bogoljubin fuqiplotë
Sipas gazetës serbe «Kurir», një gazetë me lidhje të ndjeshme qeveritare dhe mbështetëse e pasfijeve të nëntokës së politikës, ai, Kelmendi, është bashkëpunëtor i biznesmenit serb Kariq, me të cilin administrojnë një zingjir supermarketesh në Kosovë, të njohur përmes shkurtesës serbe ETC, Ekonomski Tregovinski Center.
Bashkëpunëtori i tij serb, Bogoljub Kariq, i njohur si njeriu i errësirës serbe në Kosovë, citohet më pas në informacionin e ofruar nga gazeta «Kurir», “është i lirë të tregtojë në Kosovë me shqiptarët”, dhe, në vise të ndryshme të saj ai ka ndërtuar disa shtëpi luksoze, disa nga të cilat ruhen pikërisht nga njerëzit e ofruar nga biznesmeni Ramiz Kelmendi. Rrjeti i supermarketeve të Kelmendit, më shumë se 80 për qind të artikujve që të ofron, janë të importit, por shumica dërmuese e tyre është nga Serbia. Pra, dashje pa dashje, ai është ura e depërtimit masiv të mallrave serbe në Kosovë, sado që në mbledhjet parlamentare flitet aq shumë për largimin e tyre, por e gjithë kjo nuk do të kishte asnjë të keqe të madhe, nëse gjithçka tjetër do të ishte në rregull. Cila gjë tjetër nuk është në rregull…le ta shohim më pas.
Një rreshtim befasues me Thaçin
Heshtja politike apo, më saktë, agjërimi politik i Ramiz Kelmendit, nuk mbajti aq gjatë. Befas ai u lajmërua si një njeri pranë Partisë Demokratike të Kosovës, e drejtuar nga zoti Thaçi. Një kalim i habitshëm, kur dihen krejt mirë se mes dy partive politike hendeku ka qenë i thellë, por, si duket, për biznesmenin kishte qenë shumë i ngushtë. Është e drejta e tij të ndryshojë, këtë të drejtë e ka kushdo, e për më tepër të ndryshojë drejtimet e tij politike.
Në fund të fundit era e zgjedhjeve të çon sërish nga një mundësi qëndrimi në pushtet e zotit Thaçi, megjithëse kësaj here do të jetë shumë e vështirë, për të mos thënë se do të jetë një mision i pamundur. Kalimi i Kelmendit pranë PDK u mbështoll menjëherë me një fije misteri, çka edhe sot është ende mbi politikën e saj; por, për më tepër ajo u ndje si një kalim mjeshtëror i një njeriu i cili herë pas here kishte luajtur me sukses me fijet e politikës. Nga ana tjetër, zoti Haradinaj, u ndje i lehtësuar nga largimi i tij, dhe si duket ai ka ditur shumë më tepër nga ato që ka thënë publikisht. Njerëz të afërm me zotin Haradinaj kanë qenë shumë të qartë në deklarimet e tyre jo zyrtare, kur nuk kanë shprehur asnjë befasim për këtë largesë të tij, për më tepër, si asnjëherë më parë me ndonjë të larguar tjetër, qoftë edhe personalitet i njohur politik, janë ndjerë të lehtësuar.
Në listën e kandidatëve për deputetë të PDK, krejt aktuale, është edhe emri i Ramiz Kelmendit. Është diku në fillimet e saj, çka do të thotë se ai tani po bëhet shumë më i rëndësishëm se disa nga ata që kanë qenë pjesë themeluese e saj. Pra tashmë është i zyrtarizuar si pjesë e rëndësishme e kësaj partie dhe nesër mund të jetë përfaqësues politik i saj. Për vetë sistemin e zgjedhjeve në Kosovë, jam i bindur se ai do të jetë aty, jo vetëm se punëtorët e angazhuar pranë tij dhe familjet e tyre mund të votojnë për bosin, por edhe sepse veçantia e sistemit sjell deputet jo atë që e votojnë njerëzia, por atë që e përcaktojnë numëruesit. Është në rastet e pakta kur shprehja “ nuk ka rëndësi se si votojnë, por është e rëndësishme se kush i numëron votat», gjen terren në një vend ku demokracia është ende fillestare. Ramiz Kelmendi ka mundësi financiare për të blerë mjaft nga numëruesit, por kjo është çështje e ndërgjegjes së tyre.
Ku e ka ‘hallin” Ramiz Kelmendi?
Tri rezultojnë pistat logjike përse Ramiz Kelmendi aderoi në PDK, duke e menduar atë fituese të zgjedhjeve.
Së pari, Ramiz Kelmendi, ELKOS Grup dhe struktura të tjera pas saj, synojnë të blejnë 75 për qind të aksioneve të Postë-telekomunikcionit të Kosovës, njësia më e madhe dhe më fitimprurëse në jetën ekonomike të Kosovës. Oferta e tyre është e hapur, veprimet janë të nëndheshme. Meqenëse nuk ia arriti duke qenë kundërshtar i Thaçit, mendohet se tani mund të jetë më i pranueshëm duke qenë pjesë drejtuese e Partisë në legjislativ dhe në ekzekutiv. Ata që fshihen pas Kelmendit janë ende të padeshifrueshëm, por njeriu më i deshifrueshëm i tij, Bogoljub Kariq është ndoshta figura më kontraverse për të qenë sërish padron i një pjese të ekonomisë së Kosovës. Kjo do të ishte rikthimi i Serbisë në elementët kyq të ekonomisë, në strukturat strategjike të saj. Veç kësaj, në planet e Kelmendit dhe të strukturave pranë e rreth tij janë edhe privatizime të tjera jetike për Kosovën, por mbi të gjitha një shtrirje më e gjerë dhe më e koordinuar e biznesit serb në Kosovë. Dhe, kjo rrjedhje e këtij biznesi ende nuk është qartësuar si duhet, ka qenë krejt e ligjshme apo edhe e nëndheshme; është bërë sipas të gjithë legjislacionit të Kosovës apo ka kaluar edhe përmes “Rojeve të urës”, është bërë nën dritën e diellit apo edhe nëpër terrinën e një bote të fshehtë.
Së dyti, sipas një deklarate të tij, i është ofruar posti i Ministrit të Ekonomisë në qeverinë e pas zgjedhjeve. Është një dëshirë e hershme e tij, dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Kushdo mund të ketë dëshira të tilla, është në normalitetin e gjithkujt. Ende pa qenë ministër, Kelmendi ka disa biznese të pandriçuara plotësisht, të cilat ende nuk kanë të sqaruara të gjitha të dhënat financiare dhe burimore. Posti i ministrit do e bënte të mundshme “pasaportizimin” e këtyre bizneseve dhe më pas, duke e parë se askush nuk u ndëshkua, përkundrazi u bë ministër, shumë të tjerë do të jenë në këtë vazhdë të pandriçuar, do të ishte jo në dobi të zhvillimeve normale në Kosovë, ku ende problemet janë të mëdha, që çështjet e ekonomisë dhe të zhvillimit të saj, privatizimet strategjike, degët e rëndësishme të ekonomisë të lihen në duar ku ende janë pikëpyetje të mëdha, dhe, mbi të gjitha, moraliteti i politikës do të ishte nën nivelin e zeros.
Cilido që do të kishte një biznes të pandriçuar në Kosovë do të kishte alibinë e një ministri biznesmen, për më tepër, do të kishin të drejtën e „qytetarisë“ së nëntokës ekonomike. Një staturë e tillë politike e ekonomike si Kelmendi duhet të qartësojë të gjitha rrugën e tij të zhvillimit të biznesit, të heqë çdo mjegull, dhe do të ishte mirë në se e gjitha do të ishte veçse një mjegull.
Së treti, dhe më e rëndësishmja. Prej disa kohe ka zëra nga burime të mirë-informuara për një paqartësi financiare në biznesin e madh të Kelmendit. Nuk bëhet fjalë për diçka të parëndësishme, përkundrazi, mos likuidimet nga ana e tij i detyrimeve financiare kapin shuma marramendëse, në mbi 100 milionë euro. Zëra të tjera pretendojnë se mund të jetë edhe dyfishi i tyre.
Burimet e mirë informuara dëshmojnë se aktualisht biznesi i Kelmendit ka për të shlyer detyrime të stërmëdha në buxhetin e shtetit të Kosovës, të cilat mund të sjellin rrënimin e një pjese të madhe të perandorisë së tij financiare. Nga ana tjetër, me shpejtësi, qeveria e Kosovës, në këtë fushatë zgjedhjesh, po mendon të miratojë një vendim, përmes së cilit, të gjitha bizneseve në Kosovë, pa përjashtim, tu falen detyrimet dhe borxhet që kanë ndaj shtetit të tyre. Kjo do të ishte edhe goma e shpëtimit për biznesin e Kelmendit. Edhe për rrjetin e bizneseve të tij. Kjo e fundit, ndoshta është edhe shkaku më themelor përse Kelmendi u ngut të futej nën çadrën e një partie të fuqishme, ndoshta më të fuqishmes në Kosovë.
Mbetet vetëm të sqarohet se cili ishte haraçi që po paguan ai për të gjithë këtë. Kur mendon se vetëm për një pjesë të mbrojtjes së zotit Haradinaj në Gjykatën e Hagës ai pagoi 400 mijë euro, dhe mirë bëri, tani, vetëm mund të merret me mend, dhe nga kjo marrje mendsh mund të të ngrihen përpjetë leshrat e kokës. E ndoshta mund te ketë diçka edhe më shumë se kaq…
Loja e ekonomisë me politikën ka filluar edhe në Kosovë. Askush nuk ia di fundin. Tregtimi i ideve dhe i njerëzve po bëhet normalitet, shitblerjet kanë filluar. Shumë vetë mund t’ia shohin hairin, Kosova do të jetë e humbur nga allishverishet në kurrizin e saj.
* * *
Kumbari i Beogradit dhe fijet që lidhen
REDAKSIONAL
Gazeta Dita orienton sot lexuesin e saj me një shkrim të sjellë nga dy kolegë gazetarë të Kosovës. Jemi në komunikim prej disa ditësh me ta. Në medien ku punojnë ky shkrim nuk është ‘kualifikuar’ për botim. Për DITA’n faktet dhe ngjarjet që orienton artikulli “Bota e fshehtë e një biznesmeni kosovar” kanë një rëndësi të dorës së parë. Arsyet do i rendisim një nga një më poshtë. Por më së pari, po sqarojmë se me kërkesë dhe vullnet të njëanshëm të dy kolegëve, emrat e tyre nuk do të ekspozohen në botimin e sotëm në Dita. Kërkesën për anonimat ata e justifikuan me faktin se porsa të bëhej ekspozimi i emrave të tyre do kuptohej dhe cila ishte redaksia dhe media kosovare që kishte bërë censurimin. “Jemi mjaftueshëm të ndërgjegjshëm se paraqitja e fakteve ka vlerë dhe jo revanshi ndaj një redaksie që na censuron sot por që na ka mbështetur prej vitesh”, -ishte shpjegimi i tyre. Shkrimi i dy kolegëve flet për një ndodhi që prek konjukturën politike dhe atë të biznesit në Kosovë. Cek kalimin e biznesmenit miliarder Ramiz Kelmendi nga radhët e partisë së Ramush Haredinajt drejt listës politike të PDK-së së Hashim Thaçit.
Ramiz Kelmendi është një biznesmen nga Peja që së bashku me biznesmenin tjetër pejan, Ekrem Lluka janë të njohur për lidhjet e hershme të biznesit me një ndër figurat më ndikuese të biznesit serb: Ljubomir Kariçin. Ky i fundit nuk është dosido, por është një MOGUL. Është biznesmeni serb, ose më saktë industrialisti serb që përfaqëson pararojën e strategjisë serbe të biznesit në rajon. Dy janë lojtarët më të fortë të biznesit serb që kanë një valencë të tillë: Ljubomir Kariç dhe Miroslav Mishkoviç. Që të kuptohemi, nuk jemi në kontekstin e një paranoje ‘anti-serbe’ që shikon me dyshim prej manjaku rrugët e pafundme të biznesit apo këmbimin normal tregtar në një strukturë tregu që çdo ditë e më shumë po bëhet e përbashkët, duke synuar Bashkimin Evropian. Kjo është komplet diçka tjetër.
Problemi i cili i shfaq simptomat e veta dhe në Shqipëri në këtë rast flet për tjetër gjë, flet për strategji shtetërore të ekspansionit ekonomik serb mbi vendet e rajonit, me qëllim influencimin e tyre, kontrollin e tërthortë dhe vënien në dispozicion, si të konjukturës tregtare por dhe asaj politike. Bëhet fjalë për “vasalitet me stil” dhe këtu ndryshon puna. E duhet thënë se ‘stili’ që po përdoret në dy dekadat e fundit është tepër efikas, por dhe i sofistikuar.
Në mediet shqiptare mund të lexosh e të dëgjosh pa fund për bamirësitë e Bill Gates-it (pa harruar fotot e radhës së Kim Kardashianit), por shkruhet shumë pak mbi faktorët rajonalë të biznesit dhe politikës të cilët luajnë fije të rëndësishme. Për shembull, pak kush e di se sot Kakomeja e shumë përfolur ka kaluar në pronësi të një bosi bullgar i hetuar për lidhje me mafien ruse dhe që njihet me nofkën “Kafka”.
Pak kush e di se një ndër koncesionet hidrike më të rëndësishme është përftuar nga biznesmeni kosovar Ekrem Lluka që në vitin 2009. Bëhet fjalë për koncesionin e “Tri Dukagjinëve” mbi lumin Shalë. Ortak në këtë sipërmarrje kishte ish-këshilltarin e Berishës, Petraq Milo dhe një kushëriri biznesmen të Berishës. Ekrem Lluka bashkë me Ramiz Kelmendin në Kosovë njihen si operatorë ekskluzivë të Bogoljub Kariçit.
Në Shqipëri, modeli më përfaqësues i imponimit të këtyre operatorëve ekskluzivë të shtetit serb me tagër biznesi është Samir Mane. Ai arriti të vërë në pronësi koncesione strategjike në miniera, telekomunikacion, lotari, industri ushqimore, arriti të kapë patentën siguruese të pullave fiskale. Të gjitha arriti t’i kapë jo si një administrator që triumfoi nga nuhatja e tregut, por si një biznesmen që elitës politikë dhe qeverisëse, qeverisë Berisha, u dha ‘dy kova plot’ për të marrë më pas të gjithë burimin. Samir Mane është i lidhur në fije të shumëfishta me mogulin serb Miroslav Mishkoviç. Ky i fundit së bashku me Bogoljub Kariçin janë dhe dy emblemat e ekspansionit ekonomik të dirigjuar me akademi nga shteti serb.
Ju duket ndoshta shumë konspirative kur dëgjoni për strategji akademike? Nëse keni dyshime, hapni letrat, shikojeni pak bilancin tregtar të Shqipërisë, Kosovës dhe më pas Serbisë. Shikoni se si biznese serbe, falë këtyre operatorëve kanë arritur të kapin dhe të kapilarizojnë drejt tyre aktivitete me fitim të garantuar. Shikoni si kanë paralizuar resurse të çmuara në bujqësi, energji, etj., për t’i hapur rrugën eksportimit drejt Shqipërisë të produkteve me stampa serbe.
Stampa serbe nuk ka mbërritur në Shqipëri si pasojë e cilësisë së saj dhe triumfit në treg. Ajo është imponuar si pasojë e lëshimit që ka bërë konjuktura politike shqiptare, duke sjellë më pas dhe vasalitetin e tërthortë rajonal. Duke e parë në këtë kontekst shkrimi i dy kolegëve kosovarë ka një vlerë të padiskutueshme dhe përbën një orientim, një shqetësim dhe një zë që jep të dhëna për zhvillime dhe lëvizje që kanë kuptim.
Mos prisni t’i lexoni tek ‘New York times’ këto probleme, serbët e kanë akademinë me vete në çdo kohë, ja dinë pikat e dobëta sistemit ndërkombëtar globalist dhe përthyerjes që vjen nga oreksi i korporatave, ndaj dhe shpesh trokasin në Tiranë edhe me mbështetjen e konjukturës së klaneve amerikane.
Po nuk besuat shikoni Damir Fazlliçin që vinte me koperturë nga Tom Ridge, ose po të doni shikoni më në detaje dhe Samir Manen, ai disa projekte të rëndësishme i zhvillon në bashkëpunim me BERZH-in por edhe me ndihmën e Fondit Shqiptaro-amerikan të Ndërmarrjeve.
Serbët janë në lojë, e kanë kuptuar mirë si funksionon, kanë nisur ekspansionin. Neve na ka mbetur vetëm të numërojmë monopolet e tyre në Shqipëri e Kosovë dhe të themi ndonjë fjalë, atje ku botimi ende nuk është i ndaluar. Fijet në Prishtinë e Tiranë po bëhen gjithnjë e më të forta, ndërsa bilancet tregtare shkojnë gjithnjë e më dobët. Llogaritë bëjini vetë.