GJOKË DABAJ: PO PËR ME MBETË SHQIPTAR, PSE S’PO PAGUAN ASKUSH?!

Durrës, 28. 05. 2014 – Për me u bâ grek, shteti grek po paguan. Besoj se dëgjuat para pak ditësh që qeveria greke miratoi, ose rimiratoi, disa dhjetëra mijë pensione për shqiptarët që deklarohen me kombësi greke. Nuk kërkon qeveria greke të kesh punuar në Greqi. Le të kesh punuar në Sarandë, në Gjirokastër, në Berat, madje edhe në Tiranë, ai të jep pensionin, mjafton të shkruhesh në dokumente sikur je grek. E lë shteti grek popullin e vet të rrijë në radhë me tasin e supës ndër duar! Besoj, i keni parë, në pikun e krizës, se si rreshtoheshin banorët e Pireut e Athinës, për të marrë një pako ndihma ose për një pjatë me gjellë të ngrohtë. Në ato ditë u diskutua për t’ua ndërprerë shqiptarëvet, atyre të “greqizuarvet”, pensionet. Por, sapo u kapërcye shtërngesa, u vendos përsëri pagimi… për me qenë grek.
***
Për me u bâ mysliman, nga ata që duken, nga ata që dallohen prej së jashtmi, me mjekërr, me pantallona të shkurtuara e sidomos me veshje grashë të dallueshme, myslimane, dikush po paguan. Atyre vërtet nuk po u kërkohet ta harrojnë gjuhën shqipe, por, sidoqoftë, nëse duan të marrin ndonjë lek, u duhet që besimin fetar ta vënë përmbi kombin dhe ta reklamojnë. Ta vënë besimin fetar përmbi kombin, deri atje, sa ta quajnë më me vend të japin jetën diku në Siri, si dikur në Jemen, “përtej Urës së Qabesë”, se sa pas ndonjë grumbulli me zhavorr përtej Urës së Ibrit. Se nga vijnë ato para, nuk po dimë, por po e shohim fare qartë që edhe në këtë krah po punon dikush për mos me qenë shqiptari taman shqiptar. Sërbia po i lë t’i mbyten sërbët e Sërbisë. Nuk po ka para për të bërë investime kundër përmbytjevet. Por për sërbët, që i ka zënë nata në Kosovë, po paguan qimet e kokës, për t’i mbajtur aty. Ata që e njohin buxhetin e shtetit sërb, e dinë sa para jep Sërbia për të këtilla punë. Para për të mbajturit mirë të manastirevet, zaptuar prej tyre që në kohë të Mesjetës, para për të punësuarit, për policët, për gjykatat, deri te shkollat dhe te universiteti, në gjuhë sërbe e me program sërb. Por ata që i njohin edhe financiemt e fshetë, e dinë edhe më mirë, sa para jepen për sërbët që janë gjendur, qoftë në kohë rrebeshesh, qoftë ditën për diell, në tokat e shqiptarëvet.

– Gjokë Dabaj – 

Sërbët paguajnë edhe shkrimtarë shqiptarë (S’po përmend emra), të cilët pranojnë të flasin e të shkruajnë në dëm të kombit shqiptar.
Sërbët e malazezët, reklamojnë nëpër gazeta, duke e lavdëruar e ngritur në qiell, ndonjë shqiptar që vë në kokë kësulën sërbo-malazeze. (S’po përmend emra.) Nami bëhet! Shpallet më i miri! Shpallet më i hijshmi! Në një kohë kur ai s’është, veçse një frikacak dhe një servil.
***
Të gjithë janë vërsulur mbi ne! Duan doemos ta sakatojnë e ta pakësojnë kombin tonë! Paguajnë, për të na gjymtuar moralisht, mendërisht edhe shpirtërisht, dhe për të pakësuar!
Ndërkaq, për shqiptarët, për t’u mbajtur më këmbë shqiptari, atje ku ai është realisht i rrëzikuar, s’po shqetësohet askush prej atyre që mund dhe duhet të bëjnë diçka. S’po e çan kryet kush! As për arbëreshët e arvanitët, të cilët me shekuj kanë qëndruar VETË, pa as më të voglën ndihmë nga toka mëmë, as për shqiptarët ortodoksë që i ka përmbledhur kufiri i shtetit grek, as për shqiptarët e Tivarit, Plavës, Sanxhakut, Rozhajës, Podgoricës, as për ata të Medvegjës, të cilët, për të mbetur shqiptarë, janë shtërnguar të marrin rrugët e Zvicrës.
Askush s’po i jep pesë pare për me mbetë shqiptari shqiptar!

Maj 2014 – Gjokë Dabaj


***

LETËR PËR EDITORIN E ‘PASHTRIKU.ORG

I dashuri miku im!
E kam vënë këtë kësulë kombëtare në vitin 1961, atëherë kur e pata kuptuar që fjalët nuk mjaftonin. Kam shetitur me të nëpër Beograd, e kam mbajtur edhe në fshatin tim, ku, pas 1945-s, nuk e mbante më askush. Po e vë tash përsëri, jo se nuk jam bashkëkohor, por sepse po e shoh që prapë fjalët nuk po janë të mjaftueshme. Shumë të fala dhe punë të mbarë “pashtrikut”! Gjokë Dabaj – Maj 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura