Pashtriku.org, 30. 2014 – Në librin me kujtime “Nga fëmijëria deri te liria” autori Jashar Alia ka shpalosur segmente të caktuara të një opusi të pasur kujtimesh për periudhat, ngjarjet, momentet dhe përjetimet më të rëndësishme të jetës së tij. Ai ka skalitur me daltën e kujtesës, episode jetësore të shtresuara në mbamendjen e tij duke i nxjerrë ato në dritë, siç nxirren me mjeshtëri e durim, margaritarët nga thellësitë e detit.
I prejardhur nga një familje e ndershme e atdhedashëse fshatare shqiptare, me gjendje ekonomike të varfër si shumica dërmuese e popullsisë fshatare në Kosovë në dekadat e para të Pasluftës së Dytë Botërore, që rropateshin për kafshatën e gojës dhe mbijetesën ekonomike, si dhe duke qenë pjesë e një populli të ripushtuar e të shtypur, që rezistonte e përpëlitej për mbijetesë kombëtare, Jashar Alia ka përshkruar me fjalë zemre, me një gjuhë të pastër, të thjeshtë e të kuptueshme, pa retorikë bombastike, mburravece e falso, situatat që kanë të bëjnë me jetën e tij, të familjes, të kombit e të Kosovës, ashtu siç janë fiksuar në kujtesën e tij, që nga momenti kur ajo ka qenë në gjendje t’i absorbojë e regjistrojë. Situatat e përshkruara janë tipike e reale. Ato nuk janë të trilluara, apo të shpikura, por as të lustruara e të kamufluara. Prandaj, janë pikërisht këto cilësi e aspekte të rrëfimit që e bëjnë atë me karakter, moral, besueshmëri e forcë, të pëlqyeshëm e tërheqës për të gjitha nivelet dhe gjeneratat e lexuesve.
Libri “Nga fëmijëria deri te liria”, si rrallë ndonjë libër tjetër kujtimesh, karakterizohet me një forcë të theksuar kohezioni e identifikuese. Duke lexuar këtë libër, brezi i autorit, por jo vetëm ai, do të kthehet në vitet e fëmijërisë dhe do t’i rikujtojë të gjitha ato segmente të jetës së tij fëmijërore, që nga raportet me anëtarët e familjes, çapkënllëqet e ndryshme, lozja me shokët me top leckash, varfëria ekonomike dhe mungesa e veshmbathjes, ëndrrat fëmijërore, gëzimet e hidhërimet e zakonshme, pastaj dita e parë e shkollës, raportet me mësuesit, ambiciet dhe vështirësitë e ndryshme gjatë viteve të shkollimit etj., etj.. Ky brez do të kthehet te mosha e rinisë dhe do t’i rikujtojë momentet fillestare të kthesave të karakterit dhe pjekurisë së tij, fillet e kuptimit të mirëfilltë të problemeve shoqërore e kombëtare dhe të preokupimit me çështje të mëdha e të përgjithshme.
Në kujtimet e librit “Nga fëmijëria deri te liria” do ta gjejnë dhe identifikojnë veten në mënyrë perfekte sidomos veprimtarët e lëvizjes së organizuar e të fshehtë kombëtare, të cilët, me shembullin e autorit ecën pandalshëm, duke rënë e duke u ngritur. Në to do ta gjejnë veten idealistët e vërtetë, për të cilët mbi interesin e kombit, atdheut dhe lirisë nuk mund të vendoset asnjë interes tjetër. Do ta gjejnë veten revolucionarët e vendosur, për të cilët jeta është luftë e përhershme dhe ka kuptim vetëm kur ajo vihet në shërbim të cilësisë së lirisë së njeriut dhe të kombit.
Me autorin dhe rrëfimet e tij do të identifikohet secili prej atyre që shkoi në luftë dhe qe i gatshëm të luftojë edhe me armë në dorë për lirinë e Kosovës. Aty e gjejnë veten të gjithë ata që hyjnizojnë dashurinë për prindërit, familjen, shokët dhe gjithë njerëzit e zemrës. Gjejnë veten ata që kanë përjetuar dashurinë e çiltër të nipave e mbesave, duke ua shpërblyer atë me kujdesin dhe dashurinë prej gjyshi, siç bën autori i librit “Nga fëmijëria deri te liria”.
Autori i kujtimeve, Jashar Alia është personalitet me një përvojë të pasur jetësore dhe në veçanti me një veprimtari shumë të begatshme atdhetare. Ai është ndër ata veprimtarë të rrallë të papërkulur që i kanë qëndruar besnik pikëpamjes, idealit, përcaktimit dhe betimit të tyre, pavarësisht prej koniunkturave politike e ideologjike të kohës. Prandaj, duke pasur një edukatë dhe karakter të tillë, Jashari ka arritur ta paraqesë në mënyrë autentike edhe segmentin mjaft interesant të kujtimeve të tij kushtuar burgosjes së trefishtë nga UDB-a jugosllave dhe procesit të hetimeve për shkak të aktivitetit të organizuar atdhetar. Në këtë përshkrim, udbashët shqipfolës dhe ata joshqipfolës ai i ka cilësuar kriminelë, kurse veprimet e tyre, kriminale, ashtu siç ishin në të vërtetë.
Pa ndjenjën e kompleksit të cilën mund ta imponojnë rrethanat e diktuara nga distanca historike e ngjarjeve dhe pa kompromis, autori e ka cilësuar me terma përkatës, si tradhtare e kolaboracioniste, edhe klikën e pushtetarëve shqiptarë nga Kosova të asaj periudhe, siç ishin Fadil Hoxha me kompani e deri te Azem Vllasi. Po ashtu pa pikën e kompleksit e ka përshkruar edhe respektin e madh që kishte ushqyer për Enver Hoxhën dhe Shqipërinë e asaj kohe, si mbështetës të fuqishëm të përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për çlirim. Këto fakte i japin librit një vlerë autentike, sepse ato spikatin identitetin intelektual e njerëzor të autorit të kujtimeve, i cili merr guximin t’i thotë troç të zezës e zezë dhe të bardhës e bardhë edhe atëherë kur moda kërkon të thuhet e kundërta.
Ndonëse është quajtur libër kujtimesh, në realitet libri “Nga fëmijëria deri te liria” është më shumë se kaq. Ai mund të konsiderohet si një përmbledhje e publicistikës politike të kohës, në të cilën autori ka trajtuar, analizuar e vlerësuar nga këndvështrimi i tij ngjarjet më kulmore politike që kanë të bëjnë me Kosovën dhe shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit 20, siç janë aksioni famëkeq i armëve, demonstratat e vitit 1968, zhvillimet e viteve `70, demonstratat e vitit 1981, roli i Shqipërisë në mbështetjen e kërkesës për Republikën e Kosovës e deri te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Analiza dhe vlerësimi i këtyre ngjarjeve është bërë me një thellësi të theksuar mendimi dhe me qartësi shprehjeje e argumentuese. Prandaj, duke qenë të thella, të qarta e të sakta, këto vlerësime mund të konsiderohen perla të vërteta të mendimit politik për çështjen shqiptare dhe të Kosovës.
Një segment i veçantë i librit “Nga fëmijëria deri te liria” i kushtohet luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pasionit me të cilin autori ka veshur uniformën e kësaj ushtrie dhe ka bërë betimin e ushtarit të saj.
Pa dyshim, ky libër kujtimesh pasqyron edhe botën ndjenjore të autorit, emocionet dhe dashurinë që ai ka për fshatin e lindjes, për vatrën, për Kosovën dhe për Shqipërinë. Trinomi i shenjtë i idealizmit atdhetar të autorit Jashar Alia: vendlindja-Kosova-Shqipëria, është shprehur me simbolikë të rrallë edhe në mestitujt e librit: Syrigana-vendlindja ime e dashur; Kovraga-vatra ime e djegur; Kosova-Shqipëria ime e vuajtur. Kjo simbolikë nuk ka si të mos shprehë botën shpirtërore të autorit, i cili pjesën më të madhe të jetës ia ka kushtuar kombit e atdheut, duke mos u zmbrapsur as përkulur para sprovave të rënda të burgut e të luftës kundër pushtuesit dhe duke mos u lodhur e dëshpëruar as nga jeta e rëndë në mërgim.
Vëmendjen e lexuesit, pa dyshim do ta tërheqë edhe titulli mjaft karakteristik e mbase edhe i rrallë, në formë e në përmbajtje, i librit me kujtime të Jashar Alisë. Në kuptim të formës, ai është një titull simbolik, melodioz, i rimuar e artistik. Ndërsa, në kuptim të përmbajtjes ai ka përkufizuar dy limitet kohore të kujtimeve të sjella nga autori, e që përkojnë me dy momente të rëndësishme të jetës së tij. Momenti i parë është ai i moshës së fëmijërisë, kur zë fill edhe fiksimi në kujtesë i ngjarjeve. Ndërsa momenti i dytë është ai i dekolonizimit të Kosovës dhe dhënia fund e pushtimit serb të Kosovës përmes luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1999.
Përjashtuar dromcat e ditarit të një dekade më vonë, të cilat po ashtu janë përfshirë në pjesën e fundit të librit, lëvizja e shiritit të kujtesës së autorit është ndërprerë pas kthimit triumfues të tij bashkë me familjen e ngushtë, nga emigracioni dhjetëvjeçar në Zvicër, në Atdheun e lirë. Ngjarjet e shumta të erës së re në Kosovë, pa dyshim do të mund të jenë objekt i kujtimeve të autorit të këtij libri në të ardhmen, në aspektin e perceptimit të realitetit shtetëror e shoqëror në Kosovë.
Si përfundim dua të them se libri “Nga fëmijëria deri te liria” mund të zbërthehet dhe analizohet edhe në shumë këndvështrime të tjera, sepse kujtimet që sjell ai paraqesin një gërshetim të fuqishëm të fatit individual të autorit me atë kolektiv të kombit tonë. Për këtë të arritur dhe për punën e vlefshme që ka bërë, Jasharin dëshiroj ta përgëzoj nga zemra, duke e inkurajuar që të punojë për nxjerrjen në dritë edhe të kujtimeve të radhës që ai mund të ketë.
(Fjala në përurimin e librit “Nga fëmijëria deri te liria” të autorit Jashar Alia, Prishtinë – 1810. 2013)