SARANDA PAJAZITI*): TË GJITHA QEVERITË E PASLUFTËS DËSHTUAN NË MISIONIN QË IU BESUA!

Prishtinë, 06. 06. 2014 – Në procesin e ndërtimit të shtetit, fillesat gjithmonë kanë qenë të rëndësishme, madje shpeshherë edhe determinant të së ardhmes. Që nga koha e pasluftës nën administrimin ndërkombëtar ideja për krijimin, funksionalizimin dhe demokratizimin e institucioneve tona “të pavarura” përmes bartjes së kompetencave nga faktori ndërkombëtar në institucionet vendore paraqiten një vazhdë të një procesi epokal-sfidues për klasën tonë politike, proces ky i realizueshëm në tërësinë e vet pavarësisht parealizueshmërisë si pasojë e mungesës së vullnetit politik.
Përgjatë viteve u dëshmua që këto sfida përveçse të gjata, të mundimshme dhe me kosto ishin njëkohësisht edhe sfida që kërkonin pjekuri politike, seriozitet dhe përgjegjësi. Në ballafaqimin me këto sfida tërhoqën zvarrë mejdanin njerëz të papërgjegjshëm dhe të korruptuar rezultati i veprimtarive të së cilëve na erdhi si një e vërtetë e brishtë, e dhimbshme dhe pa shpresë. Pasqyra e veprimeve të qeverive të pasluftës janë ato që na japin sot një shtet me të ardhme të zymtë, të zhytur në korrupsion e krim, dhe pa perspektivë zhvillimore ekonomike e sociale.

Misioni i Hashim Thaçit dhe hashimëve tjerë qeveritarë,

ka mbetur nën hijen e kërkim’lëshmoshëve! (sh.b)

…………………………………………………………..

Diku rruga shkoi huq, dikush ngatërroi këmbët e rrjedhimisht edhe rrugën dhe diku e kjo diku është te udhëheqja e sotme aty ku na përqafoi fatkeqësia, dhe është pikërisht këtu te këta njerëz dhe te kjo qeverisje aty ku duhet të përfundojë kjo fatkeqësi.
Me LDK-në në qeverisje qendrore dhe lokale, me PDK-në në qeverisje, me AAK-në 100 ditëshe, me AKR-në si pjesë e koalicioneve u dëshmua një ngecje dhe boshllëk i madh i ndërhyrjes njerëzore në proceset politiko-ekonomike e nacionale. Nuk është fare e vështirë të konstruktosh një mori të ligash të këtyre partive të cilat ndërruan:
– vizionet,
– parimet,
– ideologjitë
varësisht sipas interesave personale duke u munduar kështu në vazhdimësi të unifikojnë versionet e tyre të gënjeshtrave e manipulimeve në një gënjeshtër të madhe siç janë edhe këto sot para zgjedhjeve:
– se ne qeverisëm drejt,
– se ne i shërbyem komunitetit,
– se ne jemi të duhurit,
– se vetëm ne mundemi,
– se ne synojmë drejtimin e ri,
– kthesën e re etj.

Logjika e veprimit të këtyre partive është kërcënim akademik, moral dhe etik për shtetin tonë.
Na u premtua integrim në BE, liberalizim vizash, zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsimim cilësor ndërkohë që qytetarët u detyruan të arratisen ilegalisht kampeve të Francës e maleve të Hungarisë, ndërkohë që të rinjtë sot sillen rrugëve të papunë, ndërkohë që në sheshin e qytetit sheh çdo ditë kërkim-lëshmosh për fëmijët e sëmurë dhe ndërkohë që Universiteti u shndërrua në punishte diplomash false e të pavlera.
Premtimet dhe realizimet u përzien si vaji me ujë dhe nuk dhanë asnjë efekt. Qytetarët trashëguan një shtet patologjik, me dukuri të dënueshme të sofistikuara e të manifestuara si përditshmëri normale . Pazaret e interesat klanore, demagogjia elektorale në fushatë me premtime paradoksale, ndarja paraprake e tortës përmes koalicioneve parazgjedhore na bëjnë të qartë allishverishet e politikanëve të cilat do t’i hasim pas 8 qershorit. Qeveritë e pasluftës dështuan në misionin që iu besua, dështuan në udhëheqjen e vendit dhe duhet të dështojnë edhe në këto zgjedhje.
Të vetmet çka i ofruan Kosovës këto qeveri ishin:
– legjitimiteti i krimit,
– korrupsionit dhe nepotizmit,
sinonimet e së cilave i gjejmë të skandalet mediatike si:
– kontrabandimi i votave në zgjedhje,
– plaçkitja e dhomave të sigurisë në polici,
– afera e pasaportave,
– afera pronto,
– shitja e aseteve shtetërore,
– manipulimet me tenderë,
– autostrada,
– dialogu Kosovë – Serbi,
– gjykata speciale
e një mori skandalesh tjera të cilat rritën dhe zhvilluan problematizimin e gjendjes politike në vend duke iu lënë kështu pasardhësve një shtet të përçudnuar e tejet kompleks, kompleksiteti i së cilit do vazhdojë me pasoja edhe më të mëdha në të ardhmen nëse qytetarët nuk i ndëshkojnë këto parti me mosvotë në ditën e 8 qershorit.
(*) Autorja është politologe dhe anëtare e Këshillit Koordinues të Klubit Politik të Studentëve.

***

SHERADIN BERISHA: PAS 8 QERSHORIT NIS ZHGËNJIMI! MISIONI I MASKAVE DO TË JETË: ‘SHITJA – PRIVATIZIMI I PASURISË KOMBËTARE DHE NEGOCIATAT E REJA ME SERBINË!
– HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2846

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura