Deçan, 26. 07. 2014 – Të mërkurën, më 23 korrik, erdhi në Kosovë, përkatësisht në fshatin Grackë të Lypjanit, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për të zbuluar një pllakë përkujtimore për disa serbë të vrarë pesëmbëdhjetë vjet më parë. Me këtë rast, ashtu siç bëjnë zakonisht të gjithë zyrtarët serbë, edhe Gjuriqi i fajësoi shqiptarët. Kësaj radhe i fajësoi shqiptarët jo vetëm për vrasjen e ndodhur para pesëmbëdhjetë viteve, por edhe për atë se qenkan fajtorë se nuk po bashkëpunuakan për zbardhjen e këtij rasti! Gjuriq tha se ka ardhur të kërkojë drejtësi për Novica Janiçijeviqin, i cili ishte vetëm 17-vjeçar, dhe serbët e tjerë të cilët “vdiqën vetëm pse kishin folur në gjuhën serbe, pse kishin shkruar në çirilicë dhe se ishin serbë”, për të vazhduar më tej se “qëllimi i këtij akti qyqar ka qenë që të dëbohen qytetarët serbë nga ky fshat dhe kjo komunë”!
Por edhe kësaj radhe, Gjuriq duket se ka harruar që llogarinë për këtë akt kriminal duhet ta kërkojë në Beograd, e jo në Kosovë, pasi që nuk ka asnjë fakt se kjo vrasje është kryer nga shqiptarët. Përkundrazi, të gjitha faktet dëshmojnë se vrasja e dymbëdhjetë serbëve në Grackë të Vjetër të Lypjanit është kryer nga njësitet ekzekutive të Shërbimit Sekret Serb, përkatësisht nga i njëjti njësit që e ka kryer vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë.
Në të dyja rastet, njëri i kryer gjatë luftës e tjetri pas përfundimit të luftës në Kosovë, qarqet më të larta shtetërore të Serbisë i viktimizuan bashkëkombësit e vet për ta akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe popullin shqiptar për terrorizëm! Një gjë të tillë e bënë edhe në raste të tjera.
Marko Gjuriq kërkon drejtësi për vrasjet në Grackë të Lipjanit!
Në rastin e parë, u deshën të kalojnë pesëmbëdhjetë vjet që Serbia të pranojë zyrtarisht vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë. Në dhjetor të vitit të kaluar kryeministri aktual i Serbisë, vozhdi çetnik Aleksandar Vuçiq, njëherësh ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe të Sheshelit, por edhe ministër i informatave në kohën e Millosheviqit, e pranoi publikisht se Serbia e ka kryer aktin terrorist në “Panda”, gjë që e shokoi opinionin në Serbi. Vuçiqi, iu drejtua opinionit serb (natyrisht, në prag të zgjedhjeve në Serbi), duke ia bërë të ditur se Serbia ka kryer krime monstruoze dhe se duhet të ballafaqohen me shumë gjëra të tmerrshme. “Shteti ynë ka kryer krime monstruoze…, janë shumë gjëra të tmerrshme me të cilat duhet të ballafaqohemi”, tha Vuçiq, duke përmendur si shembull vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë.
Në anën tjetër, edhe Radomir Markoviqi, ish-kryeshefi i RDB-së, u ka ofruar dëshmi autoriteteve në Serbi se vrasja e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë, më 1998, është kryer nga shërbimet sekrete serbe. Markoviq ka ofruar dëshmi se gjithçka është organizuar nga JSO dhe se sulmin e ka bërë Millorad Ulemeku – “Legija”.
Madje, ish-kryeshefi i RDB-së, Radomir Markoviqi, disa muaj para pranimit publik të rastit “Panda” kishte kërkuar amnisti nga presidenti serb, Tomislav Nikoliq, duke kërcënuar se do ta gjunjëzojë Serbinë nëse i publikon të gjitha krimet ndaj serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, si dhe ndaj serbëve e myslimanëve në Bosnjë, krime këto që i ka kryer Serbia me urdhër të Millosheviqit. Pra, dëshmitë zyrtare janë.
Ajo që tashmë është bërë publike edhe në Serbi, ndonëse për pesëmbëdhjetë vjet iu mvesh shqiptarëve, është fakti se aktin terrorist në “Panda”-n e Pejës e ka kryer Sigurimi Shtetëror i Serbisë, në krye me Radomir Markoviqin, nëpërmjet Millorad Ulemekut – “Legija”-s, komandant i JSO-së (Jedinice za Specialne Operacije – Njësia për Operacione Speciale), e cila siç dihet ishte njësi ekzekutive e Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Lidhur me këtë, disa medie në Beograd, duke u thirrur në burime të sigurta dhe në dëshmi faktike shkuan edhe më larg, duke bërë të ditur se “vendimin për një seri të krimeve kundër serbëve dhe shqiptarëve që e kanë mbështetur Serbinë dhe e kanë akuzuar UÇK-në, e ka sjellë Millosheviqi, në nëntor të vitit 1998 dhe Shtabi i tij Strategjik”. Sipas tyre, “atëherë u vendos që me një seri të sulmeve terroriste që do të kryente DB-ja (Sigurimi Shtetëror), pra, “Legjioni i Vdekjes” i Legijas, në sytë e ndërkombëtarëve UÇK-ja do të paraqitej si organizatë terroriste, dhe në të njëjtën kohë do të shkonte në maksimum pasioni antishqiptar në Kosovë dhe në Serbi”.
Ndërkaq, në rastin e dytë, atë të vrasjes së serbëve në Grackë të Lypjanit (të cilin e kam trajtuar gjerësisht në librin “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”), pa u ndalur në detaje, duhet thënë se tashmë që nga viti 2001 është sekret publik se kjo vrasje është përgatitur nga qarqet më të larta të Serbisë dhe është kryer nga njësiti i JSO-së, nën komandën e Legijas, e cila aso kohe aktivitetin e vet e zhvillonte nën ombrellën e të ashtuquajturës “Armata Çlirimtare Serbe e Kosovës dhe Metohisë”. Ndonëse fillet e organizimit të këtij formacionit paramilitar serb në Kosovë datojnë që nga koha e luftës (prill-maj 1999) dhe ndërlidhen drejtpërsëdrejti me emrin e Zoran Angjelkoviqit, njeriut të afërt të Millosheviqit, që ishte njëri prej funksionarëve të lartë të Serbisë para dhe gjatë luftës në Kosovë, njëherësh kryetar i të ashtuquajturit “Këshill Ekzekutiv i Kosovës e Metohisë”, ndërsa, gjatë luftës edhe komandant i “Mbrojtjes Civile” pranë Shtabit të Ushtrisë Jugosllave në Kosovë, mbi të cilin bie një barrë e rëndë për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, megjithatë vrasja e serbëve në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit shënon aksionin e parë të kësaj organizate terroriste tw kryer pas luftws nw Kosovë.
Është tejet domethënëse motoja e kësaj organizate terroriste: “Ubij i beži”! (“Vrit dhe ik”!). Mbase kjo moto më së miri e definon edhe përcaktimin për taktikën që do ta përdorte ky organizim, duke futur në aksione grupe të përgatitura në Kosovë dhe në Serbi, të komanduara nga oficerë me përvojë në luftërat në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë, si dhe me direktiva të plota të Sigurimit Shtetëror Serb dhe të Shërbimit të Zbulimit e Kundërzbulimit ushtarak (KOS), si dhe njerëzit e kriminelit Zhelko Razhnjatoviq – Arkan, të cilët ishin instruktorë në bazën e tij në Erdut. Pra, ishin vrasës të stërvitur dhe me “dëshmi”.
Vrasjen e të rinjve serbë në kafenenë “Panda”, në Pejë (dhjetor 1998)!
Të gjitha dëshmitë tregojnë se vrasja monstruoze e dymbëdhjetë serbëve në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit, ishte pjesë e sulmit të “Legija”-s dhe bashkëluftëtarëve të tij. Sulmi ishte i shifruar me emrin “SREB” (“Drapri”). Kjo ishte një prej taktikave të gatuara mirë nga Millorad Ulemeku – “Legija”, një prej njerëzve më të afërt të Millosheviqit. Të tërën e kishte konceptuar kështu: fshatarët serbë të Grackës do të futeshin vërtet në grackë, ndërsa aksioni i quajtur “SREB” (“Drapri”) i kishte dy kuptime: i pari, nënkuptonte ngjarjen në arat që duheshin korrur dhe, i dyti, se duheshin korrur bashkëkombësit e tyre, të cilët më pas do të paraqiteshin si viktima të shqiptarëve. Të gjithë këta u vranë në arën e pakorrur, jo larg autokombajnës. Mirëpo, të gjitha gjurmët tregojnë se ishin vrarë nga afërsia, dhe me gjasë nga persona të njohur.
Ndërsa, e tëra kishte për qëllim që pas krimeve monstruoze, të cilat Serbia dhe serbët i kishin bërë mbi shqiptarët në Kosovë, të fillohej përpunimi i opinionit ndërkombëtar, duke i paraqitur serbët si viktima të shqiptarëve, me qëllim që ta tërheqin vëmendjen e opinionit publik nga krimet e tmerrshme që i kryen forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Fatkeqësisht, një numër i konsiderueshëm i ndërkombëtarëve e “gëlltiti këtë karrem” tw serbwve. Pas kësaj vrasjeje makabër efekti propagandistik ishte i madh, mirëpo, megjithatë analizat e UDB-së dhe të KOS-it dëshmuan se efekti i brendshëm ishte negativ, ngase një numër i serbëve nisën ta ndiejnë veten të pasigurt dhe u shpërngulën në Serbi. Pra, ky akt kriminal kishte efektin domino. Pos fajësimit tw shqiptarwve, u shpërngulën edhe një pjesë e serbëve, por shumë, shumë më pak se sa po deklarojnë zyrtarisht vozhdët çetnikë Nikoliq e Vuçiq, që tash gjenden në krye të institucioneve të Serbisë, por që nuk janë larguar fare nga planprogramet serbomëdha që parashihnin ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë në Kosovë, të cilat i hartuan së bashku gjatë viteve ’90-të të shek. XX, derisa vepronin në kuadër të Partisë Radikale të Sheshelit.
Pra, Gjuriq edhe kësaj radhe me këtë aktivitet ka dashur ta ngatërrojë adresën e krimit.
Është shumë e çuditshme se si pas kaq shumë vrasjesh e masakrash që i kryen forcat serbe në Kosovë, që për t’i humbur gjurmët e krimit mbollën varreza masive me trupa të shqiptarëve të vrarw përgjatë 500 kilometrave deri në Beograd, në Bor, në Rashkë, në Danub, Maçkaticë… dhe sërish paturpësisht vazhdojnw të tentojnë ta tjetërsojnë përgjegjësinë e krimeve! Mjafton të kthejmë kokën prapa dhe të shohim rastin Dick Marty, që filloi nga një përrallë shesheliane (e vitit 1999), që tash gjashtë vjet na qëndron padrejtësisht mbi krye. Në anën tjetër askush nuk është përgjigjur për Masakrën e Mejes e të Korenicës, kur brenda një dite u ekzekutuan nga afërsia 377 civilë shqiptarë, askush nuk është përgjigjur për masakrën në Burgun e Dubravës, askush nuk është përgjigjur për Qirezin e Likoshanin, për Abrinë, Lybeniqin, Rezallën, Izbicën, Krushën, Gjakovën, për Kosovën… Sikur vetëm një masakër të tillë ta kishim kryer ne shqiptarët, jam e sigurt se tashmë si shtet e si komb do të ishim përgjigjur për krime e gjenocid, por kjo nuk po ndodhë me Serbinë. Fatkeqësisht, drejtësia po vazhdon të ndahet me kute të ndryshme. Përderisa, Serbia shkon aq larg sa që i përfshinë në përmendore, i paraqet si të vrarë nga shqiptarët gjatë e pas luftës edhe serbë që kanë pasur vdekje të natyrshme gjatë viteve ’80 – ’90-të, i paraqet si të zhdukur edhe ata që nga frika e ndjekjes për krime lufte kanë ndërruar identitet, i paraqet si të zhdukur në përfundim të luftës edhe ata serbë që u vranë në frontet e luftës derisa ishin të mobilizuar në radhët e forcave serbe, por që as gjatë luftës as pas luftës nuk ua ka treguar të vërtetën të afërmve të tyre, shtrohet pyetja: çfarë kemi bërë ne, a e kemi bërë atë që është dashur dhe e kemi pasur obligim për ta argumentuar atë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë? Fatkeqësisht, JO!