DRITAN L.GOXHAJ: ANKESË – KOMISIONIT QEVERITAR PËR NJOHJEN DHE VERIFIKIMIN E STATUSIT TË DËSHMORIT TË KOMBIT, INVALIDIT, VETERANIT, PJESËTARIT APO TË INTERNUARIT TË UÇK’s

Tiranë, 20. 04. 2015 – (Pse iu mohua statusi i veteranit të UҪK’së, Dritan Laver Goxhajt?!) – Emri, mbiemri: Dritan Goxhaj &Nr. aplikacionit/Statusi: 032372 & Njësia/Brigada:Operacioni “Shigjeta” – A N K E S Ë – Drejtuar Komisionit Qeveritar për shqyrtimin e Ankesave / Zotërinj të këtij Komisioni Qeveritar, Ju më keni renditur në të 74-in ndër të refuzuarit për Operacionin “Shigjeta” për statusin e veteranit të Luftës Çlirimtare në Kosovë, por unë nuk jam dakort me vendimin tuaj, për arsyet e mëposhtme:
Së pari,
Nëse ju mohoni vepritarinë time në Luftën për Çlirimin e Kosovës dhe në ndihmë të UÇK-së do të thotë se ju indirekt mohoni qëllimisht ekzistencën dhe veprimtarinë e 3 (tre) oficerave të SHBA të dërguar prej atij shteti, ku unë isha ngarkuar nga zotërinjtë Sabit Geci e Azem Syla, shoqëruesi dhe përkthyesi i tyre; do të thotë se ju kërkoni të mohoni ndihmën e dhënë prej tyre. Për këtë më detyroni t’iu kujtoj se asnjë nga ju anëtarët e këtij komisioni nuk keni qenë prezent në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, kur mua më është ngarkuar ajo detyrë (në 29 Mars 1999), se, veç të tjerave, sa herë që Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së (SHP të UÇK) i pengohesh dërgimi i informacionit për vendndodhjet dhe veprimet e forcave të policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë për në Shtabin e NATO-s në Kumanovë apo në Kukës, SHP i UÇK i niste ato informacione të shpeshta në telefonin-faks të familjes sime, dhe unë, (ose motra ime kur unë s’isha në shtëpi), me ta marrë informacionin ua jepnim me telefon oficerave amerikanë dhe ata e trasmetonin atë në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe prej andej i jepej aviacionit të NATO-s, i cili ngrihej dhe kryente goditjet nga ajri. Për këtë qëllim Sabit Geci, me porosi të z.Azem Sylës, më pajisi me aparat faksi, të cilin e montova në familje, e që e kemi edhe sot.
Së dyti,
Nëse ju mohoni veprimtarinë time në Luftën për Çlirimin e Kosovës dhe në ndihmë të UÇK-së, do të thotë se ju u besoni intrigave që kanë thurrur armiqtë e familjes sonë dhe të UÇK-së, duke falsifikuar vërtetime false, gjoja në emër të të ndjerit Xheladin Gashi (Plaku), pas vdekjes së tij, me përmbajtje të turpshme; do të thotë se ju më shumë u besoni falsifikatorëve sesa ne që pranuam të flijoheshim për lirinë e Kosovës!
Së treti,
Nëse ju mohoni veprimtarinë time në Luftën për Çlirimin e Kosovës dhe në ndihmë të UÇK-së, do të thotë se ju mohoni vërtetimin e lëshuar zyrtarisht, me numër protokolli të vaçantë nga ish Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Përkohëshme e Kosovës, z. Azem Syla, menjëherë pas lufte, vërtetim të cilin ua kam dërguar bashkë me aplikacionin. Detyrohem t’ua rinis përsëri. Z. Azem Syla e keni në Prishtinë dhe mund ta verifikoni.
Së katërti,
Nëse ju mohoni vepritarinë time në Luftën për Çlirimin e Kosovës dhe në ndihmë të UÇK-së, do të thotë se ju e bëni këtë akt vetëm e vetëm si hakmarrje ndaj librave që babai im, Dilaver Goxhaj (ish zevendës i z. Bislim Zyrapi, dhe prej 28 prillit 1999 i z. Agim Çeku, njëkohësisht ai edhe oficeri që mbajti bashkveprimin midis UÇK-së dhe NATO-s), që ai ka shkruar në mbrojtje të vlerave të asaj lufte e asaj ushtrie çlirimtare, si dhe ngaqë ai stigmatizon profiterët dhe privatizuesit e asaj lufte dhe asaj ushtrie; vetëm e vetëm pse ai ka demaskuar përpjekjet e atyre profiterëve që e çmobilizuan UÇK-në, dhe sot u kërkuan ndihmë ndërkombëtarëve për krijimin e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare për dënimin e UÇK-së dhe devalvimin e asaj lufte të drejtë, gjykatë e llojit të panjohur deri më sot në historinë botërore.
Së pesti,
Nëse ju mohoni vepritarinë time në Luftën për Çlirimin e Kosovës dhe në ndihmë të UÇK-së, do të thotë se ju mohoni qënien time si i vetmi pjestar i UÇK-së që shoqëroi dhe ndihmoi 3 (tre) oficerat amerikanë deri në fund të luftës, të ardhur në ndihmë të asaj lufte e asaj ushtrie shqiptare; do të thotë se këtë veprim e kryeni me urdhër të z.Xhavit Haliti, në shenjë hakmarrjeje, meqenëse kam kundërshtuar me shkrime artikujt e tij, artikuj që devalvojnë vlerat e asaj lufte dhe asaj ushtrie çlirimtare.
Së gjashti,
duke mohuar veprimtarinë time në ndihmë të asaj lufte e asaj ushtrie çlirimtare, ju automatikisht mohoni faktin që unë angazhova në Operacionin “Shigjeta” tre shokët oficerë të ushtrisë shqiptare të klasës sime në Akademinë Ushtarake “Skëndërbej”- Shqipëri:
1. Dritan Durmishi,
2. Agim Sallaku dhe
3. Ermir Bega

si dhe shumë të tjerë, me kërkesë të z. Kadri Veseli dhe Shpëtim Golemi.
Së shtati,
Nëse ju mohoni veprimtarinë time në Luftën për Çlirimin e Kosovës dhe në ndihmë të UÇK-së do të thotë se ju mohoni faktin që u kam siguruar pa asnjë lekë apo Marka Gjermane 700 (Shtatëqind) Automatikë “Kallashnikov” forcave që kryen Operacionin “Shigjeta”, duke ia kthyer z. Azem Syla të 60 (Gjashtëdhjetë) Mijë Markat Gjermane, që më pat dhënë ai për gjetjen dhe blerjen e atyre armëve. Z. Azem Syla e keni gjallë, pyeteni.
***
Për të mos vijuar edhe më tej me fakte të tilla të panumërta për veprimtarinë time si oficer shqiptar në ndihmë të asaj lufte, kam të drejtën morale t’u them se:
– Ju, duke mohuar vepritarinë time në Luftën për Çlirimin e Kosovës dhe në ndihmë të UÇK-së do të thotë se ju e bëni këtë veprim të turpshëm në emër të të gjithë institucioneve shtetërorë të Kosovës dhe tërë popullit të saj shqiptar, pasi ju jeni komision i emëruar nga Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës, si të tillë ju në emër të Kosovës kërkoni të na thoni, se populli autokton shqiptar që jeton në Kosovë nuk është mirënjohës ndaj këtyre ndihmave që dhamë: unë dhe familja ime për lirinë e Kosovës, si e vetmia familje shqiptare jashtë kufijve politikë të Kosovës që totalisht u angazhua në ndihmë të atij populli në Kosovë, duke sakrifikuar 100% burrat e kësaj familje, dhe këtë e bëni me qëllimin e lig që ne të shprehemi kundër atij populli, por nuk keni për t’ia arritur kurrë qëllimit edhe nëse nuk e pranoni përsëri këtë ANKESËN time dhe, kijeni të qartë se, ne jemi krenarë që kontribuam të gjithë si familje për atë luftë, pavarësishtë nga mosmirënjohja e juaj zyrtare.
Në vend që ju ta shpallnit këtë familje si familje heroinë, ju dhe profiterët e asaj lufte bëtë të pamundurën që të na burgosnit dhe të na linit pa punë të gjithë ne pjestarëve të familjes me kryetar z.Dilaver Goxhaj (Shpëtim Golemi). Historia ka për t’u damkosur me vulën e turpit nëse vijoni t’i qëndroni refuzimit të aktivitetit tim dhe të familjes sime, ndërsa neve ka për të na nderuar. Për këtë të jeni më se të sigurtë. Nuk u angazhuam në atë luftë për përfitime dhe grabitje, sikundër bënë dhe bëjnë profiterët e asaj lufte e asaj ushtrie, dhe nuk jemi keq për ato pesë Euro, pasi ishim dhe jemi të aftë e të zotë jo vetëm të sigurojmë jetesën tonë por edhe të luftonim për lirinë tuaj.
Me bindjen se do të korigjoheni dhe do të kthjelloheni ju dhe ata që u kanë urdhëruar juve të kryeni këtë turp.

Dritan Goxhaj – Tiranë, 20 Prill 2015

– Dritan Laver Goxhaj –

…………………………………………………….

DOKUMENTE:
Vërtetimi i Dritan Laver Goxhaj, si pjesëtar i UҪK’së, lëshuar nga ish’Ministri i Mbrojtjes, Azem Syla:

Refuzimi i statusit të veteranit, për Dritan L.Goxhaj…:

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

KONSERVATORIZMI

KONSERVATORIZMI Nga Xhelal Zejneli, Shkup 26 Maj 2022 Konservatorizmi është pikëpamje që vlerëson dhe që synon të ruajë…